Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është promovuar vepra “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, i autorit Jusuf Osmani, me ç’rast studiues shkencorë vlerësuan se libri në fjalë është dëshmi e mirë për t’iu treguar të gjithëve se kush ka kryer krime, gjenocid, dhunime, tortura e spastrim etnik në Kosovë.
Në promovimin e kësaj vepre të rëndësishme përveç studiuesve, kanë marrë pjesë edhe veprimtarë të çështjes kombëtare dhe personalitete nga jeta politike dhe qeveritare e Kosovës.
Profesori universitar, Pajazit Nushi tha se botimi i veprës “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999” mund të cilësohet me të drejtë si vepra më e rëndësishme e dekadës së parë të shekullit 21.
Nushi: Në këtë vepër jepen të dhëna për humbje dhe zhdukje njerëzore
(Video)
“Në këtë vepër në formë individuale dhe kumulative jepen të dhënat e faktuara për humbje e zhdukje kapacitetesh njerëzore të të gjitha moshave, gjinive e kombësive në format më makabre që nuk kompensohen me asnjë formë dhe karakterizojnë një kohë ndër më të vështirat për Kosovën dhe sidomos për popullin shqiptar të saj”, ka thënë Nushi.
Ndërkaq profesor Selim Daci tha se vepra në fjalë me fakte të argumentuara tregon se kush ka kryer krime, gjenocid, dhunime, tortura e spastrim etnik në Kosovë.
Daci: Në këto libra janë prezantuar planet pushtuese e kolonizuese të Serbisë
(Video)
“Këto dy libra përmbajnë informacione të detajuara dhe shumë të hollësishme për krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 nga Serbia. Në pjesën e parë të këtij botimi autori brenda kapitullit të para ka paraqitur pikëpamjet e tij të argumentuara mbi konceptin se në Kosovë, a është krim gjenocid apo konflikt ? Që ta elaborojë me poshtë, po ashtu janë prezantuar planet pushtuese e kolonizuese të Serbisë ndaj shqiptareve dhe Kosovës, si dhe rrënimi i institucioneve dhe ekonomisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Veprimtari i njohur Adem Demaçi ka thënë se kjo vepër është një histori e shkurtër e rrugës sonë të gjatë për liri nga pushtuesit.
Duke folur për raportin e eurodeputetit Dik Martit, Demaçi u bëri thirrje politikanëve tanë që mos të merren shumë më të, por të merren me fakte dhe argumente.
Demaçi: Dik Marti e shet ndërgjegjen për para
(Video)
“Nuk është mirë që tash të mendojmë ne ku t’i gjejmë paratë për t’u marrë me një laper të Evropës, i cili e shet ndërgjegjen e vet për para dhe fatin tonë e krijon me gënjeshtra që as korbat nuk i besojnë. Ne ua kemi pre luftëtarëve tanë këmbët me sharrë druri, sepse nuk kemi pas instrumente, nuk kemi pas mjekësi që t’i dalë në ndihmë e tash dalin e na thonë se ne paskemi bërë probleme medicinale të komplikuar që edhe shtetet bukur të organizuara nuk e kanë atë mundësi vetëm që të na njollosin dhe përpiqen të na njollosin”, ka thënë Demaçi.
Ndërsa, autori i veprës Jusuf Osmani, duke thënë se kjo vepër tregon ngjarjet reale të krimit të ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Osmani: Nuk kemi bëri kurrfarë krimi
“Me këto të dhëna që janë faktografike, të dala nga një institucion shumë komplet dhe serioz siç është Arkivi i Kosovës i tregojmë opinionit botëror se populli i Kosovës, nëpërmjet ushtrisë së vet çlirimtare mbrojti pragun e shtëpisë së vet dhe nuk bëri kurrfarë krimi”, ka thënë Osmani.
Me nga një fjalë rasti u paraqiten edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari dhe historiani Haki Kasumi.