Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babanë, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm - Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1995. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut Sinkopa e Gof janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.
Veprat
"Tregime", Jeta e re, Prishtinë, 1961
"Nji pjesë e lindjes", tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965
"Kulla", tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968
"Sinkopa", dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969
"Oh", roman, Rilindja, Prishtinë, 1971
"Kjasina", tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973
"Gof", dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976
"Lutjet e mbrëmjes", tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978
"Tragjedi moderne", drama, Rilindja, Prishtinë, 1982
Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:
"Tregime fantastike", Rilindja, Prishtinë, 1986
"Oh", Rilindja, Prishtinë, 1986
"Tragjedi moderne", Rilindja, Prishtinë, 1986
Analizë e tregimit "Klithma"
Analizë e romanit "Oh"
Romani "Oh" i Anton Pashkut, për shumëçka është karakteristik dhe fare i veçantë në letërsinë shqiptare. Kur u paraqit para tridhjetë vjetësh, u emërua "hermetik", u tha se është jehonë e antiromanit, e kështu me radhë. Në të vërtetë, kjo vepër është një vazhdimësi e natyrshme e tregimeve pararendëse moderne të autorit, në kuptimin e mirëfilltë të nocionit modernizëm: prozë që i shprish rregullat e vendosura më parë tradicionale që artikulon realitetin përmes figurës së veçantë dhe origjinale që në mbështetje të së kaluarës konstrukton kuptime, mundësi dhe vizione, të shumëfishta përgjithësuese. Ky roman është fabul klasike, pa rrjedhje njëdimensionale kronologjike, pa rrëfyes të artikuluar qartë, pa këndvështrim të fiksuar të autorit; natyrisht që nuk mund të ritregohet përmbledhtazi si thurje e rregullt ndodhish të caktuara. Në fillim të romanit sajohet një mjedis nismëtar i mbyllur: burri dhe gruaja në dhomë, dhe akuariumi simbolik me tre peshqit brenda. Fillimi i tekstit përcakton aktualitetin nga i cili burri (rrëfimtari i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, pjesërisht personazh), niset në një udhëtim imagjinar nëpër të kaluarën dhe të ardhmen. Rrëfimtari, burri që do t`i sajojë shkallët e mundshme të zbritjes në të kaluarën, përkatësisht shkallët e ngjitjes, vendoset në situata dhe të ardhme të ndryshme, në kontekstin e bëmave nga e kaluara ilirike e këtej, si dhe në atë të kohës, si histori e përsëritur. Ai vepron vetëm përmes imagjinatës, pa ndërmarrë asgjë konkrete. Gruaja, e cila nuk flet e as ndërhyn fare gjatë këtij udhëtimi të burrit, shpaloset si tip iluzionist që ndërton kulla rëre. Në fund të romanit, që është përsëritje e tekstit fillestar, gruaja largohet në mënyrë protestuese; dy peshqit e vegjël kanë ngordhur, ndërsa ai me pika të kuqe lëviz "krenar" nëpër hapësirën e akuariumit. Duke qenë përsëritje e tekstit fillestar, e tekstit ku paraqitet një mjedis i rivendosur në fund të romanit, pas gjithë atij udhëtimi imagjinar në të dy krahët e kohës, lexuesit i lindin një sërë përfytyrimesh simbolike lidhur me realitetin dhe jetën përgjithësisht. Në strukturën tërësore të këtij romani të rrëfimit qarkor, ku udhëtimi i nisjes i përngjan atij të kthimit, nga drejtimi i kundërt në pikën e nisjes, duhen sqaruar dy kategori themelore të poetikës së romanit: koha dhe rrëfimtari.
Rrëfimi shtrihet deri në kohën antike ilire dhe jepet përmes ngjyrimit ironik-alegorik, që duke heshtur, e shquan dhe e bën më të zëshme idenë qendrore të romanit: historinë shqiptare të dhimbshme e të përsëritur, shpalimin e mungesës së substancës së formuar dhe të artikuluar të qenies. As e ardhmja e projektuar në këtë kuadër, në vizionin e Anton Pashkut nuk është shpresëdhënëse. Vizioni i projektuar para tridhjetë vjetëve, prandaj tingëllon aq aktual sot. Kështu, romani mund të quhet edhe historik, po në radhë të parë si roman i idesë, i mendimit, madje filozofik.
Rrëfimi i ngjarjeve strukturohet mbi disa nivele kohore: e tanishmja që rrjedh si dialog i burrit - rrëfimtarit me "bashkëbiseduesen" e pranishme. Në fillim, ky "dialog" përgatit atmosferë dhe kushte për kërcim drejt shkallës së të kaluarës, të përftuar si dialog me Plakun. Kjo mundëson një kthim në të kaluarën e dyfishtë, për kapërcimin në kohën dhe botën antike ilire. Rrëfimi lidhet me tri nyje kohore, e tanishmja dhe dy shkallët e kohës së kaluar. Përmes tyre dhe zërit të fuqishëm të fshehur jepet përsëritja e historisë, e dramës kolektive shqiptare. Romani "Oh" ngrihet mbi një strukturë të komplikuar e të përsosur të llojit të vet dhe njëkohësisht u prin dhe shtron çështje teorike nga më të rëndësishmet lidhur me zhanret tregimtare, e sidomos me kategoritë kryesore të poetikës, siç u tha më sipër.
Lidhja e nyejve kohor, zhytja e rrëfimtarit drejt kthimit të së kaluarës së njëfishtë e të dyfishtë në rrëfimin e romanit të Anton Pashkut, sajohet përmes teknikës moderne që këtu rrjedh natyrshëm, pa asnjë imitim të sforcuar. Mjedisi antik nuk realizohet, para së gjithash, përmes faktografisë historike (edhe pse mund të identifikohen lehtë bëma dhe autorë të tyre), por si një gjallërim, konkretizim i vetëdijes mbi të. Kjo teknikë e zhytjes shkallë-shkallë në kohë mund të quhet dhe psikologjike-asociative. Kështu, kur rrëfimtari duhet të bëjë një kërcim parabolik në kohë, ai fillon parapërgatitjen për këtë hap, duke synuar në një cak të caktuar që nënkupton, në të njëjtën kohë, shkëputjen nga realiteti aktual. Përmes kësaj thirrjeje të brendshme, shfaqen të gjalla kohët e synuara, aktorët dhe ngjarjet historike dhe të sajuara.
Kështu, lexuesi sa mrekullisht aq edhe spontanisht gjendet brenda një bote antike, ambientohet me të duke e harruar rrëfimtarin. Gjendja e brendshme e rrejshme e njeriut, që për një çast e rrëmben lexuesin, zhduket në atë rast dhe gjithësinë e merr në dorë një tjetër ligjshmëri. Kështu, sa më thellë depërton në lashtësi para së gjithash, rrëfimtari synon të sugjerojë një vizion të mundshëm për kohën e ardhme, që shtrihet në pjesën e dytë të veprës.
Edhe lexuesi me pak përvojë, e ndien se rrëfimi i drejtpërdrejtë shqipton një kuptim të mbuluar, të cilin e zbulon dhe e shumëfishon lexuesi. Pikërisht për këtë shkak, leximi i romanit në fjalë i Anton Pashkut, jo vetëm që kërkon përqendrim maksimal, por është vepër që domosdoshmërish kërkon lexim të dytë.
Ngjarjet të duken vetvetiu të natyrshme, të pa rrëfyera nga pikëpamja e dikujt, pra i lë veprimet të ndodhin e jo të ritregohen. Një sistem i tillë rrëfimi nxit lexime dhe interpretime shumështresore duke përbërë, tiparin dallues të stilit të Anton Pashkut.
Analizë e dramës "Gof"
Edhe në këtë gjini Anton Pashku është i veçantë: e mbindërton tekstin e dramës mbi rregullat klasike (sidomos të tragjedisë) dhe me prirje të qartë drejt antidramës. Njësoj si tek proza, teksti i tij dramatik vështirë se mund të rrëfehet si lidhje e fabulave brenda një shtrati kryesor. Më parë ai del si ide, si mendim i fuqishëm, si portretizim i gjallë i një dukurie, ngjarjeje, gjendjeje, nga ku përmes ironisë, analogjive dhe parabolave kohore sugjerohen realitete të tjera. Teksti i kësaj drame është ndoshta teksti me tensionin dhe ankthin më të madh dramatik në letërsinë tonë. Fjala është për kohën e pushtimit fashist (1939), që si datë përmendet vetëm në një rast, pa e përmendur as si fashizëm, as si pushtim, as si dhunë; pa shprehur fare as patetikë apo patriotizëm...
Drama ka dy pjesë (jo akte), dhe tri personazhe: Lulashi, Lulua, Lulani, të cilët mund të merren edhe si tri variante, tri perspektiva të një personi. Tekstin e shqipton vetëm Lulashi, duke e thyer shpesh monologun dhe ndërhyrjet e paramenduara te të tjerëve. Monologu, pra, është një kolazh tekstesh e dokumentesh të kohës, si: afishe, deklarata, urime, falënderime, kërcënime, reklama, që së bashku paraqesin një tërësi njerëzish, vlerash, antivlerash, ngjarjesh, dëshirash, ëndërrimesh... Kështu krijohet përshtypja e një mjedisi shoqëror të përbërë, ku individi humb personalitetin, humb vetveten. I tillë është Lulashi, gjysmë i shpëtuar, gjysmë i humbur, i cili në zjarrmi e përçartje lëshon mendime të tilla që tingëllojnë si kritikat më rrëqethëse, ku ankthi e ironia shkallëzohen në sarkazëm. Të krijohet pamja e një shoqërie që identifikohet me një gjendje kaotike, me një tollovi të përgjithshme, me degjenerim moral, anarki mendimi, ndjenje, me zhdukjen e skajshme të vlerave, ku mbi të gjitha mbizotëron zëri i mashtrimit, i dhunës, e i hipokrizisë. Si çdo shkrimtar i madh, Anton Pashku e parandien dhe e paralajmëron përsëritjen e kësaj gjendjeje tragjike në shoqërinë shqiptare,të viteve tridhjetë, gjysmë shekulli më pas, ashtu siç e ka projektuar dhe në romanin "Oh".
Te tregimi "Klithma" mozaiku dhe detajet janë pak më të bollshme: terri, hëna, kreshta e malit, lumi; të gjitha të mbërthyera nga telat e heshtjes. Heshtin qyqja dhe bulku, ndërsa lart, i paarritshëm, ylli.
Në këtë univers të ngujuar të acarit, shpërthen thekshëm klithja që çan hapësirën e tendosur nën ankthin e përgjithshëm. Dhe dëgjohet krrokama e korbit. Tundet gjithësia nga kjo klithje: paskësh ndodhur krimi! Hëna fshihet: të mos jetë dëshmitare. Hija e vdekjes e kaplon vendin (Truallin?)...
Në të dyja rastet, data në fund të tekstit është jo vetëm çast i rëndësishëm, por, do të thoshim, përbërës i barabartë në shumësinë narrative. Bëhet fjalë për jehonën e aksionit famëkeq, tragjik për Kosovën dhe shqiptarët: aksionin e UDB-së për mbledhjen e armëve, një nga terroret më të egra që u pasua me disa qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur me dhunë drejt Anadollit të Turqisë. Ky krim, duke u artikuluar si shqetësim i shkrimtarit, mbetet si dëshmitari më i fuqishëm i kësaj tragjedie. Si çdo krijues i madh, Anton Pashku ishte i pakapshëm për deshifrimet dhe interpretimet këqija të censurës komuniste antishqiptare. Në artin e vet letrar, gjatë tërë jetës, krimin e ushtruar në vendin e vet, në Kosovë, Pashku do ta stigmatizojë në shkallë universale, siç ndodh me artin e madh.