2011-06-30

Ilirian Zhupa: "Pema e ëndrrës", botoi "Rilindja " , Prishtinë , 1990.


SPROVË  EKSPERIMENTUESE

(Ilirian Zhupa: "Pema e ëndrrës",  botoi "Rilindja " , Prishtinë , 1990.)

Nga Dr. Yrjet Berisha

Poeti  Ilirian Zhupa, është krijues me individualitet të veçantë. Ky autor ka botuar tri libra me poezi, në Tiranë. Një libër, në formën e zgjedhur iu botua edhe në Prishtinë titulluar: " Pema e ëndrrës" .
Sapo të lexohen poezitë e këtij libri, lexuesi e interpretuesi i vemendshëm do të vërejë se teksti poetik i poetit Ilirian Zhupa ka shumë elemente të veçantë që e bëjnë të dallohet prej brezit të tij krijues. Por nëse thellohemi në këtë poezi, atëherë rrënjët e saja do t'i gjejmë të ngulitura në traditën tonë letrare, trasuar nga L. Poradeci, etj.  Pastaj brenda kësaj poezie hetohet timbri burimor i vargut popullor të jugut. Elementi i tretë dhe padyshim është ai i përvojës së poezisë bashkëkohore botërore.
Thënë qartë: këta tre faktorë, ose siç i quajtëm ne; elemente, ndikojnë dukshëm në diskursin e tij poetik. Shkrimi i tillë i poezisë ka ndikur që autori t'i shmanget rrymës socrealiste dominuese në letërsinë shqipe. Autori poezinë e tij e krijon duke vepruar nga një takt i ftohtë, që rëndomë vjen nga pena e krijuesit me përvojë të gjatë letrare, dhe me një përpjekje të vazhdueshme për të gdhendur artin poetik. Në këto raste ai bën përpjekje analitike, eksperimentuese, në vargje dhe strofat tij.
Veçori tjetër e poezisë së këtij poeti është zgjedhja e shtegut të veçantë me këmbëngultësi radikale që shpien kah lahtimi i tërthortë e sa më i skajshëm i vargjeve e poezive të tëra me lloje të ndryshme të lirikës e të tematikës së tyre. Metoda e të krijuarit e tillë bind lexuesin, se poeti I. Zhupa, është hulumtues i fjalës së ngjeshur me pedigre estetike e artistike ku shquhen dukshëm thuajse të gjitha mjetet artistike të një teksti poetik që e karakterizon poezinë.
Redaksia e poezisë në Redaksinë e  botimeve "Rilindja" ka traditë, që librat poetike t'i ndajë në cikle gjë që Tirana këtë formë nuk e zbaton. Kështu edhe ky libër ndahet në cikle dhe një poemë. Secili cikël i këtij vëllimi poetik ka motive të ndryshme. 
Kështu, në lirikën sociale,  poeti e trajton fatin e njeriut të vogël, që emocinalisht është i lidhur me tokën e  vet. Hapësirë të gjerë zënë edhe vjershat autobiografike, frymëzuar nga evokimi i   kaluarës, shqetësimet e rastit, zbulimi fshetësive të të afërmëve, hallet e përditshme familjare. Brendapërbrenda këtyre vargjeve vërehet luhatshmëria, doza e pasigurisë, trazirat e rënda shkaktuar nga plasaritjet e mëdha shoqërore, ekonomike, politike etj. Shqetësimet e tilla zhvillohen me transpozicionin e botës relae dhe atë të artit, që në këto korniza edhe krijohet poezia e këtij motivi.
Poezia e këtij autori, merr nuancë shkëlqyese kur laton lirikën peizazhiste, që në këtë libër ndërthuret me  gjuhë të zhdërvjelltë, të shprehurit shlirshëm, dhe bukuri të natyrës. Gjeografia poetike e I. Zhupës është e pasur me florën natyrore të pashkëputur nga momente dehëse. Kështu konstelacioni i këtyre vargjeve pulson botën e brishtë, të freskët nga vrushkujt e ujit të ujëvarës, lulëzimi i brigjeve, fluturimi i shpendëve... Brenda kësaj lirike poeti bën sprova eksperimentuese të vargënimit, që e thur me perla  fjalësh.
Vlimi i toneve të poezisë së këtij poeti bën përpjekje të shkojë drejt kreacioneve të alkimisë poetike, inercioni i të cilës cytet si pasojë e shqiptimit të arsyeshëm që s'mbetet në kufijtë e kërkimeve të përhershme, që shpien nga të shprehurit meditues. Për të argumetuar këtë gjykim timin, e shoh të udhës të përmendim poezinë titulluar: Dita ime, në të cilën poeti paraqet shumë veprime konvencionale e jokonvencionale. Pa harruar dinamikën e njeriut bashkëkohor të ngujuar në disa metra katror në një arkitekturë tipike urbane, për të mos thënë banale e të izoluar.
Poeti I. Zhupa, me artin e tij, mëton t'i shprehë segmentet e shumëdimensionale të jetës. Për dallim nga shumë krijues të tjerë, ky autor në këtë poezi sjell përvojën dhe frymën e vargut të ftohtë intelektual, reflektuar në mënyrë të matur që shpalohen sipas një rezonimi të prerë, të kuptueshëm, etj., që nxitet me buntin e shfaqur si pasojë e pakënaqësisë. Problematika e tillë paraqitet nga shtresa e vargut të lirë ( herë-herë edhe të rregullt)  e të ngjeshur me mjete të bollshme artistike. Arti poetik i tij di të jetë i lexueshëm e i kumbushëm, paksa i tërhequr nga një dozë që ka një distancë të largët të vetmisë, ftohtësisë oficiale.
Lirika e dashurisë ka disa vargje pëshpëritësë, që disi i ngjajnë  natyrës së jetës së zogjëve, shqetësimeve të jetës që janë të çiltëra, që dalin nga pafajsia rinore dhe kështu shtrihen dhe marrin dimensione të gjera, në përshkrimin e kënaqësisë rinore. Çastet e dashurisë, janë objekt i ndjenjave intime, zhveshur nga komplekset, ankthet etj.
  këtë libër  ka edhe vargje kryeneçe, që nuk janë inferiorë në asnjë çast, por shtrohet problematika e hapur, vërshojnë paradokset, absurdet e shtresave të ndryshme shoqërore; kulturokratëve, burokratëve, pseudointelektualëve, servilëve, intrigantëve etj...
Elementi dominues i poezive të  këtij autori, është  zëri i poezisë urbane, që në libër shquhet si mjaft i organizuar, meqë hyjnë në përdorim mjetet e njohura artistike të të shprehurit poetik. Dhe pas zbatimit të këtyre mjeteve, fushëveprimi i të cilave zhvillon diskursin artistik, që ka refleksione të fuqishme në tërë tekstin poetik të sforcuar me të shprehurit meditues.
Në të mbyllur të këtij teksti, mbi poezinë  e këtij autori të botuar në librin  "Pema...", duhet thënë se vargjet dalin të brumosura me  imagjinatë të dukshme krjiuese. Subjekti lirik i këtyre vjershave futet nëpër kënde të njohura e të panjohura. Poezia e tij mëton të jetë autentike duke huazuar shtresat e një poezie intelektuale, e cila premton në të ardhmen.