2013/09/28

Nga Fatmir Terziu: Gjithshka më ikën tej, fluturon dhe humb....


Një çast me nënën


hafizja


Flegra gëlqerore janë mushkëritë. Stridhja

e ngrirë e ujit të acartë që sjell koha,

në këtë mjedis që qëndron furrë,

copëzimeve të mëngjesit në mendjet tona,

e butë është ndjesia dhe unë jam gjuha e saj,

në bukën e zhguftë të sapopjekur,

shoh gishtat e tua,

kurrizin e saj e kanë thekur.



Unë eci duke thithur ajër me kontratë,

pas çdo thithjeje e pushtoj meditimin,

nga brenda më yshtet një shamatë,

si parodi e nakatosur me trishtimin,

dhe jam ku nuk isha më,

ku më parë shfryja me mall,

dergjem si i dehur në gjumë,

a je zgjuar nënëza ime e radhë?



Një grahmë më bën hije,

imitim i lepurit që ia mbath largët,

dritarja më sjell lëvozhga drite,

në dhomën e vogël të vakët,

kalimthi ikën ditë pas dite,

samari i ngarkuar i kafshës,

që transporton vargje dhimbjesh,

të përvijuar me të kaltër,

nga loti yt i zjarrtë e shtrenjta ime.



E përkëdhelje fytyrën time,

ishe aq afër, sa larg isha dhe unë,

të ndjeja tiparet, shenjat, pikëlthat në faqe,

shatërvani i zërit luante vallen,

ama piklat e ujit përherë e më të mëdha,

më mbytnin frymëmarrjen,

të njëjtën gjë bënin dy zogj nën strehë,

që gëzonin ardhjen,

për një çast Ti ishe mes nesh…




Profili i dhimbjes

me bashkimin ne oher

(Vëllait tim Bashkim Terziu, që u operua për të katërtën herë në Prato të Italisë, pak ditë më parë. )

me Bashkimin ne Oher

Familja ime:(Nga e majta ne te djathte, Andi, Luci, vellai im Bashkimi, Babai im Daili, Une dhe Evi i ulur… Evisa na fotografon…)





Kam nderë sixhadenë e mendimit,

profili i dhimbjes ngarend nëpër heshtjen e gjymtyrëve,

në shtrat të trazuar kujtimet latohen. Bisturia

që copëzon mish nga gjaku yt, i imi vëlla,

nuk durohet, e ndjej Praton që përlotet,

kjo është dhimbë, dhe s’ka asnjë çmim,

nën çadrën gri që na mban hijen e frymës,

një damar që kalon i pavërejtur në trup

si një rrjet tramvaji i stinës,

gjithshka më ikën tej, fluturon dhe humb.



Por një dromcë e brendshme duhet të shkulet,

një lloj zhgarravine si në varg,

mes jetës dhe arsyes ka lidhje që s’shuhet,

janë rrënjët prej mishi që i lag një gjak,

sall koka del sipri,

siç djeg dhë përvëlon shpirti,

Prato – Pronto Moda, apo Moda e Shpejtë,

e ndjeu dihmën tënde të lehtë,

gazetarja Silvia Perrachi e shpjegon qetë,

‘rioperohet përsëri shqiptari dhe qesh’,

Kryetari i bashkisë së Pratos Roberto Cenni përshëndet,

vëlla i shtrenjtë ti mbete në jetë!



Së pari vijnë mesazhet, sapo ka nisur të agojë,

shiu pushoi, por disa pika ende janë në xham,

e fati me tharm dhimbjeje të bind,

se asgjë nuk përvëlon më shumë në shpirt,

në ekranin e largësisë që shkruhet përditë,

me jetën e njeriut, vëllait të mirë,

lutemi dhe lutemi të gjithë me radhë,

që bisturia mos bëhet kurrë në këtë botë,

lastari metalik që prodhon lotë.


Miriapodë

article-2412099-1BA22C44000005DC-931_964x643

Miriapodë e tistë mbush dritaret,

mjegulla miskojë mbi fletët e manjolës,

po sall thinjat shumëzohen,

vallëzoj çmendurisht mes Londrës,

e gjej veten të nderë si një plaçkë të hequr,

asnjë molekulë, asnjë venë nuk pipëtin,

kështu çlirohem duke u tretur,

të kap ditët që ikën pa kuptim.



E pranoj kotësinë e tretur nudo,

mistrosur përditë në trurin tim,

duke rendur pandalur ngado,

e kuptoj se pas shpine ka mashtrim,

pa mashtrimin vetë bota do të ishte lakuriqe,

siç do të ishte edhe kopshti im,

vetëm me mjegullën e stisur si postiqe.



E shoh se mjegulla zbret si entitet,

i një bote të ftohtë, të mardhur,

mes saj mbulojnë mashtrimin retë,

si arma e tyre në kohën e duhur,

unë, njeriu hutohem ecejakeve në qytet,

pse syri i rrjetosur s’sheh më pluhur.



Kuptoj se mashtrimi është sot esencë e qashtër,

misemadh me një pafundësi mjegullash,

me të zgjohen zyrtarët, bëhen të pastër,

njeriu është njerëzimi si i tillë, gulash,

përzierje e mishtë në çdo vatër,

s’ka më punë burrash, aspak punë grash,

hapi sa të duash sytë, bëji katër,

mashtrimi na ka hyrë dhjetë pashë!



Miti sizif




Më ndjek skutave hekuri i skuqur i vetmisë,

nocioni bosh i përvuajtjes estetike. Kollarja

një lavjerës bërnjak,

tejshkund të gjitha fytyrat që s’i kam,

kafsha mitike ngre samarë,

përditë e më shumë në mendjen thatime,

si Sizifi i dënuar që rrokullisi shkëmbin në kodër,

vetëm për të parë atë të rrokulliset përsëri poshtë,

dhe për të përsëritur këtë veprim përgjithmonë.



Gjithçka kumton mbi çmimin rutinë,

mjerisht edhe kur e stisim si lodër,

vetminë nuk e shëron asnjë ilaç,

as Sizifi i ri i mitit Londër,

nuk ndreq asgjë; mendoj shumëçka,

as kafsha mitike në mendjen kodër,

po kush e vret vetminë, botën ka,

nënë e babë, vëlla e motër.



Kush mund ta kuptojë se të frikëson vetmia,

përveç atij që është një mish i ftohtë,

Sizifi mit, mbret nga Efira,

ngadalë bën vend në këtë botë,

na shkep e qep njëqind fytyra,

ajo që është e juaja është e kotë,

brenda saj tashmë mungon yndyra,

i bukur, i mençur e madje i fortë,

është sot ai që gryen orët tek pasqyra.


sizifi
Sizifi

Sizifi duke shtyrë shkëmbin e tij në Varrezat Highgate të Londrës


Shënim: Në mitologjinë greke Sizifit (sɪsɪfəs / /; [1] grek: Σίσυφος, Sísyphos) ishte një mbret i Ephyra (tani e njohur si Korint). U dënua për mashtrime kronike, duke e detyruar të rrokulliste një shkëmb të madh deri në një kodër, vetëm për të parë atë se si rrokulliset përsëri poshtë, dhe për ta përsëritur këtë veprim përgjithmonë.




No comments:

Post a Comment

Urrejtje dhe protesta anti Tesla

Qindra protesta në dealershipet dhe ekspozitat e Tesla në të gjithë botën u zhvilluan të shtunën, duke shfaqur një rezistencë globale kundër...