2013-09-06

Njohja me të fshehtat e Migjenit e Poradecit



Leonard Veizi

I janë dashur më shumë se dhjetë vjet punë për të kuptuar se kishte mbledhur shumë nga intimitetet e njerëzve të shquar të Shqipërisë. Me pak punë dhe me mirëkuptimin e Shtëpisë Botuese “Erik”, gazetari i njohur i Televizionit Shqiptar i ka përmbledhur të gjitha historitë e pashkruara në një libër, të titulluar “Jetë paralele”.

Autori i librit, Petro Lati, ka zgjedhur dhjetë prej tyre: Frashërllinjtë, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjen, Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Petro Marko, Gjon Shllaku, Dritëro Agolli dhe Ismail Bej Vlorën. Gjatë një interviste për Gazetën “Ballkan” thotë se qoftë si njerëz, si shkrimtarë, apo personalitete të shquara të jetës politike, ata kanë një jetë shumë interesante, sa të bukur aq edhe komplekse; kanë jetuar në periudhat më të vështira të historisë së shqiptarëve, ku gjithnjë ka mbetur i shenjtë e i paprekshëm atdheu i tyre:
Si lindi ideja për të shkruar këtë libër?

Përvoja e gjatë dhe kontaktet e shumta me njerëzit e artit dhe kulturës, direkt me ta apo me pasardhësit e tyre, më kanë dhënë një informacion shumë të madh. Jam njohur me rrethanat kur ata kanë shkruajtur veprat, si dhe me jetën intime gjë e cila ka gjeneruar në krijimtarinë e tyre. Ajo që kam vënë re më ka bërë përshtypje në këto takime është se gjithçka e arritur ka patur shumë sakrificë brenda vetes.

E fillojmë me Lasgush Poradecin...

Kam shkruar një episod interesant me Lasgush Poradecin gjatë periudhës së studimeve në Rumani. Ai jetonte një një kthinë fare të vogël dhe flinte gati në një rogoz. Vazhdonte shkollën, por bënte dhe punë çfardo, me qëllim që të përballonte shpenzimet. E çuditshme ishte se ditëve të shtuna dhe të diela, Lasgush Poradeci vishej si një zotëri i vërtetë dhe shkonte në shtëpitë e të pasurve të Bukureshtit për të dhënë mësime frengjishteje.

Po nga Frashërllinjtë çfarë të reje na sjell ky libër?

Jam tronditur kur kam jam njohur me faktin se Revolucioni i Haxhi Qamilit, bëri që të digjeshin 24 arka me libra, pasuri e Abdyl Frashërit, të cilat i biri, Mit’hati, kishte mundur t’i sillte në Fier nëpërmjet një udhëtimi në det. Po Frashërllinjtë ishin njerëz shumë idealistë në punën e tyre. Fatkeqësia e madhe ishte se familjen e tyre e goditi turbekulozi. Dhe të gjithë ata iu dorëzuan vdekjes ditën e shtunë. Për shuumë kohë, në pjesën tjetër të Frashërllinjve dita e shtunë cilësohej si një “ditë fatale”. Por ka edhe diçka tjetër. Samiut të madh, i cili bëri enciklopedinë e Turqisë, në fund i sekuestruan shtëpinë për shkak të borxheve që kishte. Ndërsa pasardhësit e tyre në Tiranë, në një shtëpi rreth 200 metra larg nga sheshi Avni Rustemi, kanë strehuar çifutë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Letërkëmbimi i tyre ekziston dhe sot në arkivë.

Të vijmë tek themeluesi i shtetit shqiptar?

Hisoria e pasardhësve të Ismail Qemalit është shumë e dhimbshme. Ishte menduar se Ismail Qemali nuk kishte fëmijë, por ai kishte 6 djem dhe 4 vajza. Madje ata ishin mjaft të shkolluar dhe protagonistë në lëvizjen për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Vajzat e tij të martuara në Turqi, pas renies së perandorisë u kthyen në Shqipëri. Ismail Qemali ka shumë trashëgimtarë, jo vetëm Nermin Vlora e cila ka qenë aktive në çështjen shqiptare, por dhe një nga mbesat e tij është një piktore mjaft e njohur në Londër.

Ju keni si personazh të librit edhe Ernest Koliqin?

Ernest Koliqi, përveçse mbetet një shkrimtar i madh, ka kryer dhe një gjest shumë të madh atdhetar. Në vitet 1941-1942 kur ai ishte ministër, bëri të mundur dërgimin në Kosovë e Maqedoni mësues nga Shqipëria, të cilët bënë të mundur hapjen e shkollave shqipe.

Ndërkohë kemi dhe Migjenin?

Kam një rrëfim shumë interesant të një botuesi ndër të fundit bashkëkohës të Fishtës, që njihte dhe Migjenin. Ai më tregoi: Një ditë Migjeni po kalonte para meje dhe At Gjergj Fishtës. Unë shpreha disa fjalë pakënaqësie, sepse s’më pëlqente fryma e tij antifetare. Për habinë time, at Fishta, pa shfaqur asnjë lloj paragjykimi u shpreh: “Le të shkruajë, duket djalë me talent, asht’ i ri!”

Një libër me aspekte të panjohura

Vëllimi “Jetë paralele” shfaq shumë aspekte të panjohura, të pathëna apo të anashkaluara më parë, fakte, që nuk janë përdorur si kurthe të jetës së tyre, por si dëshmi të mëdha dhe si përvoja jetësore që i kanë shërbyer, në mënyrën e vet historisë dhe kulturës sonë. Të gjitha këto, gazetari i mirënjohur i Televizionit Publik Shqiptar, Petro Lati, i cili prej shumë vitesh është marrë me individualitete të njohura të popullit tonë, ka ditur me mjeshtëri t’i përcjellë tek lexuesi si një rrëfim të bukur artistik. Sigurisht, ai ka shfrytëzuar më së miri botimet monografike, intervista me studiues të ndryshëm dhe, mbi gjithçka, bashkëbisedimet e shumta që ka patur me ta apo pasardhësit e tyre.

Jeta përmes publikes dhe personales

Të gjithë njerëzit, sidomos të mëdhenjtë, jetojnë përmes publikes dhe personales. Këtë të fundit ata e shpesh mundohen ta “mbajnë për vete”, ndonëse ajo ndikon fort në veprën e tyre. Kjo është edhe arsyeja përse libri është quajtur “Jetë paralele”. Libri u jep përgjigje shumë pyetjeve, që i lindin lexuesit dhe në veçanti nxënësve, studentëve e mësuesve, të cilët duke lexuar do të kuptojnë më mirë krijimtarinë, sipas postulatit të njohur: “Më jepni një ngjarje, të shkruaj një roman”. Libri që i afrohet lexuesit, shprehur në mënyrë modeste është “diçka më shumë” se njohuritë e deritanishme për figura të shquara të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Togfjalëshi, “diçka më shumë” nënkupton fakte, dokumente, dëshmi, ngjarje, të cilat e bëjnë më të plotë dhe më interesante krijimtarinë e tyre, si dhe rethanat në të cilat ajo është krijuar.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...