2013-09-04

Branko dhe shqiptarët ortodoksë


Branko dhe shqiptarët ortodoksë – Ilaz Kadriu

Ilaz Kadriu

(Lidhur me qëndrimet e Branko Manolovski, shqiptar i përkatësisë fetare ortodokse nga Reka e Epërme, rrethi i Dibrës, me rastin e simpoziumit për jetën dhe veprën e Josif Bagerit)

Nga Naçertania te Çubrilloviqi, nga Rankoviqi te 81-shi, historia fatkeqësisht na mëson për vrasje, shpërngulje, rrudhje territoresh, burgosje, ndryshime emrash, çkombëtarizime të planifikuara në mënyrë perfide, siç është rasti i shqiptarëve ortodoks të rrethit të Rekës së Epërme.

Shqiptarët ortodoks të detyruar të frekuentojnë kishat dhe shkollat serbe, maqedone dhe bullgare, gati krejtësisht u asimiluan duke ruajtur vetëm fenë e krishtere ortodokse në dëm të kombit shqiptar !!!

Shqiptari Branko Manolovski nuk duhet të çuditet lidhur me ndryshimin e mbiemrave shqiptarë në VIQ dhe OSKI-OVSKI. Kjo nuk ka ndodhur vetëm te shqiptarët ortodoksë. I ati im, i përkatësisë muslimane, pasaportën e mbretërisë SKS e kishte me Kadrijeviq në vend të Kadriu. Pas 45-shit, sllavomaqedonët ia hoqën VIQ-in dhe ia " dhuruan" OSKI-n. Pra nga Kadrijeviq u bë Kadrioski dhe vdiq si i tillë.

Me liberalizimin e kohëpaskohshëm të sistemit titist dhe me revolucionin kulturor të shqiptarëve në përgjithësi, u rrit ndërgjegja kombëtare. Ne, gjenerata atëherë e re, edhe pse ballafaqoheshim me pengesa institucionale sistemore, e ndryshuam këtë gjendje së pari duke hequr OSKI-n nga mbiemrat tonë shqiptare, gjithmonë duke menduar se liria dhe mirëqenia e maqedonasve nuk mund të jetë komplete pa lirinë dhe mirëqenien e popujve tjerë, në rastin konkret të shqiptarëve.

Dhe, tani, në kohë të fundit, ndërgjegja evropiane nuk mund të jetë e qetë me sjellje të mbrapshta të qeverisë maqedone karshi popullit shqiptar në përgjithësi dhe ortodoksëve shqiptarë - stërnipave të Josif Bagerit të Rekës së Epërme, në veçanti. Në këtë drejtim, ideja e Evropës së Bashkuar dhe realiteti i saj nuk mund të lidhen me asnjë lloj diskriminimi. Errësira dhe sjelljet shoviniste, pavarësisht nga triumfi i përkohshëm, nuk mund ta mposhtin dritën, siç do të thoshte i madhi Kadare.

Shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme gati u gjunjëzuan para pushtetarëve sllavomaqedon nga shija e ëmbël e pushtetit, duke ia kthyer shpinën së pari kombit, e pastaj familjes dhe të parëve të tyre!

Pas 81-shit, njëfarë Nijazi Limanoski, vegël e pushtetit, u mundua me mish e me shpirt t'i konvertojë shqiptarët muslimanë të Baçishtit në “makedonski myslimani”.

Por, vetsdija e lartë kombëtare ngadhnjeu mbi tendencat ogurzeza të Limanoskit dhe patronëve të tij. Pa rënies së komunizmit në Baçishtë, u ngrit flamuri shqiptar. U hap shkolla shqipe dhe sot në këtë fshat lulëzon shqiptarizmi.

Branko Manolovski, i vetëdijshëm për fatin kombëtar të shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme, me guximin e tij heroik dhe me kumtesën e tij për jetën dhe veprën e Bagerit, theu akullin e heshtjes dhe dha një mesazh të qartë rreth deklarimit të bashkëvendasëve të tij si shqiptarë ortodoksë të Rekës së Epërme dhe se në këtë moment ora është 11:55 minuta.

Është koha kur gabimet mund të përmirësohen pa pasoja të rënda politike. Humbjet eventuale të disa privilegjeve nuk peshojnë rëndë sa humbja e kombit!

Ismail Qemali vinte nga pozita shumë të larta të Perandorisë Osmane për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. I kishte lënë pas pozitat dhe privilegjet. Heronjët shqiptarë gjatë luftërave të ndryshme, më parë kanë zgjedhur vdekjen se çkombëtarizimin! Pasuria, luksi, janë të përkohshme dhe janë të pavlefshme para kombit !

Prandaj , kumtesa e Branko Manolovski dhe deklarimet e tij publike për vete dhe të tjerët, janë më shumë se thirrje për vetëdijësim kombëtar.

Të lindësh shqiptar, nga prindër po ashtu shqiptarë që nuk din maqedonisht, të konvertohesh në një komb tjetër, të pranosh të heqish dorë nga kombi, është me shumë se mëkat. Të largohesh nga kjo botë jo në të njejtën mënyrë si paraardhësit është po ashtu mëkat i dyfishtë. Një herë i kësaj bote, e pastaj i botës tjetër. Të parët e të konvertuarëve edhe në varr nuk do të jenë të qetë, nëse ky problem paraprakisht nuk rregullohet.

Pra, është koha e zhvillimeve të reja demokratike. Ky fenomen quhet globalizim i përgjthshëm dhe si i tillë duhet shfrytëzuar. Branko dha shenjë të një starti. Bile përmendi edhe emra të rëndësishëm të shkencës dhe të politikës.

Opinioni i gjërë për këtë ka ditur në heshtje. Ajo kohë kaloi. Çdo gjë duhet të dal në sipërfaqe. Pa një deklarimi publik të përkatësisë maqedono-pellazgo-ilire të shqiptarëve të Rekës së Epërme, të vdekurit në varr nuk do të kenë qetësinë e duhur në botën e përjetshme.

Është detyrë historike dhe obligim kombëtar para se gjithash e intelegjencës shqiptare ortodokse nga Reka e Epërme, ta thonë të vërtetën historike rreth përkatësisë nacionale, sepse të fshehurit e saj gjer në pafund shkakton dëme të mëdha shpirtërore edhe në botën tjetër!!!



(Autori është sekretar i përgjithshëm i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Çikago)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...