Xhudistja pejane sot ka fituar medaljen e artë, në kategorinë 52 kilogramë, në Kampionatin botëror të xhudos, i cili po mbahet në kryeqytetin brazilian Rio de Janeiro. Kelmendi në finale të kësaj gare ka mposhtur xhudisten nga Brazili, Erika Miranda.
Për të arritur deri në finale, Majlinda ka zhvilluar katër lufta. Fillimisht ajo me short u pozicionua në vazon A në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Kelmendi në raundin e parë u kualifikua pa luftë, derisa në raundin e dytë mposhti xhudisten nga Portugalia, Joana Ramos.
Pejania edhe në luftën e dytë ishte e suksesshme pasi mundi francezen Priscilla Gneto. Ajo me sukses kaloi edhe sfidën e tretë duke mundur gjermanen Mareen Kraeh, ku doli edhe fituese e vazos A.
Në gjysmëfinale të kësaj gare, xhudistja nga Peja u përball me japonezen Yuki Hashimoto, të cilën arriti që me sukses ta mposhtë.
Pas kësaj fitoreje, Majlinda i hapi vetës rrugë për të garuar në finale me brazilianen Erika Miranda, të cilën e mundi për t’u stolisur me medaljen e artënë Kampionatin botëror të xhudos, i cili po mbahet në kryeqytetin brazilian Rio de Janeiro, në kategorinë 52 kilogramë.
Ndërsa, nesër në kategorinë deri në 57 kilogram do të garoj edhe xhudisja tjetër nga Kosova, Nora Gjakova. Edhe kjo e fundit llogaritet si favorite për të fituar medalje në këtë kategori./