Përkthimi i letërsisë në Shqipëri e në Kosovë është shndërruar në biznes, ka thënë shkrimtari Ardian Haxhaj
Përkthimi i veprave letrave të huaja në gjuhën shqipe kurrë nuk ka qenë më i madh sesa viteve të fundit. Lexuesi shqiptar në tërë hapësirë e tij, pa ndonjë problem, mund të gjejë në shqipe pothuajse të gjitha veprat e njohura të letërsisë botërore. Kjo karakterizon edhe tregun e librit në Kosovë.
Përkthime me nguti
Studiuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se letërsia e përkthyer nga përkthyesit e Shqipërisë dominon letërsinë shqipe në Kosovë, mirëpo edhe përkthimet në Kosovë kanë filluar të shtohen. Sidoqoftë, ka thënë ai, që të arrihet cilësia e përkthimeve te ne mbetet vështirësi e madhe, për shkak se ndonjëherë bëhen përkthime dosido, me nguti, por edhe pa u ngjizur njohja e letërsisë me njohjen e gjuhës së huaj. "Për shembull, nëse ju e përktheni një libër nga letërsia frënge, ju nuk duhet të dini vetëm gjuhën frënge, por edhe rrjedhën zhvillimore të letërsisë frënge, sepse letërsia për dallim nga shkenca, mbetet problem i madh i përkthimit të besueshëm i metaforave, figuracioneve, të cilat mund të jenë të kontekstit kulturoro-psikologjik të mjedisit prej nga vjen autori i tillë", ka thënë ai. "Shpesh ndodh që vetëm pse merr pagesën një përkthyes për një libër të përkthyer, e merr përgjegjësinë, ndonëse nuk ka përkushtim profesional. Ka përkthyes që dëmtojnë shumë vlerën artistike-letrare të një libri dhe mund të përçojnë gabimisht përshtypjen te lexuesit", ka pohua Rudaku.
Sipas kërkesave të botuesve
Shkrimtari Ardian Haxhaj, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovë, është shprehur se përkthimi i letërsisë së huaj në gjuhën shqipe në Kosovë është shumë i rrallë dhe shtëpitë botuese të Kosovës sikur janë pajtuar në heshtje, duke u lënë hapësirën botuesve nga Shqipëria. "Dikur, para më shumë se dy dekadave, ishte Prishtina qendra e përkthimeve të literaturës së mirëfilltë botërore, por tash është e kundërta", ka thënë Haxhaj. Sipas tij, cilësia e përkthimit sot është krejtësisht në dorë të përkthyesit, që nënkupton mungesën e redaktorëve dhe shqyrtimin e përkthimit nga ekipet e tjera. Madje, përkthimi i letërsisë në Shqipëri e në Kosovë është shndërruar në biznes, ku, siç është shprehur Haxhaj, përkthimi bëhet me normë, që nënkupton vetëm domosdonë e përkthimit, por jo edhe të cilësisë. "Sot letërsia shqipe ka mungesë të filologëve që e përjetojnë secilën fjalë dhe fjali të librit që është i shkruar në një gjuhë e që duhet të përkthehet në gjuhën shqipe", ka thënë ai.
Krijuesi Reshat Sahitaj është shprehur se përkthimi i veprave të huaja në gjuhën shqipe është duke u bërë sipas kritereve dhe kërkesave të botuesve, që sipas tij kemi vepra shumë të mira, por kemi edhe të tilla që nuk janë të nevojshme. "Mendoj se romanet janë duke u përkthyer shumë profesionalisht, kurse tekstet shkencore si të psikologjisë, filozofisë, etj. përkthehen aq dobët sa që studentët në vend se të mësojnë siç duhet ata mësojnë gabimisht, sepse përkthimi ashtu ua imponon", ka pohuar ai. "Pavarësisht përkthimet janë të domosdoshme, sepse ndihmojnë që edhe ne të jemi në trend të zhvillimeve kulturore botërore", ka thënë Sahitaj.
I. Vatovci