Me titullin "Kryeministri kthen goditjen ndaj akuzave se është mafioz dhe trafikant me organe", gazeta londineze "Tajms" ("The Times") shkruan se Hashim Thaçi i ka krahasuar këto pohime me "propagandën naciste" dhe është betuar për "luftë gjyqësore ndërkombëtare" kundër autorit të tyre, zviceranit Dik Marti.
"Kjo është fyerja më e madhe që e kam përjetuar si njeri, baba dhe kryeministër, ndërsa bëhet fjalë edhe për shpifje ndaj tërë një populli".
Duke hedhur poshtë të gjitha akuzat se ka gisht në krimin e organizuar, Thaçi i ka thënë "Tajmsit" se ato nuk do ta pengojnë në realizimin e synimeve të tij politike dhe se së shpejti ka ndërmend të vizitojë SHBA-të dhe disa vende evropiane. "Në jetë kam pasur tri synime kryesore. Dy të parët janë çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ato i ka realizuar. I treti është që ta anëtarësoj Kosovën në NATO dhe në BE dhe tipat si Dik Marti nuk do të më pengojnë në këtë", ka thënë Thaçi. "Tajms" shkruan se Thaçi e ka paralajmëruar Martin, të cilin e konsideron "apologjet serb", që të përgatisë avokatët.
"Marti duhet të përballet me drejtësinë për shkak të asaj që ka bërë. Ndoshta është nënshtetas i një vendi neutral por nuk besoj se drejtësia do të jetë neutrale ndaj tij", ka thënë Thaçi në një intervistë për gazetën "Tajms" në Prishtinë.