Lexova këto ditë librin e fundit të Fatos Kongolit. Është autobiografik. Titullohet "Iluzione në sirtar". Kam lexuar që dikush e ka qortuar në gazetë autorin dhe librin në fjalë, por sipas meje ky libër duhet të shkaktojë një shok kulturor në këtë vend.
Duhet ta shkaktojë, por nuk di nëse mund ta bëjë, pasi këtejpari nuk ndodhin tronditje; këtejpari çdo gjë është një ligatinë, ku uji i ndenjur është përzierë me llucën, dhe kaq.
Në këtë libër Kongoli kalon në revistë jetën e vet, dhe ndalet përgjithësisht tek momentet shumë delikate e tek dobësitë e veta.
Shkurt, i bie vetes bam, e bam, e bam, gjë që nuk është shqiptare. Kongoli pra është e kundërta e Saliut. Ky i fundit e fsheh jetën e vet, ndërsa Kongoli e nxjerr në shesh. Nxjerr në shesh edhe faktin që ka qenë dëshmitar në gjyqin që i është bërë dikujt për motive politike.
Duhet të ketë qenë dëshmitar bash në atë kohë, kur Berisha bënte shëtitje në Drilon me fëmijët e diktatorit (kjo është një përkitje pa asnjë domethënie; thjesht e thashë, ngaqë kështu më rezulton). Ky fakt i jetës së tij nuk është publikuar asnjëherë.
Është Kongoli vetë që e thotë. Është një hesap, që ai e ka pasur me veten, dhe që me këtë libër e ka larë. I ka bërë dëm vetes? Sipas meje, absolutisht jo. Përkundrazi, Kongoli në sytë e mi është rritur pas këtij libri.
E thashë këtë për të nënvizuar një përfundim.
Nëse ka njerëz të varur tek Berisha për shkak të së kaluarës së tyre (bashkëpunim me Sigurimin e shtetit, dëshmi e denoncime nëpër gjyqe, etj, etj), ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: të rrëfehen e të bëjnë një mea culpa. Kongoli nuk e ka bërë për këtë (s'ka gjë se politikisht ka qenë gjithnjë afër Berishës).
Fatos Kongolli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri". Është autor i një vargu librash. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha evropiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L'Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit dërkombëtar "Balkanika"-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë" (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.
Tituj të veprave
"Ne të tre" (1985),
"Karuseli" (1990),
I humburi (1992),
Kufoma (1994),
Dragoi i fildishtë (1999)
"Ëndrra e Damokleut" (2001),
Lëkura e qenit (2003),
Te porta e Shën Pjetrit (2005)
Jetë në një kuti shkrepësesh, roman, 2007,
Bolero në vilën e pleqve, roman, 2008,
Komente mbi veprat e Fatos Kongolit
Romani i parë i Fatos Kongolit "NE TË TRE", padyshim, mbetet nje kryevepër, që nuk mund të zbehet, edhe pse është shkruar shumë vite më parë. Ju preferoj ta lexoni dhe të bindeni vetë. Kongoli, është një shkrimtar i madh, duhet të mburremi që e kemi!
Bolero ne vilen e pleqve, Fatos Kongoli
Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë.
Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj.
Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura.
Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.
Bolero në vilën e pleqve
Nga Flutura Açka
Bolero në vilën e pleqve" është romani më i ri i shkrimtarit Fatos Kongoli, që vetëm pak ditë më parë iu prezantua lexuesit shqiptar. Për një lexues që e ka ndjekur me vëmendje krijimtarinë e këtij shkrimtari, "Bolero në vilën e pleqve", edhe pse nuk vjen shumë larg në kohë nga romani i tij pararendës, është padyshim, një ndër romanet më të mirë të tij, në mos më i miri, po aq edhe një nga romanet më të mirë të viteve të fundit në gjuhën shqipe. Ai është pjesë e asaj trajektoreje dhe zhbirilimi që shkrimtari Fatos Kongoli ka vendosur t'i bëjë kohës sonë, kohë në të cilën edhe ai bën pjesë. Këtë qasje me realitetin e sotëm, ai e ka nisur më herët edhe me vepra të tjera, por unë do ta shihja si vazhdim të romanit "Jetë në kuti shkrepëseje", për shkak edhe të koherencës që kanë mes tyre, jo vetëm në vazhdimësi të krijimtarisë letrare, por edhe si vazhdimësi të rrjedhës së shoqërisë shqiptare në vitet e tranzicionit, të fokusuara njëri në vitet ‘90-të dhe tjetri në vitet 2000. "Bolero në vilën e pleqve", sa ç'takohet me prozën pararendëse të Fatos Kongolit, aq edhe ndahet me tematikën e tyre në hulli të ndryshme.
Nëse personazhet e "Jetë në kuti shkrepëseje" janë më meditativë, më reflektivë dhe artikulohen si qenie fare të vetmuara, tek "Bolero në vilën e pleqve", karakteret janë pjesë e një teatri të çuditshëm, sarkastik, por tronditës. Koha është pesha më e madhe që mbajnë personazhet e Fatos Kongolit, është barra me të cilën ata ndihen të bezdisur, si një kurth ku nuk kanë ditur se do të bien. Duket sikur karakteri kryesor, vajza me emrin Parashqevi është më shumë pjesë e dekorit në dramë, sendi për fatin e së cilës gjithnjë kanë vendosur të tjerët. I diktuar nga kjo gjasë esenciale, shkrimtari vendos ta bëjë atë një qenie pa mendim, një robot pa nerv kryengritjeje dhe me ego të mpirë, dhe ti si lexues nuk di të zgjedhësh: ta mëshirosh apo ta urresh. Ti je përpara një Parashqevie, me fatin e shqyer që duket se para situatave dhe rrëmujës së jetës ia dikton ai emër i ngarkuar me germën q. Fatos Kongoli arrin të operojë me të njëjtin nerv të pamëshirshëm dhe të vërtetë, që e kam rastisur, dhe më vjen mirë që e rigjej me po aq forcë edhe tek ai, tek Elfriede Jelinek, veçmas tek romani "Dashnoret".
Të mund të përdorësh një filigramë për të të ndarë nga bota ku ti vetë jeton, të arrish të distancohesh dhe të konstatosh, mendoj se është një ndër sipërmarrjet e vështira dhe më të realizuara në libër. Fatos Kongoli ka sigurinë e shkrimtarit në këtë libër të tillë, që drama e librit jo vetëm të mos e marrë si pjesë të saj, por ta bëjë edhe më të "ftohtë" përballë saj, ndryshe nga ç'mund t'u ndodhë rëndom shkrimtarëve të papërvojë, duke e kthyer veten në zëdhënës të një përqarjeje të pakëndshme. Fatos Kongoli nuk ka "dhimbje" për personazhet e tij, sepse duke e bërë këtë arrin sadopak të neutralizojë trishtimin njerëzor të tijin personal, shqetësimin e shkrimtarit dhe brengën e burrit (burrit si qenie) për të cilin edhe qenia përballë, që quhet grua, duhet të ketë po atë status dhe liri që koha duket se ia privon.
"Bolero në vilën e pleqve" është romani i krizës ekzistenciale. Në thelbin e tij ndërtohet mbi një kurth të padukshëm. Prania dhe kërcënimi i vdekjes për pleqtë e vilës, në fakt, është kontrapunkti për vdekjen e gjallë të shërbestares së tyre, të karakterit qendror të veprës. Gjithkush që hyn e del në vilë me shqetësimin për fatin e pleqve që jetojnë në një komoditet dhe luks të plotë, as që e vë re se ç'ndodh me vajzën, sikur ajo të jetë një njeri pa të shkuar dhe që zor ndokush mund t'ia parathotë të ardhmen. Ajo është një qenie kalimtare në udhën e tyre që duhet vetëm të vërë në lëvizje mekanizmin që i mban gjallë të vjetrit, të kujdeset për axhendën, oraret e ilaçeve, të të ngrënit, pse jo, të mbajë barometrin e humorit të tyre. Secili prej tyre ka vetëm një qëllim: të bëhet sa më i dukshëm në këtë krizë që ua kërcënon identitetin. Drama ka "luftë të brendshme", elektricitet, gjendje e situata shpeshherë absurde, ka gjetje dhe zgjidhje shpesh befasuese. Letërkëmbimi i të moshuarve, këmbëngulja për të plotësuar zbrazëtitë dhe pengjet që koha ua mori, tensioni shpeshherë i shpikur në kërkim të më shumë vëmendje, janë mjetet me të cilat autori operon për të arritur tek idetë e tij. Edhe vetëperceptimi i personazhit kryesor qysh në krye të librit si "qenie me nivelin zero të zhvillim mendor", e parathotë tërmetin e ardhshëm të jetës së saj, një nga gjërat më të trishtuara që do të doje të lexoje për fatin e një gruaje, që mbyllet, siç edhe ka nisur, me vetminë e saj para pasqyrës dhe refuzimit të vetvetes.
"Bolero në vilën e pleqve" është roman i ironisë dhe hidhësisë së trishtuar. I përfshirë në tendencat e romanit të sotëm, të romanit vetenak që rrëfen me "Unë...", pra në vetë të parë "Bolero në vilën e pleqve" nuk mund t'i shmanget asaj fryme ironie që e bën këtë lloj romani pjesë të letërsisë më të mirë që shkruhet sot. Ironia në këtë vepër, për gjykimin tim, arrin në kufijtë më të hollë që vetë Fatos Kongoli ka eksperimentuar në veprën e tij të mëparshme. Kjo besoj ka qenë mënyra më e drejtë që duhej të zgjidhte autori për të shpjeguar nëpër libër absurdin, vanitetin dhe pashmangshmërinë e dramës. Ajo çfarë e dallon ironinë në këtë vepër, është natyrshmëria, që është edhe gracka që të mban deri në fund. "Bolero në vilën e pleqve" është një libër që të shtyn ta lexosh dhe ta shfletosh shpejt, jo për të mësuar me ethe fundin, por për ta shfajësuar kureshtjen tënde që kërkon të dijë fatet e njerëzve me jetët e të cilëve u more për orë të tëra. Madje Fatos Kongoli shkon edhe më përtej, të shtyn të pyesësh veten kur e mbyll librin: Ku është tani Parashqevia? Ndoshta në ndonjë vilë tjetër, të riciklojë të njëjtën dramë, përmes së njëjtit absurd dhe së njëjtës ironi të diktuar nga koha. Nga koha që e deshpirtëzoi një shoqëri të tërë, në mos të tërën, atë që ajo ka përreth saj, që është një komunitet vrasës.
"Bolero në vilën e pleqve" është roman i debatit emancipues dhe përbën një kontribut shoqëror. Pa e menduar enkas si të tillë, Fatos Kongoli ka shkruar një roman që zgjon një debat shoqëror, i cili duhet të na shtyjë të mendojmë dhe t'i japim përgjigje pyetjeve: A e pranon kjo shoqëri lirinë e zgjedhjes, që nis nga liria seksuale? A mundet kjo shoqëri të shkundet nga "e drejta" për të gjykuar dhe të drejtuar jetën e tjetrit? Jo, komuniteti i këtij libri nuk e pranon dhe e dënon, deri dhe me shkatërrimin e jetës, "guximtaren" e radhës. Fatos Kongoli parathotë fatin e të tjerave, e të tjerëve, që në modelin e këtij morali, janë të "deformuar". Homoseksualët për një shoqëri të paemancipuar dhe liria nuk ka kuptimin e vërtetë të lirisë, janë një mallkim. Dhe ky mallkim e ndjek edhe dramën e këtij romani. Kjo është një çështje që meriton të debatohet dhe unë besoj se ky libër do t'i shërbejë kësaj. Ndaj them se duke guxuar të hyjë në ujëra të papëlqyera për këtë moral, ky libër jep kontributin e një libri emancipues dhe të rëndësishëm në letërsinë shqipe... dhe madje në kohën e duhur.
Botuar për herë të parë në "Gazetën Shqiptare"/Dt. 07 / 02 / 2009
Fatos Kongoli: Koha kur u pendova se isha shkrimtar...
Nga Kozeta Zylo
Marrë nga Gazeta Shqiptare
Fatos Kongoli është ndër shkrimtarët e shquar shqiptarë, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por dhe jashtë trojeve të saj. Fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka marrë titullin e lartë në Francë, "Kalorës i Legjionit të Nderit", akorduar nga presidenti francez, Sarkozi. Këtë titull e kanë marrë deri tani vetëm tre shqiptarë, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni dhe Fatos Kongoli. Librat e Kongolit janë botuar në 11 vende të ndryshme të Europës, e për ta kanë shkruar disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane. Më poshtë ai na flet më tej për veten dhe krijimtarinë...
Nga presidenti francez, Sarkozi, ju keni marrë gjithashtu në fillin të këtij viti titullin më të lartë në Francë, "Kalorës i Legjionit të Nderit"... Marrëdhënia ime me gjuhën frënge, kulturën dhe qytetërimin francez, me frankofoninë është më se gjysmëshekullore, qysh se në shkollë të mesme zura të mësoja si gjuhë të dytë të huaj frëngjishten. Në fillim këto kanë qenë vetëm hobi, por me kohë, në dekadat e errëta të diktaturës, gjuha frënge, kultura dhe qytetërimi francez u bënë hapësirat e mia të arratisë, hapësirat e mia të lirisë. Në këto hapësira, ndër vite njoha letërsinë e madhe franceze e botërore, njoha botën. Në një farë mënyre u bëra shkrimtar, ky që jam sot.
E kishit menduar një ditë se shkrimtari Kongoli do të përkthehej në shumë vende të botës dhe do të vlerësohej maksimalisht?
Të them të drejtën, as që më kishte vajtur nëpër mend diçka e tillë. Gjatë periudhës së diktaturës unë kam shkruar e botuar pak. Pjesën më të madhe të kohës lexoja, sidomos në frëngjisht, mjeshtrit e mëdhenj, që janë shkollat e vërteta të letërsisë, pa e ditur se kështu po bëja investimin më të madh për të ardhmen. Fatmirësisht mbërriti një ditë dhe diktatura u shemb, dhe unë nuk humba më kohë, por zura të shkruaja i lirë, ashtu siç dëshiroja e nuk kisha shkruar më parë. Pata fat, romanet e mi u botuan dhe u pëlqyen në Shqipëri e në vende të tjera.
Ju keni mbaruar për matematikë, cili ka qenë ngacmimi më i fuqishëm dhe që ju dha muzë për të shkruar romane të një niveli shumë të lartë artistik?
Lidhur me faktin që kam mbaruar për matematikë dhe më pas iu ktheva letërsisë, është një pyetje që ma drejtojnë shpesh dhe unë mund të flisja gjatë. Po them se u futa të studioja matematikë, pjesërisht këto studime i kam kryer në Kinë, në Pekin (1961-1964), me këmbënguljen e tim eti. Unë iu binda, për brezin tim fjala e prindit përgjithësisht ishte urdhër. Por prirja ime që në fëmijëri, kur shkruaja vjersha fshehurazi, ka qenë letërsia.
Dhe pasi u mora nja dhjetë vjet me matematikë, përfshi studimet, hoqa dorë prej saj, për t'u penduar shumë shpejt. Letërsia ndaj së cilës isha i prirur unë, ajo që e quajnë "letërsi e dhimbjes njerëzore", nuk mund të bëhej në Shqipëri. Kur e kuptova këtë qe vonë, nuk kthehesha dot mbrapsht. Sot them se sidoqoftë, nuk bëra dhe aq gabim që e lashë matematikën për letërsinë.
Sa ka ndikuar jeta e mësuesit në krijimtarinë tuaj dhe çfarë do të veçonit ndonjë gjë interesante nga ish-nxënësit tuaj?
Ka ndikuar shumë. Jo vetëm sepse në izolimin e atij fshati të thellë ku më emëruan fill pas mbarimit të fakultetit (fshati Benë në zonën e Shmilit në Elbasan) zura të shkruaja prozat e mia të para, por edhe sepse mjediset e fshatit zunë vend në shumë tregime e novela të miat, më pas në romane. Sa për nxënësit, të shkretët ata, ishin mjaft të urtë, por mjerisht të mbushur me morra. Ishte një fshat me njerëz të mirë, tmerrësisht të varfër. Më kujtohet se gjatë një viti që qëndrova atje, mora nja tri-katër herë morra.
Në prozën tuaj keni momente që keni shprehur botën tuaj personale dhe si, konkretisht?
Pa dyshim, në të gjithë librat e mi ka elemente të jetës sime. Duke u nisur nga fakti që te një pjesë jo e vogël e tyre edhe rrëfimi bëhet në vetën e parë, lexues të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë, më kanë drejtuar shpesh edhe pyetjen nëse ato janë romane autobiografikë. Po marr si shembull romanin "Dragoi i fildishtë", ku personazhi kryesor, në rini të vet, ashtu si unë, ka studiuar në Kinë. Përveç këtij fakti aty ka shumë ngjarje, personazhe të ndryshëm etj, në përgjithësi hollësira, të cilat një njeri që më njeh nga afër dhe është në dijeni të ngjarjeve të jetës sime, do ta shtynin të më thoshte: po, ky është vërtet një roman autobiografik. E megjithatë nuk është kështu. Në këtë pikëpamje do të thoja se disa romane të mi janë dhe nuk janë autobiografikë. Sepse letërsia nuk mund të mbetet te fakti, te "historia", ajo shkon përtej tyre.
Thonë që artisti, shkrimtari është biri i Erosit, sa vend zë letërsia erotike në prozën tuaj?
Për këdo që ka lexuar libra të mi, është e qartë se erotizmi zë shumë vend në to. Kjo është e natyrshme, erosi është pjesë e jetës. Në krijimtarinë time, kjo përcaktohet së pari nga përfytyrimi që unë vetë kam për letërsinë. Këtë e kam shprehur përmes personazhit kryesor të romanit "Lëkura e qenit", si një alterego imja. Për të, letërsia është femër dhe femra letërsi. Në përfytyrimin e tij, letërsia është një femër e bukur, pas së cilës ka rendur tërë jetën pa mundur ta posedojë. Ai nuk beson se letërsia mund të posedohet. Parë me këtë sy, erosi në librat e mi nuk është një qëllim në vetvete, eros për eros. Është në një kontekst më të ndërlikuar të jetës dhe sjelljes së personazheve në kushte të caktuara. Shkurt, letërsia ime nuk është letërsi erotike, ndaj së cilës, sigurisht nuk kam kurrfarë paragjykimi.
Ndërmjet romaneve me tituj shumë domethënës, më ka bërë përshtypje titulli i romanit "Lëkura e qenit", përse zgjodhët këtë titull?
Më shumë se sa e zgjodha unë, ai doli vetë, u imponua si thelb i personazhit kryesor, i cili tërë kohën ironizon vetveten. E ndjera nëna ime, për gratë e pafat me burrat e tyre tërë vese, përdorte shprehjen "ka vajtur si gjalpi në lëkurë të qenit". Sipas nënës sime, një cope lëkure qeni mund t'i hedhësh gjalpë sa të duash, ajo nuk gatuhet, lëkurë se lëkurë mbetet. Një shpjegim tjetër për ketë shprehje, që më duket më i saktë, ka qenë ai i një blegtori. Sipas tij, dikur, nëpër baxhot në mal, barinjtë e "konservonin" gjalpin të futur brenda një lëkure qengji. Aty gjalpi ruhet, nuk prishet. Në një lëkurë qeni gjalpi nuk ruhet, prishet. Këndej edhe shprehja për gratë e vajtura dëm me burra të padenjë, siç është i padenjë edhe personazhi kryesor i librit për bashkëshorten e tij. I penduar pas vdekjes së saj, ai e quan veten "lëkurë qeni", e ky është lajtmotiv i gjithë romanit.
Kur filloni të shkruani, keni momente që ndiheni në krizë, dhe kur ju ka ndodhur kjo?
Pas çdo romani që shkruaj, kaloj një periudhë "krize", mbetem bosh. Është një vuajtje që herë zgjat shumë, herë më pak. Përfshihesh nga një ankth, të duket sikur nuk ke për të shkruar më. Pastaj, fatmirësisht, kur je çliruar nga romani pararendës, më saktë pasi ai ka dalë plotësisht prej teje, vjen romani i ri. Ti shpëton nga "kriza", nga vuajtja.
Sa e favorshme është klima letrare për krijuesit në Shqipëri dhe cilat janë pengesat?
Klima letrare sot në Shqipëri është e ngjashme me klimën letrare në çdo vend tjetër të lirë, normal, të hapur, me kontakte edhe me zhvillimet bashkëkohore, në Europë e më gjerë. Këto janë thelbësore për letërsinë, liria dhe kontaktet me botën. Këto nuk u mungojnë sot shkrimtarëve shqiptarë. Unë vetë, prej shumë vitesh bëj një jetë të tërhequr, çështje moshe më shumë. Mesa di, vështirësi kanë sidomos autorët e rinj, nuk e kanë të lehtë të botojnë e për këtë duhen gjetur mënyrat që të talentuarit të ndihmohen. Por kjo nuk është aq e thjeshtë sepse, së pari është çështje financiare.
Në Francë janë përkthyer disa romane tuajat. Sa kanë ndikuar artikujt e shumtë në gazetat më prestigjioze të Francës për një njohje më të gjerë tuajën si shkrimtar?
Në Francë janë botuar pjesa më e madhe e romaneve të mi, deri më sot shtatë prej tyre dhe një i tetë, romani im më i fundit, "Bolero në vilën e pleqve", tashmë është përkthyer. Më kujtohet kur u botua atje romani im i parë në gjuhën frënge, "I humburi", në vitin 1997. Jehona ka qenë vërtet e jashtëzakonshme, e papritur për mua. Gazeta "Le Monde" doli me një shkrim të gjatë, një faqe të tërë, me një fotografi të madhe timen, me titull: "K-ja tjetër". Ndërkaq, unë ndodhesha në Tiranë dhe një mbrëmje vonë, i ndjeri Jusuf Vrioni më mori në telefon nga Parisi dhe më uroi. "Ti nuk mund ta kuptosh se ç'do të thotë kjo për ty", - më tha. Unë vërtet nuk e kuptoja. Pas këtij shkrimi vlerësues në "Le Monde", unë pata menjëherë kërkesa për botimin e atij libri nga disa shtëpi të tjera botuese në vende të ndryshme të Europës. Pra, roli i shtypit është vërtet i pazëvendësueshëm.
Duke pasur gjithë këtë prodhimtari cilësore në krijimtari, sa kohë i kushton familjes shkrimtari Kongoli?
Kjo është një pyetje që më vë vërtet në pozitë të vështirë. Dihet, shkrimtarët janë "të vështirë", shpesh egoistë etj. Unë nuk bëj përjashtim dhe mund të pohoj me keqardhje që nuk i kam kushtuar gjithmonë kohën e duhur familjes. Prandaj, pa mirëkuptimin e bashkëshortes sime, Lilit, e cila ka sakrifikuar shumë nga vetja e saj, qoftë dhe për edukimin e fëmijëve, qoftë edhe sot e kësaj dite, për të më krijuar mua kurdoherë kushtet optimale për të punuar, unë vështirë se do të kisha mundur të shkruaja ata libra që kam shkruar.
Intervista është botuar në gazeta "Illyria" në New York