(Nga blloku i shënimeve)
Nga: Prof.as.Dr.Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
Sapo hapa komjuterin tim, sot në mengjes, aty gjeta një njoftim të dhimbshëm e drithëruas. Atë ma dërgonte miku im, publicisti Alban Dega, nga Nju Jorku. Ndër të tjerat, ai shkruante dhe këto radhë:
“Dje mbasdite u nda nga jeta një mik i madh e i sprovuar i shqiptarëve, në kohët më të vështira të historisë se tyre, Z. Riçard Hollbruk. Ai ndërroi jetë sot, në spitalin e Universitetit “Xhorxh Uashington” te kryeqytetit amerikan, në moshën 69-vjeçare…Vdekja e Riçard Hollbrukut është një humbje e rëndë edhe për popullin shqiptar dhe për shqiptarët, kudo në botë. Ishte i pari personalitet i Administrates së Presidentit Bill Klinton, që kontaktoi me luftëtarët e lirisë, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai luajti një rol të madh në të gjithë procesin e lirisë dhe pavarësisë së saj, prej një prej rregjimeve më barbare, që ka njohur njerëzimi, siç ishte rregjimi kolonailist e terrorist i Millosheviçit...Emri dhe vepra e Riçard Hollbrukut do të mbeten përherë të gjalla në zemrat e shqiptarëve, kudo në Botë”.
Duke shfletuar bllokun e shënimeve, mbajtur gjatë vizitës sime në Junik të Kosovës në korrik 2000, gjeta dhe dëshminë e mëposhtme, për të cilën shprehet dhe kolegu im. Pra, ja cila është ajo.
X x x
Tashmë, emri i njërit ndër diplomatët më të shquar amerikanë, Riçard Hollbruku është bërë i njohur dhe i afërt për popullin kosovar dhe për të gjithë shqiptarët. Gjatë periudhës së luftës çnjerëzore të agresorëve serbë në Kosovë, ai bëri përpjekje të parreshtura dhe mjaft të frytshme, në të mirë të zgjidhjes paqësore ose me sa më pak dëme, të konfliktit me Serbinë. Jo më kot, media të ndryshme të pavarura dhe që mbronin çështjen e drejtë të shqiptarëve, atë e quajtën "buldozeri i diplomacisë ndërkombëtare". Siç dihet, një ndër arritjet në politikën e ndërmjetësimit të Hollbrukut, ishte nënshkrimi në Beograd i Marrëveshjes për hyrjen në Kosovë të 2.000 verifikuesve të OSBE-së. Ata do të vëzhgonin gjendjen reale në terren dhe do ta informonin saktë faktorin ndërkombëtar, se kush ishte shkaktari i gjendjes tejet të tensionuar në Kosovë, gjë që rrezikonte paqen e stabilitetin në Rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Kështu, verifikuesit në fjalë erdhën dhe nisën të hetojnë shkaktarin e vërtetë të gjendjes shumë të vështirë në Kosovë, e cila ishte në prag të shpërthimit të papërmbajtur. Në vjeshtën e vitit 1998, u zhvilluan luftime tragjike: Malisheva, Rahoveci, Krusha e tërë brezi kufitar me Shqipërinë u bënë arena të përgjakshme. Po kështu, në rrugën Pejë-Gjakovë dhe sidomos në ato: Deçan-Hereç, Prishtinë-Prizren etj. Sipas vëzhguesve të OSBE-së, po dëshmohej me fakte se pjesëtarët e UÇK-së, e cila tashmë po dilte në skenë hapur, nuk ishin "terroristë", por luftëtarë të lirisë. Dimri po afronte dhe nëpër malet e Kosovës ishin shpërngulur nga vendbanimet e tyre, si rrjedhojë e tensioneve dhe pasigurisë së krijuar, me qindra e mijëra fëmijë, gra e pleq të pambrojtur. Siç merret me mend, jetonin atje nën qiellin e hapur, me tenda dushku ose plastmasi. Me një fjalë, gjendja ishte alarmante.
Në këto situata, diplomacia Perëndimore dhe sidomos ajo amerikane, ishin në lëvizje të madhe dhe përpiqej të gjente rrugëzgjidhjen. Një rol parësor për këtë gjë do të luante kështu vetë Riçard Hollbruku, i dërguar i posaçëm i Presidentit të SHBA-ve dhe mik i shquar i shqiptarëve, Bill Klinton. Ai hyri në zonën e Junikut dhe u takua personalisht me përfaqësues të shqiptarëve dhe të UÇK-së.
Dhe ja, pas kaq kohësh, kur Kosova është çliruar një vit më parë, unë udhëtoj në "gjurmët" e Hollbrukut. Mundohem ta përfytyroj sa më mirë situatën, sigurisht me ndihmën e dëshmitarëve okularë dhe të banorëve vendës. Kështu, po shpreh sadopak nderimin, që ka çdo shqiptar, për atë takim historik të paharruar dhe organizatorin e tij, diplomatin e mirë amerikan.
Nga Deçani, kalojmë nëpër fshatrat Rostovicë, Lagja e Re dhe arrijmë në lagjen e njohur Shalaj. Ndalojmë para hyrjes në kompleksin e banesave. Këtu takojmë një ndër kryefamiljarët, bacën Avdyl Shala. Përshëndetemi me të dhe i tregojmë qëllimin e ardhjes. Buzagaz e pa përtesë, ai na prin nëpër një derë të vogël anësore, në krah të derës së madhe dykapakëshe. "Këtej ka kaluar Hollbruku, me shoqëruesit e tij"-flet ai dhe bën me dorë përpara. Sipër lartësohet kulla karakteristike e kësaj familjeje të madhe. Një i moshuar tregon me gisht se aty, ende, ruhen gjurmët e gjyles së topit, me të cilën qëlluan pushtuesit osmanë, më 1912, nga Suka e Hereçit. Atëherë, kulla u dogj krejtësisht.
Ndërkaq, na sjellin në oborr bacën Met Shala, 71 vjeç. Megjithëse i sëmurë rëndë, ai shprehu dëshirën të takoheshim bashkë. Pimë kafe nën hijën e një peme dhe, pothuajse, gjithë biseda sillet rreth vizitës së Hollbrukut në familjen Shala, si dhe për dëmtimet e mëdha gjatë luftës me "shkiet". Në bisedë e sipër, dëgjojmë që thonë: "Ja, erdhi Rushiti!" Ngrihemi e përshëndetemi me të sapoardhurin. Shoqërtuesi im, Qerim Pepshi i njeh mirë bashkëbiseduesit tanë. Më tërheq vëmendjen shkathtësia, me të cilën tregon baca Rushit Nur Shala, një burrë rreth 55 vjeç, të cilin e hijeshojnë mustaqet e zeza e të gjata. Ai ka qenë dëshmitar i çdo lëvizjeje të mysafirëve dhe i bisedës së zhvilluar në shtëpinë e tij. Ja, çfarë na tregon, me mjaft siguri Rushiti, si për situatën dhe takimin e Hollbrukut:
"Këtu ishte vija e parë e frontit kundër serbëve, të cilët ato ditë ndodheshin nëpër pozicione te Lagja e Re, në vijë ajrore jo më shumë se 400-500 metra. Dita e parë, që na sulmuan, ishte data 28 maj 1988, ora 8.00 e mëngjesit. Ushtarët serbë tentuan të kalonin nga lagja Gogjen, për në lagjen Pepshi. Në gjysmën e rrugës u stacionuan, deri në orën 4.00 pasdreke. Por këmbësoria nuk përparoi dot. Forcat e bashkuara të UÇK-së (pa uniforma) dhe populli i armatosur, i zbrapsi ata. Megjithëse ishin të shoqëruar me autoblinda, raketa etj. Ndërsa ne kishim vetëm mitraloza 12.7 m/m dhe armë të tjera të lehta. U bë shkëmbim zjarri. Ditën e dytë, në popullatën tonë patëm disa humbje, të vrarë e të plagosur. Ndër ta u plagos Shkëlzen Mehmet Krasniqi dhe Hate Shalaj, 75-vjeçare, e cila vdiq mbas pesë orësh. Gjendja u rëndua. Lidhjet Rostoviq-Junik u ndërprenë, kështu dhe hyrjet e daljet.
Pas dy ditëve, serbët hipën në Kodrën e Rokopeqit. Prej andej, gjuanin pa pushim drejt nesh. Në këto rrethana, popullata e pambrojtur e 3-4 lagjeve: fëmijë, gra e pleq morën udhën për në male. Disa qendruan aty, në qiell të hapur dhe shumë prej tyre u nisën për në Shqipëri. Në fshat qendruan djemtë dhe burrat e aftë për luftë. Vatani kërkonte që t'i dilnin zot.
...Kaluan kështu dy javë. Në këtë kohë, të parët që erdhën ndërmjet nesh, ishin: i ndjeri Fehmi Agani dhe Blerim Shala. Qendruan në afërsi të shtëpive tona. Folën për nevojën e qendresës së palëkundur nga të gjithë ne, kundër pushtuesve serbë. Ata u takuan dhe me komandantin e UÇK-së, Gani Shehun. Duke parë gjendjen e keqe të popullatës, Kryqi i Kuq solli ndihma, sidomos për të shpërngulurit nëpër pyje, si: batanije, miell e ushqime etj. Sa herë na kanë ardhur vëzgues ose vizitorë të ndryshëm, deri në ora 15.00 gjendja ishte e qetë, serbët nuk vepronin. Ndërsa më pas, nisin sulmet e pamëshirshme të tyre".
Pastaj baca Rushit e vazhdon tregimin e tij për ardhjen e Riçard Hollbrukut, gjë që e vlerëson si një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për zonën e Junikut e të Rrafshit të Dukagjiniut, por për tërë Kosovën. Ndër të tjera, ai thotë:
"Fillë pas ndihmave të Kryqit të Kuq, erdhi këtu ambasadori amerikan në Shkup, Kristofer Hill. Siç duket, ai përgatiti ose "e shtroi rrugën" për mbërritjen së shpejti të Hollbrukut. Ky erdhi në fillim te fabrika e tekstilit, në Lagjen e Re. Aty e ndaluan ushtarët serbë dhe nuk e lejuan të kalonte. Dërgoi fjalë se mund të vinte i shoqëruar prej serbëve. Por nuk u pëlqye ky mendim, nga pala shqiptare. Më në fund, ai mundi ta kalojë pengesën e serbëve dhe arriti këtu, i shoqëruar me grupin e tij, me gazetarë etj. Nga shqiptarët, ishin: Fehmi Agani, Veton Surroi, Blerim Shala e të tjerë. U ndalën te postblloku dhe pastaj hynë nëpër një derë të vogël, të shtëpisë së Nuh Shalës. Kaluan nëpër oborrin që shikoni ju, hipën nëpër ato shkallë dhe hynë në dhomën e shtëpisë së Met Shalës, të cilën e shikoni se tani ndodhet në rindërtim. Me grupin e Riçard Hollbrukut u takuan komandantët e lartë të UÇK-së: Gani Shehu, Lum Haxhiu e të tjerë.
Biseduan rreth një orë me njëri-tjetrin. Unë pata fatin të isha në dhomën, ku u zhvillua kuvendi. Mbaj mend se Hollbruku e pyeti Ganiun për rrugën e jetës së tij, deri atë ditë. Po kështu edhe Lum Haxhiun. Këta iu përgjigjën me dëshirë e i dhanë informacionin e duhur për çdo gjë, që kërkoi diplomati i njohur amerikan. Sipas traditës së shqiptarëve, mysafirëve të nderuar u nxorëm kafe, lëngje etj. Z. Hollbruk piu vetëm ujë, duke na falënderuar për mikpritjen tonë".
Dëshmitari ynë nuk na jep dot hollësi të tjera nga kjo bisedë e ngrohtë, pasi aty edhe u fol në gjuhën angleze. Megjithatë, më poshtë bacë Rushiti tregon:
"Kur mbaroi kuvendimi, ata u ngritën dhe zbritën ngadalë shkallëve. Këtu poshtë, e prisnin gazetarë të shumtë. Hollbruku nisi të flasë për qëllimin e ardhjes në Junik. Sipas tij, donte të dëshmonte nëse këtu vepronte një ushtri e armatosur e shqiptarëve apo populli bënte vetmbrojtje të organizuar, kundër agresionit serb. U shpreh hapur se populli kosovar ka plotësisht të drejtë ta mbrojë vetëveten dhe se nuk është "terrorist", siç e akuzonin serbët. E përshëndetëm dhe e falënderuam për fjalët e mira, që tha për popullin tonë dhe i shprehëm besim të madh në mbështetjen e Amerikës dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare".
Më pas, Riçard Hollbruku me grupin që e shoqëronte, morën rrugën e kthimit, nga kishin ardhur. Kudo, panë shtëpi të shkatërruara e të rrënuara, dëgjuan për të plagosur e të vrarë, në mesin e popullsisë së pafajshme, vepra të agresorëve serbë. Këto skena të tmerrshme u transmetuan nga rrjetet radio-televizive ose u pasqyruan nëpër gazetat e botës, sepse tashmë iu lejua hyrja gazetarëve në këtë zonë.
I pyetur në se Hollbruku ishte i interesuar të vizitonte, në atë kohë edhe Gllogjanin dhe a ishin të përgatitur për këtë gjë, komandanti i Zonës së 3-të Operative, Ramush Hajradinaj është përgjigjur: "Të them konkretisht se nuk kemi qenë të përgatitur në këtë shkallë, nuk kemi qenë as të informuar, as mirë të organizuar. Ne nuk kemi mundur të prezantohemi si ushtri, por si popull i armatosur... Unë kam qenë i intersuar për ta takuar që atëherë Hollbrukun dhe gjithmonë i gatshëm për ta afirmuar luftën tonë, por nuk kam qenë i aftë, i përgatitur për një takim të tillë".( Bardh Hamzaj,"Rrëfimi për luftën dhe lirinë", Prishtinë, 1999, faqe 72).
Si dëshmitar i gjallë i ngjarjeve të zhvilluara, baca Rusht Shalaj e vijon më tej tregimin e tij kështu:
"Mbaj mend se, më 28 korrik 1998, ushtria e policia serbe tentuan të hynin me tanke: nga fshati Botushë dhe deri në mesin e fushës së Kallavajit. Por aty hasën në qendresën burrërore të kosovarëve. Me atë rast, me sa di unë, aty u plagosën ushtarakët e lartë të UÇK-së: Gani Shehu, Niman Tafa dhe Naim Maloku. Të nesërmen, pushtuesit serbë mundën të depërtonin deri te Lagja e Re, pra në afërsi të shtëpive tona. Nuk qarkullonte dot asnjë njeri. Ishte i hapur vetëm një korridor, në drejtim të maleve, për në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Të detyruar nga situata e krijuar, më 11 gusht u mblodhën: fëmijë, gra, pleq e të plagosur dhe morën rrugën e shpëtimit. Sa gjë e dhimbshme ishte kjo për të gjithë! Por, ashtu siç dëshmojnë dhe këngët popullore për të kaluarën, e dinim se te vëllezërit tanë të një gjaku do të gjenim "bukë e kripë e zemër". Kështu, pas dy ditëve, në orën 5.00 të mëngjesit, ky "karvan i vuajtjes", me afër 700 veta, hyri në tokën e Shqipërisë e iu drejtuan Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Juniku pothuajse u zbraz dhe serbët arritën që, pas katër ditëve, të hynin lirisht këtu. Ata që i gjetën nëpër shtëpija: gra, pleq e fëmijë i morën dhe i dërguan në Deçan. I vendosën në një ndërtesë, duke thënë se ata janë "të sëmurë". Pastaj, secili burrë u kujdes që t'i tërhiqte njerëzit e vet nga ai "spital"".
Do të pyesë ndokush: Po më tej, vallë, çfarë bënë serbët në Junik? Ata nuk e harronin faktin se aty ishte mikpritur Riçard Hollbruku, se ajo zonë i kishte bërë një qendresë heroike agresionit serb. Prandaj, më 16 gusht 1998, me "duar të lira", ata hynë në fshat dhe ndërmorën një vandalizëm të vërtetë. Dëshmitarët, me të cilët bisedojmë sot, tregojnë ndërtesat e djegura dhe të bëra shkrumb e hi. Është një dëm i pallogaritshëm ekonomik, që iu shkaktua nga armiqtë këtyre fshatarëve kosovarë. Por ata edhe "zgjidhnin" për të djegur ose për të shkatërruar. Vihet re se, më së forti, kanë patur si objektiv të këtyre vandalizmave shtëpitë e bukura, karakteristike, që dëshmojnë për lashtësinë e shqiptarëve në këto troje. Baca Rushit flet me dhimbje: "Ja edhe kësaj kullës time ia futën zjarrin, po për fat u ndal në mes, pra shpëtoi diçka...". Pati edhe të vrarë e të plagosur. Megjithatë edhe pushtuesit serbë e paguan shtrenjtë, atë që bënë. Siç dëshmojnë vendësit tani, vetëm për një ditë, u vranë 17 prej tyre.
Pas kësaj bisede të çiltër, plot dhembje e shpresa për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen, shëtisim nëpr oborret e këtyre kullave-kështjella. Ato u qendruan stuhive të sulmeve serbe dhe tani i shohim në rindërtim. Aty, pranë njërës prej tyre, ndalet baca Rushit e vazhdon të tregojë:
"Shtëpitë tona ishin vend-pritje dhe vand-kalime për luftëtarët e lirisë. Një ditë, ata më propozuan: -A ta bëjmë një bunker këtu, në oborr? Unë iu përgjigja me gjithë zemër:- Po, gati jam edhe ta kallim gjithë shtëpinë e pasurinë, për lirinë e Kosovës, po qe nevoja!"
Sot qendrojmë në heshtje pranë këtij "bunkeri" dhe unë shkrepi aparatin fotografik. Edhe në Shqipëri ishin ndërtuar me mijëra të tillë. Por ata shërbenin vetëm për një "armik imagjinar". Ndërsa këtu, në Kosovë, armiku serb ishte përballë. Ai qëllonte për t'i vrarë shqiptarët, me të gjitha llojet e armëve. Prandaj, kërkohej mbrojtje me çdo mënyrë e çmim. Ndërkaq, mendoj: "Sa shumë flet e dëshmon edhe ky monument i heshtur i luftës, për qendresën heroike të familjes Shalaj, të luftëtarëve të UÇK-së dhe të mbarë popullit të Junikut, në luftën e tij të drejtë për liri të vërtetë e pavarësi të plotë!"