2013-09-06

Një zë i veçantë në studimet tona për letërsinë



Hasan Grëmi


Vlerësime për monografinë “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë” e Prof. Dr. Klara Kodrës. Kur më ranë në dorë monografia e fundit e studiueses Klara Kodra, “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë” në periudhën e Rilindjes (bot. i Akademisë së Shkencave) u befasova për dy gjëra: për llojin e lëvrimit dhe për temën e zgjedhur. Lloji i vështirë i monografisë në një kohë dinamike si e sotmja trajtohet gjithnjë më rrallë, se parapëlqehet shumë eseja. Letërsia e arbëreshëve të Italisë, kjo letërsi e një minoriteti të shkëputur nga toka nënë, lindur në dhe të huaj dhe që megjithatë ushqehet nga trungu i letërsisë shqiptare, ka qenë studiuar shumë dhe prapëseprapë fsheh thellësi të panjohura. Studiuesit tanë s’e kanë ndarë nga letërsia shqiptare, e kanë quajtur pjesë përbërëse të saj, ndërsa italianët s’e kanë integruar asnjëherë në letërsinë e tyre. Edhe studiuesi Robert Elsie e përfshin në “Historinë e letërsisë shqiptare” të viteve të fundit. Në këtë letërsi gjinia më fatkeqe ka qenë dramaturgjia, ndonëse lindi më parë se në Shqipëri dhe ishte që në fillim më e pjekur, një lloj fëmije i parakohshëm, megjithatë u la disi mënjanë nga studiuesit qoftë arbëreshë, qoftë shqiptarë të Shqipërisë për disa arsye. Arsyeja e parë; nga vlera estetike kjo gjini s’e arriti kurrë poezinë, as arbëreshe, as shqiptare të tokës mëmë. Nga ana tjetër, gjinia në fjalë rrallë doli në dritë në shtyp dhe pothuajse asnjëherë nuk doli në skenë. Prandaj, është për t’u përshëndetur nisma e studiueses që e studion për herë të parë në tërësi këtë gjini te disa autorë: tek autori i njohur Santori, te dramaturgu më pak i njohur Bazile, që vdiq i ri, tek autori i madh më tepër i njohur si poet De Rada, së fundi te komediografi Toreli, i vetmi që pati sukses në Itali dhe u pranua nga italianët si autor i tyre. Po vlera njohëse nuk është e vetmja që ka kjo monografi. Në të gjejmë analiza të kujdesshme ideore dhe estetike të dramave, melodramave, tragjedive (më pak komedive), debate me studiues të njohur, krahasime me vepra të letërsisë europiane që trajtuan po ato motive- një lloj sfide nga ana e autorëve arbëreshë, trajtimi i disa subjekteve shtegtues, si tema e fatit të “Sofonisbës” (De Rada) apo të “Ines de Kastros” (Bazile). Autorja ka përfshirë në letërsinë shqiptare edhe vepra të shkruara italisht dhe e argumentoi këtë me afrinë e problemeve të këtyre veprave me tema e probleme të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare të asaj kohe me faktin se dygjuhësia ishte një dukuri e pashmangshme për një bashkësi, si ajo arbëreshe me mundësinë e ekzistencës së varianteve arbërisht. Studiuesja ka mendimin e vet orgjinal qoftë për vepra pak të njohura si “Ines de Kastro” e Baziles dhe disa melodramave të Santorit, qoftë për vepra të trajtuara nga studiuesit si “Sofonisba”, “Emira” dhe tani vonë “Neomenia” dhe “Aleks Dukagjini” e Santorit. Studiuesja në fjalë i sheh veprat në unitet midis mesazhit dhe formës ose strukturës. Po ajo e ka të qartë që vlera kryesore një vepre i vjen nga forma si mishërim i gjallë i mesazhit. Prandaj, ajo ia nënshtron veprat një analize të kujdesshme estetike, duke u ndalur te rrjedha e veprimit, personazhet, dialogjet dhe duke u munduar të përcaktojë veçanësinë e çdo vepre dhe të vendosë një farë hierarkie midis tyre. Sigurisht si çdo studiues ajo mund të ketë edhe shfaqje subjektivizmi apo i ndodh të dashurohet pas një vepre dhe një autori, të shfaqi entuziazëm të veçntë, të arrijë në ekzaltim, megjithatë në vepër ka edhe një synim drejt objektivitetit, argumentit shkencor, që shfaqet në debat me studiues të tjerë. Ndonjëherë në këtë punim, që në thelb i takon historisë së letërsisë, ka elementë të kritikës letrare të kuptueshme, meqënëse se studiuesja është edhe kritike, edhe poete. Nganjëherë gjejmë edhe ndonjë përsëritje. Po në thelb kemi të bëjmë me një punim serioz dhe original të karakterit problemor, që depërton në shtigje ku do të ishte për të dëshmuar që të futen edhe studiues të tjerë. Stili është i rrjedhshëm dhe i këndshëm, aty-këtu i gjallëruar nga ndonjë figurë, çka provon që stili shkencor s’duhet të jetë domosdoshmërisht i thatë. Natyrisht do të ishte pa vend që të kapërceheshin caqet e stilit shkencor dhe të kalohej në stil poetik apo eseistik. Kjo monografi mbush një zbrazësirë në studimet tona shkencore dhe ka vlerat e saj të veçanta.

http://floart-press.blogspot.com/2008/09/nj-z-i-veant-n-studimet-tona-pr-letrsin.html?zx=8defc926c98d0771

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...