Në Gjakovë, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi promovoi romanin më të ri "Jeniçeri i fundit". Këtë promovim, që zgjoi interesim të madh në Gjakovë, autori tha se ua kushtoi dy shkrimtarëve të njohur Teki Dërvishit dhe Ali Podrimjes, krijimtaria letrareve e të cilëve arrin kulmet e letërsisë shqipe. Autori, po ashtu, në mënyrë të veçantë, nderoi edhe këngëtarin Ismet Peja, të cilin e quajti "bilbil të Çabratit", zëri i të cilit i dha ngjyrime të veçanta muzikës sonë popullore.
Pasi që shpjegoi motivet që e kanë shtyrë të shfrytëzojë një fakt historik, siç ishte ai i fundi tragjik të rendit të jeniçerëve e bashkë me të edhe të Bektashinjve - si inspirues kryesor të këtij formacioni të njohur ushtarak, Buxhovi tha se me anën e imagjinatës artistike është përpjekur të futet dhe të ndriçojë sado pak dilemën pse shqiptarët ishin të suksesshëm në këtë rend ushtarak, dhe po ashtu të gjejë lidhjet shpirtërore të një pjese të mirë të shqiptarëve me rendin Bektashi.
Krahas kësaj, në këtë promovim, Buxhovi pjesën më të madhe ia kushtoi raporteve të shqiptarëve me Perëndimin, duke i parë ato në një kontekst historik, por edhe shpirtëror dhe kulturor, të lidhur me themelet e këtij qytetërimi. Por, sipas autorit, kjo e vertetë historike u kontestua dhe vazhdoi të kontestohet nga vendet fqinje (sllavo-ortodokse) qysh nga fillimet e shekullit XIX, me libra antishkencore, me anën e të cilave shqiptarët shiheshin si popull endacak, pa histori dhe ç'është më keq, ata shiheshin edhe si mbetje islamike në Europën Juglindore, që do ta rrezikonin atë po qe se do t'u jepej shteti i pavarur në përputhje me të drejtën etnike dhe historike. Buxhovi tha se Rilindja kombëtare ia doli që të shqiptarët t'i lirojë nga këto hipoteka me anën e nxjerrjes në shesh të vërtetës historike për përkatësinë e tyre perëndimore që nga themelimet e antikitetit, gjë që ndikoi që të pranohej pavarësia e Shqipërisë (qoftë si e përgjysmuar), ndërkohë që mbi këtë platformë, pas një shekulli, të pranojë edhe shtetin e Kosovës, për nxjerrjen e të cilit, nga pushtimi serb, në vitin 1999 SHBA-të bashkë me vendet e NATO-s përdori edhe ndërhyrjen ushtarake.
Por, sipas Buxhovit, klasa e tanishme politike, me sjelljen e papërgjegjshme thuajse në të gjitha fushat, ka filluar ta rrezikojë këtë të arritur të madhe historike. Asaj po i ndihmon edhe heshtja e çuditshme e intelegjencës shqiptare, e cila duke u treguar indeferente ndaj keqpërdorimit të lirisë fetare për qëllime politik, që po inicohet nga veprimtaria e rrymave ekstremiste fundamentaliste, të cilat nuk ngurrojnë të shkelin mbi vlerat kombëtare shqiptare dhe shtyllat e identitetit historik dhe kulturor të tij, ka filluar ta humb kompasin shpirtëror në raport me civilizimin perëndidmor dhe vlerat e tij.
Buxhovi në fund theksoi se do të jetë fatale për ne nëse sillemi kështu, ngaqë ata që deri më dje kanë trumbetuar se ne jemi "mbetje fundamentaliste islamike" në Evropë, këtë do ta shfrytëzojnë që Perëndimin ta nxisin kundër nesh, gjë që në rrethana e ndonjë krize politike me të cilat Evropa është plot e përplot, Serbisë dhe aleatëve të tyre sllavo-ortodoks, mund t'u jipet "e drejta" për ta "mbrojtur qytetërimin evropian nga ky rrezik.