Lulzim Basha, Kryebashkiak i Tiranës: Çdo votë u numërua, unë do vazhdoj të dëgjoj zërin e qytetarëve
“Së pari, dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës,
që pritën me durim dhe qetësi funksionimin e procesit tonë zgjedhor dhe
gjithë ata që ndihmuan që ai të ishte i drejtë”.
Kështu u shpreh kandidati demokrat Lulzim Basha gjatë një dalje para
mediave, menjëherë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që e
shpalli atë si Kryebashkiakun e kryeqytetit.
Basha tha se ndihet i prekur me faktin që shumica e qytetarëve votoi duke e zgjedhur atë si kryebashkiak.
“Çdo votë u numërua.
Unë e kam thënë që në fillim, se cilido të ishte verdikti i votës së qytetarëve, do ta pranoja atë.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar respektimin e institucioneve, por Rama
donte të ndiqte një rrugë të vjetër, alibie politike ku interesat e
qytetarëve radhiteshin të fundit.
Por ju e dini se sa më shumë luftë politike të provokohet, aq më pak do të mendohet për ju.
Dhe ju e treguat me votë se doni më pak smog e më shumë oksigjen; më
shumë gjelbërim dhe se doni një rrugë më të mirë për Tiranën.

Së shpejti, procesi zgjedhor do të mbarojë dhe angazhimi im do të
jetë nisja e punës, pasi ju jeni të parët dhe Tirana është e para.
Ju më votuat për të ndërtuar një Tiranë moderne dhe evropiane, ashtu
siç ju realisht e meritoni”, iu drejtua Basha publikisht qytetarëve të
Tiranës.
Duke iu premtuar atyre më pas se “zëri i çdo qytetari do të dëgjohet dhe ai do të vazhdojë ta dëgjojë këtë zë”.
“Sot jam i prekur dhe i mrekulluar nga mbështetja juaj, por edhe më
optimist se kurrë për të ardhmen e qytetit tonë”, përfundoi fjalën e tij
Basha.
KQZ: Lulzim Basha, Kryebashkiak i Tiranës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur zyrtarisht vendimin për
fituesin e Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit, kandidati i koalicionit
“Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, rezulton të jetë fituesi i
zgjedhjeve të 8 Majit për kryeqytetin.
Kjo pasi anëtarët dhe ekspertët e institucionit qendror për zgjedhjet
në vend, morën në shqyrtim projekt-aktin, që përfshin në vetvete gjithë
mbledhjen e votave të rinumëruara pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në
datë 13 qershor dhe shtimin e tyre në tabelën e rezultatit të
përgjithshëm për kryetar bashkie.
Kështu, tabela përmbledhëse rezultoi se kandidati Lulzim Basha parapriu me 95 vota rivalin e tij, Edi Rama.
Mbledhja e KQZ-së u shoqërua me debate dhe kundërshti të
projekt-aktit nga ana e përfaqësuesve të opozitës, por në fund, ai ka
mundur të gjejë miratim, duke përmbyllur odisenë e procesit të numërimit
të votave të kontestuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për
Bashkinë e Tiranës.
KQZ miraton në parim projekt- aktin për Bashkinë e Tiranës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në parim projekt-aktin për
Tiranën, ndërkohë që ka marrë 15 minuta pushim para shpalljes së
vendimin zyrtar për rezultatin e bashkisë së kryeqytetit.
Kanë qenë 4 vota pro, të cilat kanë mundësuar kalimin e këtij projekti.
Anëtarët e KQZ-së dhe ekspertët e institucionit qendror për zgjedhjet
në vend, dhanë vlerësimet e tyre mbi projekt-aktin, që përfshin në
vetvete gjithë mbledhjen e votave të rinumëruara pas vendimit të
Kolegjit Zgjedhor, në datë 13 qershor dhe shtimin e tyre në tabelën e
rezultatit të përgjithshëm për kryetar bashkie.
Ndërsa vetëm dy ditë më parë u mbyll procesi i numërimit të votave
për Tiranën, ku në avantazh ka dalë kandidati i “Aleanca për Qytetarin”,
Lulzim Basha, kundrejt kandidatit të “Aleanca për të Ardhmen”, Edi
Rama...
...
Nis mbledhja e KQZ-së, pritet shpallja e fituesit të Bashkisë së Tiranës
Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur mbledhjen e parashikuar për
shqyrtimin e projekt-aktin për hartimin e tabelës përmbledhëse për
rezultatin e bashkisë së Tiranës të ndryshuar me numërimin e votave të
hedhura gabim në 1793 kuti votimi të 11 njësive bashkiake në Tiranë.
Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ përgjatë 5 ditëve
hapi 1793 kuti, që i përkisnin 368 qendrave të votimit në 11 KZAZ-të e
kryeqytetit.
Pas verifikimit të votave të kontestuara rezultoi që kandidati i
‘Aleanca për Qytarin’ Lulzim Basha, kryeson me 95 vota para rivalit të
tij kandidatit të ‘Aleanca për të Ardhmen’ Edi Rama.
Ndërkohë Partia Socialiste ka deklarua se do të kërkojë pavlefshmëri
të plotë të asaj që socialistët qujanë ‘masakër elektorale’.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri, me vendimin e
miratuar dje shpall fitues, për Bashkinë e Tiranës, kandidatin e
mazhorancës, Lulzim Basha. Qytetarët zgjodhën Bashën për kryetar të
bashkisë së kryeqytetit. Por, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009,
Partia Socialiste nuk bëri asnjë analizë mbi arsyet e humbjes. Sërish
duket se socialistët nuk do të reflektojnë mbi arsyet e humbjes së tyre
në Tiranë. Tashmë duket se mospranimi i rezultatit në kryeqytet do të
lërë në plan të dytë marrjen e përgjegjësisë në selinë rozë.
Profili i Lulzim Bashës
Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 në Tiranë. Përmbledhtas në
Enciklopedinë në internet Wikipedia, Lulzim Basha prezantohet si jurist
dhe politikan shqiptar, ministër i suksesshëm i këtij vendi për shkak të
ndërtimit të rrugës së kombit Durrës-Kukës, dhe aktivitetit të tij në
diplomacinë shqiptare me produkte konkrete: Shqipëria anëtare e NATO-s,
shqiptarët udhëtim pa viza në Bashkimin Evropian (BE).
Basha kreu studimet në Universitetin e Utrehtit në Holandë, duke u
specializuar në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare. Karriera e tij
profesionale nisi në maj të 1998-ës, ndërsa deri në 1999-ën ishte pjesë e
skuadrës së hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosove:
Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Në vitet
2000- 2001 u emërua Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë të
UNMIK. Deri në 2002, Basha ishte Zv. Shef i Kabinetit të Drejtorit të
Departamentit të Drejtësisë UNMIK.
Dhe nga nëntori i këtij viti deri në 2005-ën ai ishte Këshilltar
Special për Tranzicionin, përgjegjës për përgatitjen e ministrisë së
ardhshme të Drejtësisë në Kosovë. Karriera politike e Lulzim Bashës në
Shqipëri nis në vitin 2005. Ai iu bashkua Partisë Demokratike të
udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha në janar të 2005-ës, dhe brenda
pranverës së këtij viti u përfshi në strukturat drejtuese të Partisë
Demokratike me zgjedhjen anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë.
Afrimi i Bashës me selinë blu u bë në kuadër të krijimit të Komitetit
të Orientimit të Politikave, një ekip ekspertesh i thirrur nga
demokratët 8 vjet në opozitë, ekip që përcaktoi fitoren e PD-së më 3
korrik 2005, nën sloganet “Koha për ndryshim” dhe “Me duar të pastra” .
Lulzim Basha u bë koordinatori i KOP-it, komisionet e të cilit
shpallën 17 projekt- platforma qeverisëse për Partinë Demokratike. Basha
ishte dhe zëdhënës i fushatës elektorale, për t’u përfshirë pas
zgjedhjeve të 3 korrikut në radhët e 140 deputetëve në Kuvendin
shqiptar, në legjislaturën e tij të XVII-të. Në shtator të atij viti
Lulzim Basha mori besimin e kryeministrit të ri të vendit, Sali Berisha
për drejtimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe
Telekomunikacionit. Ai konkretizoi në mënyrë optimale, pavarësisht
akuzave, premtimin kryesor të demokratëve për infrastrukturën e vendit,
atë që sot quhet rruga e Kombit, kryevepra e infrastrukturore e vendit
me tunelin e Kalimashit rreth 6 kilometra të gjatë.
Në maj të 2007-ës, Basha mori postin e ministrit te Jashtëm. Vetëm
pas pak ditësh ai u takua me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Kondoleza
Rajs, një takim që i pararendi vizitës historike të presidentit amerikan
Xhorxh Bush në Tiranë, i cili dha dy mesazhet e rëndësishme për
shqiptarët, pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në krye të ministrisë së Jashtme Basha qëndroi deri në 2009-ën, kur dhe
u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që mbajtën PD-në në
pushtet dhe Bashën deputet të Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur kësaj
herë në qarkun e Elbasanit.
Në shtator të 2009-ës, Lulzim Basha, në kabinetin Berisha 2 mori
drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa vijoi punën e nisur si shef
diplomacie për përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin
e vizave, ngushtësisht i lidhur me Ministrinë e Brendshme, pune e
mbyllur suksesshëm, teksa më 15 dhjetor të 2010-ës qytetarët e preken
vete realitetin, duke lëvizur me një pasaportë biometrike në vendet e
hapësirës Shengen, larg radhëve të ambasadave.
Por përgjatë gjithë vitit, të gjithë kishin filluar të shinin tek
Lulzim Basha, rivalin e vetëm të Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës në
zgjedhjet lokale që presidenti Topi i dekretoi më 8 maj të 2011. Ndonëse
zyrtarizimi vonoi deri në afatet që ligji përcakton, disa herë
kryeministri Berisha, e konfirmoi atë përmes batutave, madje fakt i
kryer ishte bërë dhe për ambasadorët në Tirane, teksa Bashën e
komentonin pa druajtje si garues për Tiranën.
Pritshmëria e të gjithëve u zyrtarizua pas dorëheqjes nga posti i
ministrit të Brendshëm dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke u
përqendruar në një fushatë qytetare, me një bosht kryesor, se për të dhe
koalicionin qeverisës qytetarët janë të parët, e në rastin e Bashës,
Tirana është e para.