2013-09-06
Asaj nate jetova me Migjenin
Hasan Gremi
Përjetim letrar
…Sonte është natë. Qielli mbi qytetin tim, Tiranën, është i kthjellët, me pak re dhe hëna vjen pak e ngenë, siç është në këtë natë vjeshte, herë fshihet e herë nxjerrë vetullën e saj në re mbi strehën e kapelës së Dajtit. Në shtëpi, pas diskutimesh herë të zjarrta, herë të qeta me gruan dhe vajzën, vijnë e bëhen tek-tuk me ndonjë fjalë të vetme, se lodhja nga punët e ditës, u ulet mbi qepalla të syve dhe ato shkojnë për të fjetur. Gjithçka bie në qetësi. I hedh një vështrim bibliotekës. Më shkrepi një dëshirë që sonte të ndaja me ju, të dashur lexues të vegjël, disa mendime për poetin e talentuar Migjenin, pa hyrë në analiza të thella, do të shohim si kërkohet e bukura në letërsi, ajo që të krijon një situatë të veçantë shpirtërore dhe të bën të ndjeshëm ndaj çdo gjëje që të rrethon, Këtë do ta gjejmë të shprehur te shkrimtarët tanë, te Mjeda, Fishta, Naimi, Çajupi, Asdreni,Lasgushi e shumë të tjerë, po ne do të ndalemi te poeti që theksuam më lart, që ta nderojmë me rastin e 100 vjetorit të lindjes.
Vë përpara librin e tij me poezi e prozë, me fotografi, kur ka qenë i ri, në seminarin e Manastirit, në Pukë e Vrakë me shokë e mësues i rrethuar nga nxënësit e vet, në Itali pak kohë para se të mbyllte sytë, kur shkroi “Nën flamujt e melankolisë”…
Tani, natën, në vetmi, ndërsa në qytet dëgjohet ulërima e lodhur e ndonjë makine që kthehet nga rrugë e largët dhe sirenat e urgjencave që rrinë syçelë natën, që rrëshqasin me shpejtësi mbi asfaltin e butë.. Ndërsa unë shfletoj librin e Migjenit nën dritën e një abazhuri dhe kërkoj të bukurën në mendimet e thella të poetit, që qëndroi i paepur deri në ditët e fundit të jetës së shkurtër, pa iu ndarë krijimtarisë letrare. Dhe këtë e gjejmë tek e vërteta e hidhur që ai pasqyroi, te sinqeriteti i një zemre të ndjeshme, te fuqia e mendimit. Ndal sytë mbi poemën e mjerimit, që më trondit! Sa mjerim ka në çdo kohë?! Ai shikonte thellë prapa atyre gjërave të sipërfaqshme dhe nuk donte t’i ngushëllonte kot dhe t’i vinte në gjumë njerëzit, viktimat e varfërisë. Bashkë le të kuptojmë vargun: …“mëshirë, bijë basdartë e etënve dinakë!”…., ose vargje të tjerë: “Mjerimi asht nji njollë e pashlyer / Në ballë të njerëzimit që kalon nëpër shekuj / Dhe ket njollë kurrë nuk asht e mundshme / Ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj!/
Sa i fortë mendimi i poetit, pa zbukurime, pa fjalë tingëlluese, po që të mbërthejnë në shpirt! Po, ku e gjejmë të bukurën? Te “Zeneli” që pyeste pse është e vogël në hartë Shqipëria, te ai që shiste qymyr, te “Moll’ e ndalume”, te “Bukuria që vret“! E, këtë realitet të rëndë, të asaj kohe, ai na i paraqiti me një mjeshtëri të rrallë artistike, se ndërtoi figurën letrare me forcën shprehëse të fjalës së bukur shqipe, që na i bëjnë të prekshëm në përjetimin tonë atë dramë të rëndë të jetës.
Migjeni kishte lexuar shumë, po shkruante jo nga librat, po nga jeta, me fjalë tronditëse. Ai e jetonte shpirtërisht “dhimën” e luleve të vocërr apo të atyre vocërrakëve që dimri i egër i ktheu në statuja të akullta të varfërisë, të atij që shiste qymyr, se koha ata njerëz i kishte harruar, Po vocërrakët te mësuesi i tyre gjetën dashurinë e sinqertë njerëzore.
Përballë këtij realiteti, shpirti i poetit me ndjeshmëri të lartë njerëzore shpërthen me sarkazmin e hidhur, duke drejtuar grushtin …”një grusht malit me ja ngjesh”… ndaj shkaktarëve të kësaj drame të rëndë shoqërore
Ndonëse rrahën në shpirtin e tij të vrarë, edhe flamuj trishtimi, po ai nuk e dha veten gjer në ditët e fundit të jetës së shkurtër që pati. Kështu ai mbeti për ne të gjithë sot e për ata që do të vijnë një pishtar që do të ndizej në errësirë për t’u qëndruar pranë njerëzve, që t’u ndriçonte rrugën e ndryshimit atyre që dridheshin nga të ftohtit, që mjerimi i shpinte edhe në ç’thurje morale. A nuk ndodhin edhe sot dukuri të tilla?!
Ai e shkriu jetën e tij që t’u sillte njerëzve pakëz lumturi, t’u thoshte ca të vërteta, po edhe shpresë në poezinë ,“Nën flamujt e melankolisë”, që e shkroi ditët e fundit të jetës.
Po e mbyll shkrimin tim me optimizmin e Migjenit që shprehet në vargjet e poezisë cituar më lart, ju ftoj edhe juve vogëlush. t’i lexojmë bashkë, pa zë, ashtu si po i lexoj në dhomën time …”dhe pranvera erdhi / nëpër fytyrat tona rrëshqiti një gëzim / Dhe ndër zemrat tona ngrehi një fole / E një jetë e bukur, e një jetë e re / Me dëshira të shumta po buzëqesh në lulëzim”…
Ne gëzohemi që kemi poetë të tillë se na bëjnë të pavdekshëm si komb dhe do të mbetemi përherë krenarë për kulturën tonë kombëtare dhe bukurinë e fjalës shqipe.
Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.
Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...