Prof. dr. Naser Ferri
Sipas traditës së krishtere Shtjefni ishte martiri i parë i krishterë dhe njëri nga 7 dhjakët e parë të krishterimit në përgjithësi. Në bazë të emrit të tij supozohet që me origjinë ishte hebre i helenizuar.
Në aspektin etimologjik emri Shtjefën rrjedh nga fjala greke “Stephanos “që do të thotë kurorë dhe Shën Shtjefni konsiderohet kurorë e martirëve të krishterimit. Në pikëpamje ikonografike paraqitet si njeri pa mjekër me 3 gurë dhe me palmë të martirëve në duar dhe i veshur në veshje të murgjve.
Skena e vrasjes së Shën Shtjefnit me goditje me gurë nga turma
Meqë kishte përqafuar mjaft herët mësimin e Krishtit apostuj e caktuan si një ndër 7 dhjakët e parë të krishterë së bashku me Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenasin dhe Nikollen që t’i ndihmojnë të varfrit dhe t’i konvertojnë hebrenjtë e interesuar për krishtërimin.
Në shumë vende të krishtera dita e 26 dhjetorit festohet si kremte e Shën Shtjefnit protomartir. Në Kataloni psh. kjo festë quhet Sant Esteve, në Francë Saint Etienne etj.
Në kishën lindore katolike të cilat aplikojnë ritin bizantin si dhe në kishën ortodokse dita e Shën Shtjefnit festohet më 27 dhjetor, datë kjo e cila korrespondon me 9 janar sipas kalendarit gregorian.
Gjatë verës festohet edhe dita e 3 gushtit si “Ditë e Zbulimit” që ka të bëjë me zbulimin e relikteve të Shën Shtjefnit në vitin 415 të erës sonë gjatë sundimit të perandorit Honorius.
Kisha ortodokse ndërkaq kremton zbulimin e relikteve të këtij shenjtori më 15 shtator, ndërsa më 2 gusht transferimin e relikteve të tij në Jerusalem.
Ky shenjtor ishte i respektuar për shkak të aftësive të veta oratorike,të autoritetit që kishte, virtyteve të shenjta si dhe p[r shkak të mençurisë.
Për shkak të besimit të vet kishte nxitur urrejtje tek priftërinjtë e Tempullit dhe ishte ngarkuar me akuza të rrejshme për blasfemi ndaj Mojsiut dhe ndaj Perëndisë. Për këtë arsye kishte dal para gjyqit Sanhedrin(gjyqi suprem i hebrenjve) më 26 dhjetor të vitit 35 të erës sonë.
Sipas burimeve kishtare në mbrojtje të vet ndaj akuzave të kurdisura ai kishte ngritur kokën drejt qiellit dhe kishte thënë: “Shoh qiellin duke u hapur dhe dhe të birin e njeriut që qëndron në anën e djathtë të Zotit”.E kishte pas fjalën për Jezu Krishtin i cili ishte i gatshëm për ta pranuar dhe mbrojtur atë. Po ashtu kishte akuzuar gjyqtarët se e kishin vrarë vetë Jezu Krishtin me një gjykim të këtillë.
Si pasojë e kësaj turma e tërbuar e kishte nxjerr me dhunë atë jashtë qytetit dhe e kishte vra duke e goditur me gurë deri në vdekje por ai përkundër kësaj e kishte lutur Zotin që mos t’i dënojë armiqtë dhe vrasësit e tij.
Në këtë mënyrë Shtjefni u bë i pari nga ithtarët e Jezu Krishtit i cili fitoi kurorën e martirit sepse kishte vdekur për shkak të dashurisë ndaj Krishtit. Në gjyqin dhe gjatë ekzekutimit të tij kishte qenë prezent edhe Sauli i cili më vonë pas konvertimit, do të njihet si Shën Pali.
Dita e vdekjes së Shtjefnit u bë ditë e kremtes ndërsa ai vetë u bë shenjtor mbrojtës i gurgdhendësve e në kishë ortodokse ruse konsiderohet edhe shërues i kokëdhembjeve.
Varri i Shën Shtjefnit nuk dihej për shumë shekuj derisa prifti i quajtur Lucian nuk e kishte gjetur në lokalitetin Capar Gamala në veri nga Jerusalemi dhe eshtrat e tij i kishte transferuar në një kishë në malin Sion në Jerusalem ku në vitin 460 të erës sonë ia kishin ngritur bazilikën, ndërsa në kohën e sundimit të perandorit Theodosi kah mesi i shekullit V reliktet e tij ishin transferuar në Konstantinopojë.
Shën Shtjefni respektohej dhe respektohet në mënyra të ndryshme në shumë vende të botës si në Batroun të Libanonit, Vienë të Austrisë, Romë të Italisë, Damask të Sirisë, në Jerusalem të Palestines, në Dablin të Irlandës, në Londër të Anglisë, pastaj në Manilla të Filipineve, në San Salvador dhe në Brisbejn të Australisë, e edhe në Universitetin e Oxfordit madje nga katolikët si dhe nga anglikanët dhe luteranët në shumë vende të tjera të botës si në Kroaci, Sllovaki, Poloni, Itali,Gjermani e tj.
Në Kanada, Australi, Zelandë dhe vendet e Komonvelthit dita e Shën Shtjefnit kremtohet si festë kombëtare ndërsa kjo ditë në Angli quhet “Boxing day” dhe këtë ditë të pasurit i ndihmojnë shërbëtorët e vet me ushqim dhe dhurata dhe u japin ditë të lire për t’i festuar Kërshëndellat me familje, ndërsa nëpër të gjitha kishat angleze hapen kutitë e lëmoshës dhe të hollat ua shpërndajnë të varfërve. Vend të posaçëm Shën Shtjefni zë në këngën angleze të Kërshëndellave: “God King Wenceslaus”.
Përkundër faktit që njihet si martir i parë i krishterimit, në trojet shqiptare kulti i tij është mjaft pak i përhapur. Ç’është e vërteta Shën Shtjefni përmendet qysh në vitin 1319 si pajtor i qytetit të Shkodrës, në kalanë e të cilit ia kishin ndërtuar edhe një kishë e cila, sipas disa burimeve për një kohë shërbente si katedrale e qytetit.
Po në shekullin XIV në averset (faqet e para) e monedhave të prera në Shkodër ishte paraqitur portreti i këtij shenjtori. Elsie i përcjell të dhënat që i jep Cordignano sipas të cilave në shekullin XVIInë Shqipëri ka pasur 7 kisha katolike që bartnin emrin e Shën Shtjefnit si dhe një kishë ortodokse që i kushtohej këtij shenjtori ndërsa në Kosovë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kishë katolike që bart emrin e këtij shenjtori.
Në Dardani ndërkaq martirët e parë të dëshmuar sipas burimeve kishtare ishin vëllezërit binak Flori dhe Lauri nga shekulli II të e.s., të cilët pas martirizimit të mësuesve të tyre Proculus dhe Maximus nga Bizantioni u shpërngulen në Ulpianë të Dardanisë.Ata ishin gurgdhendës dhe ndërtonin një tempull pagan ne Ulpianë kur, sipas gojëdhënës, një copëz guri iu ngul djalit të një prifti pagan në sy.
Flori dhe Lauri iu kishin lutur Zotit dhe kishin bërë kryq mbi syrin e djalit dhe ai ishte shëndosh menjëherë por ata ishin dënuar për besimin që e kishin dhe ishin ekzekutuar dhe martirizuar. Një shekull më vonë reliket e tyre ishin transferuar në Konstantinopojë.
Nga vdekja e tyre e deri me sot edhe Shën Shtjefni si edhe Flori dhe Lauri kanë mbet simbole të martirëve, respektivisht të atyre që vuajnë dhe vdesin duke mos hequr dorë nga bindjet e veta religjioze.