2013-09-02

Naum Panajot Bredhi-Naum Veqilharxhi di të falë, siç di të mbrojë Gjuhën Shqipe!



Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.
N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes.
Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin "Evëtar". Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin "Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar", të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një "Enqiklikë„ (letër qarkore).
"Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkëadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me "lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare„. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin "mirëbërës", e të mësonjës të atheut e të kombit tonë.
Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim. Me një stil të shkathët, të figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan: "Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t`i korrë padyshim brezi i ardhshëm që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë„. Cila është kjo "farë e mirë dhe pemët e ëmbla që do të japë ajo?„ Veqilharxhi mendon se, që të dalim nga gjendja e rëndë, duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të përhapim arsimin shqip, të përhapim farën e diturisë, e cila do të sjellë gjithë të mirat më pas. Padituria është fatkeqësi, mendon autori, një e keqe e madhe, që barazohet me skllavërinë. "Ato kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve„. Një komb mund të dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta shkruajmë me "shkronja të veçanta kombëtare„, na mëson Veqilharxhi. Kështu, shpreson ai, edhe ne do të vihemi në rradhën e kombeve të qytetëruara.
Në këtë mënyrë e formulonte ai njërën prej kërkesave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, duke u nisur nga parimi i drejtë se një popull mund të kulturohet vetëm me anë të gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht të grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer ndasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t`u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evetarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri ëvetar shqip”, të shoqëruar me një E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.

Parathënia e abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në to formulohen kërkesat kulturore të lëvizjes. Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk mund të arrihej as çlirimi politik. Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. U bëri thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Kishte besim te aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punoi për një shkollë shqipe, me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe për lëvrimin e gjuhës. U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.


Veprat

Evetarin: abetare, (1844)

Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar: abetare, (1845)

Qarkore: (Enciklikë), greqisht (1846)


Opinion nga Nase Jani

(Ç`na mëson Rilindasi i Madh, që para dy vjetësh iu shkatërrua busti?!)

Ishte viti 1846 kur Naum Veqilharxhi (Bardhi) u helmua në Stamboll. Kush e helmoi Rilindasin e Madh Shqiptar, që Jetën e tij të gjatë, prej 79 vjetësh, ia përkushtoi Çështjes Kombëtare? Akoma edhe sot, pas 162 vjetësh nuk dihet. Pse e helmuan? Kjo dihet: se ishte i mençur dhe gjithë mençurinë e vet e përdorte për të mirën e Shqipërisë. Se ishte i mirë dhe gjithë mirësinë e vet e përdorte për të mirën e shqiptarëve e të Shqipërisë. Se ishte i urtë dhe gjithë urtësinë e vet e përdorte për të urtuar shqiptarët... Ishin vitet kur shqiptarëve u duheshin burra të tillë për t`u përballur me injorancën pushtuese dhe pushtuesit e egër, që kërkonin ta mbanin shqiptarin gjithmonë larg së vërtetës, larg së qenit shqiptar, larg së qenit i mençur, larg së folurës dhe së shkruarës shqip... siç e kishin mbajtur nëpër shekuj.

Dhe Njeriun e Madh e vranë me helm, një mbrëmje, siç bëhen zakonisht punët me helme. Patjetër dikush i trembej se Ky Njeri po bënte një punë të madhe për vendin e vet... Dhe mbas një shekulli po ai "helm" u përdor në Itali edhe tek Ismail Qemali, se dhe ky, Njeriu i Flamurit po bënte një punë të madhe për vendin e tij. (kishte marrë udhën për në Konferencën e Evropës, ku do të mbronte shqiptarët dhe Shqipërinë)... Dhe sa të "helmatisur" njeh historia e jetës shqiptare, (pa le ajo botërore)! Vdekja nëpërmjet helmit ishte (dhe është) më e pa-zhurmshmja, siç është dhe më tinëzarja. Ajo bëhet pas "buzëqeshjes, mikpritjes," e të tjera nga këto hipokrizi që ka shpikur Anti njeriu... Por kush e helmoi Naum Veqilharxhin? Jo, nuk ishte ai që i hodhi helmin, por ai që e helmoi ishte larg, diku jashtë Stambollit, apo edhe më tej e më tej... Tashti s`ka vlerë të hamendësojmë se kush e helmoi Njeriun e Madh Shqiptar. E helmoi Ai (Ata) që pas 160 vjetësh e vranë në kujtim duke i shkatërruar bustin!

Të vrasësh bustin është më tepër se vrasje. Është jo vetëm vrasje Njeriu, por edhe një akt-vrasje historie, akt-vrasje shqiptarizmi... Kaq Burrë i madh ka qenë ky Naum Veqilharxhi, që edhe pas 160 vjetësh të helmit, të vritet me lëndë shkatërruese?! Por vritet Njeriu që thoshte se "një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruaj gjuhën amtare dhe po të zhvillohen arsimi dhe kultura kombëtare..." Se qytetërim nuk vjen nga politika por nga arsimimi... Se shqiptarët duhen t`i shërbejnë Shqipërisë e jo të huajit?...? Askurrë! Por vritet Njeriu që bëri histori?! Askurrë! Vritet kreu i kryengritjes kundër Perandorisë Osmane të emigrantëve shqiptarë në Rumani (1821)? Askurrë!

Vritet nismëtari dhe hartuesi i alfabetit së shqipes me 33 shkronja? dhe që botoi më 1844 Abetaren e Parë Shqipe "Evetarin"? Jo, askurrë!

Dhe "vrasja-akt" nuk u bë diku jashtë, por m`u aty ku duhej të bëhej, tek vendlindja e shkrimtarit patriot, në një natë me gjysmëhënë të gushtit 2006. Ashtu siç u bë dhe "Vrasja-akt" "në fillim të tranzicionit" e Millosh Gjergj Nikollës, "Gjeniut" të letërsisë shqipe, ashtu siç... Jo, nuk vazhdojmë më me vrasje! Të kthehemi tek e mira! Ata që përdorin "Helmin" dhe "vrasjen-akt" në këtë fillim-shekulli, i ka lenë shekulli mbrapa. Shqipëria di t`i nderojë "të helmuarit" e saj dhe të dallojë se kush i kryen "vrasjet-akt" të Njerëzve të saj të shquar.



Naum Veqilharxhi me shpirtin e vet human, po ta dinte se kush e vrau me helm do ta kishte falur... Dhe po ta dinte se kush e vrau bustin e tij (të ngritur nga Mjeshtri i Madh i daltës Odhise Paskali, qysh më 1941), do ta falte... Kështu do të bënte edhe Odhise Paskali, do ta falte dhe do të ngrinte një shtatore të re të Njeriut të Madh, Veqilharxhi... Njerëzit e mëdhenj e të mençur dinë të falin. Po shteti dhe politika shqiptare çfarë po bën? Do e mbrojmë me "ligj" qytetërimin dhe kulturën shqiptare? Duhet! Dhe ka më tepër vlerë se të mbrosh "mjedisin nga duhani", "të mbjellat nga hashashi"... apo të mbrosh me "bodigardë" ndonjë politikan apo shtetar që s`thotë dot alfabetin e shqipes as tek 33 shkronjat e Naum Veqilhaxhit, që i shkroi para 162 vjetësh, pa le 37 shkronjat e shqipes moderne... Mbase "ligjvënësit" dhe "ligjzbatuesit", qëndrojnë prapa Ligjit dhe nuk e heqin zvarrë , kur duan e siç duan! Shkofshin pas ligjit politikanët tanë!

Naum Veqilharxhi di të falë, siç di të mbrojë Gjuhën Shqipe!





Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...