2010-12-28

Ceka: Kemi kryer hetime, por akuzat rezultuan një flluskë sapuni

Ish-kreu i Sigurisë Kombëtare gjatë luftës në Kosovë intervistë për Metropol

Ish kreu i Komisionit të Sigurisë gjatë kohës së luftës në kosovë, por dhe në vitet që pasuan, Neritan Ceka, thotë në një intervistë për “Metropol” se nga ana e këtij komisioni është ndërmarrë një hetim pas publikimit të librit të Karla del Pontes, i cili bënte fjalë për trafik organesh me Shqipërinë. Sipas Cekës, kjo akuzë rezultoi një flluskë e radhës, e hedhur nga qarqe antishqiptare, pasi nga hetimi rezultoi se një gjë e tillë do ishte e pamundur të kryhej në ato kushte. Ndërkohë, sipas ish-kreut të Komisionit të Sigurisë, sot Dik Marti kërkon të risjellë dhe një herë këtë tymnajë, duke bërë pazar me një komb të vogël dhe smerret me faktin se sa janë shqiptarët e vrarë nga serbët, ose siç preferon ta quajë zoti Ceka, Marti është “një njeri i vogël i fshehur pas një emri të madh” siç është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

- Gjatë periudhës në të cilën bëhet fjalë në raportin e Dik Martit për trafik organesh në Shqipëri, ju keni qenë kryetar i Komisionit për Sigurinë. Në atë kohë, d.m.th. në vitet 99-2000, por edhe më pas, çfarë informacionesh keni pasur si komision parlamentar për këtë çështje?

- Dua të them se e kemi ndjekur nga afër situatën, edhe para luftës së Kosovës. Kjo sepse ishte e lidhur me një gjendje të tensionuar në kufirin e Kosovës, si shkak se ajo ishte pjesë e Serbisë, dhe me ardhjen e emigrantëve të parë që në vitin 1998. Domethënë ne që në vitin 1998 kemi qenë prezentë në atë zonë si komision, qoftë edhe nëpërmjet anëtarëve, qoftë dhe unë kam shkuar personalisht disa herë dhe e kam ndjekur situatën qoftë në Kukës, qoftë në Tropojë. Veçanërisht në vitin 1998 kam qenë disa herë në zonën e Kukësit edhe të Tropojës dhe mund të them se nuk kam qenë i vetmi që kam shkuar atje. Mund të them se atje kishte një prezencë të gjithanshme, qoftë të pushtetit vendor, qoftë pushtetit qendror, përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të ushtrisë, të cilët veçanërisht kanë bënë shumë aktivë në bazë të divizionit që kanë pasur në Kukës, të drejtuar nga Selim Spahiu dhe drejtoria e policisë së Kukësit. Kjo e fundit ka qenë shumë aktive në ruajtjen jo vetëm të kufirit, por dhe në ndjekjen e situatës, si dhe natyrisht ka pasur një prezencë të madhe të ndërkombëtarëve. Pra, kishte një komision që ishte prezent që nga 98-a nga OKB-ja, me një zyrë të sajën në Kukës. Për të mos thënë pastaj për një numër të madh gazetarësh dhe organizatash të tjera joqeveritare. Gjithashtu kanë qenë dhe punonjës së shërbimit të fshehtë, që e ndiqnin me vëmendje situatën. Pra, të mos krijohet ideja se zona e Kukësit ka qenë një zonë ku mund të lëvizje lirisht dhe pa u parë nga autoritet shtetërore. Mund të them se ka qenë një nga zonat më të kontrolluara të Shqipërisë.

- Meqë ju theksoni se ajo zonë ka qenë ndër më të kontrolluarat, në raport bëhet fjalë edhe për ekzistencën e disa burgjeve të UÇK-së ndaj serbëve, qoftë afër kufirit me Kukësin, qoftë dhe në vende të tjera. A kanë ekzistuar këto objekte që u shërbenin luftëtarëve të UÇK-së?

- Kjo është e pamundur. Unë mund tju them se jo vetëm ana jonë e kufirit, por dhe ana tjetër e tij jo vetëm që ishte shumë e kontrolluar, por ajo ishte e minuar. Dhe nga ana tjetër, edhe rastet kur persona të caktuar mundoheshin të arratiseshin nga Kosova në atë situatë të vështirë, përveç rastit kur ata erdhën gjatë rrugës automobilistike në masa të mëdha njerëzish, kalimi në zonat kufitare ishte i pamundur, sepse serbët kishin dislokuar aty forca të mëdha, që kontrollonin kufirin, në mënyrë që mos i filtronin njerëzit nga Shqipëria në Kosovë, sepse kishte në atë kohë edhe vullnetarë të shumtë që vinin nga vende të ndryshme të Europës dhe që mundoheshin të futeshin. Dhe të mos harrojmë se është ajo koha kur u bombardua gabimisht edhe një shtëpi afër kufirit, ku ndodhej një postë e kufirit shqiptar, ku u vranë disa persona, të cilët në fakt ishin vullnetarë kosovarë, që mundoheshin të futeshin në territorin e Kosovës. Dhe kjo ka qenë një gjë jashtëzakonisht e vështirë. Ne kemi marrë masa që ta pengonim këtë infiltrim për të mos krijuar një konflikt, sepse jemi munduar të evitojmë çdo rast që do ti jepte mundësi Serbisë ta konsideronte Shqipërinë palë të UÇK-së. kjo ka qenë pjesë e politikës sonë dhe e Parlamentit. Dhe nga ana tjetër, e kemi bërë këtë për ti ruajtur personat që mundoheshin të kalonin atje. Ajo që dua të theksoj është se ne kemi krijuar në atë kohë një qendër vetëm për ti grumbulluar aty vullnetarët, që vinin e iknin, në mënyrë që ata të mos e kalonin kufirin. Pra, ata mbaheshin nën vëzhgimin e policisë. Kjo edhe sepse pati disa raste të vrasjes së vullnetarëve kur kalonin në mënyrë të paorganizuar përtej kufirit. Kështu që të mos keni asnjë iluzion se kufiri i Shqipërisë me Kosovën, pra me Serbinë e atëhershme, ishte diçka e lehtë. Pra, ai ishte i pakalueshëm. Sa u përket burgjeve që më pyetët, ne nuk kemi pasur asnjë të burgosur që vinin nga Serbia. Për këtë duhet të jeni shumë i sigurt se nuk ka pasur asnjë instalim, apo zonë të vetme që është vënë në shërbim të burgosjes së njerëzve që vinin nga Kosova.

- Po në Komisionin e Sigurisë gjatë kohës që keni qenë në krye të tij kjo çështje apo çështjet që diskutohen në raportin e Dik Martit a janë diskutuar ndonjëherë nga ju?

- Absolutisht, këto çështje nuk janë diskutuar në vitet gjatë luftës në Kosovë. Lufta e Kosovës zgjati shumë pak gati një muaj dhe të gjitha këto apo ky skenar është i pazbatueshëm brenda një muaji. Imagjinoni se çfarë infrastrukture duhet për të bërë këtë gjë. Pra, do të thotë që të burgosurit ti biesh në Kukës, pastaj ti transportosh ata pa u vënë re nga policia, qoftë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët ishin aty, edhe nga gazetarët e pranishëm. Pra, ti transferosh ata, tu heqësh organet, në një kohë kur duhen aparatura që nuk i ka sot asnjë spital i Shqipërisë, jo më ti vendosësh ato në një shtëpi fshati. Dhe pastaj ti çosh diku jashtë shtetit. Sepse këto në atë kohë, por edhe sot, nuk kemi mjetet për të bërë transplantin e organeve. Nuk janë organe që do të çoheshin diku në ndonjë universitet për tu studiuar, por janë organe për tu vënë diku dikujt tjetër që kishte nevojë për to. Pra, duhet të mendosh se duhej të çoheshin në aeroport, duhej të futeshin aty pa e ditur dogana jonë si dhe pa e ditur edhe dogana e vendit ku do shkonin, se natyrisht ato do të dërgoheshin në një vend tjetër, dhe ne në atë kohë kishim aeroporte vetëm me vendet e Europës, pasi nuk kemi transporte me Afrikën. Pra, i gjithë ky skenar është jashtëzakonisht i trilluar dhe i pamundur për tu realizuar në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Prandaj, kur erdhi puna e akuzave të Karla del Pontes, përsëri kjo çështje është diskutuar në Komisionin e Sigurisë. Pozitë dhe opozitë jemi interesuar edhe për drejtimet e logjistikës së mundshme dhe na u tha se në të gjitha drejtimet kjo është e pamundur të ndodhë. Pra, ekspertët e shëndetësisë na thanë se një transplantim ose heqja e një organi të transplantuar në kushtet e atëhershme të Shqipërisë ishte zero për qind e mundshme. Pra, u konsiderua se ishte një gjë absurde, për të cilën ishte një budalla që hedh një gur në lumë dhe ska nevojë që njëqind të zgjuar të futen për ta nxjerrë. Ky ishte përfundimi i asaj kohe.

- Pas publikimit të librit nga ana e Karla del Pontes akuzat tashmë janë publikuar në një raport zyrtar. Nga mund ta kenë marrë shtysën, nga mund ta kenë indicien, që e bëjnë këtë punë. Sepse, duke u nisur nga ajo që thuhet, rezulton se është e pamundur që të organizohet një gjë e tillë?

- Natyrisht që unë nuk dua të rishtroj për këtë çështje hipotezat që janë thënë deri tani. Jam mjaftuar me shpjegimin e mendjeve të sëmura, edhe pse unë besoj që Karla sel Ponte ishte një njeri shumë serioz në disa drejtime. Edhe për ndjekjen e kriminelëve të luftës ka qenë me të vërtetë fanatike në këtë drejtim. Por çdo fanatik ka dhe metat e tij, sepse ka dhe pjesën e sëmurë të mendjes dhe ndoshta kjo është e vlefshme edhe për Dik Martin. Natyrisht, është një raport që i paraqitet një institucioni serioz siç është Këshilli i Europës, në të cilin ska vend për tu tallur. I takon drejtësisë shqiptare ta ndjekë dhe çështjen përgjithësisht. Pra, ta ndjekë atë duke u nisur nga çfarëdo lloj akuze për ta sqaruar edhe opinionin publik. Natyrisht, mund ti thuhet edhe zotit Dik Marti, i cili duhet të japë shpjegimet e veta dhe faktet që duhen marrë parasysh në mënyrë serioze. Siç është e rëndësishme të futësh brenda edhe absurditetin e provave të tij, me të cilat provohet se e gjithë kjo është një absurditet. Dhe natyrisht që mund të themi se kjo është një lojë që bëhet me një komb të vogël. Pra, këtë punë nuk e bëjnë me Serbinë për arsye politike, natyrisht Serbia ka fajin e qindra të zhdukurve, eshtrat e të cilëve nuk janë kthyer në vendin e tyre dhe askush nuk po i kërkon Serbisë të paktën ti kërkojë falje Kosovës. Duhet ti drejtohemi institucionit të OKB-së për humbjen e territorit të Kosovës, pasi ai ishte territori i fundit kolonial në Europë. Ndërkohë që Franca i kishte dorëzuar territoret e saj koloniale që në vitet 60, dhe po kështu kishte bërë dhe Anglia etj. Europa e qytetëruar duron një vend që të mbajë koloni në mes të saj, ky ka qenë një nga turpet e saj. Megjithatë, bëjnë sikur ska ndodhur asgjë edhe kur ngrihet një akuzë absurde, natyrisht që duhet marrë me seriozitetin e duhur. I duhet dhënë një përgjigje serioze si dhe të gjitha ndajshtimet që Dik Marti i meriton, sepse ai nuk është një burrë serioz, nuk është një burrë dinjitoz, pasi ai duhet të kishte në radhë të parë burrërinë të vinte njëherë në Shqipëri dhe të diskutonte me autoritetet shqiptare, ti shikonte gjërat personalisht, të informohej akoma edhe më mirë. Dhe e gjithë kjo nuk bën gjë tjetër veçse zbulon një megallomani të një fshatari zviceran me një emër amerikan. Megjithatë, është një reporter i Këshillit të Europës. Një njeri i vogël që fshihet pas një emri shumë të madh.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...