Balzakun e madh, që krijoi nën moton “Realiteti flet vetë”, pothuaj e njohin të gjithë, edhe ata që janë arsimuar mirë, por edhe ata që kanë siç thuhet “pesë gramë shkollë”. Ai është njëri nga themeluesit më të mëdhenj të shkollës letrare të realizmit. Madhështia e tij nuk rëndon aq për rrymën që krijoi e ndoqi, por për temat e freskëta që solli, për letërsinë dinamike, për shkathtësinë dhe kthjelltësinë kreative, hapësirën e jashtëzakonshme që rroku, vlerat dinamike të artit që krijoi dhe galerinë e hatashme të personazheve. Balzaku, thuhet me të drejtë, nuk ka krijuar thjesht letërsi por ka qëndisur me një elegancë të rrallë e me durim të përbindshëm. Mu për këtë arsye kritika (e pasur!) e ka kërdisur me kopan dhe e ka ngritur në qiejt e lavdisë. Qëndisja e tij madhështore ka të bëjë me përshkrimin e hollësishëm të detajeve të kohës, të zakoneve e dokeve, të sjelljeve e të moralit, për jetën e kryeqytetit e të qyteteve provinciale, por edhe të fshatit; për politikën, shtypin, financat, luftën, fenë, filozofinë, artin, veset, virtytet dhe krimet; dashuritë, pabesitë e shumta madje dhe idealet e zhgënjimet. Balzaku është nga të rrallët që e rroku jetën në tërësinë e saj, me një përmasë gati jashtëshqisore, duke hyrë në lidhje mendore me njerëzimin, ashtu si pretendohet se ka hyrë njeriu i epokës moderne. Dhe epokën moderne në letërsi pati nderin ta përurojë Madhëria e Tij, Honore dë Balzak!
Jeta e çoi shkrimtarin e madh në pragun e udhëkryqeve. Duke mbajtur në dorë e në zemër atë që i kishte dhuruar Revolucioni i Madh Francez me deklaratën e mirënjohur për Drejtësi, Barazi, Liri dhe Vëllazërim e që pati ngjallur te njerëzit shpresa të mëdha, realiteti do ta shpinte më vonë te dështimi i revolucioneve të vitit 1832 dhe të vitit 1848, të cilët i zhgënjyen thellë njerëzit. Ndërkohë, në letërsi, përfaqësuesit e pozitivizmit dhe të utilitarizmit, u shprehën për lindjen e një shprese të re përgjatë revolucionit industrial, duke folur për të mirat materiale të njerëzve, ngërthyer kjo (pse jo) edhe me përfaqësuesit e marksizmit, të cilët ushqyen idenë e triumfit të revolucionit proletar botëror dhe të vendosjes së barazisë komuniste, por edhe me ithtarët e darvinizmit, që rrënjosën besimin se jeta do të evoluonte drejt përsosjes. Kjo është arsyeja e vërtetë që zëdhënien e kësaj atmosfere të re në fushën e arteve e bëri realizmi. Pikërisht fjala “realizëm” të çon te mendimi se kemi të bëjmë me shprehjen rigoroze të së vërtetës jetësore. Përfaqësuesit më të mëdhenj të tij, ndër të cilët vendi i nderit i takon Honore dë Balzakut, arritën të rikrijojnë artistikisht të vërtetat jetësore përmes tablosh të gjera, konfliktesh dramatike dhe zgjidhjesh në përputhje me idealet më të bukura e më përfaqësuese, por edhe ato vetjake, kurdoherë në përputhje me logjikën e jetës reale.
Shkrimtarët e realizmit krijuan personazhe tipike që veprojnë në rrethana tipike. Ata morën përsipër të jepnin me dinamikë dialektikën e shpirtit, duke shpalosur konflikte, të cilat do të merrnin zgjidhje përmes të vërtetave jetësore. Shkrimtarët realistë u bënë tendenciozë, domethënë se e shihnin botën duke e rikrijuar atë në mënyrë artistike e në një këndvështrim të përpunuar po prej vetë atyre. Deri në çastin që Balzaku hyri në letërsi, romani ka qenë zhanri më pak i pëlqyer, sepse sipas traditës ishte rrënjosur në vendin e nderit poezia dhe drama. Kështu mbi shpatullat e bëshme të Balzakut ra lavdia e ngjitjes në podin e triumfit të romanit, duke e bërë të dashur, përmes lëvrimit të shkëlqyer nga ana e tij, duke derdhur djersë, shumë djersë dhe shpalosjen e një talenti të hatashëm e nën shtypjen e një vullneti të llahtarshëm. Pas Balzakut, realistët e tjerë të mbarë botës do ta çonin shumë përpara këtë lloj letrar, madje do ta shpallnin mbret të letërsisë. Por, sidoqoftë, Balzaku është quajtur dhe mbeti përjetë babai i romanit realist.
Honore dë Balzak lindi më 20 maj 1799 në qytetin provincial të Tur-it, nga një baba që rridhte prej një familje të pasur fshatare, por që shërbente si intendent në ushtri dhe një nëne tridhjetë vjeçe më e re se i ati dhe që e tradhtonte atë. Madje vëllai i vogël i Balzakut, Henri, ishte kanakar i së ëmës dhe një fëmijë i jashtëligjshëm. Studiuesit e Balzakut, shkrimtarë të tjerë, biografë dhe psikologë kanë nxjerrë mjaft përfundime nga jeta e ndërlikuar e shkrimtarit të madh, madje disa prej tyre shkruajnë se interesi i tij për problemin e martesave dhe të tradhtive bashkëshortore shpjegohet sidomos me atmosferën që mbretëronte në familjen e tyre! Balzaku e lakmonte në fshehtësi jetën oborrtare, madje nuk ngurroi ta shtonte siglën “dë”, duke ushqyer tendencën ledhatuese se në jetë do të bëhej një princ i vërtetë. Po ja që ai u bë mbret i një letërsie të madhe, duke vënë nën pushtetin e tij absolut një perandori të tërë letrare. Që nga kolegji e pastaj në Shkollën e Drejtësisë si “për të siguruar më shumë pará e për të bërë karrierë”, siç shprehej e ëma, pastaj puna si nëpunës në një zyrë juridike bashkë me përvojën e gjyqeve, shërbyen për njohje tipash e karakteresh, por edhe e mallkuan shpejt sepse atij iu desh të hiqte dorë herët nga marramendja dhe ankthi monoton i punës zyrtare, nga limontia dhe avashllëku i përbindshëm i kësaj jete të zvargur e të allasojtë. E la karrierën me një përbuzje reale, sigurisht në kundërshtim me dëshirën e prindërve. Kështu në një kthesë të befasishme të jetës ai iu vërsul letërsisë. E nuk pyeti se ia zvogëluan të ardhurat, por vetvetiu u hodh në betejë, ashtu siç hidhen gjithnjë e në çdo kohë të rinjtë; kështu një ditë të bukur djaloshi i vullnetshëm iu përvesh punës lodhëse të krijimtarisë artistike.
Në vitet 1820-1829 ai u përlesh me forcat e egra të vetvetes e të shoqërisë që e shtrëngonte me lak në fyt për të siguruar bukën e gojës. Po fillonte karrierën e shkrimtarit. Punonte, punonte dhe vetëm punonte, strapacohej, kapitej dhe ndërkohë prodhonte shumë, por ende qe larg cilësisë së dëshiruar. Sigurisht botoi me pseudonim disa romane me subjekte të mprehta dhe me brendi moralizuese, por i njohur nuk u bë dot. Mirëpo, siç thotë Cvajgu, ai nuk qëlloi nga ata që thyhen lehtë, sepse e kishte ndarë mendjen që do ta pushtonte botën me penë, si Napoleoni me shpatë, duke cituar kështu një thënie të vetë Balzakut.
Dhe fama e tij nuk vonoi. Në vitin 1829 botoi romanin “Shuanët” me temë nga Revolucioni Francez, e cila u mirëprit me interes të dyfishtë. Ndërkohë Balzaku shkroi edhe një vepër disi të çuditshme Fiziologjia e martesës me skica dhe me anekdota zbavitëse për jetën bashkëshortore, që i botoi me emrin e tij të vërtetë. Këtu është starti i tij i vërtetë dhe fati i priu, duke e bërë të njohur në qarqet mondane (dhimbja e tij e vërtetë), ku ëndërronte që të depërtonte. Filloi kështu periudha e suksesshme e krijimtarisë së Balzakut. Duartrokitjet, hamendjet e mëdha, sfidat, bastet letrare, diskutimet, kritikat e ashpra, gjithçka. Dhe lavdinë ia dha romani filozofik “Lëkura e shagrenit” (1831). Një shakullinë përzierjeje dhe mendim filozofik i hollë e i nënkuptuar qartë. Balzaku, ndërkohë, u bë popullor te femrat, që e çmuan për psikologjizmin dhe ngrohtësinë në përshkrimin e grave, ndërsa vazhdonte të merrte shumë letra prej tyre, ndër to dhe nga kontesha polake Evelina Hanskaja, e cila i shkroi me pseudonimin “E huaja”. Pas 18 vjetësh ajo do të bëhej gruaja e Balzakut. Vijnë tanimë dhjetë vjetët e mëdhenj në letërsinë e tij (1830-1840) me “Fajdexhiu Gobsek” (1831), “Evgjeni Grande” (1833), “Koloneli Shaber” (1833), “Xha Gorio” (1834), një tjetër kryevepër e Balzakut. Shkrimtari gjenial vazhdon t’i qëndrojë besnik prirjes madhështore për të treguar me vërtetësi të hatashme, vijon të qëndisë hollë si në filigran, anët më thelbësore të jetës, por me një ndryshim: realizmi kushtëzohet edhe nga botëkuptimi i tij. Nëse deri më në këtë çast kishte treguar me realizëm për njerëzit e ardhur nga poshtë në skenën balzakiane, sigurisht edhe të pasuruar me spekulime (Gorioi, Grande, Gobsek), në vitet ‘40 në këtë skenë do të luajnë përfaqësuesit e aristokracisë që mbajnë poste drejtuese në ekonomi dhe në pushtet (Nysingen, Rastinjak). Çel sythet një temë e re: humbja e iluzioneve që bëhet parësore në romanin “Iluzionet e humbura” (1837-1848). Shkrimtari i madh e “detyron” lexuesin të nxjerrë përfundimin se midis personaliteteve të larta shtetërore dhe të burgosurve ordinerë nuk ka ndonjë ndryshim kushedi çfarë, se postet zakonisht arrihen falë rastësive dhe dredhive, se shoqëria nuk u jep kurrfarë ndihme talenteve që dalin nga shtresat e ulëta të shoqërisë, që mbeten tejet të deziluzionuar, se këta i shpenzojnë kot fuqitë kreative. Shndërrimi bëhet, siç do të thoshte më vonë Niçja, për të gjitha vlerat: ato të epërmet kthehen kokëposhtë dhe ato të poshtmet ngrihen çuditërisht lart.
Balzaku denoncon shoqërinë në të cilën jeton, madje edhe në shoqërinë njerëzore që vjen. Kjo forcë demaskuese dhe mos pranuese e shoqërisë ka mbetur ende pa u rregulluar. Ajo është thjesht e hidhët, mosbesuese, e trallisur dhe e zymtë. Ajo edhe ta jep me një dorë e pastaj ta heq me tjetrën. Çfarë zhgënjimi! Njësoj siç ndodh edhe në ditët tona me shumë shoqëri që jetojnë fazën fillestare të zhvillimit, të ngritjes në përgjegjësi dhe të lakmisë së pashembullt. Veçse veset e shoqërisë kur jepen me art të madh bëhen të besueshme, bëhen të urrejtshme, të ndezura për t’u parë e për t’u luftuar me shpirt. Te Balzaku gjithçka shpjegohet me humbjen e iluzioneve pro-bonapartiste dhe me zhgënjimin pas dështimeve të Revolucionit të Korrikut dhe të Revolucionit të 1848-s. Mos harroni se ata që e shihnin veten të prekur nga pena e mprehtë e shkrimtarit të madh realist nuk vonuan që t’i vërsuleshin, ta shpallnin kritizer dhe antikombëtar, një njeri (qoftë edhe të madh) që po shkatërronte traditën e letërsisë franceze të shekujve XVII e XVIII. Ky ishte thjesht një heroizëm krijues që nuk u ndal kurrë. Sepse pjekuria e bën më të mprehtë kritikën, e bën më tërheqës artin dhe më të madh emrin e tij të shquar! Vijnë tanimë “Kushërira Betë” (1846) dhe “Kushëriri Pons” (1847). Një psikologjizëm i përsosur, shekspirian, gjithçka e treguar me pastërti shpirtërore të rrallë, me ca personazhe në dukje humbamenë e të trashë, por që mbajnë përbrenda virtyte të rralla njerëzore, pasi thjesht nuk janë të përlyer nga pasurimi i paligjshëm dhe i korruptuar.
Ndërtesa madhështore e veprës së Balzakut u arkitektua prej tij që në fillimet e ashpra të krijimtarisë, e cila erdhi duke u thadruar. Në vitet ‘30, Balzaku filloi që t’i gruponte veprat në cikle, kurse ciklet i mblodhi në një vepër të vetme që u titullua “Komedia njerëzore”. Si urë kalimi nga romani në roman dhe nga cikli në cikël shërbejnë jo vetëm personazhet, por, sidomos konceptimi ideor dhe artistik që u bëhet ngjarjeve dhe fateve të njerëzve në to. Kështu u arrit që të krijohej një panoramë e gjerë lëvizëse e jetës bashkëkohëse. Arkitektura e veprës së tij kishte planifikuar 160 romane, nga të cilat u realizuan 92. Një shifër mahnitëse! Shumica e tyre janë vepra të klasit më të lartë, krijime madhështore!
Balzaku na thotë plot gojën se fitimtar në jetë del ai që ka ide dhe pasione, por mbi të gjitha qëndron vullneti. Kundërtitë janë vendosur siç janë në të vërtetë, bashkë me përputhjet dhe mospërputhjet, harmoninë apo mungesën e saj, me vullnetin individual të personazheve dhe rrethanat ku ata jetojnë dhe veprojnë, duke përbërë kështu boshtin e subjekteve të veprave të Balzakut. Shkrimtari ka gjetur ca impulse të fuqisë së mendimit dhe të shpërthimit të kësaj energjie të brendshme te njeriu, duke zbuluar cilësi që ajgëtohen mirë, cilësi që shtyjnë përpara ose e mbyllin brenda burgut social vetë ngjarjen, madje e shuajnë atë. Kjo fuqi dhe energji është vetëm e vetëm pasionale, por edhe krejt realiste, pa zgjidhje të jashtme, si me dorën e tjetërkujt, të Zotit për shembull. Kjo është dora e brendshme e vullnetit të njeriut, aty ku buron pashtershëm forca dhe energjia. Kjo e bën të fuqishme artistikisht edhe dialektikën e zhvillimit, në përputhje sigurisht me logjikën e jetës. Një tregues i këtillë e bën veprën e shkrimtarit të madh të përshkuar nga një realizëm i shkallës më të lartë, e varur kjo edhe nga temat e mëdha sociale që ka ditur t’i rrokë me madhështinë e gjenialitetit të tij, duke i bërë një strukturim tejet të veçantë Komedisë së Tij Njerëzore. “Xha Gorio” ngre lart dhe e vërvit në humnerë dashurinë prindërore, “Evgjeni Grande” zhbiron thellësitë e natyrës njerëzore për dashurinë ndaj arit që arrin t’i shkatërrojë të gjitha virtytet, “Kushërira Bet” shpalos forcën e hakmarrjes (a nuk është edhe në psikologjinë kombëtare shqiptare forca e hakmarrjes, madje këtu, te kjo e drejtë zakonore kemi të drejtë të themi e nënvizojmë tri shtyllat që e mbajnë gjallë njeriun: hakmarrja, larja e borxhit dhe divorci – ndarja me gruan...). Në shoqërinë e ndërtuar keq, siç ishte shoqëria franceze e kohës së shkrimtarit, arrin që t’ia plotësojë dëshirat dhe aspiratat njeriut vetëm nëse ky tregohet egoist, i paskrupull, i pamoralshëm, të fuqishëm ose edhe vullnetpakët e të dobët, pse jo, pasi duhet të ketë edhe të humbur e të vdekur... Mirë pena gjeniale e Balzakut është treguar po aq bujare në vlerësimin e virtytit njerëzor, sa ç’është treguar e pamëshirshme në denoncimin dhe asgjësimin e vesit dhe të perversitetit njerëzor.
Në prag të vdekjes vuri kurorë me konteshën polake Hanska, duke realizuar një ëndërr të ngrohur në shpuzën e energjisë së tij krijuese. Vdiq, më 18 gusht 1850. Një njeri dhe krijues i pataksshëm si ai, padyshim që gjëja më e thjeshtë ishte të stërmundonte veten, veten por jo fjalën, veten por jo faqet e shumta të letrës që shkruante brenda një dite dhe natyrisht që bënte një jetë te çrregullt, sepse kur ke energji të shumta (sidomos krijuese) nuk di as t’i kursesh dhe as si t’i përdorësh. Pikërisht kjo energji krijuese i la njerëzimit 92 vepra të përfunduara, njëra më e madhërishme se tjetra, me mbi 2500 personazhe, një koloni e tërë njerëzish që japin e marrin me njëri-tjetrin, brenda arkitekturës së mrekullueshme të komedisë së tij të hatashme njerëzore.