Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi hodhi poshtë akuzat e raportuesit të KE-së Dick Marty i cili e akuzon Thaçin si kreun e një grupi kriminal që trafikonin organet e marra nga serbët që mbaheshin në burgje sekrete të UÇK-së. Hashim Thaçi, kërkoi hetimin e të gjitha akuzave që përmenden në raport.
Këto akuza sipas tij janë të motivuara politikisht. "Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht kërkojmë që sa më parë të inicohen procedura profesionale për të gjitha deklarimet që përmban raporti që të zbardhet e vërteta. Po ashtu kërkojmë nga Dik Marti që të gjitha faktet dhe dëshmitë që pretendon që ka t`i dorëzojë tek organet kompetente të drejtësisë për të ndihmuar procesin hetimor” tha Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se akuzat e Dik Martit janë ofenduese dhe paralajmëroi veprime ligjore. "Unë do të shqyrtoj të gjitha mundësitë legale dhe politike për të kundërshtuar këtë raport tendencioz dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe drejtësinë," tha kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që t`i marrin me qetësi këto raporte, duke theksuar se ka dëshmuar dhe është shembull i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
No comments:
Post a Comment