Ylli XHAFERRI
Raporti famëkeq i Marty-t (që në shqip përngjan si dy pika uji me sinonimin e fjalës "martat" ose "mortje"), është një atentat shurdh i mbetur në tentativë, që u riciklua në median e sotme evropiane, sipas një arkitekture të zezë, rrjetës së merimangës, që ka si prapavijë të mbrapshtë barazimin e xhelatit me viktimën, kriminelit me të pafajshmin, pushtuesin me mbrojtësin e lirisë, murtajës me dasmën, në një kohë kur çështja e shtetit të ri të Kosovës po ecën fuqishëm në rrugën e konsolidimit dhe njohjeve të reja, kur e vërteta dëshmon që ky popull i lashtë dhe liridashës, mbështetur fort në truallin amëtar, po shkon drejt mbrothësisë dhe prosperitetit, integrimit euroatlantik. Ky raport-kufomë është një cofëtinë e nxjerrë nga balta kënetore dhe pluhuri i historisë së nëpërkëmbur nga morali i molepsur i akademisë famëkeqe serbe, është një qen i ngordhur hedhur në pusin e kulluar të kohës për të ndotur klimën e paqes dhe sigurisë në Ballkan, ku politika, e drejta ndërkombëtare dhe filozofia e bashkëjetesës së shoqërive të hapura dhe popujve e ka hedhur poshtë, duke e sikterrosur me neveri. Kjo kërpudhë e helmët është një thikë mbas shpine, mungesë guximi për ballafaqime burrërore, veprim tinëzar, hedhje balte, gurësh dhe urrejtje me tepri ndaj një populli të tërë, një ripërpjekje e dështuar për të inkriminuar dhe klonuar gënjeshtra ogurzeza, postshpërthime kamikaze të sponsorizuara ndaj popullit martir të Kosovës, çorbë e re me dromca mishi të prishur, marrë hua nga ish-kryekuzhinierja e Hagës, Karla del Ponte dhe libër-gullashi i saj, që mesa duket vazhdon të kashaiset në grazhdin mesjetar sllavo-komunist të milosheviçëve. Ky antishqiptar, me emrin Dick Marty, që më së shumti ngjan si derr i kënaqur se sa Sokrat i vuajtur, nëpërkëmb keqas institucionin e rëndësishëm evropian për drejtësi, të cilit i serviri së fundmi një copy paste të hynyreve alla Del Ponte. Me këtë veprim-kamë mbas shpine ndaj lirisë së një populli të tërë, kërkon të çmitizojë, deheroizojë dhe përllongë luftën e drejtë të një vendi martir, të minimizojë lumenjtë e gjakut dhe varrezat e përbashkëta masive që ende sot e kësaj dite nuk janë gjetur, hedh harresë e pluhur mbi genocidin e pashembullt serb ndaj gjakut të arbrit, arkivon në anonimat kryekriminelët serbë të luftës, që akoma nuk janë vënë përpara drejtësisë, por bredhin të lirë ngaqë mbrohen nga bodrumet e politikës qeveritare e shoviniste serbomadhe. Pagëzuesja e kësaj fushate të egër antishqiptare, pati fuqinë dhe tagrin ndërkombëtar për t'i kapur dhe dërguar para drejtësisë kriminelët gjakatarë, por në vend që të vepronte dhe ushtronte drejtësi, ajo shkruajti libra me kujtime, të pavërteta që i hodhi si lopa bajgën udhëkryqeve të Evropës. Është momenti t'i kujtojmë kësaj zonje të zezë një sentencë të M. Tuen, kur thoshte: "Papagajtë mund t'i pengoni në qoftë se i kapni për sqepi". Nga mëngët e saj doli asi i zi, Dick Marty. Ky njeri me një traditë të pasur antishqiptare, ka në jetë veprën e tij, një qëndrim të deklaruar në njëanësi, që tashmë i kthehet në bumerang. Ky pseudogjykatës i sponsorizuar nga qilarët e mykur të politikës kishtaro-qeveritare serbo-sllave, para dy vjetësh ka deklaruar pa iu skuqur faqja: "Konstatoj se Kosova e administruar nga komuniteti ndërkombëtar pas 10 vjetësh ka një ekonomi që nuk ekziston, është kthyer në një qendër të krimit të organizuar e të trafikut të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore. Konstatoj se nuk ka një shoqëri të vërtetë civile, e cila të ngrejë themelet e një demokracie të vërtetë…". Ky delirant i kurorëzuar me girlanda turpi që bien erë djalli, është i njohur për qëndrimet patologjike antishqiptare që para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kështu që asgjë e re nuk pritej prej tij. Në vend që të hulumtonte të vërtetën, e nëpërkëmbi atë me njëanshmërinë, me nënshkrimin e turpshëm të një raporti të fabrikuar.
Ky njeri me mjekër të rrallë, (Mjekra nuk të bën filozof), imitacion i denjë i profilit të Mefistofelit, së paku të kishte ruajtur integritetin e tij intelektual, profesional dhe kulturor, duke mos injoruar faktin e projektit të zi të akademikut Vasa Çubriolloviç, me emrin "Dëbimi i arnautëve". Ky projekt shekullor kishte si qëllim t'u linte pasardhësve serbë, naziskinëve të Milosheviçit e të tjerëve, projektin gjakatar të shpërbërjes së Shqipërisë, që përkthyer në vitin 1999, do të thoshte, Kosovë. Ky qëllim i mbrapshtë duhej të arrihej me çfarëdolloj mjeti, me ushtri, polici, terror, burgime, vrasje, armë, qen, përdhunime grash, sterilizime meshkujsh, djegien e librave, shembjen e ndërtesave të kulteve, urave dhe kështjellave ilire-shqiptare, grabitje tokash dhe pronash, gjoja në formën e reformave agrare, krijimin e vendbanimeve serbe për t'i përdorur më vonë si kalë troje apo kolonë e pestë, etj. Këto të vërteta të dhimbshme, syri i bashkëkohësit, zviceranit "neutral" Dick M., duhej t'i kishte parë (S'ka më qorr se sa syri që s'do të shohë), se ato tronditën botën e qytetëruar, saqë detyruan NATO-n të ndërhynte jo me fjalë e bisedime tryezash, por me bombardime avionësh luftarakë. Këto, mesa duket nuk e shqetësojnë, ai ka ndërgjegjen e qetë vetëm kur merr e barazon të pamundshmen, kur kthehet në patericë për etjen serbe për të gllabëruar Kosovën, gjë që ka marrë fund një herë e përgjithmonë, nga vetëvendosja e popullit të saj, verdiktit të dhënë nga GJND-ja, njohjeve prej kancelarive euroatlantike dhe Këshillit të Sigurimit të OKB. Dick M. merr përsipër rolin e argatit të pansllavizmit, ndryhet vullnetpaguar në zgjedhën e krimit shtetëror. Fatkeqi monstruoz.
Në raport-çorbën e tij famëkeqe, Dick Marty, sulmon tri nga krahinat shqiptare që historia i njeh për kulturën elitare, kontributet e shquara dhe perspektivën e qartë drejt ardhmërisë. Janë krahinat e Lumës, Matit dhe Krujës, tri nga bedenat më të fuqishme të qëndresës shqiptare në shekuj. Dick Marty, ky jurist me shpirt dhe njohuri të molepsura, me një të rënë të lapsit të tij të pistë, që ngjyhet e llangoset në kallamarin e përgjakur të xhelatëve çetnikë serbë, nuk mundet ta nëpërkëmbë historinë, drejtësinë dhe ndershmërinë e lavdishme shqiptare. Kurrsesi. Kruja e Skënderbeut, "Fatosit të krishtërimit" dhe vendit që demonstroi një mikpritje e dashuri të rrallë për Presidentin Bush të SHBA, Mati i Frang Bardhit, përpiluesit të dokumentit monumental të jetës "Formulës së Pagëzimit" dhe vendlindjes së shquar të Mbretit Zog, Kukësi i Lumës së lavdishme, i Qafës së Kolesjanit, istikamit të qëndresës mitike shqiptare ku kralët serbë kanë thyer kokën dhe u strehuan qindra e mijëra kosovarë të shpërngulur me vrasje, djegie, grabitje dhe përdhunime nga vatrat e tyre prej makinerisë ushtarake të Milosheviçit, njeriut që Gjykata e Hagës i dha dënimin e merituar. Pikërisht këto vlera dhe evenimente, që bota e qytetëruar i përkrahu masivisht, e kanë errësuar Dick Marty-n të gëlltisë lugët e fëlliqta të çorbës serbe, të përflasë dhe anatemojë nëpërmjet shpifjeve e fabrikimeve një popull të respektuar, ndarë në dy shtete sovrane, Shqipërinë dhe Kosovën. Mendje dhe dritëshkurtri Dick M., zilia i ka zënë sytë. Ai matet me një nga popujt e rrallë e më të lashtë, që gëzon një trashëgimi elitare nga agimet e historisë evropiane, "Kanunin e Lekë Dukagjinit", Kushtetutën e parë të drejtësisë, kodin e marrëdhënieve njerëzore, farefisnore dhe fqinjëve, para së cilës studiuesit, akademikët dhe bota e qytetëruar përkulen plot respekt e veneracion. Ky njeri me shpatulla të ngushta dhe mendja të ngrohtë, në këllqet e të cilit nuk mund të qëndrojë pesha e kalit, ka marrë mbi vete një mision të pamundur, ka ngarkuar nga moçali sllav shumë baltë e pluhur për t'ia vërvitur si hobe mbas shpine të tjerëve. Ky i pakultivuar dhe i paditur i madh pranë sofrës së dijes, gjëja më e paktë që duhej të kishte bërë ishte, që të shfletonte historinë, kohën, faktet e ditës dhe të vërtetat shqiptare. Qyqari, në vend që në valixhet e tij të mblidhte libra e dokumente historike, dëshmi gojore dhe relike masakrash në Raçak e më gjerë, si vampir mesjetar dhe varrmihës i dyshimtë, fshihte në to eshtra njerëzish për t'i mbjellë si fakte të monstruoziteteve të mendjes së kryeustalleshës së tij diabolike, çka familjarët e "Shtëpisë së Verdhë", njerëz të thjeshtë, por të ndershëm, ia përplasën para syve.
Kundërmimi erërëndë dhe ndjellakeq i gromësirave të Karla del Pontes që për fat të keq dhe turpin e saj, të bardha ka vetëm flokët, janë një bombardim me predha e mina të paplasura, një stafetë me arnime e mballoma që ka ndërruar duart me Dick Marty-n, ku përfliten krahina, fise, kulla, këto karakollë të qëndresës shqiptare, në të cilat bajlozët e historisë, çetnikët sllavo-serbë kanë thyer kokën dhe janë mbuluar me turp. Këtij mashtruesi të së vërtetave historike i duhet thënë se gënjeshtarët më të rrezikshëm janë ata që rrëshqasin anash së vërtetës, gjë që e bëjnë për turpin e vetes. Letërnxirësi dhe faqesterruesi i këtij raporti famëkeq, nuk është caktuar në detyrën e shenjtë të raportuesit për të drejtat e njeriut në Asamblenë e Parlamentit të Evropës për të stisur dhe fabrikuar akuza të servirura nga tregu mesjetar serb, por për të vepruar, për të zbardhur, për të pastruar shoqërinë moderne njerëzore nga xhelatët, këta hitlerë të rinj, pjella gjakatare të orekseve të vjetra, që drejtësia perëndimore i flaku në koshin e plehrave të historisë. Për të hedhur poshtë çorbën e çiftit të monstrave, Del Ponte-Marty, mund të përmend një deklaratë e Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për politikë të jashtme që ka thënë: "Prokurorët dhe hetuesit e misionit të BE-së për Rendin dhe Ligjin kanë hetuar rastin e të ashtuquajturës 'Shtëpi e Verdhë', por deri tani, ata nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që do të çonte drejt besimit se 'trafikimi i organeve' është kryer në këtë vend". Kurse zëvendëskryeprokurori serb, Bruno Vukçeviç në union me çirakun e tij Dick M. pohoi me gëzim inkriminues: "Ne do të shohim nëse ka prova të mjaftueshme.(!) Mund të shikoni raportin e Dick Marty-t ku flet për këtë punë dhe për faktet se çfarë ka ndodhur atje, respektivisht që ka pasur trafikim organesh njerëzore...". Skenari paragjykon, bie erë. Qelbet kalbësirë sllavo-komuniste.
Pra, strategjia e zezë që sponsorizohet nga segmentet ultranacionaliste serbe ndërroi duar, u servirur këtë radhë nga Dick M., që si një agjent serb, si një person që shpif dhe trillon në kurriz të shqiptarëve, është pa skrupuj, dinjitet dhe moral. Për këtë nëpërkëmbës të së vërtetës është me vend t'i përmendësh proverbin kinez: "Kur pi ujë, mendo për burimin". Burimi i tij është mbushur plot helm, gjak e qelb. Ky njeri denoncohet me neveri nga dëshmitarë okularë në Shqipëri dhe Kosovë, se si një vit më parë, nuk u lejua të vizitonte "Shtëpinë e Verdhë" në Gurrë të Matit, pasi ishte i pabesueshëm në njëanshmërinë e tij, kishte tentuar të hedhë pranë saj eshtra të grumbulluara në mënyrë klandestine dhe kriminale nëpër vendvarrezat e fshehura të Serbisë. Dick Marty është kthyer me mision të errët në Shqipëri, në një proserb ekstrem, që kërkon të ulë imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë në rajon dhe botë. Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se ky fabrikues trillesh horror, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument konkret, logjik dhe shkencor, ka paragjykuar dhe paravendosur të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij, Karla del Ponte, që përbëjnë një duet të çjerrë me qarqet serbe. Por më kot këta donkishotë kërkojnë ta kthejnë pas rrotën e historisë.
I gjithë opinioni popullor mbarëshqiptar dhe kosovar është kundër këtyre trillimeve dashakeqe. Ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Gjenerali Agim Çeku, aktualisht lider i Partisë Socialdemokrate, me indinjatë të ligjshme tha se raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, është skandaloz. Ky raport nuk mbështetet në asnjë fakt real marrë në terren, por është riciklim absurd dhe teorik i tezave dhe shpifjeve shumëvjeçare të pabazuara të Serbisë, e cila mundohet ethshëm t'i imponohet opinionit ndërkombëtar dhe kancelarive euroatlantike. Është e qartë si kristali se nëpërmjet përçartjeve alogjike kundër rrymës dhe së vërtetës, kërkohet inkriminimi i dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, kërkohet fajësimi dhe inkriminimi i të gjithë shqiptarëve, për fajin e vetëm se jetojnë denjësisht, drejtësisht dhe ndershmërisht në djepin dhe varrin e tyre të lashtë, truallin amëtar. Dick M. gjithashtu, ka kurajën dhe paturpësinë të sulmojë SHBA-të, NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara që ndihmuan Kosovën, pasi e merr frymëzimin në librin-paskuint të ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, merimangës së zezë, Karla del Ponte. Këshilltari, Dick M., që më shumë i shkon të quhet dhunuesi i të drejtave të njeriut, raportuesi i sajuar i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, pa iu dridhur qerpiku deklaroi, se Hashim Thaçi, Kryeministri legjitim i Kosovës martire, "qëndron në krye të një rrjeti mafioz shqiptar, përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe trafikut të organeve në të gjithë Evropën Lindore". Pas diskutimeve të raportit të parafabrikuar dhe parapaguar të Dick Marty-t, Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, tha: "Është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Evropës".
Ky qyqar i sponsorizuar nga forcat e errëta të së keqes, është katandisur qesharak e për t'u mëshiruar edhe për një fakt të rëndësishëm, që yshtur nga morali i vasalit, e ka injoruar dhe mohuar për të zezën e vet. Për të qenë koherent, së paku Dick M., duhej të kishte shfletuar shtypin e kohës, të vërtetën e dhimbshme për ruajtjen e kufijve nga ushtria dhe milicia famëkeqe serbe e armatosur deri në dhëmbë me tanke e avionë luftarakë, që nuk lejonte as mizën të depërtonte nëpër kufirin Kosovë-Shqipëri e jo më robër për organe. Sa vrasje çnjerëzore kanë ndodhur, sa trupa njerëzish të pafajshëm janë copëtuar nga minat e fshehura të ushtrisë së shtetit serb, sa bagëti janë dëmtuar nga minimet e pyjeve dhe kullotave ndërkufitare...? Madje edhe sot e kësaj dite, këto vdekje të fshehura, akuzojnë përmes gjymtyrëve të munguara të njerëzve të masakruar, dëshmi të krimit barbar ndërshtetëror serb ndaj etnisë shqiptare, para së cilës Dick M. mbyll sytë. Pikërisht ato sy që i vesh me lente për të kërkuar gjilpërën në kashtë, trafikimin e organeve që kurrë nuk kanë ndodhur në realitet, përveçse në ndërgjegjen e tuteluar të porositësve të tij serbë dhe sputnikëve, që rrotullohen rreth orbitës kriminale sipas pagesave të majme. Por nuk do të munden kurrsesi të mbulojnë diellin e së vërtetës me shoshë.