2010-12-28

KUJDES! BIG BROTHER NËN VËZHGIM!

Kur shkrimtari hindo-britanik George Orwel shkroi romanin e njohur “Ferma e kafshëve” (1945), dy kampet e mëdhenj që krijuan ekuilibrin e botës së ardhshme nuk ishin krijuar ende. Por që atëherë në përfytyrimin e shkrimtarit dhe politikanit Orwel bota e ardhshme do të ishte një botë që do të jetonte nën tmerrin e mbikëqyrjes së atij që ai e quajti “Big Brother” dhe që në polemikat e mëvonshme publicistike do të shenjonte superfuqitë.

Kujdes! Vëllai i Madh i sheh të gjitha! Big Brother po ju vëzhgon! Kjo qe porosia e G. Orwel për popujt e vendeve të Lindjes. Moska kontrollon gjithçka. “Gishti i vogël” i Vëllait të Madh mund të përmbysë qeveri, mund të shkatërrojë shtete, mund të sjellë hatara të mëdha. Për herë të parë në jetën e popujve hyri nocioni “Big Brother”. Në fakt, të njëjtën gjë mendonin dhe popujt e Lindjes për “bllokun kapitalist”: Uashingtoni i sheh të gjitha, atje ku ka aleatë e atje ku ka armiq, atje ku është i pranishëm me ushtri e atje ku e kontrollon situatën me “të bindurit”.

Në dy dekadat e fundme, kur shoqëria e kontrollit mori fund dhe kampet u shprishën, Big Brother u kthye në një ide spektakli, u bë patentë shëtitëse që flet në të gjitha gjuhët e botës. Big Brother sheh gjithçka që ndodh në një model të ri shtëpie, në një njësi të re organizimi të jetës së njerëzve. I sheh me të njëjtën rreptësi si “Vëllai i Madh” i Orwel-it. I sheh dhe mban shënime: si do të mund të jetojnë njerëz të panjohur me njëri-tjetrin dhe pa lidhje familjare në kushtet e një apartamenti, si reagojnë ndaj veseve të njëri-tjetrit, çfarë kompleksesh kanë, si nervozohen, si dashurohen, si shtiren, si lajkatohen, si krijojnë dhe njësi brenda njësisë duke u lidhur. Ndoshta eksperimenti më i madh që është bërë ndonjëherë në historinë njerëzore me pjesëmarrjen vullnetare të veprimtarëve: eksperiment psiko-social mbi të gjitha.

Dhe kështu, njerëzisë iu mbush mendja se forma më e organizuar e mbikëqyrjes së sjelljeve të individëve është Big Brother. Dhjetëra kamera vëzhgojnë në hollin e ndenjes, në dhomat e fjetjes, në kuzhinë, në dhomat e rrëfimit, në banjë, kudo. Numri i kamerave që kontrollojnë sjelljet e vullnetarëve të “Big Brother”-it ia kalon numrit të kamerave që përcjellin një ndeshje futbolli qoftë dhe të “ekipeve galaktikas”, si thonë komentatorët sportivë.

Por zhvillimet e fundme treguan se “Big Brother” spektakël është vetëm një formë fare e thjeshtë eksperimentale e mbulimit tërësor të shoqërisë me pasqyrë informacioni. Sepse e gjithë shoqëria e sotme është një Big Brother. Tani nuk është më Big Brother ai që vëzhgon, në të dyja kuptimet: qoftë si e përdori Orwel-i, qoftë si në terminologjinë e spektakleve. Madje, tanimë kanë ndërruar dhe rregullat e raportet: edhe vetë Big Brother përgjohet. Shenja e parë për këtë qe dhënë kohë më parë, kur vetë Shtëpia e Bardhë, e identifikuar me Vëllain e Madh njësoj si Kremlini për Lindjen, u trondit rëndë prej “Watergate scandal” në vitin 1970, kur shtypi botëror u përmbyt prej miliona kabllogramesh të nxjerra ilegalisht prej zyrave më të larta të shtetit amerikan.

Por sfida më e madhe ndaj Big Brother-it tradicional, i cili nuk është më vëzhguesi i botës, por një i vëzhguar i zakonshëm prej një tjetër Big Brother-i, është ajo që ndodhi në dy muajt e fundmë me fenomenin “Wikileaks”. Mbi njëmijë servera e providera janë në dispozicion të depozitës së informacionit që J. Assange dhe bashkëpunëtorët e tij kanë grumbulluar prej burimesh diplomatike amerikane e europiane, që sot ushqejnë shtypin dhe sundojnë debatet ndërkombëtare. Jo shoqëria e konspiracionit, por shoqëria e dekonspiracionit, është gjendja e sotme e botës. Gatishmëria e mediave për t’u ushqyer prej “thesaurus-it” të “Wikileaks” është aq e madhe, saqë tani informacionet e saj vetëm shiten, madje shiten edhe duke kontribuuar me diçka shtesë, në formën e solidaritetit, për fuqizimin e saj financiar.

“Wikileaks” është shprehje e ndryshimit të botës pas lulëzimit të revolucionit teknologjik në fushën e informacionit të numerizuar. Ishte ky revolucion faktori themelor që përmbysi muret dhe shkatërroi shoqërinë e mbyllur. “Revolucionarët” e shumtë të vendeve të Europës së Lindjes, duke përfshirë dhe Shqipërinë; të qenë e të paqenë, i ngjajnë asaj mizës që, duke qëndruar në bisht të kalit, mburrej se me fuqinë e saj tërhiqte karrocën. Në fakt, shoqëria e mbyllur vdiq kur lindi teknologjia e telekomunikimit, kur arriti një kohë kur valët televizive nuk mund të zhurmoheshin, kur posta tradicionale u kthye gati-gati në një kujtim të së shkuarës.

“Wikileaks” shkaktoi shqetësim e ndoshta edhe alarm edhe në Shqipëri. Çfarë do të dalë, si mund të kenë qenë sjelljet e atyre njerëzve që gjenden brenda rrezes së veprimit të “Wikileaks”, domethënë qeverisësit dhe kundërshtarët e tyre. Shqetësimi ende nuk ka mbaruar, sepse “Wikileaks” deri tani vetëm kopertinën ka treguar, pjesa tjetër është ende e papublikuar. Ajo që do të dalë, dhe që konfirmohet edhe prej aq burimesh sa janë botuar deri më sot, është se klasën qeverisëse të Shqipërisë e karakterizon një dyfishësi e përgjithshme, më saktë një hipokrizi e madhe, shpeshherë e pabesueshme. Qëndrime të dyfishta ministrash, deputetësh, funksionarësh, që në një anë mbështesin deri dhe idenë e një shteti të vetëm kombëtar të shqiptarëve, kur dalin para mediave të tyre, dhe në anën tjetër u pohojnë diplomatëve të huaj se pavarësia e Kosovës duhet të ecë ngadalë e të pritet të piqen rrethanat.

Sekretarja amerikane e departamentit të Shtetit, znj. Hillary Clinton, u shpreh disa ditë më parë se vendi i saj nuk është aspak i shqetësuar, sepse diplomacia amerikane ka bërë detyrën e vet. Dhe me plot të drejtë. Sepse vetë fjala diplomaci do të thotë dyfishësi. Sepse, sado që shoqëria është hapur, diplomacia është një shërbim i ligjshëm, në funksionin e së cilës është të shpallë dhe të sekretojë, të shprehet dhe të fshehë. Nuk ka diplomaci në botë që të mos bëjë raporte të fshehta, krahas deklaratave publike. Nuk ka diplomaci në botë që t’i përputhen qëndrimet e brendshme me ato të jashtme. Por çështja ndërlikohet nëse pyesim: dakord ata që kanë raportuar, sepse ashtu ua do funksioni; po vetë burimi i informacionit, që nuk është aspak në rrugë diplomatike, por prej njerëzish të veprimit politik dhe qeverisës, cila është përligjja?

Është krejt e kuptueshme se për jo-diplomatët, për të gjithë ata që dyfishësinë nuk ua justifikon detyra, nuk ka asnjë alibi. Mund të gjendet alibi, bie fjala, për ministrin që, pasi ka votuar në qeveri një vendim për lëshime serioze në shelfin detar ndaj fqinjit jugor, shkon në një ambasadë të huaj dhe ankohet për Kryeministrin pse po shet pjesët e vendit të vet? Mund të gjendet alibi, bie fjala, për deputetin, që, pasi ka votuar në Kuvend një rezolutë që dënon tendenciozitetin e Carla del Pontes apo të relatorit Dick Marty, shkon në një ambasadë të huaj dhe kërkon të dërgohen ekspertë për të hetuar për krimet shqiptare ndaj serbëve të trafikuar si pjesë këmbimi? Natyrisht që jo. Madje mund të thuhet se gjëja më e rëndësishme që solli në jetën e shoqërisë së sotme dukuria “Wikileaks” është demaskimi i dyfishësisë. “Wikileaks” është një Big Brother që tremb gjithë big-brotherinët e vegjël andej-këndej nëpër botë, është dukuria që po demonstron dështimin e moralit të njeriut, është dukuria që do të provojë edhe më shumë sa e pacipë është bërë shoqëria e sotme, sidomos ajo pjesë e saj që s’ka as dinjitet kombëtar, as dinjitet vetjak; ajo pjesë që thënë me terma të vjetër, shitet e blihet për një kompliment në shtypin e Perëndimit!

Big Brother-i me emrin “Wikileaks” është prova se sot bota është bërë e aftë të vëzhgojë vetveten nga të gjitha anët. Dikur thuhej se do të kishte qenë një mrekulli mbi të gjitha mrekullitë nëse do të imagjinohej një tragjedi e Eskilit e ruajtur në formën zanore si është luajtur në lashtësi. Sot kjo nuk është më një ëndërr. E gjithë bota është nën vrojtimin e syrit gjigant që quhet teknologji e informacionit të numerizuar. Asgjë nuk u humbet shqisave të kësaj teknologjie. Imagjinoni vetëm një fakt: sipas statistikave, njeriu i sotëm shkruan vetëm sms afërsisht tre mijë karaktere në ditë, pa llogaritur sa shkruajnë në postë elektronike, në mesazherinë e “Facebook”, në qindra forma të tjera që ofron teknologjia e informacionit virtual. Njerëzit punojnë në një zyrë dhe në fakt vetëm formalisht janë aty, sepse secili ka linjën e vet të ekstrakomunikimit. Njerëzit gjithnjë e më formalisht janë “fqinjë” me njëri-tjetrin. “Wikileaks” deri më tani nuk ka pasur punë me sekretet e vogla të miliarda njerëzve: prej moshave më të reja, deri te nënëmadhja britanike 90-vjeçare që ka faqen e vet elektronike dhe një pjesë të madhe të kohës e kalon në “Facebook”. Por e gjithë bota është e hapur, e zbuluar, para vëzhgimit të “Wikileaks”-ave të tjerë. Dhe është një kujtesë shumë instruktive për botën e sotme paraqitja e këtij fenomeni, jo për ta kthyer atë te mbyllja, por për të menduar për atë që quhet koherencë dhe që shkon kundër dyfishësisë, hipokrizisë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...