2013-09-06

Nga Fatmir Terziu:Kjasinë

fatmir terziu


Asket


Luleqershie, rrokje e egër që të zbutëm,
siç zbutëm zbritjen e shiut në tokë,
pezull në ajrin e misterit,
ngritëm asket ca kokrra,
bëmë veten legjendë nga hija e tjetrit,
gatuam dritën e reme që ndriçon dokrat,
mes joshjes,
janë fletët e zverdhura plot,
varg i lirë i kotjes,
i bataksur kërkon rrënjët me zor,
ku mbiu trupi yt i ushqyer nga motet.

Në hartën e pickuar nga tartabiqet,
absurdi shtronte pelenat e lindjes,
për ty e egëra luleqershie,
s’u kursyen orët e pritjes,
të ngjitur për njëri-tjetrin,
ne ngulëm mijëra filiza përjetësie,
frutat kërkojmë anembanë. Krimbi
asket nga fluturat që lanë vezët,
të mashtroi përnjimend,
si pjellë krimbore e universit,
vazhdon të thithë nektarin tënd.

Pranë teje qershizë. Thuhet në legjendë,
kaluan Jozefi dhe Maria shtatzënë,
të dy u flladitën nën trupin tënd,
por lanë kokrrat e këputura pangrënë,
i rrëmbeu befas një zog me një këngë,
u dha lajmin, që pret një nënë…
… Qershizë e dashur, ndaj mbahesh rrëndë,
thuhet se dhe Mbreti të rri në këmbë,
por ta dish kur fluturat i strehon mes veti,
fsheh vdekjen me dredhat e saj prej asketi.



Vargu i bardhë
zbret poshtë
troket në fletë dhe shtriqet i qetë,
as penën pyet, as edhe mua,
si një këputje e trupave qiellorë,
më lë zgjuar,
ama kot i flas
për gjëra të cilave
ai s’të falë
me shkas rrëmon në astaret sociale,
kjasinë ku përmiren qentë e majmë,
‘këtu kopsiten e këtu ç’kopsiten
“t’ëmën… errësirë”
kilzime vargu,
amazonë vargore që (për)dridhet,
mos u thënçin vargje, qoftë largu!’
Alltia bosh tremb dy veta,
vargu pa dritë kënaq askënd,
që ta krijosh një botë të vockël,
të paktën vargun mos e çmënd…
Vargu është një dritare
si të gjitha dritaret që shikojnë nga vetja,
e ndjej çapitjen tënde,
eja pa frikë si varg i lirë brenda,
e dashur,
pa ty s’do ishte kënga,
ç’varg i shkundur,
do të dilte nga mendja?
Ikja jote është varg,
ashtu siç është rimë ardhja jote,
këtë e di dhe vargu i bardhë,
i ardhur nga motet,
në mendjen time kikël,
kujtimi i qartë kotet,
një varg që harron dritën,
mes vetes ndotet.


Kjasinë – Toka, nga e cila uji del dhe përflehet. (shih për më shumë informacion Fjalorin shqip-anglisht të Oxfordit).

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...