2013-09-06

Cikël poetik nga Nuri Plaku




Nuri PLAKU

BRINJA E MBJELLË

Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh
Fshehur nën krahët e zogjve,
Të më çojë
Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash.
Do të shqyej brinjën time nga trupi
Ta mbjell atje,
Të mbijë prej saj
Një bisk i bukur gruaje.
E do të pres,
I përgjëruar mbi të,
Deri sa të çeli
Trëndafili i kuq
I vdekjes sime.




IKONA E SAJ

Vdeksh o marrëzia ime!
Që gdhende mbi gurët e kujtesës
Ikonën e saj të mermertë.
Unë e theva atë!
Brenda meje u derdh
Prushi i kujtimeve
E ma dogji
Ankthin e pathënë.
U bëra i tëri
Natë prilli
Pa hënë.

NATA ËSHTË NJË KRYQ I BARDHË DASHURIE

Nata është një kryq i bardhë dashurie,
Me emër gruaje gdhendur në skaj,
Gozhdët e argjendëta që ngulen mbi të
Kan dhimbjen therëse të trupit të saj.
Pesha e kryqit na bëhet mundim
Sa herë që ngjisim e zbresim Golgothanë,
Gjaku i shenjtë që rrjedh nëpër shpirt
Një trup të vetëm, i bën trupat tanë.

ROZAFA IME

Lulkuqe harrimi po çelin
Vështrimit tënd të hutuar.
Ç’ura mendimi po ndërton
Rozafa ime e trishtuar?
Burrat për gratë s’kan moshë
E mosha për to s’të bën burrë,
Në brigjet e tua të virgjërisë
S’do të lë të murosesh ti kurrë.
Për ty kur më të mos ndiej,
E të dukem si rrasë guri,
Atëhere do ulem të vajtojë
Vdekjen e vërtetë të një burri.

FRIKA E MAGJISË

Ne mbetëm si drerë të plagosur,
Në korijen e pyllëzuar të fjalëve.
Përpara na u shfaq
Një kryq i pagdhendur ere
Që vetulla jote
Si shkopi i Circes
E bëri
Ndëshkimin tim të vonuar.
Ikja e ikja para teje,
Duke ngulur atë kryq
Anëve të udhës.
Ti luteshe
Mos na bënin magji
Me asprat e dikurshme
Të Judës.

FJALË TË DEHURA

Një gotë verë në tavolinë
Më kujton gjithmonë ty
Ty dhe Omar Kahjamin e Orientit.
Ju vështroj të dyve dhe pi,
Pi dhe gjuhën e trashur e trash
Me shije vere dhe pak tradhëti.
Eh, verërat janë të fshehta si vreshtat
Dhe vreshtat janë të fshehta si femrat
Dhe femrat janë mallkime të fshehta
Për burra të dehur si unë.
Për burra si unë
Që ikin e ikin deri në mesjetë,
Për të gjetur
Një grua të vërtetë.

TI JE RRUDHA IME

Kur shirat bëhen re të penduara
E vijnë të trokasin në portën e dherave
Më shfaqesh ti.
Pas teje vjen një babagjysh prej ylberi
Duke gjuajtur me topa bore
Një fëmijë të mitur
Që s’deshi të rritej kurrë…
At’herë qielli bëhet i tëri qeshje
E shirat bëhen pasqyrë
Që ne të shikojmë
Gjurmët tona të shkuara.
Fëmija bëhet ti
E ti bëhesh fëmijëri.
Babagjyshi ikën e ikën nëpër qiell
E bëhet Zot.
Fëmija ikën e ikën nëpër re
E fshihet në një guvë.
Ti vjen tek unë e më pushton të tërin
E kthyer
Në rrudhë.

DASMA E THYER

(Mallkimi i një gruaje)
Ti ma grise vellon e parë të nusërisë
Në një gjëmb të fshehur psherëtime,
Dhe e hodhe të digjej mbi zjarrin e mërisë
O të vraftë orizi i dasmës time!
BRAKTISJE
Një dritë e largët, u vesh me perëndim,
Emri yt papritur…m’u bë psherëtimë.

KUR ISHIM FËMIJË

Kur ishim fëmijë,
Donim të ndërtonim një shtëpi të madhe kukulle
Me tulla prej ajri.
Vraponim përditë mbi qeshjet tona
Të gjenim tulla të bukura,
Tulla të forta,
Por tullat ishin të gjitha të padukshme
Si rrobat e mbretit të përrallave.
Dhe ne lodheshim
Duke vrapuar nëpër ëndërra,
Derisa lodhja na u bë djersë,
E djersa na u bë kollë,
E nga kolla
Pështynim varfëri.
Një ditë,
E pam veten se ishim
Kukulla të rritura
Pa fëmini.

LIDHËSAT E KËPUCËVE

Unë i thurë lidhësat e këpucëve,
Me këngën e gjelave të parë.
Hëna më pret tek kumbulla e oborrit,
Të jemi të dy
Bashkudhëtarë.

PYLLI S’ËSHTË MË BABAPYLL

Plepi i bardhë fërshëllen,
Buzë pyllit të veshur me dimër.
Lepurushët vrapojnë nëpër borë
Të shuajnë urinë,
Me fletën e ashpër të muzgut.
Janë fshehur gjethet e thara të barit,
Udhërrëfyeset e heshtura të stinëve.
Vetëm dhelprat përgatisin me ngut
Darkën e shijshme të pusive
Me klithma lepurushësh në fyt.
Pylli sonte s’është më babapyll,
Me borën e ngrirë kthyer në mermer,
Ku ngrihen pusi për lepurushët e gjorë
Nën plepin e bardhë që fërshëllen.

ULLINJTË E VRARË

Sot do të bëhem kishë!
Në vend të qirinjve
Do të djeg brenda vetes
Degët e vrara të ullinjve.
E diela do të bëhet kukuvajkë
E do të këndojë
Mbi trungjet e mbetur në korie.

HAKMARRJE

Dikush
Ma hodhi portretin
Mbi zjarrin e rrufeve.
Të tretej
Pikë - pikë
Si pika e lotit.
Por zjarri u shua
E unë u bëra
Puthje
Në buzët e Zotit.

NË APOLLONI

E mora një monedhë antike
Nga rrënojat e argjenda të Apollonisë
Dhe e bëra unazë
Në gishtin e ëndrrës sime.
Nga faqja e saj
Buluriti Lopa e Diellit
Qumështi i gjirit rrodhi nëpër shekuj
E u bë
Dritë dashurish.
Zëri u bë aromë gurësh!
E gurët u bënë
Alfabete perëndish.

IKJET E BUKURA

Më ikin përditë pjesë nga vetja,
Vijnë e m’i marrin dy engjëj të bardhë,
Vijnë të heshtur e ikin të heshtur
Sikur mbartin mbi vete
Një Krisht të vrarë.

SELVIA PLAK E VARREZAVE

Ajo është një shatërvan i blertë shpirtrash!
Trungu i fshehur mes degëve
Është udha e vetme e parajsës
Shtruar
Me gjurmët e të ikurve.
Maja e ngritur
Përkulet
Në heshtjen e motmotit.
Guguftutë
Vijnë e ikin
Duke sjellë
Porositë e Zotit.

GURËT E ATDHEUT TIM

Burrat e vendit tim po rrisin dafina në epruveta!
Gurët e maleve po i shkulin nga rrënjët,
Të gdhendin fytyrat e veta.
Statujat e heronjve,
Po thërmohen pak nga pak
Nga mëritë e lavdive.
Erdhi koha kur statujat
Të vriten nga të gjallët.
Erdhi koha kur të gjallët
Të vriten për statuja.

http://floart-press.blogspot.com/2008/09/cikl-poetik-nga-nuri-plaku.html
http://www.ezadar.hr/clanak/bilosnic-u-albaniji-medu-pjesnickim-velikanima

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...