2013-09-28

Sikur të mos gjerbja maturimin e humbjeve

Bardhyl Maliqi.jpg

Nga Bardhyl Maliqi

GJYSHJA...

Gjyshja kundronte qiellin e hapur
si tepsi,
plot thërrmija yjesh
si fluturza të bardha,
të mbetura nga kulaçi i grunjtë
i diellit;
ndërsa tej llamburiste nëpër natë Korfuzi,
dhe ne ngjyenim bukën në hijen e kandilit.
Dhe hëna krehte flokët e verdhë mbi malin e Nartës,
në pasqyrën vezulluese të Jonit
dhe dëshirat e ndaluara mbyteshin me ngashërim
në ujin qelibar të sterrës,
duke shpresuar për nesër,
nesër!...

KUFIJTË

Kanë kaluar katër muaj
nga takimi im me Frosinën
në një natë me hënë
në korijet e spitalit “Haxhikosta”;
dridhem nga zëri kërkues
i mjekes sime, Kristinës,
dridhem si fleta e plepit
te liqeni i Janinës.
E di,
vjen një moshë,
kur burrat hutohen, tremben,
si fëmija që ka humbur çelsin e shtëpisë-sigurinë e tij,
varur në qafë
në vend të hajmalisë.
Unë përditë luftoj
të shtyj kufijtë e të qenit fëmijë,
për t’u ndarë me ju mendjekthjellët.

TRISHTILI

miqësisht
E njihni Trishtilin,
zogun e vogël të gjithkohshëm të pyllit,
që këndon bukur,
që përçartet pranverës me ngjyrën e gjelbër të krahëve,
me gushën e bardhë,
me sqepin e vogël të verdhë,
me lëvizje të gjalla,
vajzërisht të hijshme.
Por ty po më habit bre, Mustafë!
pse ngjyresh me poza patriotizmi,
pse lëviz me postura histerike,
me zë të çjerrë,
me sy të zgurdulluar?
mos vallë don të fshehësh
dobësinë tënde,
atë zogun e vogël të pyllit,
pas flatrave dhe sqepit të një shqiponje,
pas kokës së madhe dhe
syve të zgurdulluar të bufit?!
Mustafë,
o i biri i dikushit!
* * *
Poezia më e bukur e Kiplingut është në mundsh,
e Kadaresë llora
e Bilal Xhaferit baladë çame
ndërsa poezia jote më e bukur është grami,
ajo bima që të gjithë e luftojnë,
e shkulin, e mihin, e flakin,
se u zë tokën e bukës,
të grurit dhe thekrës.
por grami yt, bre Muçë, ja beh
me një ushtri të tërë filizash të gjelbër,
sikur mbin nga hiçi…
ndaj kur shoh që shtiresh,
ndaj kur shoh që çirresh,
për poetin-njeri,
trishtohem,
më dhemb shpirti!

TETI

Sikur të mos gjerbja maturimin e humbjeve
dhe mungesat të m’i kompensonte deti,
me gjallesa nënujore;
me ty do ta ndaja heshtjen,
Teti!
Dhe Akilë të rinj do të lindnin,
perëndesha ime thesprote.
Me dashuri,
Yti,
Pele,
Mbret i Mirmidonëve.

EKUINOKS

Në çdo datë 22,
ka një ngjarje të pashkruar,
një algoritëm të pathënë.
Më 22 mars ekuinoksi pranveror,
më 22 mars poetët i zenë dritën Njeri-Tjetrit,
22 vjeç isha në atëherë,
Nora,
Ti te Kulla Ejfel,
Unë te Portat e Shën Pjetrit!

NJË PROSTITUTE

Të falem ty,
Prostituta ime,
Sa të hirshme do ishin perënditë,
Nëse do kishin kandellën tënde!
Do ta ndërroj besën eunuke
Dhe Krishtin anemik,
Për të përqafuar
Fenë tënde.
Shërbëtori yt besnik!

PENDIMI

Dielli është penduar që lindi,
kur pa thertoren tënde,
Paramithi,
më 1945,
dhimbje!
gjak,
lotë dhe hi...

KRYQËZATA

Unë jam kryqëtar i së arthmes,
por pa kryq e pa shpatë,
për shpirtin tënd,
Amarda,
do të bëj
kryqëzatë!

PËR BESË!

Pak të zeshkëta dhe me shumë shije,
janë këto besimtaret e Jahovait
në qytetin tim jugor.
Sikur të isha ca vjet më i ri,
për besë,
s’do më njihnit
për shenjtor!

VETËM TI
Shenjtore e hershme,
Lezbike e vonuar,
Delikate si qelq,
Më bie nga duart…
’97-TA
Krismat bënë ngjarjet,
Ngjarjet lindën krisma,
Krim,
Kurthe,
Klithma!
…Kjo qe e gjitha!
“N”
Neuroni,
nervi,
Nevria.
Unë
mes dy veprave të Sartrit:
“Murtaja”
dhe “Neveria”…

KUMRIE

Pëllumbeshë e Jugut,
pelistere Kreshmoi,
kumri e Elbasanit,
sa herët më zgjoi!

PAGËZIMI I FJALËS

Ata erdhën
me zjarr e me hekur
për të pagëzuar heshtjen,
Pal Ëngjëlli pagëzoi fjalën:
“Në Emër të atit, të birit
dhe të shpirtit të shenjtë,
të pagëzoj...
Amen!”
Shkuan shekuj dhe
heshtja u shit në karton;
fjala
si fara e grurit,
gjithnjë bleron!

LEXONI :

http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2013/04/Doktoratura-Bardhyl-Maliqi-Fakulteti-i-Shkencave-Sociale-Departamenti-Psikologji-Pedagogjise.pdf

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...