Nga Dorian Koçi
Fillimet e shekullit të XX nuk kanë qenë aq të mbarë për imazhin e Ballkanit në Evropë. Pas një rizbulimi të tij në fillimet e shekullit të XIX, entuziazmit dhe një idili dashurie për këtë pjesë të skajshme jugore të Evropës ,gjë e cila u dokumentua dhe në shumë vepra dhe ditarë udhëtimi të udhëtarëve,diplomatëve dhe njerëzve të letrave si Bajroni, Shatobriani, Lamartini etj shoqëria evropiane e fillimit të shekullit të XX u ballafaqua me ikonat e tmerrshme të Luftërave Ballkanike. Viset e largëta dhe romantike , gjithë shkrepa dhe gurë që dikur kishin detyruar Bismarkun të pohonte se “nuk vlejnë për të lënë eshtrat as dhe një granatieri gjerman” papritur nëpërmjet realitetit të trishtë të Luftërave Ballkanike u kthyen në një sinonim të barbarisë, tmerrit, grindjeve pafund për territore dhe konflikteve etnike. E kësaj periudhe është dhe përdorimi për herë të parë në gjuhën angleze dhe hyrja në fjalorin e kësaj gjuhe të fjalës Balkanize-të ndash (një rajon ose trup) në shtete ose grupe reciprorikisht të vogla që janë në armiqësi me njëri-tjetrin.
Natyrisht që reporterët e gazetave kryesore evropiane nuk ishin të ndërgjegjshëm se po ndikonin në krijimin e një etike kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për ta ishte emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve ,malazezve,grekëve dhe bullgarëve shpesh herë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i tyre dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e ngjarjeve në vitet 90’ në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e tyre ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë i rilexuan shkrimet e tyre për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve.
Në përqasjen e evropianëve rreth Ballkanit sigurisht që nuk kish pasur vetëm kritika, përçmim apo dhe sarkazëm ndaj atyre që mund të bëheshin shumë shpejt sivëllezërit e tyre pas largimit të otomanëve, por dhe simpati dhe ekzaltim të popullsive dhe etnive të veçanta veçanërisht të grekëve dhe sllavëve nën influencën e dy nga rrymave të mëdha të mendimit politik dhe kulturor evropian, Filohelenizmit dhe Pansllavizmit. Më pak të privilegjuarit në këtë mes ishte popullsia shqiptare, që pozita gjeografike e vendit ku jetonin shikohej si një pengesë kryesore si për pansllavistët që dëshironin të kishin një dalje në detin Adriatik por dhe për filohelenistët që pozitën dominuese të tyre në pashallëkun e Janinës e shikonin si një ofendim nda racës helene që aq shumë e adhuronin. Fitimi i pavarësisë nga Greqia dhe Serbia dhe kërkesa e tyre për ekspansion territorial veçanërisht në kurriz të territoreve të banuara me shqiptarë i dha udhë dhe krijimit të një literature përçmuese dhe raciste ndaj shqiptarëve nga pseudo akademikët e tyre, duke dashur të përligjin në këtë mënyrë sundimin dhe gllabërimin e këtyre territoreve nën petkun e qytetërimit që gjasme do u afronin këtyre territoreve. Për fat të keq këto përqasje gjetën jehonë dhe në Evropë, shtetet e së cilës po përgatisnin shkatërrimin e Koncertit Evropian të rendit të krijuar në Kongresin e Vjenës më 1815, kështu që interesat e tyre në rajon i ndërtonin mbi bazën e aleancave të real politikës domethënë dominimit të forcës ndaj më të dobëtëve.
Në fakt forca dominoi në ngjarjet e Luftërave Ballkanike dhe bashkë me fatin e vulosur të gjymtimit të Shqipërisë në Londër, mbijetuan dhe paragjykimet dhe perceptimet e gabuara ndaj shqiptarëve. Evropa dhe Fuqitë e Mëdha për të larë duart si “Ponç Pilati” pranuan se territoret që iu kaluan këtyre shteteve nën administrim ishin me shumicë shqiptare ndaj iu kërkuan që të respektonin të drejtat e tyre gjuhësore, kulturore dhe fetare, kërkesë që asnjë nga shtetet ballkanike nuk e mori parasysh. Por jo vetëm kaq, por ato hartuan dhe platforma të vërteta të dëbimit dhe zhdukjes të tyre duke i kthyer në popullatat më martire të Evropës Lindore që duheshin të flijoheshin për të përfunduar plotësisht vendet që i gllabëruan procesin e formimit të shteteve-kombeve.