Me një karrierë tejet të spikatur në arsimim, njeri me cilësi të rralla qytetare dhe profesionale, i qetë, i matur, tolerant e i kulturuar, me aftësitë e një qytetari me formim të plotë akademik dhe intelektual, ishte nga pedagogët e parë që do të përfshihej në lëvizjen demokratike për ndryshimin epokal të shekullit shqiptar, shndërrimin e Shqipërisë socialiste në një Shqipëri demokratike, dhe njëkohësisht të bëjë të njohur botërisht çështjen e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.
Nga Mëhill VELAJ
Për ndokënd kur humb njerëzit e dashur ose miqtë, fillon sfida e trishtë mes ritmit të jetës e vdekjes. Sikush mundohet të gjejë fjalët për të lehtësuar dhimbjen e pikëllimin, por është tejet e vështirë. Gjithsesi miqtë e mirë dhimbjet e hallet i ndajnë me njëri-tjetrin, me njerëzit që i rrethojnë, sepse sfidat e jetës nuk janë për të ulur ritmin e saj, por janë për të na ndihmuar të njohim vetveten, miqtë dhe njerëzit e dashur që nuk vdesin dy herë, herën e dytë kur harrohen. Kur humba mikun tim, njeriun që rrezatonte mirësi e fisnikëri, bujari e urtësi, inteligjencë e maturi, optimistin dhe humanistin, njeriun e dijes e të kulturës, të arsyeshmin e njerëzorin, diplomatin Lublin Dilja, ndjeva se krahët e shqipes kishin harruar të fluturonin për një çast. Megjithëse ka kaluar për më shumë se një vit që ai nuk ndodhet më midis nesh, ne kemi kontributin e tij, veprën e tij që merr vlerësim dhe rivlerësim. Lublin Dilja për mua do të mbetet etaloni i atdhetarisë, qytetarisë, patriotit që për çështjen kombëtare shqiptare e të Kosovës tonë kurrë nuk u lodh, nuk u dorëzua edhe pse sëmundja e rëndë kishtë shtrirë kthetrat në trupin e tij të imët. Me një karrierë tejet të spikatur në arsimim, njeri me cilësi të rralla qytetare dhe profesionale, i qetë, i matur, tolerant e i kulturuar, me aftësitë e një qytetari me formim të plotë akademik dhe intelektual, ishte nga pedagogët e parë që do të përfshihej në lëvizjen demokratike për ndryshimin epokal të shekullit shqiptar, shndërrimin e Shqipërisë socialiste në një Shqipëri demokratike. Është për t’u vlerësuar kontributi i tij në postin më të rëndësishëm të përfaqësimit të Shqipërisë, si një nga diplomatët e parë në SHBA-s, pas hapjes me botën demokratike. Duke iu përkushtuar kësaj detyre të rëndësishme me ndershmëri e maturi, ai arriti të forconte jo vetëm miqësinë mes popullit amerikan, por edhe bashkëpunimin e frytshëm në shumë aspekte të jetës e të shoqërisë shqiptare, me informimin dhe përpjekjet e tij, duke ftuar opinion zyrtar amerikan, duke ngritur zërin dhe duke kërkuar mbështetjen e padiskutueshme amerikane për të ndihmuar në zhvillimin e proceseve të brishta demokratike në Shqipërinë postkomuniste, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një pasardhës i diplomatit Faik Konica e Nolit të madh. Diplomati Lublin Dilja, me përvojën e tij jetësore, i veshur me virtytet e atdhedashurisë, patriotizmit e të përkushtimit të tij ndaj kombit, dashurinë për tokën martire të Kosovës, do të ishte ndër ata diplomatë që do të ngrehte zërin e tij në favor të çështjes së lirisë e të pavarësisë së Kosovës, deri në Departamentin e shtetit amerikan, kur komuniteti botëror e konsideronte Kosovën si pjesë të ish-Jugosllavisë dhe shumë pak e dinin historinë e Shqipërisë. Ai ia bëri me dije se Kosova e Shqipëria ishin Iliria, duke sjellë një natyrë të re në marrëdhëniet diplomatike. Bëri që gjendjes tejet të vështirë për kombin e trojet shqiptare t’i japë kahje pozitive. Edhe kur sëmundja po e afronte më afër vdekjes, Lublini merrte hapa të guximshëm, jo vetëm për ta përballuar sëmundjen, por edhe për të qenë i pranishëm dhe për të çuar përpara proceset pozitive të çështjes së identitetit shqiptar. Pjesëmarja e tij në një numër takimesh kombëtare e ndërkombëtare forcoi dhe rigjeneroi besimin e diplomacisë botërore për zgjidhjen sa më parë të cështjes së Kosovës dhe pavarësinë e saj. Unë kam pasur mundësinë, si edhe shumë bashkëkombas të tjerë, të jem disa herë pjesë e këtyre takimeve, të cilat përbënin potencialin e besimit ndaj përkushtimit dhe kontributit të tij, qasje të kujdesshme në çështjen kombëtare në rrugë diplomatike, e njohur tashmë si një çështje e kompleksitetit të madh e dramatik, që duhej trajtuar me përgatije profesionale dhe kujdes të veçantë, për shkak të precedentëve historikë. Kur u zgjova atë mëngjes shkurti, nuk u besova veshëve për lajmin e hidhur që dëgjova, vdekjen parakohe të mikut tim Lublin Dilja, të njeriut të mirë e të urtë, të diturisë e diplomacisë, intelektuali i paepur për të mirën, të drejtën morale e njerëzore. Edhe pse për gati një dekadë bashkëjetoi me sëmundjen e rëndë, në fytyrën e tij të zbehtë kurrë nuk u shfaqën shënja dobësie e lodhjeje të karakterit e personalitetit të tij. Gjente forca morale e fizike për t’i përballuar. Nuk u dorëzua, por e sfidoi atë, duke vazhduar rrugën që të punojë për Shqipërinë e shqiptarët, për çështjen kombëtare. Ishte aty përherë si një përfaqësues i interesave të shtetit shqiptar, të diasporës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Lublin Dilja është shembulli i një politikani dhe diplomati shembullor që kurrë nuk u korit. Madhështia qytetare, njerëzore, intelektuale rrezatonte afër e larg, respekt e dinjitet, sinqeritet e dashuri, patriot e atdhetar, që rrallë ia gjeje shokun. Teksa shkruaj këto rradhë, këtë requiem për njeriun e mirë e të mrekullueshëm, Lublin Dilja, sjell ndërmend historinë e lavdishme të popullit, përpjekjet, sakrificat dhe kalvarin e dhimbjeve e të fitoreve të popullit tonë, të cilin diplomatë, si Lublin Dilja, e sollën në vëmendje të kancelarive të botës, duke e vendosur çështjen shqiptare në bazën e të barabartëve të botës së qytetëruar e demokratike. Humba mikun tim të shtrenjtë, të të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë trojeve të Dardanisë. Sa herë e takoja, më bënte të ndjehesha krenar për mençurinë dhe urtësinë e tij, për forcën e inteligjencës dhe dashurisë njerëzore që transmetonte me fjalën e tij. Mungesën e tij e ndjeva edhe më shumë Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për atë pavarësi që Lublini kontribuoi dhe nuk mundi ta shijonte se vdekja e pashmangshme e mori ndër kthetrat e saj dy javë para atij realiteti dhe ideali historik, të cilit diplomati i dha vitet e tij dhe vetë iku në amshim. Jeta dhe vepra të diplomatit që vinte nga kërthiza e Shqipërisë, Elbasani, do të forcojnë akoma më shumë themelet e altarit të trojeve etnike.
Bacë, u kry! Ëndrra jote për pavarësi u bë realitet.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty, bir!
Pusho në paqe, miku im!
Amen!
Stamford, CT USA
Tetor, 2010
Kryeministri shqiptar duke firmosur ne kujtim te Diljes