2010-12-30

INA K. ZHUPA :Të vërtetat që nxori mbi ujë Shkodra

image Ina K. ZHUPA
Shkodra bëri për ujë të ftohtë Partinë Socialiste dhe në veçanti kryetarin e saj Edi Rama.
Fatkeqësia natyrore që ndodhi në këtë qytet dhe që bashkoi rreth tij jo vetëm qeverinë por edhe të gjithë qytetarët nxori në pah papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë e Z. Rama, i cili ndërkohë që Shkodra përmbytej, vazhdonte protestat në Pogradec për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-s. Ai e shpërfilli këtë qytet që po përmbytej, këta njerëz që po vuanin, e quajti një element të parëndësishëm përpara kutive të tij. Mbasi niveli i ujit ra dhe doli dielli mendoi se tanimë mund edhe të shkonte të vizitonte Shkodrën por pa praninë e kamerave. Përsenë nuk e di, por skam pse ta paragjykoj ndoshta është tip i turpshëm.
Gjëja e parë që mendova kur ndodhi kjo situatë ishte: Imagjino të ishte kryeministri ynë! Me këtë logjikë që tregonin veprimet e tij si kryetar i opozitës, ai si kryeministër nuk do të kishte lejuar të transmetohej asgjë në media. Nuk do të kishte lejuar kamerat të filmonin gjendjen e Shkodrës. Ndoshta do ta kishte quajtur një gjë të panevojshme edhe dhënien e ndihmave materiale dhe morale për banorët. Mirëpo Shkodrës pak i interesonte nëse ekzistonte apo jo ana humane tek Edi Rama. Njerëzit merreshin me hallet dhe punët e tyre, po ashtu institucionet e qeverisë por edhe ato të pavarura vazhdonin punët e tyre.
Gjykata e Shkodrës ishte një institucion tjetër që vazhdonte punën dhe i erdhi në rendin e çështjeve padia e ngritur nga anëtari i opozitës së bashkuar Nard Ndoka për hapjen e kutive të votimit në Shkodër. Mbas shqyrtimit të çështjes, vendosi ta pranoi kërkesës dhe bëri hapjen e kutive. Ky duhet të ishte një lajm i mirë dhe i gëzuar që po i jepte Shkodra Ramës që edhe pse nuk e përfilli, ja plotësoi ëndrrën e hapjes së kutive. Mirëpo mbasi u hapën doli qartë se aty nuk kishte asnjë manipulim, nuk kishte asnjë padrejtësi, asnjë vjedhje, asnjë abuzim nga pushteti. Doli qartë se kutitë kishin rezultatet e njëjta si në numërimin e parë nga komisioni si na atë të rihapjes nga gjykata, e të njëjtin do të kishin edhe po të numëroheshin 100 herë të tjera deri në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s.
Kjo ishte një goditje e tmerrshme dhe finale që i vinte për rastësi pikërisht nga qyteti që përbuzi. Gjithë kauza e tij politike që e bëri ta mbante veten si kryetar partie, iu shemb si kështjellë rëre para syve. Kutitë u hapën dhe rezultati kishte përsëri humbësit e zakonshëm, atë humbës që humbjen duhet ta kishte pranuar që në vitin 2009.
E çuditshmja është që për Ramën duket sikur nuk ka ndodhur asgjë, as këtë hapje të dytë të kutive nga gjykata nuk e pranon dhe e quan të pavlefshme. Atëherë një njeri që nuk njeh rezultatin e parë të zgjedhjeve, nuk njeh rezultatin e rihapjes së tyre, kush më garanton mua se do të njoh përfundimet që do të nxjerr komisioni hetimor parlamentar?! Apo do ta bëj edhe atë një shënjestër për të mbushur me akuza televizive muajt e ardhshëm në politikë?
Por parimisht a mund të merret Shkodra si shembull konkret i hapjes së kutive për herë të dytë me kërkesë të opozitës? Po patjetër, është e qartë që është një shembull, është një tregues, është një fakt i pakundërshtueshëm. Sepse nuk mund të hiqemi as sikur nuk ndodhi, as sikur i numëroi qeveria. A mund të merret hapja e kutive në Shkodër si një arsye e mjaftueshme për të treguar sesa e pabazë është kauza e kutive të Edi Ramës? Po mund të merret, ashtu si mund të merrej si shembull vërtetësie për kauzën e kutive nëse rezultati i hapjes do të tregonte manipulime të bëra herën e parë. Mund të merret edhe sepse nuk e zgjodhi kryeministri Shkodrën, thjesht ishin dyshimet dhe padia e anëtarit të opozitës që zgjodhi Shkodrën si shembull. Padi që mund të ishin ngritur kudo, por nuk deshën. Ose thjesht besonin se manipulimet më të mëdha ishin në Shkodër dhe ngritën padi vetëm atje.
Me siguri nëse rezultati i hapjes së kutive nga gjykata e Shkodrës do të kishte nxjerrë edhe 10 vota të vjedhura në favor të Edi Ramës, ky i fundit do ta gjykonte si të mjaftueshme për të treguar vlefshmërinë e kauzës së tij. Me këtë do të kërkonte delegjitimimin e qeverisë Berisha dhe zgjedhje të parakohshme. Ndoshta edhe me të drejtë. Jam e bindur duke e njohur moralitetin që vendos në politikë Z. Berisha, ai i pari do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme edhe pse këto nuk do të ishin të nevojshme. Sepse është një figurë që ka treguar që do të jetë ballë lart përpara qytetarëve të tij.
Ndërsa tani që rezultati i hapjes së kutive në Shkodër nxori fitues, fituesin, tani duhen përsëri zgjedhje të parakohshme. Po, sipas meje duhen zgjedhje të parakohshme për kryetar në Partinë Socialiste. Partia Socialiste shkeli statutin e saj: ku parashikon që kryetari humbës i zgjedhjeve jep dorëheqjen dhe ikën nga kryetar, sepse i besoi Z. Rama kur i thoshte se unë nuk jam humbës por thjesht dukem si humbës. Tani që u vërtetua përsëri që jo vetëm duket por edhe është humbësi i zgjedhjeve duhet të organizojnë zgjedhjet për kryetar sipas statutit të tyre. Nëse nuk duan, punë e tyre por thjesht mos na flasin nëpër fushata për ligj dhe shtet ligjor. Sepse ata kur nuk zbatojnë statutin e tyre që e kanë bërë vetë, si do të zbatojnë ligjet e shtetit?
Gjithsesi Z. Rama bëj si të bësh por nuk mund të mohosh që Shkodra të nxori mbi ujë 2 të vërteta të mëdha: 1) papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë ndaj fatkeqësive të qytetarëve të tu, që kërkove t’i qeverisje, 2) mosekzistencën e kauzës së kutive që të mbajti ty kryetar partie dhe mbajti peng parlamentin shqiptar. Tani je ti i zhyturi në ujë deri në fyt. Veçse ka një ndryshim shumë të madh mes ujit tënd dhe ujit të Shkodrës. Shkodra u përball me një fatkeqësi dhe po e merr veten dita ditës derisa të bëhet zonja që ishte. Ndërsa ju jeni një fatkeqësi për zhvillimin evropian të vendit, që po bini poshtë dita ditës derisa mund të vij një ditë që edhe fjala zotëri mund t’ju rri e madhe.
*Politologe

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...