Si u arrestua, si u dënua nga gjyqtarët e UNMIK-ut, si u hedh poshtë vendimi nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe si u rikthye lënda për gjykim nga EULEX-it për Kimete Krasniqin, ish-luftëtaren e UÇK-së?
Ish ushtarja e UÇK-së dhe po ashtu pjesëtare e TMK-së, Kimete Krasniqi, rrëfen përjetimin e saj në lidhje me këto akuza dhe padrejtësitë që i janë bërë nga ajo kohë e deri më tani. Ajo thotë se është arrestuar para hotel Therandës në një aksion ku kanë qenë një numër i madh i forcave të sigurisë ndërkombëtare. “Unë isha me uniformë të TMK-së se kam qenë në zonën e dytë, në momentin që isha duke shkuar në punë diku afërsisht 100 metra prej banesës diku nga ora 7 e 45 është dashtë me qenë në punë për të bërë ngritjen e flamurit. Duke ecur rrugës e kisha një libër në dorë sepse zakonisht lexoja, edhe po i shoh të gjithë me maska mbi 200 vetë. Në atë moment po shkoja rrugës sime, më kanë lejuar derisa kam shkuar midis tyre përmes trotuarit. Ata e kishin blloku të gjithë zonën dhe në atë moment më kanë ndal dhe më kërkuan dokumentet. Në atë moment m’i kanë lidhë duart mbrapa, më kanë dërguar në Prizren pastaj më kanë sjellë këtu ( Prishtinë). Të gjithë kanë qenë të huajt, asnjë nuk ka qenë i joni”, rrëfen Kimetja. Me tu dërguar në qendrën e paraburgimit, Kimetja thotë se ka qenë një tmerr prezenca e saj në atë qendër. “Kur shkova në qendrën e paraburgimit në Lipjan aty kishte njerëz të ndryshëm të akuzuarit për drogë, hajni, prostitucion dhe që është më e keqja që unë kisha punuar në sektor të sigurimit dhe i dija se si shkojnë ato gjëra kur i shihja më dukej tmerr”, tregon ajo. Pas qëndrimit të saj në paraburgim për plotë gjashtë muaj e gjysmë, kohë kjo kur ishin zhvilluar edhe seancat gjyqësore kundër saj, ajo thotë se i janë bërë shumë padrejtësi.