2010-12-28

“Der Spiegel”, 1961: Mbledhja e Moskës u bë për problemin shqiptar

image
Çfarë shkruante shtypi gjermanoperëndimor në kohën kur Hoxha po prishej me Kremlinin? - Si e shihnin ata të ashtuquajturin “puç” antiqeveritar që mori jetën e Admiralit Teme Sejko dhe persekutoi 200 oficerë të tjerë shqiptarë? - Përse ndërrimin radikal të kursit të diktatorit shqiptar ata e cilësonin si “realpolitikë”? - Cilat ishin, sipas pjesëmarrësve komunistë perëndimorë, të thënat dhe të pathënat e mbledhjes së famshme të Moskës, në vitin 1960?


Çfarë shkruante shtypi gjermanoperëndimor në kohën kur Hoxha po prishej me Kremlinin? - Si e shihnin ata të ashtuquajturin “puç” antiqeveritar që mori jetën e Admiralit Teme Sejko dhe persekutoi 200 oficerë të tjerë shqiptarë? - Përse ndërrimin radikal të kursit të diktatorit shqiptar ata e cilësonin si “realpolitikë”? - Cilat ishin, sipas pjesëmarrësve komunistë perëndimorë, të thënat dhe të pathënat e mbledhjes së famshme të Moskës, në vitin 1960?

Këto dhe shumë detaje has, nëse të bie rasti të konsultohesh me materiale arkivore të mediave më të njohura gjermane, në vitin 1961 e më tej, të cilat duket se nuk hezitojnë ta sjellin “problemin shqiptar” në ballë të platformave të tyre më të njohura.
Duket se Admiralin Teme Sejko, megjithatë ata (të paktën në atë kohë) e trajtojnë si “njeriun e rusëve” dhe mirëfilli si organizator të një puçi të dështuar ndaj Enver Hoxhës të organizuar prej vetë rusëve, megjithëse për të nuk është vërtetuar asgjë e tillë edhe 20 vite pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri.
Gjithsesi, konstatimi se kjo ishte vepër e sovjetikëve mund të jetë pjesërisht i saktë, pasi në bashkëpunim me Hoxhën, shërbimet e fshehta sovjetike dhe ato shqiptare të kohës, nisur në dukje nga interesa momentale të përbashkëta, por në të vërtetë nga qëllime të ndryshme, kishin sajuar një “puç shteti”, i cili do të rezultonte më pas në njërin ndër proceset më tragjike në historinë e Shqipërisë, duke u marrë jetën, persekutuar e denigruar një elitë të tërë ushtarako-politiko-intelektuale, si kurrë më parë, të ardhur nga vetë radhët e Partisë Komuniste dhe duke forcuar edhe më shumë pozitat e Hoxhës. Gjithashtu, kjo do t´i shërbente edhe më shumë miqësisë së sapongjizur shqiptaro-kineze, duke e larguar Moskën paradoksalisht edhe më shumë nga objektivi i saj origjinal.
Një artikull i botuar në “Der Spiegel”, në vitin 1961, i cili përbën edhe bazën e materialit të përzgjedhur sot për botim në kuadër të ciklit “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”, nis me përshkrimin e rrugëtimit të vështirë që shkaktoi të paktën tri viktima, të një grupi të arratisurish pa emër, të cilët arritën të kalonin kufirin shqiptaro-jugosllav për t´i shpëtuar një vale të re persekutimesh të frymëzuara drejtpërdrejt nga Enver Hoxha.
Ndërkohë, qysh në gjysmën e dytë të viteve ´50 të shekullit të shkuar, kishte filluar një periudhë e re “spiunomani” dhe lufte kundër “revizionizmit”. Shkak për këtë u bë një ngjarje që për kohën konsiderohej e jashtëzakonshme: Ishte 16 maji i vitit të largët 1957, kur u arratis drejt Jugosllavisë një nga figurat më popullore të Luftës Nacionalçlirimtare, anëtar i KQ të PPSH-së, deputet i Kuvendit Popullor dhe ministri pa portofol, gjenerali Panajot Plaku. Kjo, pasi ai kishte mësuar se do të ishte viktima e radhës. Akoma nuk mund të vërtetohen dot edhe sot e kësaj dite se sa qëndronin dyshimet e Plakut, se ai nuk mund të pajtohej dot me atë gjendje terrori të krijuar nga Hoxha, madje ka edhe hamendësime se kjo ishte një lojë e kurdisur nga vetë Sigurimi i Shtetit.

Një muaj pas arratisjes, ai i dërgon një letër KQ të PPSH-së. Funksionari i lartë shqiptar shpresonte të gjente strehim në BRSS, por duket se diçka e pengoi Hrushovin dhe Brezhnjevin për ta pranuar. Më pas ai vendosi përfundimisht të qëndronte në Beograd, ku nuk regjistrohet deri në vitin 1961 as edhe një intervistë apo deklaratë e vetme politike në mediat vendase. Pikërisht më 27 maj të vitit 1961, pak a shumë në kohën kur edhe “Der Spiegel” raportonte për sfondin real të kacafytjeve shqiptaro-ruse, ai i shprehu shkurt korrespondentes së gazetës “Borba” (organi zyrtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) mendimin e vet për procesin kundër Admiralit Teme Sejko dhe oficerëve të tjerë shqiptarë duke i cilësuar “viktima të pafajshme të spastrimeve staliniste” të regjimit të Hoxhës dhe revolucionarë të vërtetë, idealistë internacionalistë.

Gjithsesi, duke ia nisur qysh prej vitit 1960, në mediat e shkuara jugosllave nisën të shfaqeshin artikuj me autorë anonimë që trajtonin probleme të historisë së PPSH-së, që përmbanin të tilla hollësi, të cilat të bënin të mendoje se burimi mund të ishte vetëm një dëshmitar okular i ngjarjeve, siç ishte Panajot Plaku. Pavarësisht kësaj, pas vdekjes së tij, në vitin 1969, nuk pati më publikime të tilla.
Por thelbi i artikullit në fjalë, gjithsesi, janë përplasjet që tashmë kishin dalë hapur në sipërfaqe, mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës dhe terreni në të cilin u zhvillua mbledhja e Moskës në vitin 1960. Na shfaqen aty qartazi aludimet apo konstatimet se Hrushovi tashmë po përpiqej të gjente një zgjidhje për problemin shqiptar, qoftë edhe duke e mënjanuar Hoxhën nga pushteti apo dhe duke e sjellë atë “drejt arsyes”. Përmendet aty në këtë kontekst, edhe fati i Koço Tashkos dhe i Liri Belishovës, të cilët duket se sapo po nisnin rrugëtimin e tyre të vështirë drejt persekutimit tipik enverist.
Gjithashtu, ato çka u thanë apo ndodhën në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në debatin mes Hrushovit dhe Hoxhës, publiku perëndimor - ndryshe nga ai lindor apo ai shqiptar, i cili shumë detaje arriti t´i marrë vesh shumë vonë, madje vetëm në vitet e vona të demokracisë, falë dëshmive të vetë protagonistëve apo dëshmitarëve okularë, siç kanë qenë Ramiz Alia apo përkthyesi zyrtar i delegacionit shqiptar d.m.th. i vetë Enver Hoxhës, Prof. Agim Popa - kishte pasur rastin t´i merrte vesh qysh në atë kohë, falë edhe prezencës së komunistëve perëndimorë, të cilët duket se nuk ngurronin të gjenin mënyrën e të nxirrnin në shesh për gazetarët, shumë informacione të thëna “mes shokësh ideali”.
Por çka i shkonte për shtat Hoxhës dhe çka Hrushovit, ndërsa ravijëzonin politikat e tyre tashmë me kahe të kundërta, dhe përse u thirr mbledhja e Moskës? Përgjigjja e këtyre pyetjeve gjendet po ashtu në këtë artikull. Çfarë oferte i bënte Kremlini udhëheqjes shqiptare thuajse 16 vjet pas “prishjes së madhe”, gjithashtu e gjejmë duke lexuar një pasazh nga një artikull i gjatë i së njëjtës platformë, botuar në shqip për herë të parë sot, si pjesë e ciklit të sipërpërmendur.

Ndërkohë, se çfarë po ndodhte tjetër në atë vit në një kah tjetër për shqiptarët, në mënyrë tangjente na e japin edhe dy lajme të shkurtra, të hasura po në të njëjtat burime, për vdekjen e Mbretit Zog I dhe rikthimin e Mbretëreshës Geraldinë në Kishën Katolike, pas një audience private të vetë Papës për këtë të fundit.

Më poshtë, artikulli i plotë i revistës “Der Spiegel”, me titull “Një kovë me pleh”
* * *
Kur u duk se po niste të shpërthente zjarri nga kufitarët shqiptarë në errësirën e natës, të tetë të arratisurit u hodhën në gropat buzë rrugës për t´u fshehur. Ndërkohë që tre prej tyre u prekën nga zjarri i automatikëve, pesë të tjerët u ngritën sërish më këmbë dhe ia mbathën drejt postave të kufirit jugosllav; pak minuta më vonë ata tashmë ishin në siguri. Shënohej data 30 gusht 1960.
Ajo çka më pas do të shihej si një fenomen rutinë në kufirin shqiptaro-jugosllav, u zbulua të ishte në vetvete edhe akti i parafundit i një drame të pazakontë: pesë të arratisurit po shihnin se ishin shpallur bashkëpunëtorë dhe ideatorë të një puçi ushtarak, i cili kishte pasur si synim të rrëzonte shefin e shtetit dhe të partisë komuniste-staliniste shqiptare, Enver Hoxha.
Deponimet e të arratisurve shumë shpejt u verifikuan edhe nga njoftimet e shërbimit të fshehtë jugosllav, sipas të cilave, Admirali i Flotës Luftarake Detare Shqiptare, Teme Sejko dhe 200 oficerë të tjerë ishin arrestuar me akuzën për komplot. Një javë më vonë, Partia Komuniste e Shqipërisë zhveshi nga detyrat dy funksionarët e saj të lartë partiakë, Liri Belishova dhe Koço Tashko, me arsyetimin se kishin ushtruar veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe kishin abuzuar me funksionet që kishin në parti.
Udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste shqiptare, megjithatë kishte preferuar të mohonte për muaj të tërë çdo zë që kishte të bënte apo që hidhte dritë mbi të ashtuquajturin “puç shteti” të Admiralit Sejko. Vetëm kur u zhvillua Kongresi i Partisë Komuniste në messhkurtin e këtij viti, diktatori Hoxha pohoi vetë se një përpjekje për puç kundër tij tashmë kishte dështuar.
Sa ç´ishte preciz kur raportonte për dështimin e puçit, po aq i vendosur ishte bosi i komunistëve shqiptarë për të harruar e për të mos dhënë as edhe një fakt të vetëm me të cilin ai do të provonte se pse Enver Hoxha gjatë javës së shkuar e kishte trajtuar si me vend të mos shkonte - duke u bërë i vetmi lider nga blloku i Lindjes - në takimin e nivelit të lartë të Moskës me krerët lindorë të Paktit të Varshavës: Kjo, pasi nismëtar i “puçit” kishte qenë vetë “vëllai i madh” i Shqipërisë, Bashkimi Sovjetik.
“Puçi” i Admiralit dhe Konferenca e Moskës reflektonin përpjekjet e Nikita Hrushovit për të nxjerrë nga ndikimi i rivalëve të tyre kinezë Shqipërinë dhe bashkë me të, vendin më zevzek të Evropës Lindore të zotëruar nga pushteti sovjetik.
Qëkurse përplasja ideologjike mes Moskës dhe Pekinit ka dalë në sipërfaqe, shefi i partisë së cilësuar “staliniste” të Shqipërisë, është lidhur aq fort me Kinën luftëdashëse të Mao Ce Dunit, saqë udhëheqja sovjetike parapëlqen tashmë të mos i drejtohet më komunistit Enver Hoxha me etiketën “shok i dashur”.
Që Hoxha ka hyrë tashmë në betejën dogmatike mes Moskës e Pekinit “„Mbi revolucionin botëror dhe revizionizmin”, duke i qëndruar qartazi në krahë “mandarinës së kuqe” kineze, ka një kuptim të mirëfilltë në realpolitikë. Shqiptari ka frikë se politika e shtensionimit e ndjekur nga Moska mund të çonte në një bashkim qëndrimesh mes Hrushovit dhe armikut të shpallur të Hoxhës, Marshallit jugosllav, Tito, ku si viktimë e vetme mund të binte fare lehtë Shqipëria, e cila gjeografikisht paraqitet si një vend i izoluar nga blloku sovjetik, në kufij me Jugosllavinë.
Radikalizmi i kundërshtarit të Titos, Mao, stalinistit Hoxha i shkon për shtat, dhe ai ka kontribuar realisht në sabotimin e dialogut mes Moskës dhe Beogradit. Në qershor të vitit 1960, Hoxha demonstroi për herë të parë hapur se ai tashmë gjendej në anën e kinezëve.
Kur Hrushovi udhëtoi drejt Bukureshtit në Kongresin e Partisë Punëtore rumune, për të bashkuar bllokun sovjetik në përpjekjet e tij për t´i bërë ballë fushatës kineze, Hoxha i ndenji larg këtij takimi. Tezave antikineze të udhëheqësve sovjetikë, Hoxha iu përgjigj shumë shpejt duke shprehur simpatinë ndaj shokut Mao.
Kokëfortësia e Hoxhës e bëri Hrushovin të niste përpjekjen për të ndërtuar brenda Partisë Komuniste shqiptare një fraksion prosovjetik, i cili duhej të ishte aq i fortë, që ose të sillte në „rrugën e drejtë“ udhëheqësin e plotfuqishëm, ose ta shmangte atë përfundimisht nga froni. Puçi i nisur nga sovjetikët me Admiralin Sejko, bëri që në vend të tij, të fuqizohej edhe më tej aleanca shqiptaro-kineze.
Konflikti u bë më se evident në pasditen e 24 nëntorit 1960, në mbledhjen e zhurmshme të Moskës ku u riformulua programi komunist mbarëbotëror. Me këtë rast, Hoxha akuzoi kryeministrin sovjetik se ai s´ishte veçse një frikacak që po tradhtonte komunizmin; dhe se revizionizmi i tij ngjasonte shumë me atë të tradhtarit, Tito.
Pas këtij sulmi - siç raportonin komunistët perëndimorë - Hrushovi u skuq dhe në një çast bërtiti: "Shoku Hoxha, ju më hodhët një kovë me pleh e tashmë ju duhet ta pastroni atë që bëtë!"
Shefi i partisë shqiptare, Hoxha, la më pas sallën aq i nxehur, saqë ai nuk pranoi madje as të qëndronte më as në vilën e lënë në dispozicion të tij nga udhëheqja sovjetike në Moskë, duke shkuar në ambasadën shqiptare dhe të nesërmen u nis andej nga kishte ardhur.
Ndërsa shefi i SED-së (shënimi im: i Partisë së Bashkuar të Socialistëve Gjermanë në ish-Gjermaninë Lindore) Valter Ulbricht, kishte thënë se shqiptari kishte “mbështetur konceptin e dogmatizmit dhe të sektarizmit”, reagimet e Hoxhës dhanë përshtypjen se ai tashmë e kishte marrë vendimin për ta shkëputur Shqipërinë nga blloku sovjetik. Kështu, vijuan menjëherë disa masa si:
Ambasada sovjetike në Tiranë u vu nën mbikëqyrje të rreptë; dy diplomatë shqiptarë, të cilët gjoja i kishin furnizuar sovjetikët me dokumente sekrete, u arrestuan nga Hoxha. Gazeta partiake "Zëri i popullit" paralajmëroi për sulme sovjetike dhe kërcënonte në të njëjtën kohë se vetëm Enver Hoxha mund ta garantonte miqësinë shqiptaro-sovjetike. Disa teknikë sovjetikë u zëvendësuan me ata kinezë, pasi një delegacion ekonomik shqiptar kishte udhëtuar më parë drejt Kinës për të negociuar një program ndihmash.
Manovrat e Hoxhës ishin ato madje që e bënë tek e fundit Hrushovin të mblidhte në Moskë të gjithë udhëheqësit lindorë. Ndërsa e gjithë bota besonte se tema kryesore aty do të ishte kriza në Laos, ajo që mori më shumë kohë e nerva, ishte skërmitja e dhëmbëve të “maçokut shqiptar”. Kolltuku i të akuzuarit mbeti bosh; Hoxha nuk erdhi.
Megjithatë, shefat e regjimeve lindore vendosën që ta sillnin drejt arsyes Shqipërinë nëpërmjet sanksioneve ekonomike. “Vendi i skipëtarëve” do të duhet tashmë t´u qëndrojë larg “bekimeve” ekonomike të botës komuniste, derisa Hoxha të rikthehet sërish në frontin e bashkuar antikinez. “Der Spiegel”, 12.4.1961

Rusët: Hoxha përdor brutalitet mesjetar
 “Mehmet Shehu ka ekzekutuar një grua shtatzënë. As policia e fshehtë cariste ‘Ochrana’ nuk ka përdorur mjete e metoda të tilla”. Pjesë nga fjalimi përmbyllës në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste Bolshevike të BS-së, më 27 tetor 1961. (Marrë nga gazeta gjermane “Die Zeit”, 3.11.1961, nr. 45)


 “Der Spiegel” 1976: Shqipëria zbulon protokollin e mbledhjes së fundit që solli ndarjen BS-Shqipëri

 Hrushovi, Hoxhës: Ju më pështytë në surrat!

Ndërkohë, shumë vite më vonë, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike hyjnë sërish në fokusin e mediave gjermanoperëndimore, siç na dëshmon edhe ky pasazh nga një artikull i “Der Spiegel”, në vitin 1976 (9.2.1976): “Në 30-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Shqipërisë më 11 janar, Moska i cilësoi sërish shqiptarët si "popull vëlla", megjithëse Shqipëria nën udhëheqjen e shefit të partisë së saj, Enver Hoxha, në vitin 1960 bëri ndarjen me Moskën, doli më pas nga Traktati i Varshavës dhe u hodh në anën e kinezëve. Bashkimi Sovjetik ka ofruar tashmë "Rivendosjen e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit" - Hoxha përkundrazi publikoi së fundmi protokollin e mbledhjes së fundit me Kremlinin në vitin 1960. Ky protokoll jep një vështrim të rrallë mbi sjelljet e krerëve të lartë komunistë me njëri-tjetrin dhe përshkruan edhe rrethanat në të cilat Moska humbi një aleat dhe një bazë nëndetësesh në Mesdhe”. Më pas artikulli vijon me përmbajtjen e protokollit, e cila tashmë është bërë e njohur me kohë për publikun shqiptar, ndërsa përmenden debatet e ashpra mes Hoxhës, Shehut, Alisë dhe Kapos nga njëra anë dhe krerëve sovjetikë: Susllov, Andropov, Hrushov, Mikojan, Koslov etj., nga ana tjetër. Gjithashtu, aty gjenden edhe tekstet e telegrameve të Hoxhës për Kapon dhe Shehun. Protokolli has në përputhje të plotë në shumëçka ishte raportuar në mediat perëndimore në vitin 1961, çka tregon se mediat në Perëndim ishin më se të informuara për atë çka kishte ngjarë me kohë. Në këtë kontekst përmendet edhe ajo çka Hrushovi i kishte thënë dikur Hoxhës, në një frazë me fjalë të tjera, porse me përmbajtje të njëjtë: “Shoku Hoxha, ju më pështytë në surrat!” Gjithsesi, zbulimi i parakohshëm, i njëanshëm, ilegal dhe i qëllimshëm i protokollit të mbledhjes për publikun nga pala shqiptare, përbënte për ta një risi plot interes, pikërisht për të parë edhe më mirë, se si silleshin ndërmjet tyre liderët komunistë, përtej asaj çka ofronte propaganda zyrtare në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist.



“Der Spiegel”: Çfarë ndodhte tjetër me shqiptarët në vitin 1961?
Mbreti Zog I ndërron jetë në Paris
Ahmet Zogu, 65-vjeçar, ish-mbret i shqiptarëve, ndërroi jetë në Paris si pasojë e vuajtjeve në stomak dhe mëlçi. Ai u shpall mbret në vitin 1928, kur më parë kishte avancuar nga komandant i një trupe vullnetarësh shqiptarë nën urdhrat e austriakëve, në komandant të ushtrisë, Kryeministër dhe President i Republikës Shqiptare. Kur Musolini pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, Zogu shkoi në Turqi dhe më pas në Londër, ku ai edhe qëndroi gjatë Luftës së Dytë. Në vitin 1946, pas proklamimit të Republikës Popullore të Shqipërisë - ishte mysafir tek Mbreti Faruk në Egjipt, duke drejtuar një qeveri në ekzil, por u desh të lëvizte sërish drejt Francës pas rrëzimit të Farukut, ku qëndroi derisa ndërroi jetë. “Der Spiegel”, 19.4.1961
Mbretëresha Geraldinë bëhet sërish katolike
Geraldina, 45 vjeçe, ish-mbretëreshë e Shqipërisë, e veja e të ndjerit të sapovdekur, Mbretit Zog I, me emrin e lindjes, Kontesha Apponyi nga Hungaria, me gjithë shkishërimin e bërë nga Papa Gjon XXIII, u prit në audiencë private prej tij, pasi ajo ka shprehur sërish dëshirën të rikthehet në strehën e Kishës Katolike. Mbretëresha e rritur si katolike qysh nga fronëzimi i saj, ishte konvertuar në Islam. “Der Spiegel”, 12.7.1961

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...