2013-09-24

VETMI...NATËN...LARG ATDHEUT...LARG SHKODRËS



Në Shkodrën time ka njerëz të mirë në mënyrë të pafundme dhe kjo, edhe sepse atje këndojnë dhe qeshin të gjithë. Po, po, edhe lulet, që të çelin e të vallëzojnë në lëndinën e tyre apo në saksinë tënde, duan melodi. Ju betohem… pa vijeni veshin me kujdes një luleje që ju doni më shumë dhe rrini pranë saj pa lëvizur, ndërsa ajo po nis e çelë petalet e veta.

Keni për të ndjerë diçka të ëmbël, diçka që një vesh normal në kushte normale nuk e ndjenë dot – është melodia e çeljes së lules. Është krejt e ndryshme për secilën lule që don ti, siç ndryshon melodia e çdo filmi që të ka mbërthyer para ekranit të madh… shumë të madh, por kurrë më të madh sesa bota e lules që po çel para syve të tu dhe në prezencën e vetmisë tënde.

Në Shkodrën time njerëzit e duan shumë njeritjetrin. Atje kënaqen me gjithë shpirt për rezultatet tuaja dhe, ai që ka triumfuar më në fund, nuk kënaqet dot, poqese nuk ndjen fytyra dhe shpirtëra të gëzuar përqark. Më besoni mua!

Ejani të rrijmë së bashku në një cep të “Kafes së Madhe”*, në anë të rrugës dhe të kundrojmë kalimtarët e panjohur për ty! Që të gjithë i shikon, ja duke qeshur, ja duke vërshëllyer ndonjë melodi, në se janë vetëm, ja duke folur me zë të lartë – pra krejt çiltërsisht; ja duke treguar barsoleta.

Shkodranët janë shumë të bukur.

Njerëzit më të bukur të botës banojnë në Shkodër.

Sepse në Shkodër e duan muzikën si askund. Më besoni! Më besoni, për hir të kësaj vetmie të mrekullueshme, në këtë natë të mrekullueshme,larg...

Muzika është e vetmja magjistare që mund të zbutë edhe një gjarpër.

O njerëz! Më dëgjoni mua! Dëgjojeni këtë klithëm që del nga shpirti im, i një njeriu që i mungon atdheu sonte dhe që i përulet përnatë notave të një kënge shkodrane si të jetë para altarit!

A doni që njerëzit përqark t’u duan?

Që njerëzit përqark të mos u kenë frikë?

Mjerë ai njeri që e kanë frikë të tjerët. A nuk është kështu?

A doni që jeta juaj të kalojë si në një lëndinë me lule?

Që hallet tuaja t’u duken sikur je duke kaluar në një det me dallgë shumë e me stuhi, por që me siguri do të dalësh në breg dhe do të brohorasësh me hare?

E di si t’ia bëni?

Përpara se sa të zhvilloni prirjet tuaja të gjithfarshme, mësoni me hare me dashtë muzikën. Me e dashtë me të tana mundësitë tuaja, me të tana shqisat tuaja.

Shkodranët i duan poezitë që të gjithë, i duan sipas mënyrës së tyre, i duan në heshtje dhe pa i treguar kujt, siç nuK tregohen të fshehtat e shënjta të shpirtit.

Sa natë e bukur sonte!

Është qielli përplot me yje dhe është butë, si në një nga netët e verës në Velipojë.

Sa më ka marrë malli për Shkodrën! Ajo i mledh bijtë e saj si një mjelmë puplabardhë e zemërbardhë. I ndjell ata që larg, me tinguj që i di vetëm ajo.

Po më vjen për gjumë dhe mua. ...

Natën e mirë, atdheu im, që je kaq larg nga dritarja ime dhe nga ky oqean i dritave! ...
Natën e mirë Shkodra ime! Natën e mirë, atdheu im.

Po ju nis një pëllumb të madh dhe të bardhë që nga dritarja ime; – është puthja ime!

Puthja ime për sonte!

Një puthje në ajër të gjithëve, që nga dritarja ime.

Natën e mirë, hënë!… Ti , hënë e vetmisë sime!


RIZA LAHI

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...