Drejtuesi i “Zgjohu” në Maqedoni, Grubi ka thënë se në shkurt të vitit 2004 është ngarkuar me detyrë nga Tribunali i Hagës që të marrë pjesë në hetimet tek “Shtëpia e Verdhë”, ku së bashku me hetues, punëtorë tjerë të këtij tribunali dhe me ekipin e mjekëve ligjorë të UNMIK-ut, që udhëhiqeshin nga Jose Pablo Baraybar kanë zhvilluar hetime.
Ai u ka thënë gazetarëve se është i shtyer të reagojë në këtë formë, ngase e tërë bota është duke u marrë me një gënjeshtër. “Mediet, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera nuk përfillin faktin që ky hetim nga ana e Tribunalit të Hagës nuk gjeti asnjë dëshmi dhe rrjedhimisht, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve, nuk mund të ndërtohet rast siç ka cekur edhe vetë kryehetuesi i Tribunalit për këtë rast në maj të këtij viti për BBC-në, Matti Raatikainen”.
Sipas Grubit, në vazhdën e trillimeve bënë pjesë edhe përmendja e disa personave, të cilët nuk kanë qenë në atë vend dhe asnjëherë nuk kanë punuar për Tribunalin e Hagës.
“Raporti i kontestuar që po përcillet me deklarata trilluese, në tërësinë e vet nuk po sjell asnjë fakt dhe asnjë dëshmi të re për këto supozime, por është kryekëput politik dhe po shkakton dëm të paparashikueshëm për popullin shqiptar”, ka thënë Grubi.
No comments:
Post a Comment