2010-12-30

Ka ngecje të madhe në zbardhjen e fatit të të pagjeturve


Pavarësisht deklaratave të politikanëve tanë dhe përgjegjësve të komisioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare, se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është prioritet, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur, pasi vitet e fundit vërehet një ngecje shumë e madhe rreth kësaj çështje, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjeve të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi.
Kosovapress: Kaluan 11 vjet dhe çështja e personave të pagjetur ende vazhdon të jetë brengë për qytetarët e Kosovës dhe ende nuk dihet për fatin e 1823 personave. Sa është punuar deri tash në zbardhjen e fatit të tyre?
Kasumi: Është e vërtet se kaluan 11 vjet dhe për historinë dhe ndoshta edhe për politikën, 11 vjet nuk janë shumë, por për familjarët që kërkojnë informacione për më të dashurit e tyre janë jo 11 vjet, por 11 shekuj. Fatkeqësisht, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme numri është ende i madh dhe vitet e fundit kemi një ngecje të madhe, e cila i shqetëson tej mase familjarët.
Kosovapress: Po ju si këshill, çfarë keni bërë për këtë çështje ?
Kasumi: Ne si Këshill Koordinues kemi vazhduar aktivitetin dhe përpjekjet tona që të bëjmë trysni te qeveritarët tanë dhe te faktori ndërkombëtar që vepron dhe që është i involvuar në procesin e hulumtimit të gjetjes së njerëzve dhe sigurimit të informacionit për këta njerëz, të cilët u morën pafajësisht, u morën nga duart e familjarëve, nga kolonat dhe pa asnjë shkas dhe arsye u privuan nga e drejta e jetës së lirë.
Kosovapress: Ditë më parë Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka diskutuar raportin e vitit 2010 dhe ka përgatitur një plan veprimi për vitin 2011. Sa jeni të kënaqur me raportin dhe planin?
Kasumi: Kemi përcjellë dhe përcjellim vazhdimisht punën e Komisionit qeveritar të Republikës së Kosovës për të pa gjeturit, ndaj të cilit kemi pasur vërejtjet dhe sugjerimet tona, ngase ai është një komision formal i cili nuk ka arritur thuajse asnjëherë të jetë në përbërje komplete dhe të realizojë synimet. Edhe plani operativ i veprimit ishte përafërsisht model i ngjashëm i çështjeve të njëjta, të cilat përsëritet tash e 11 vjet. Nga 11 shkresa dhe shqetësime të familjarëve, pjesërisht janë realizuar vetëm dy prej tyre. Përkundër përpjekjeve, ky proces i dhimbjes të madhe të qytetarëve të Kosovës është në ngecje dhe kjo është brenga dhe shqetësimi më i madh i familjarëve. Qeveritë, politikanët tanë dhe përgjegjësit e komisioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare, gjithmonë thonë se kjo çështje është me prioritet, por ne nuk jemi duke e parë, ngase prioriteti dhe qasja serioze, përpjekjet dhe angazhimet e shtuara me siguri do të jepnin më shumë rezultate se sa që kanë dhënë këto vitet e fundit dhe sidomos nga viti 2006 vërehet një ngecje shumë e madhe rreth kësaj çështje.
Kosovapress: Institucionet e Kosovës thonë se duhet të bëhet trysni mbi Serbinë. Sa kanë pas mundësi reale institucionet tona ta bëjnë këtë ?
Kasumi: Nuk jemi të kënaqur me atë që është bërë, pasi ka pak rezultate dhe ka pasur mundësi të bëhet shumë. Nuk konsiderojmë se presioni është e vetmja formë e zgjidhjes së këtij problemi. Komisioni qeveritar dhe organizmat e ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë mund të bëjnë shumë më tepër, të cilat do ta detyronin faktorin ndërkombëtar dhe Qeverinë e Serbisë, e cila është fajtore kryesore dhe adresa e vetme e gjitha këtyre krimeve dhe e informacioneve për njerëzit të cilët i mungojnë Kosovës. Por ata kanë qenë mjeshtër kur kanë bërë krime, janë edhe më mjeshtër tash në fshehjen e krimit dhe sigurisht ata do të vazhdojnë përpjekjet dhe lojën e tyre me të cilën po rëndojnë gjendjen e familjarëve, të cilët sigurisht me këto përpjekje po synojnë qëllimet e tyre djallëzore dhe anti njerëzore dhe sigurisht do të reflektohen në përpjekjet e përgjithshme të tejkalimit të kësaj gjendjeje dhe synim nga proceset integruese euro atlantike.
Kosovapress: Është edhe një numër i madh i mbetjeve mortore që vazhdojnë të jenë në morgun e Prishtinës. Pse po vonohet identifikimi i tyre?
Kasumi: Kjo është një enigmë dhe një brengë e madhe, e cila i mundon familjarët, të cilët kërkojnë tash e 11 vjet njerëzit e tyre dhe prania e tyre neve na duket një lloj burgu për njerëzit tanë. Shqetësimi dhe tensionet e brendshme te familjarët do të vijë në rritje dhe sigurisht një ditë do të shpërthejë. Ne nuk jemi ekspert të dimë se ku është faji, por informacionet, të cilat i jep zyra për mjekësi ligjore është e drejtë ekskluzive e EULEX-it. Ne si Këshill konsiderojmë se në vitet e pasluftës në Kosovë, është bërë identifikimi dhe varrosja e shumë viktimave të luftës pa analiza shkencore të ADN-së dhe aty është bërë gabim në identifikim dhe në varrosje, dhe janë përzier mbetjet mortore të njerëzve dhe fatkeqësisht nga kjo pikë e zezë që e kemi në morgun e Prishtinës, vuajnë familjarët, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se bën nderim dhe çon lule te varri i një të panjohuri.
Kosovapress: Pse EULEX-i ka ndërprerë identifikimin e mbetjeve mortore?
Kasumi: Në mbledhjen e fundit të Komisionit qeveritar kuptuam se mjekësia ligjore është e kontrolluar nga EULEX-i dhe ne si asociacione kemi marrë vendim që brenda ditëve të para të muajit janar do të hulumtojmë dhe deshifrojmë këto ngecje të raporteve të krijuara ndërmjet stafit vendor dhe ndërkombëtar. Kjo gjendje po reflektohet shumë në gjendjen tonë shpirtërore dhe ne jemi pasojë, ne jemi ata që po e vuajmë këtë raport, i cili duhet të kalohet dhe duhet të zgjidhet.
Kosovapress: Ju si Këshill keni ndërmarrë ndonjë hap për ta paditur Serbisë për gjenocidin që ka bërë në Kosovë?
Kasumi: Këshilli jonë koordinues është i përbërë prej familjarëve dhe në një farë mënyre lirisht mund të them se dikush nga ndërkombëtarët ose vendorët ka manipuluar me ne. Vazhdimisht me këtë çështje na është thënë se do të merren institucionet e përkohshme, atëherë vetëqeverisëse të Kosovës, do të merret edhe Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut, por deri më sot nuk po shihet asgjë. Iniciativë pat marrë në atë kohë edhe komisioni i përparshëm qeveritar, por nuk bëri asgjë. Ne si Këshill koordinues kemi arritur të ngrisim një padi kundër udhëheqjes qendrore të Serbisë, ku ishin të përfshirë udhëheqësit aktual, Çoviq, Koshtunica, Tadiq e të tjerë, të cilët e pengonin procesin dhe pengonin qasjen në dokumente dhe arkiv, të cilët janë burim i informacionit për atë se çka ka ndodhur në Kosovë. Atë padi e kemi ngritur si Këshill në mënyrë të pavarur dhe e kemi drejtuar si në drejtësinë vendore ashtu edhe deri në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë. Kjo ka ndodhur në vitin 2005 dhe deri tash nuk kemi asnjë informacion se çka ka ndodhur me këtë aktpadi tonën. Nuk kemi përgjigje dhe njoftim nëse është miratuar apo është refuzuar, por për fat të mirë ne e kemi kopjen dhe nëse është nevoja do ta përsëritim. Shfrytëzoj rastin të kërkojmë nga prokuroria, udhëheqja jonë, por edhe nga komisioni qeveritar që të punojnë shumë më tepër ngase angazhimi dhe përpjekjet e drejtësisë në këtë çështje dhe në proces të hulumtimit dhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur mungojnë dhe janë në pikën zero. Përderisa ne nuk punojmë, pala tjetër siç thashë edhe më herët, ka ditur të bëjë krime, tash po organizohet që pjesën e përgjegjësisë dhe fajit të vet t’ia hedhë viktimës, e cila për ne është e njohur, por për botën nuk është e njohur dhe në një farë mënyre një pjesë e fajit pa e bërë fare dhe pa e merituar neve po na mbetet.
Kosovapress: Është një numër i madh i familjarëve të personave të pagjetur që kanë ngritur shqetësimin lidhur me raportin e Dik Martit?
Kasumi: Raporti i tij ka goditur në mënyrë më të rëndë familjarët e të pagjeturve. Më besoni me dhjetëra dhe qindra familjar të cilët kërkojnë të afërmit e tyre mua më kanë dërguar në gjendje që të qaj. Na mbetet që përveç një reagimi me shkrim, të bëjmë edhe shumë veprime tjera për të cilët biseduam në mbledhjen e këshillit tonë. Ne do t’i drejtohemi për ndihmë qeverisë sonë. Po ashtu, do t’i drejtohemi me një shkresë udhëheqësve të Këshillit të Evropës dhe do të organizojmë nëse kemi mundësi dhe nëse na jepet mbështetja nga institucionet tona dhe faktori ndërkombëtar, që të organizojmë edhe një protestë para selisë së Këshillit të Evropës në ditën kur do të bisedohet për çështjen e raportit të anti shqiptarit më të madh që njeh gjenerata e tashme e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, Dik Martit, i cili ose ka marrë para shumë të mëdha prej Serbisë dhe dikujt tjetër, ose është i sëmurë dhe njeri i cili është në pozicion të ushqimit të krimit dhe jo luftimit të veprimeve kriminale./Intervistoi: Labinot Gashi/

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...