Fundi i manipulimit për një betejë t ë madhe
E vërteta është vetëm një
Pavarësisht këtyre tendencave deri më tash është thënë dhe shkruar mjaft për këtë betejë, por s´është e tepërt kurrë për ta bërë një rekapitullim të gjithë asaj se çka është thënë dhe për ta plotësuar, me atë se çka ka mbetur pa u thënë, për ta bërë të qartë dhe për të mos i lënë vend manipulimeve, tentimeve për përvetësime të meritave të tjetërkujt, siç është duke u bërë me betejën e Loxhës.
Heronjtë e Logjës legjendare
Nga Flori Bruqi
Me 6 korrik 2013 me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule, nga familjarët, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë, janë përkujtuar dëshmorët e “Betejës së Loxhës”, Rrustem Beqir Bruqi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli të cilët kishin rënë heroikisht në betejën e famshme të Loxhës, e cila ishte komanduar nga koloneli Tahir Rexhpe Zemaj...
Ata ishin dhe mbetën kurdoherë në kujtesën e lavdisë dhe historinë më të re të vlerave kombëtare dhe të luftës fyt për fyt me armikun për çlirimin e vendit, kanë vlerësuar bashkëluftëtarët e tyre, të cilët me pietet kanë bërë nderime pranë varreve të ty dhe në vend rëniet e dëshmorëve.
Sipas, Xhavit Alush Bruqi, i cili së bashku me Rrustem Beqir Bruqin dhe Ismet Loshi- Mehmetaj, ishin ndër të parët në Isniq, që kishin organizuar njësitin e armatosur dhe bartjen e armëve nga Shqipëria.
“Bashkë me dëshmorin Rrustem Beqir Bruqin dhe Ismet Loshi-Mehmetaj, në korrik të vitit 1992 në Isniq kishim filluar organizimet e para të njësitit të armatosur dhe armatosjen nga Shqipëria, ndërkohë edhe të organizimit të frontit të luftës për liri”, ka thënë Bruqi, duke vlerësuar se rënia e tij heroike, e Rrustemit, bashkë me Enver Alaj dhe Lumni Surdullin, ishte shembulli me i mirë, si vdiset për atdhe.
Homazhe dhe nderime janë bërë edhe tek varri i komandantit të kësaj beteje të lavdishme, heroit Tahir Rexhep Zemaj, në Strellc të Epërm të Deçanit i cili ka merita të jashtëzakonshme në organizmin e luftës në betejën e Logjes dhe betejat tjera në Dukagjin (Llukës,Prejlepit,Junikut etj).
Beteja e Loxhës e udhëhequr nga kolonel Tahir Rexhep Zemaj ishte një betejë e lavdishme. Për Betejën e Loxhës shumë është shkruar dhe shumë më shumë ka për tu shkruar, historia sigurisht do t’i japë vendin e merituar ...Gjashtë korriku i vitit 1998 ishte dhe do të mbetet datë e shënuar, ishte dita kur armiku për herë të parë u mposhtë dhe ishte dita që u tregua se si është të luftohet në mënyrë të organizuar me një komandë. Ishte Beteja që tregoi se respektimi i institucioneve është më i rëndësishmi, dhe nga humbja që pësoi armiku u detyrua për herë të parë të përdor edhe aviacionin.
Beteja legjendare e Loxhës, me rezistencën heroike të komandantëve të shkolluar dhe ushtarëve trima, i shkatërroi themelet e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë. Rrustem Bruqi qysh në bankat e shkollës së mesme të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan e deri në momentin e fundit të jetës së tij, duke parë padrejtësitë që po i bëhen popullit dhe kombit shqiptar, asnjëherë nuk duroi dhe nuk iu nënshtrua robërisë. Ky aktivist i madh asnjëherë nuk qëndroi duarkryq. Si student ishte aktiv dhe pjesëmarrës i të gjitha demonstratave, duke filluar që nga viti 1981 e më vonë.
Shpeshherë u rrah dhe u burgos nga forcat policore. Pas përfundimit të fakultetit, duke e parë se vendlindja e tij ka nevojë për profilin e juristit, u kthye në Gjykatën Komunale të Deçanit, ku ishte edhe Sali Çekaj. Intelektuali dhe aktivisti i madh i çështjes kombëtare, Rrustem Bruqi, me shokët e rezistencës punoi në hartimi e Statutit dhe të rregulloreve të Kuvendit të Komunës së Deçanit në frymën e Kushtetutës së Kaçanikut.
Juristi dhe nacionalisti Rrustem Bruqi bashkë me kolegët e Gjykatës disa herë u akuzua në Gjykatën e Qarkut në Pejë dhe atë të komunës së Deçanit me pretekst se si i tillë po i shkel ligjet e pushtetit serb.
Nga ndjekjet e njëpasnjëshme, në vitin 1993 për t’i shpëtuar më të keqes, mërgohet në Gjermani me bashkëshorten Florijen dhe me fëmijët Qëndrimin, Flakrimin dhe Leonisin, ku menjëherë hyn në struktura organizative në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil. Me urdhrin e Sali Çekajt, Rrusrtem Bruqi emërohet anëtar i Komisionit Qendror të trepërqindëshit për Gjermaninë.
Nacionalisti Rrustem Bruqi, si shok i pandarë i Sali Çekajt, qysh në ditën e parë të fillimit të aktivitetit u angazhua për sigurimin dhe transportimin e armatimit në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Kosovë. Grupi i udhëhequr nga Sali Çekaj, Zenun Idrizaj, Zymer Lulaj, Ismet Çekaj e Izet Mehmetaj, përveç aksioneve të sjelljes së armatimit në komunën e Deçanit, kreu edhe shumë aksione me rëndësi të madhe... Pra fillimi i luftës së armatosur në Kosovë Rrustem Bruçin e gjeti të përgatitur dhe të mobilizuar, i cili së bashku me shokun e dhe të penës Sali Çekajn, deri në momentin e fundit të jetës dha kontribut të madh në krijimin e celulave dhe të brigadave njëqind e tridhjetë e një dhe njëqind e tridhjetë e katër, të cilat thyen kufirin shqiptaro-shqiptar në Kosharen legjendare dhe u bashkuan për të krijuar Brigadën 138 “Agim Ramadani”. Pas konsultimeve me Sali Çekajn, Rrusem Bruqi me një grup luftëtarësh hyri në Kosovë dhe në fshatin Isniq u bashkua me forcat e UÇK-së të kësaj ane.
Rrustem Bruçi dhe Sali Çekaj me të arritur në fshatin Isniq, nën komandën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, me tërë qenien e tyre u angazhuan për organizimin dhe përgatitjen sa më të mirë për luftë kundër forcave të pushtuesit shekullor.
Ata pas disa ditësh sistemohen dhe vendosen në fshatrat Prapaçan, Baran dhe Bardhaniq ku komandant ishte kolonel Tahir Zemaj. Rrustem Bruqi me aktivitetin e tij bëri që brenda një kohe të shkurtër të fitojë simpati të madhe dhe të bëhet idhull i bashkëluftëtarëve.
Ai në Betejën legjendare të Loxhës nga ana e kolonel Tahir Zemaj ishte caktuar në Njësinë e vëzhgimit, që rregullisht në vijën e parë të frontit, si komandant, kontaktonte me luftëtarët e vet nëpërmjet tabelave me shenja të koduara.
Në ato momente Cufë Kurtulaj e bëri një shpërthim energjik dhe të guximshëm për t’iu afruar shtëpisë-bunker. Në atë moment komandanti Rrustem Bruqi, nga kolonel Tahir Zemaj u paralajmërua që të ketë kujdes nga ana e djathtë nga vite breshëri e madhe plumbash dhe granatash. Në vëzhgim e sipër të lëvizjes së armikut e qëlluan forcat serbe.
Bashkëluftëtari i tij Rexhë Osaj me një trimëri dhe guxim të rrallë hyri brenda këndit të zjarrit të forcave serbe dhe e tërhoq trupin e komandantit Rrustem Bruqi, i cili pa vonuar shumë nga plagët e marra ndërroi jetë dhe me ndihmën e bashkëluftëtarëve u transportua dhe u varros në fshatin e lindjes- Isniq në praninë e qindra mijë qytetarëve të Isniqit dhe të rrethinës.
Pra lufta legjendare në fshatin Loxhë të Pejës ishte një sintezë e dijes, e kompetencës ushtarake, e atdhetarisë, e heroizmit të madh të luftëtarëve dhe të eprorëve ushtarakë të brigadave Njëqind e tridhjetë e një, Njëqind e tridhjetë e tre dhe Njëqind e tridhjetë e katër. Pra, në Betejën e Loxhës ranë dëshmorë: Rrustem Bruçi, Lumni Surdulli e Enver Alaj dhe u plagos eprori Faruk Xhemajli. Kjo Betejë do të jetë shembull për brezat e ardhshëm se si duhet sakrifikuar jetën kur atdheu thërret në ndihmë.
Nëna Ajshe, e moshës tetëdhjetenjëvjeçare, e pikëlluar, por është krenare për djalin që i ra në altarin e lirisë. “Vdekja e birit tim të dashur, Rrustemit, për liri –na rrëfeu nëna Ajshe, -nuk është vdekje, por është përjetësim. Andaj, këtë trim, komandant, hero si të tillë unë bashkë me birin tim, dr. Sylën, e përkujtojmë me nderë dhe me respektin më të madh”.
Bashkëshortja e tij, Floria, me djemtë Qëndrimin njëzet, Flakrimin nëntëmbëdhjetë dhe Leonisin gjashtëmbëdhjetëvjeçar, përkujton ditët më të dhimbshme në jetën e tyre dhe nëpër dy mollëzat e faqeve i rrokullisen lotët e dhimbjes për bashkëshortin dhe shokun e jetës, të cilin më nuk e ka pranë - në ditët më të mira të jetës. E la në momentin kur fëmijëve më së shumti u nevojitet babai dhe ndihma e prindit...
Në momentin kur nga Gjermania Rrustemi u nis për të ardhur në Kosovë ma la këtë porosi që kurrë nuk me hiqet nga mendja e shpirti: “Amanet fëmijët!” Rrustemit qysh atëherë ia kishte ndier zemra së në Kosovën legjendare do të flijohej për liri dhe nuk do të dorëzohej i gjallë deri në momentin e fundit të jetës, dhe ashtu doli ...
“Për jetën dhe veprën e tij nuk flas unë, -na rrëfeu bashkëshortja e Rrustemit, Floria, -për të flet ideali dhe morali i tij i lartë ushtarak, flasin kolegët, bashkëluftëtarët, flasin qytetarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës”. Emri i Rrustem Bruçit është shënuar në Lapidarin e fshatit dhe në historinë e Kosovës. Për të flasin rrezet e lirisë, të cilat po na ndriçojnë të gjithëve, në gjirin e të cilëve po lindin dhe po rritën trashëgimtarët e dëshmorëve me gjakun e të cilëve do të shkruhet historia, e ai që shkel mbi historinë dhe mbi gjakun e tyre, le të mendohet mirë ...(Hasan Hasaramaj)