2011-06-26

POEZI NGA VULLNET MATO



 
Vullnet Mato
 
BARKU I GRUAS
 
Gruaja me barkun deri në buzë
po shkonte drejt muajit të tetë.
Pyetjet e djalit të gjata tërkuzë,
bënin të mohonte çdo të vërtetë.
 
-Pse vëllai i vockël aty brënda,
të gjuan me shkelma ty te barku?
-Stërvitet futbollist, të keqen nëna,
të lozni me top të dy së bashku.
 
-Pse s’e ushqen të rritet shpejtë,
ta marr te sheshi vetë përdore?
-Më ka këshilluar doktori rreptë,
mos dali nga stërvitja para kohe.
 
-Çar ha më shumë atje në bark,
bebushi i vogël që e kam xhan?
-Përtyp bananet që lë ti në darkë,
të tëra ushqimet pa naze i përlan.
 
-Po salçiçet i ha dhe ai pa bukë,
t’i jap unë vetë me dorën time?
-Jo, ai nuk do ta ushqejë askush,
se ha kurdoherë nga goja ime.
 
-Do ma tregosh mua si do lindet,
ta shoh ku do hapi derën në bark?
-E nxjerr doktori nga sqetulla ime,
po në spital fëmijët s’lejohen aspak.    
 
Të gjitha moshat i nxit kureshtja,
për derën e fshehtë nga kanë dalë.
Por asaj po i ndryshken menteshat,
nga daljet shpesh me dritare të çarë...



 

 
GJYSHJA PËR BIJËN E SHEJTANIT
 
Gjyshja pa dhëmbë në gojën e madhe,
qeshte dhe me ledha më quante keç.
Nëna e nënës, jetëgjata me tumane
qeshi plot nëntëdhjetë e tetë vjeç.
 
Si ajo plakë gazmore dhe kapedane,
në jetën time nuk më deshi askush.
Më lëmonte kokën e nxirrte bajame,
nga xhepat e tumaneve të fryrë kaush.
 
Bir i gjyshes të bëhesh djalë i mirë,
mos puthësh kurrë “Bijën e shejtanit”,
si ai dajua i madh që na vjen i pirë,
me atë të flamosur nga degët e manit.
 
Dajua sarhosh s’më pëlqente as mua,
ndonëse më jepte të thyeja bajame.
Se kur vinte me këmbët i penguar,
kundërmonte të puthura era shejtane.
 
Kur arrita vetë moshën e pjekurisë,
u bërë kureshtar si ishte ajo dreqe.
Putha buzët e saj te gota e rakisë,
bija e shejtanit s’mu duk aq e keqe...
 
Dhe në dasmën e motrës, çakërrqejf,
i thashë gjyshes para shishes me verë:
Putha bijën e shejtanit sa u bëra dreq!
Ajo qeshi atë ditë më fort se çdo herë...

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...