Kritikë mbi monografinë e Prof. Dr. Klara Kodrës për poetin arbëresh
Pas vëllimit me studime për letërsinë e Rilindjes “Rrënjët e lisit”, studiuesja e njohur e letërsisë arbëreshe Prof. Dr. Klara Kodra na befason me një monografi që i kushtohet poetit të parë të mirëfilltë të letërsisë së vjetër shqipe, priftit arbëresh nga Kalabria, Jul Variboba.
Mund të thuhet se kjo vepër është e para monografi me karakter integral që i kushtohet këtij poeti i cili nxori në dritë të parën vepër artistike të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare, duke kaluar nga letërsia didaktike-fetare me vlera më tepër patriotike, gjuhësore, historike te letërsia artistike.
Është e vërtetë që ekziston një studim monografik i shkurtër mbi këtë poet nga studiuesi arbëresh Xhuzepe Ferrari, po në të trajtohen vetem pak nga problemet që lidhen me autorin në fjalë dhe me veprën e tij, dhe mungon një analizë e detajuar e formës së kësaj vepre.
Variboba u përket atyre autorëve që herë janë himnizuar dhe, herë të tjera nënvleftësuar apo sulmuar nga studiuesit. Shkenca sociologjike e gjysëm shekullit të diktaturës nuk e ka mohuar, siç bën me të tjerë, po e ka quajtur fetar karakterin e veprës së tij si kufizim të rëndësishëm të mesazhit dhe, ndonëse ia ka pranuar vlerat estetike, nuk është ndalur shumë tek ato,
Prof.dr.Klara Kodra
Me veprën e Varibobës janë marrë shumë studiues shqiptarë, të diasporës dhe të huaj dhe kanë dhënë mendime nga më të ndryshmet.
Tani së fundi studiuesit Fortino dhe Belmonte që kanë pasur meritën e botimeve kritike në nivele bashkëkohore europiane të poemës së këtij autori, kanë shprehur vëzhgime origjinale për vlerën e kësaj vepre.
Autorja e monografisë që kemi në dorë, e vlerëson punën e paraardhësve të vet, por përpiqet të shprehë qëndrimin e vet personal dhe origjinal, duke debatuar me palët kur është nevoja, me mendimin e studiuesve të tjerë apo duke i mbështetur dhe shtjelluar.
Kjo monografi i ka vënë për detyrë vetes të zgjidhë disa nga problemet kyçe që lidhen me veprën e këtij autori : a është ai poet i vërtetë apo jo në bazë të kriteri të literalitetit, domethënë të vlerësimit estetik, a i takon letërsisë artistike apo është në nivelin e kengëtarit popullor si pretendon ndonjë studiues, a është vepra e tij “Gjella e Shën Mërisë Virgjër?”, (Jeta e Shën Mërisë Virgjër) poemë a cikël këngësh? Cilat burime pati? Sa u ndikua ai? Në se qendron vlera estetike e veprës së tij?
Ç’vend zë Variboba në letërsinë arbëreshe dhe shqipe? Cilat botime të veprës së tij, pas të parit të botuar në gjallje të poetit mund të quhen besnike ndaj origjinalit dhe mbështeten në kritere të mirëfillta shkencore?
Pyetje jo të pakta dhe jo të lehta për t’u dhënë përgjigje, të cilave megjithatë studiuesja u jep disa përgjigje të vetat që përpiqet t’i afrojë sa më tepër të jetë e mundur me objektivitetin shkencor.
Monografia shtjellon idenë që, ndonëse tema e kësaj vepre është në thelb fetare, çka paraqiste një rrezik për didaktizëm e thatësi, niveli i saj estetik është i lartë; poema spikat për lirizmin e vet të çiltër, ngohtësinë njerëzore dhe mjeshtërinë psikologjike në vizatimin e personazheve. Sipas studiueses vepra mund të konkurojë me disa krijime të tjera me këtë temë nga më të mirat e letërsisë italiane.
Monografia synon të zgjidhë edhe problemin e tipologjisë si vepër që e përkufizon si poemë dhe jo si cikël këngësh, duke sjellë për këtë pohim të sajin argumenta të reja në krahasim me studiuesit paraardhës.
Klara Kodra ndalet edhe mbi marrëdhëniet e Varibobës me poezinë popullore duke polemizuar me ndonjë studiues që e quan poetin folklorizant.
Studiuesja flet edhe për burimet e tjera të veprës; Biblën që shërben si paratekst, ungjijtë apokrifë dhe ligjëratat e ndryshme fetare që përpunohen të gjitha nga Variboba në mënyrë krijuese, poezinë popullore arbëreshe, ndikimi i së cilës mbi poetin ka qenë relativisht pak i studiuar ( në monografi shtrohet edhe çështja e ndikimit të mundshëm të letërsisë baroke), poezinë e kultivuar italiane, poezinë popullore italiane. Mbi folklorin kalabrez autorja ndalet pak ngaqë do të duheshin hulumtime të mëtejshme, për të cilat e kanë penguar faktori objektivë.
Në monografi bëhet një krahasim midis botimeve të ndryshme të poemës. Shihet në mënyrë kritike botimi i Librandit, gabimi i të cilit në paraqitjen e strukturës (ndarja e gabuar në dy pjesë) së poemës, ka ngatërruar studiues të ndryshëm, dhe vlerësohen së tepërmi botimet kritike të Fortinos dhe Belmontes.
Në monografi shtrohet problemi i një iluminizmi të mundshëm të Varibobës, po studiuesja e mohon këtë iluminizëm në bazë të disa argumentave bindëse, njeri prej të cilëve është fryma antifetare që e përshkon këtë lëvizje.
Autorja shtron edhe çështjen e një realizmi të Varibobës, të cilin e pranon brenda caqesh të caktuara.
Është interesant edhe vëzhgimi për një frymë shqiptare të veprës së Varibobës, e cila ekziston, ndonëse autori qartësisht në dallim nga autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe, s’ kishte synime patriotike.
Një nga kapitujt më të realizuar, përveç atij që i kushtohet burimeve, është i pesti ku zbërthehen në mënyrë të detajuar disa komponentë të formës si struktura, vizatimi i personazheve, lirizmi dhe raporti i tij me narracionin, patosi humoristik, figuracioni, metrika dhe gjuha e cila shihet kryesisht si gjuhë poetike, pavarësisht nga barbarizmat që e dëmtojnë.
Studiuesja harmonizon studimin e mesazhit me studimin e formës duke iu përmbajtur kritereve të metodës sociologjike, po duke shfrytëzuar edhe elemente të analizës tekstuale të metodave formaliste dhe psikoanalitike. Disa çështje mbeten të hapura, po mund të nxisin debatin.
I realizuar është edhe kapitulli përmbyllës që synon t’i japë thelbin e merituar autorit të analizuar në letërsinë shqiptare, duke evidencuar vlerat dhe kufizimet e tij, po duke u përpjekur për të zbuluar thelbin e veprës së tij. Studiuesja është qartësisht e dashuruar me autorin që analizon, po përpiqet ta shohë atë me një vështrim sa më të qartë. Duke qënë vetë poete, ajo është në gjendje të kuptojë psikologjinë e një krijuesi, po di të distancohet gjithashtu prej tij si shkrimtare dhe t’ia shohë edhe kufizimet.
Monografia përbën një hap përpara të autores brenda vetë krijimtarisë së saj shkencore në drejtim të analizës së formës; po gjithashtu pasuron studimet për Varibobën, pa i shteruar, dhe jep një shembull ekuilibri, duke iu ruajtur edhe sociologjizmit të skajshëm, edhe ekzagjerimeve formaliste, nga të cilat vuan shkenca letrare e sotme.
Stili i monografisë është solid, i qartë dhe i komunikueshëm, si dhe mjaft tërheqës, në thelb një stil shkencor, i pasuruar me elemente të stilit letrar.