2013-09-22

Prezantim i biografisë autoktone të kësaj treve

description


Ndryshe nga promovimet tradicionale të librave që bëhen sipas një klisheje të krijuar tash e sa kohë, të shtunën në Gjakovë, Jusuf Buxhovi ka zgjedhur një formë krejtësisht tjetër të promovimit të romanit të tij më të ri, “Jeniçeri i fundit”. Ai parapëlqeu që këtë promovim ta shndërrojë në një bashkëbisedim me lexuesin e pranishëm, në bashkëbisedim me intelektualët dhe atë jo vetëm për librin në fjalë, por edhe për aktualitetet kulturore, politike, shoqërore.

Vendosja e një rendi të ri ushtarak

Duke iu përgjigjur interesimit të të pranishmëve, Buxhovi ka theksuar që promovimin e këtij libri, të cilin ai vetë e quan “Libër për vetveten”, ua dedikon tre personave, Ali Podrimjes,Teki Dervishit dhe legjendës së gjallë të muzikës shqiptare, Ismet Pejës, duke e nderuar këngëtarin Peja me një komplet veprash të veta. Ndërkaq, duke folur për librin “Jeniçeri i fundit”, autori i tij ka potencuar se jo vetëm ky roman, por edhe të tjerët të shkruar para tij, paraqesin prezantim të biografisë autoktone të kësaj treve. “Ngjarja e romanit zhvillohet në kohën e masakrës së madhe që e bëri (në Stamboll) Sulltan Mahmuti i Dytë më 1826, kur vrau rreth 10-15 mijë jeniçerë, që ishte hapje e rrugës për t’u vendosur rendi i ri ushtarak. Ky libër përshkruan të dhënat historike të asaj kohe si dhe faktin se Rilindja Kombëtare inspirimin shpirtëror e ka marrë nga rendi i bektashinjve”, është shprehur Buxhovi.

Roli i intelektualëve shqiptarë

“Ky libër nuk është një film historik, pasi në të trajtoj edhe konceptin filozofik “Pranimi i Gjakut të Dijës, nuk nënkupton përjashtimin e Dijës së gjakut”. Nëse bëjmë një ndërlidhje të së kaluarës me aktualitetin, del se edhe Kosova është një shtet i kompromisit me faktorin ndërkombëtar, prandaj ne vazhdojmë të mbesim një shtet që mund të trajtohet si problem i problemeve”, ka thënë Jusuf Buxhovi, i cili, një pjesë të bashkëbisedimit të tij me lexuesin, ia ka kushtuar rolit aktual të klasës së intelektualëve shqiptarë me theks të posaçëm të atyre kosovarë. ”Numri më i madh i intelektualëve tanë e kanë humbur identitetin intelektual duke u bërë, në një mënyrë, vasalë të politikës. Ka filluar të krijohet një klimë e patolerueshme, sipas së cilës anatemohen të gjithë ata që insistojnë në prezantimin e drejtë të traditës, të së kaluarës dhe të gjenezës sonë”, ka thënë Buxhovi. B.Vula

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...