2010-12-30

PROF. DR. RAZI BRAHIMI : NDIHMESË NË PËRTËRITJE TË KRITIKËS LETRARE

image Libri
Kërkesa për gjallërimin e kritikës letrare e artistike ka ardhur në kohën e duhur...


  Fatmirësisht erdhi përsëri koha që të ndihet mungesa e kritikës letrare e artistike. Them fatmirësisht, sepse kjo njdjenjë e mungesës, përveçse nënkupton domosdoshmërinë e një shoqërie të prirë drejt kulturës dhe vlerësimit të arritjeve  e kaheve të zhvillimit kulturor, dëshmon për rizgjim të energjive krijuese në fushën e letërsisë e të arteve pas periudhës traumatike disavjeçare që pasoi përmbysjen e nisur më 1991. Prej këtej rizgjimi, sidomos në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të ri, shkrimtarë të rinj e të moshuar, përveç rishikimit kritik të së kaluarës, ku prurjet jo vetëm në numër botimesh po dhe në tendenciozitet tejkaluan çdo cak realizmi, fituan vetëdijen e përgjegjësisë ndaj bashkëkohësisë e bashkëkohësve dhe, siç është meritë e nder e çdo letërsie, nisën të shpërfaqin në vepra (kryesisht në prozë e në poezi) dukuri realiteti në zhvillim, të rrokin kontradikta e konflikte dramatike të kohës, të pasqyrojnë shqetësime e dilema të njeriut të sotëm intelektual, jo vetëm për reagime shoqërore, politike e historike, por edhe për çështje dimensionesh globale, ekzistenciale e metafizike. Në këtë rendje, përveçse në përmbajtje e në tendencë, po aq me interes për tu vëzhguar, gjykuar e vlerësuar janë edhe mënyrat e parapëlqyera e të përzgjedhura për pasqyrimin e jetës, për depërtimin në thellësinë e dukurive, për ndërtimin e imazheve e të figurave, në pasurime kontekstesh e nëntekstesh, thënë shkurt në ndërtim raportesh të reja, jo vetëm në mes autorit e realitetit të shpërfaqur në vepra, po edhe në mes shkrimtarit e lexuesit, individualiteteve krijuese dhe letërsisë së kohës si tërësi polikromatike.
   Pra, kërkesa për gjallërimin e kritikës letrare e artistike ka ardhur në kohën e duhur: Ka arritje që presin vlerësim me kompetencë profesionale; ka probleme që meritojnë të bëhen objekt debatesh e polemikash shkencore; ka rrethe lexuesish (sidomos mësues, nxënës e studentë) që e kërkojnë kritikën si orientuese ose, së paku, si nxitëse të qendrimit aktiv ndaj letërsisë. Do të shtoja këtu se as kritikët e talentuar e të mirëformuar nuk mungojnë.
   Po pse, megjithkëto, ankohemi për mungesë të kritikës? Ose, për të qenë më të sinqertë; pse kjo mospërputhje e pamerituar dhe e pafalshme, jo nga shteti, se shteti s’ka pse përzihet më në debate e polemika letrare, po nga ato qarqe intelektuale, që kanë në dorë shtypin, median elektronike, shtëpitë botuese dhe tregun e librit?
   Shpresoj se me kohë do të kapërcehet ky paradoks dhe këtë shpresë, veç sa u tha, na e ushqen përkushtimi i kritikëve të talentuar si Nuri Plaku, shkrimet e të cilit, përmbledhur në librin “Kujtesa e humbur”, për cilësitë që kanë, meritojnë vlerësim. Një vlerësim që përligj ç’u tha në përgjithësi për kritikën dhe na bën të mendojmë se një brez i ri kritikësh e studjuesish po pasuron fondin e ndihmesave të dhëna prej paraardhësish, disa prej të cilëve vazhdojnë të kontribuojnë në lëmin e kritikës, të shndërrimeve historike e teorike dhe në pedagogji.
   Shkrimet e Nuri Plakut të para së bashku dhe në kontekstin e zhvillimeve e të mangësive të kritikës letrare bashkëkohore, më kanë dhënë mundësinë të vërej me kënaqësi, se kemi të bëjmë me një autor, i cili në kritikën letrare ndihet në “domenin” e vet dhe ka dhënë prova të lavdërueshme kulture të gjerë, kompetencë, zotërim të metodologjisë e të teknikës letraro – logjike,  aftësinë për të kundruar letërsinë edhe si dukuri shoqërore, edhe në mëvetësi, në rrafshe krahasimorë dhe si shpërfaqie individualitetesh e ndihmesash  korrelative.
   Meriton të përshëndetet, para së gjithash, ndieshmëria poetike e këtij kritiku, gjë që kam qenë e mbetem i mendimit se është një prej prirjeve të lindura dhe premisave të domosdoshme të dashurisë për letërsinë e të aftësisë për të depërtuar në “fshehtësitë” e shpirtit e të laboratorit krijues të shkrimtarit, për të zbuluar e për të nxjerrë në dritë vlera që syri i lexuesit të zakonshëm nuk i rrok dhe për të bërë të mundëshme kështu që vepra letrare të bëhet njëherësh më e kuptueshme dhe më e ndieshme. Në shkrimet e vëllimit kjo ndieshmëri poetike është përthyer përgjithësisht bukur dhe me stil; në ndërthurje të natyrshme të konstatimeve, të erudicionit e të logjikës së analizave e gjykimeve me vetë mbresat emocionale të kritikut, me frazën plot ngjyrime ndjenjësore, me përdorimin e figurshëm dhe emocionues të fjalës.
   Nuri Plaku është një ndër shembujt e shkrirjes që në gjenezë të të shkruarit me dashuri me të analizuarit e të gjykuarit me kompetencë. Kjo është gjë shumë e mirë për kritikën, sepse të shkruash thatë për letërsinë do të thotë të jeshë i mërzitshëm. Sigurisht nëqoftëse dashuria nuk shndërrohet në adhurim e konsideratat për autorë e vepra nuk topitin mendimin kritik, i cili, në fund të fundit, është tharmi mëvetësor i kritikës, dinamika e mendimit debatues e polemik, një prej qëllimeve madhore të sajë, që synon të tejkalojë caqet e të dhënave të konstatuara. Kritiku, si “qytetar i republikës demokratike të poetëve e artistëve”, arrin dinjitetin, kur e zotëron dhe e “nënshtron” objektin njësoj si shkrimtari i talentuar realist që e arrin suksesin vetëm nëqoftëse nuk bie në gjunjë para personalitetesh që përshkruan në vepra.
   Përmbledhja “Kujtesa e humbur”, të gëzon me aftësinë e kritikut për t’i parë veprat dhe krijimtarinë e ndonjë autori si Moikom Zeqo, në këndvështrime të ndryshme, sipas veçorish e kontributesh që mendon se autorët kanë dhënë në evoluimin e pasurimin e artit poetik, në teknikat e përdorura për trasmetim idesh e mesazhesh, për shpërfaqie imazhesh e ndërtim figurash, në përqasie e simbioza shtresash reale, sureale, mitologjike e mistike. Në mishërime artistike përmes subjektesh e karakteresh të koncepteve filolzofike e morale, që disa herë janë përdorur si leitmotiv veprash, deri dhe në ballafaqime krahasuese të vërtetash artistike me rrethana historike, shoqërore e politikeNuri Plaku në këtë mënyrë, përveçse ka dëshmuar përgatitje teorike e profesionale dhe në çdo lloj trajtimi ka treguar nivel shkencor, tërthoraz ka vërtetuar se këndvështrimet e ndryshme të një autori a të një vepre nuk përjashtojnë po plotësojnë njëra tjetrën, veçanërisht kur letërsia kundrohet në mëvetësi. Kështu ndieshmëria poetike, që buron prej përfitimesh ideoemocionale prej veprash letrare (dhe jo vetëm prej tyre), përkitur e, diku herë, e bënë të të nënkuptohet, bëhet shkak nxitës për të parë veprat si sendërtim prirjesh, parapëlqimesh, konceptesh e teknikash artistike me anë të të cilave shkrimtarët jetësojnë njohjet, përjetimet dhe idealet e veta, duke i shndërruar këto në objekt vlerash estetike më të koncentruara, më të qëllimshme e me veçanësi të dallueshme nga ato vlera që kanë nxitur frymëzimin e autorëve. Kësisoj, në shkrimet kritike të Nuri Plakut, lihet pothuajse ngaherë i hapur shtegu për trajtime të të njëjtave vepra në rrafshe të tjerë, sikurse dhe për diskutime lidhur me konstatimet që bëhen për individualitetin e çdo autori, i cili në asnjë rast nuk është parë si etalon i ndonjë metode a si model që duhet ndjekur. Kjo do të thotë se kritiku e shikon letërsinë në një hapësirë të pamatë shfaqie e garimi të çdo individualiteti, kurse detyrë të kritikës quan para së gjithash, zbulimin dhe shpjegimin (më shumë se interpretimin) e atyre vlerave të veçanta që çdo autor shton në përgjasime a në dallim me vlera të krijuara prej paraardhësish e bashkëkohësish. Ky objektivizëm, sadoqë mund të diskutohet për të dhe që shprehet vend e pa vend vetëm në qëndrime përçmuese ende ndaj socrealizmit, mendoj se shkencërisht është një arritje që patjetër ka për të shërbyer si bazë për përpunimin e mëtejshëm të metodës shkencore të studimit të letërsisë. Në korelacionet paravajtëse të saj, çka parakupton forcim të karakterit aktiv të kritikës, dalje më në pah të personalitetit shoqëror e artistik të kritikut, jo vetëm në vlerësime, por edhe në tedencë.
   Një tjetër mbresë që i mbetet lexuesit prej leximit të vëllimit “Kujtesa e humbur” është natyrshmëria dhe lehtësia që ndihet në shfrytëzimin funksional dhe efektiv të erudicionit intelektual të rrafsheve të ndryshme, shpesh me citime, si për shtjellim arsyetimesh e argumentime gjykimesh, edhe si mjet përqasjesh të letërsisë shqiptare bashkëkohore me rrjedha të letërsisë e të filozofisë botrore, kurdoherë pa asnjë kompleks inferioriteti dhe pa drojën e pohimit me zë të lartë të çdo vlere e arritjeje kombëtare. Në këtë drejtim, mesa e njoh unë kritikën dhe letërsiologjinë, Nuri Plakut i takon merita e  njërit prej pionerëve. Nuk është fjala këtu për patriotizëm, po mbi të gjitha, për njohje mbi bazën e së cilës janë zbuluar afrime dhe janë bërë krahasime të shumllojshme.
  Në një tjetër rrafsh, erudicioni i ka shërbyer kritikut për të nxjerrë në pah prurje dhe prirje të letërsisë shqiptare në periudhën 1990 – 2010, kur shkrimtarët, çliruar prej konceptesh dhe kornizash të tejkaluara për realizimin dhe për funksionet e artit, u vunë në kërkim të vetëvetes dhe, secili përshtat natyrës e tendencës ideoartistike, gjeti në rryma filozofike e sociologjike dhe në shkolla e përvoja letrare diçka që u kishte munguar e, duke qenë në moshë pjekurie, nuk kishte rrezik t’i kthente në gjurmashë starësh e superstarësh të tregut e të reklamës.
   Në këtë kontekst Nuri Plaku ka dhenë shembuj të shfrytëzimit krijues jo vetëm të surealizmit, realizmit magjik e të absurdit, po edhe të misticizmit, të metapsikozës, të “pavdekësisë së shpirtit”, të stilit, parabolave e figurave biblike, të thesarit mitologjik e legjendar, deri dhe të bestytnive popullore të ringjallura falë depresioneve e traumave të pësuara gjatë tranzicionit nga socializmi në kapitalizëm. Ai ka mundur të provojë përmes analizash e përsiatjesh se mbështetja në lëndë e konvencione mitologjike, legjendare  a të çdo burimi tjetër ja vlen vetëm nëqoftëse shkrimtari i përdor jo si përsëritje shterpe veshur dosido me “kostum të ri” po për të ngjizur një mendim të ri, për të ndërtuar në truall marrdhëniesh të së shkuarës ndërtesa me arkitekturë moderne, në të cilat, sado gjithënjerëzore të jenë idetë e subjektet, do të ndihen gjithësesi tharmi kombëtar dhe vula e individualitetit krijues.
   Edhe pse nuk pohohet shprehimisht, në shkrimet e vëllimit “Kujtesa e humbur”, koncepte e teori mistike e fetare, figura e parabola biblike etj., kurdoherë nisur prej veprash të shqyrtuara, janë parë edhe si burim pasqyrimesh artistike konvencionale (metaforike, simbolike) dhe si mundësi thyerje kornizash tradicionale ndrydhëse, por edhe në kuptimin e besimeve që mendimi shkencor materialist i konsideron fantastike. Në kuptimin e parë letërsia moderne ka treguar afrim të dukshëm ndaj kësi konvencionesh dhe, krahasuar me epoka të mëparëshme (nga Rilindja Europiane e këtej) i ka riaktivizuar risisht sidomos përshtat ekzistencializmit, surealizmit e absurdit ose përmes një ndërthurjeje interesante të  elementëve të kësaj natyre me realizmin çka më duket se karakterizon letërsinë e sotme shqiptare. Në kuptimin e dytë, d.m.th. pranimin e përligjien e teorive mistike (të metapsikozës, për shembull) si shkrimtari edhe kritiku hyjnë në polemikë jo me socrealizmin tanimë inekzistent, po me një rreth shumë më të gjerë mendimtarësh, të cilët mistikën dhe idealizmin në përgjithësi i konsiderojnë obskurantizëm. Dhe, me që është kështu, për tu pozicionuar qartas do të duhej të tejkaloheshin caqet e analizës së veprave konkrete që të shmangeshin pohime kategorike në dukje  të paapelueshme, të cilat kam përshtypjen nuk janë në natyrën e kritikut Nuri Plaku. Madje do të shtoja se edhe citimi i autorëve të tjerë nuk është mirë të përdoret për “t’i venë kapak” mendimit me anë postulatesh.
   Rrugë të mbarë, i dashur koleg!

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...