Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti paralajmëroi një enciklopedi në anglisht kundër asaj maqedonase.
Akademiku Korkuti këtë e paralajmëroi me rastin e zgjedhjes së tij dje në mënyrë unanime për kryetar të ASHSH-së.
Në votim kanë munguar 6 akademikë, të cilët duket se nuk kanë qenë të pranishëm për arsye personale.
“Çështja themelore për mua mbetet rritja e nivelit të cilësisë shkencore në të gjitha veprimtarive tona. Këtu kam parasysh botimet që janë treguesi kryesor i veprimtarisë së akademive. Gjithashtu, të njëjtën gjë synoj edhe sa i takon pjesëmarrjes në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Sigurisht, do të kontribuojmë edhe në tematikat e zhvillimit të ekonomisë dhe të tjerave fusha të jetës së vendit, si edhe problemeve që kanë aktualisht historiografia dhe gjuhësia shqiptare”, theksoi kryetari i ri i Akademisë.
Duke folur për debatet e nxitura lidhur me një Enciklopedi maqedonase nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase, akademiku Korkuti theksoi se do të përgaditet një enciklopedi e pasur dhe e bazuar në fakte shkencore dhe historike. Akademik Muzafer Korkuti deri tani ka mbajtur postin e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa kryetar ishte akademik Gudar Beqiraj, i cili u zgjodh për nënkryetar të ASHSH-së. Drejtues i Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike është zgjedhur Ethem Likaj, pas daljes në pension të Emin Rizës.