Bilall MALIQI
Lirije Kajtazi “Ama e dheut” (Buqetë artistike për 100 vjetorin me femrat krijuese të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore, sh.b. Beqir Musliu”, Gjilan, 2012, faqe 160).
“Ama e dheut” një buqetë artistike në të cilën shtrihen poezitë dhe pikturat e krijueseve të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës) të mbledhura dhe të përzgjedhura nga autorja e librit e cila në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu” për këtë 100 vjetor doli në dritë. Ky libër i karakterit antologjik i cili është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë të librit prezantohen denjësisht krijueset e vendeve të lartpërmendura të cilat me poezitë e tyre të motiveve të larmishme e kompletuan këtë “buqetë” të degëzuar, poashtu edhe pjesa tjetër me një buqetë artistike të nuansuara me pika rasterike që paraqesin një botë krijuese figurative.
Vetë titulli i këtij libri të veçantë “Ama e dheut” është nxjerr nga një poezi e të njëjtit titull të krijueses Linditë Ramushi e cila nga autorja ka dalur si një ekstazë shpirtërore për degët e ndara e të rremosura të atëmëmëdheut.
Fjalë me imazhe
Degëzimet poetike të krijueseve ky 100 vjetor i ka përmbledhur në këtë libër simpatik dhe tejet tërheqës për lexim.
Mblidhen tok në këtë libër shumë bija të ndara nga “ama” nga nënëmadhja së cilës ia grabitën bijat e saja, tokat ia ndan e ia coptuan, e këto ashtu të ndara me dashuri të madhe i shkruajtën mëmëdheut dhe historisë sonë kombëtare e të tjera motive që dijnë krijuesit ti gjurmojnë e ti qesin në letër.
Secila krijuese me vargjet e saja paraqet botën poetike e cila dallon nga të tjerat, sepse secila ka gjetje motivuese në krijimet, andaj këto poezi që e kompletojnë këtë Antologji janë një përzgjedhje si të poeteshave ashtu edhe të poezive të tyre ku shumica sosh kanë motivin patriotic, secila me forcën shprehëse poetike.
Brenda kopertinave të librit është prezantuar poetesha e parë në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Sadete Emërllahu-Presheva, e cila që nga viti i largët 1972 doli me librin e saj të parë me poezi e cila atëbotë u cilësua nga kritikët letrar si vepër e realizuar bukur mirë artistikisht. Pra ky portret i një poeteshe me peshë të madhe që shkroi dhe doli në hapsirën krijuese më pastaj ia çeli rrugën penave të reja për të shkruar dhe për t’u bërë pjesë e artit poetik, rrugë kjo që sidomos për femrën shqiptare ishte paksa e vështirë, por prapë se prapë pas saj dolën shumë krijuese të cilat me poezitë e tyre treguan një individualitet krijues sidomos për krijueset që janë brenda kopertinave të librit.
Tanimë në mesin tonë nuk gjendet fizikisht Sadete Presheva, ajo që filloi për herë të parë rrugën e pafund krijuese e cila la pas vete jo vetëm epitetin si krijuesja e parë, por edhe vlerën e poezive të saja si dhe dorëshkrimet . Por na mungon edhe një krijuese e cila llogaritet si poeteshë e njohur dhe shumë produktive Fehime Selimi. Me të dyja këto krijuese identifikohet poezia e femrës shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Zëri poetik i femrave u dëgjua dhe jehoi edhe më tej në Kosovë e në vende të tjera shqiptare. Ajo shpërtheu kudo në kohë më të vështira edhe kur ishte cenzura, edhe kur sankisonoheshin ato që i shkruanin atdheut (amës) së coptuar dhe atëbotë të robëruar. Ato merrnin “guximin” poetik dhe përmes vargjeve shpalosnin dhe derdhnin tërë atë inspirim që kishin dhe kështu këngëtimet e tyre poetike zënin dhe zënë vend meritor në letërsinë shqiptare.
Në këtë libër janë radhitura emrat e 19 poeteshave në mënyrë alfabetike të cilat thyen heshtjet dhe dilemat e krijuara më herët. Ato në këtë libër vijnë me plot elan për të krijuar diçka të bukur- poezi koherente dhe gjetjet e motivit tek poezitë e tyre paraqesin një tabllo reale për kohët nëpër të cilat kemi kaluar si komb dhe motive të tjera të cilat do të jenë aktuale në çdo kohë dhe situatë.
Përveç kësaj brenda librit frymojnë edhe disa krijuese artiste të cilat me pikturat e tyre paraqesin botën e artit figurativ e pamor gjithnjë me një art të posaçëm të karaktereve të ndryshme dhe secila pikturë që është e paraqitur në libër ka fshehtësitë dhe mesazhet e saja për ata që dijnë t’i lexojnë dhe ti kuptojnë.
Imazhe pa fjalë
Në kapitullin /Imazhe pa fjalë/ janë të prezantuara 11 piktore me radhitje alfabetike të cilat poashtu janë nga Anamorava dhe Kosova Lindore. Të gjitha pikturat kanë edhe emrat dhe tok janë me pika rasterike që formojnë pikturat në kolor.
Buqeta artistike ”Ama e dheut”, ka dalë në dritë në këtë 100 vjetor si libër i veçantë, me krijuese të njohura, me poezi të tyre me një art të veçantë poetik dhe me një përzgjedhje me kriter nga autorja e librit.
Tanimë edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) është bashkë me “amen” duke i thyer kufijtë kulturor krijueset e saj dhe kështu tani janë tok së bashku vlerat poetike dhe artistike të tyre të pasqyruara në këtë libër simpatik dhe me një vlerë të begatshme poetike dhe artistike…