2011-06-26

Në vend të një mesazhi poetik...për zërin e Çamerisë!!!!


Tiranë, 25 qershor 2011


Qershori i Çamërisë vjen me shume eho. Me shumë dhimbje. Me shumë pengje njerëzorë. Me shumë plagë që janë ende të pashëruara. Në trup e në shpirt.

Në valle e në këngë. Duket se plagët e gjyshërve që vdiqën me amanetet e thëna e të pathëna, i kemi në supe si ikanakët e një rruge, por që shpejt a vonë do të ketë një ndalim të shumëpritur.

Një spirancë ku të vihet e drejta jonë e madhe. Të gjithë e prekim si diellin që na hedh në supe rrezet mëngjesore. Si qiellin që matet me shpirtërat tanë. ...

Qershori vjen me një eho fëmijesh që i rrit më shpejt jo vetëm ëndrrën, por edhe dashurinë për një prag që të parët e tyre e kanë lënë dhe kërkojnë që t’ua heqin fijen e barit.

Për një oxhak që pret të mbushet me frymë njerëzore. Për një furrë që kërkon të ketë zjarr për të pjekur kuleçët e Festës së Kthimit. Për një varr që është shkrirë me palcën e dheut....Le ta marrë POEZIA misionin e Kujtesës dhe të Mallit për të.

NGA  NAMIK SELMANI 


 


1.Fari i fjalës çame
 
 
                                                                                   
Çamëri, më mori malli 

Për ti më digjet kufari
Ditë e shkretë më bëhet sterrë
Dua të vdes ku kam lerë 
Ku kam nënën e babanë 
Atje dua dhe u varrë.
 
                                                                                               
Këngë popullore
 
 
O, ky det me drita, thellë gjoksit fshehur 
Ç’thotë Çamëria në kufi të ëndrrës?
 
O vend i bekuar, mbushur me musht vere ,
Sythi i sythuar, në degë pranvere.
 
Deti qënka grurë , mbjellë në tokë të blertë,
Hapna portën , Nënë, hidh në furrë kuleçë!
 
Na bëj kapitenë, ku na prek magjia
Ndrij Farin e Fjalës dehur nga liria!
 
Ndrij Farin e Jetës, të ndriçojë çdo breg,
Ç’të të them më parë kur me shpirt e prek?
 
Ç’po them vallë me vete, goja mos m’u thaftë!
Po them amanete , farë për ugar.
 
O ky far i fjalës ,rrugën time ndrin,
Dilni në dritare, puthni kaltërsinë!
 
                        2. Gjyshi nga Koska 
 
Kur të bëhet djali Abaz gjysh i thinjur në Koskë*
Ia nxirrni nga palcë e Saraqinit* tre burime të reja 
Do të lodhet më shpejt nga hapi, kënga e ugari plisngrohtë,
Në gjunjë kur të bjerë, nga currilat e kaltër t’i shuhet etja. 
 
 
Kur të bëhet djali Abaz gjysh i Koskës së largët
Bëjani një djep të ri me lisat më të mirë të malit,
Nipave t’iu këndojë me zërin kalëruar si kuajt e dasmës 
Tamam si lulet që shpërthejnë nga dielli i majit.
 
 
Kur të bëhet gjysh ky djalë mustaqepadirsur
Bëjani për të një këngë të mbrame si shtrat kujtese!
Me një ulli kokërrmbushur hijëzojani zhegun e piskut
Tek t’i zbresin ndër buzë përrenjtë me musht djerse.
 
 
E kur gjysh Abazi të mos jetë më gjysh i gjyshëruar……
Numëroni për të tespihet nga nata në agim!
E shihni, se do ta takoni sërish të bukur, të malluar,
Herë si vogëlush, herë si lis i ri në blerim.
 
 
*Koska- fshat i madh çam, vendlindja e kapedanit Muharrem Rushiti, që ndodhet 
vetëm disa kilometra larg kufirit shqiptar , në tokën greke.
 
*Saraqini-mal i madh në zonën e Konispolit që është edhe në afërsi të fshatit 
Koskë. 

 
 
3. Do të bëhem lëng i blertë
 
                                                
Motiv çam
 
 
Në një degë të trëndafilit 
Do të bënem lëng i blertë
Të spërkas detin  e sirit 
T’i largoj tutje rrufetë.
Në petalet kuq si gjaku 
Do të bënem lumë e krua 
Në s’të mbjell, moj, dot te pragu,
 Tërë natën do rri zgjuar .
 
 
Nëpër buzët qershikuqe,
Do të bëhem bahçevan.
Të mbaj këngët përmbi supe 
Si një pjergull krahët zgjat.
Nënë  gjoksin  tënd zjarrmuar ,
Do thërras të vijë pranvera.
Në ke ftohtë, të ngrohësh duart,
Në ke nxehtë, të puthë era.
 
 
Me purtekë të sirit shkruar 
Pa mëshirë më ke rrahur 
Hij e dal i ëmbëltuar,
Në një det që nglan si laku.
Shkoj në udhët bukurore 
Si kalorës që s’njeh prehje.
Përmes ditëve klumushtore
Moj, t’u bëfsha Diell jete!
 
 
Me sëpatë prite degën 
Premë e futmë thellë në si!
Nikoqire të pashë vetëm 
Pse mos bëhemi sonte di ?
O moj, lule trëndafili,
E bashkuar glëmb e gjethe
A t’i them të flasë ulliri
Të kërrejë sevdanë prej zemre?
 
 
 
4. Dhimbje çame 
 
 
Udhë e nisur, pa bitisur,
Sy i hapur, arratisur,
Hell i gjatë , i përvëluar 
Kaltërsinë ma ka verbuar.
 
Gluhë e bukur, zëburimi.
Dhëndërr bëmë, të marr urimin.
Ta heq vallen me mandile
Në odanë me ibërshime.
 
Moj bajamja e stolisur,
 bardhësi magjiujdisur,
Çelu, moj, për sytë e lodhur.
Mos rrudhos faqet e motrës !
 
Tutje, tutje mjegull-o!
Mos ma fshih ti majën-o!
Mos më merr kordele lumi!
Mos më mbaj në flatra gjumi!
 
 
Oo, ç’u bëra qyq i Natës 
Si një zog në Urë të Artës.
Karvanar që kërkon rrugë,
Si qiri që s’ ndizet kurrë .
 
Mbeta, mbeta kurrizvrarë,
Po mbaj djepe, po mbaj farë.
Zgjoj ninulla thellë gërmadhës 
Se po ftohet palcë e vlagës .
 
Mbeta, mbeta sy e veshë ,
Nga një mal e nga një breg.
Gjunjëulur po pres Ditën,
Buzë agimit të puth DRITËN.
 
 
 
 
5. Zëri i Çamërisë
 
 
 
Zë i saj është sokëllimë,
Tramundanë e drithërimë,
Borzilok që sjell aromën
Majë që kurrë s’e heq dëborën.
 
 
*
Zë i saj është prag beteje ,
shpirti yt në të gjen dehje ,
Zë i saj është portë malli
fjalëgdhendur piedestali
 
 
Zë i saj është puthje deti
Të sjell pranë duhmë tërmeti
Të jep forcë kur ecën rrugës
Ta bën mjaltë copën e bukës .
 
*
Zë i saj është ninananë
Lum kush mund ta ketë pranë.
Zë i saj është Çelës përralle
Ku lavdia prek thesare.
 
*
Zë i saj është dashuria
Që nuk thinjet nga stuhia
Sy i ngrohtë që mund verbimin
Sup që kurrë s’e ndjen rëndimin .
 
*
Zë i saj është urim nëne
Fjalë e mençur ,fjalë zëmre
Amanet që s’e djeg zjarri
Pranë një pragu,bri një varri .
 
 
*
Zë i saj është dritë mëngjesi
mençuri që përcjell brezi.
Gjoks që mban një valle burri
Det që skuqet nga flamuri.
 
 
 
   Zë i saj është Dita tjetër
Fjalë ku drita i merr rrezet
Zjarr që djeg me mijëra shkresa
Ku gjallon Harresa ,Heshtja .
 
 
*
Është vullkan që mban thellë llavën
Për ta nxjerrë si deti dallgën .
Breg i artë që pret spirancën,
Dritë agimi që zbardh Natën.
 
 
*
Zë i saj është dritë magjie
Larë me ar fisnikërie
Si kurorë që nuk than lulet
Si një hark që diellit sulet .
 
 
 
 

6.Festë poetike në Dodonë
 
Ia bëtë ftesat 
Filozofëve ilirë ushqyer me kulloshtrën e fjalëve
Ushqyer me damarët e burimeve thesprote?
Ia bëtë ftesat zogjve, pelikanëve
Tek hepohen në lisharset e Ikjes?
O, sa të dehur janë nga Dëshira e pamatë e Kthimit,
Të gdhendur bukurisht si hyjnesha të gjalla,anonime ilire.!
 
 
Mos keni harruar diku
djemtë e nënat që u kacavirrën trarëve të djegur?
Mbase s’kanë lexuar kurrë poezi,
Po testamentet poetikë të botës veniten para ndarjes se dhimbjes.
Dodona zgjoka në këtë Festë tragjeditë antike
E , në një garë i futka poetët 
Për të shkruar elegji për Vdekjen e himne për Lindjen.
 
Me kalin e kësaj ere detare
Ia bëni një zë Vajzës së Valëve diku në shkëmbin që rënkon!
Një thinjë më pak do të ketë në këtë breg të Ringjalljes 
Tek të dëgjojë poetët zëbajrakë
Krushq të kahershëm të Diellit e Jehonës 
Kapërthyer në currilat e pambaruar të fjalës.
 
Mos keni harruar 
Poetët anonimë pellazgë të mbledhur te Ura e Artës*?
Akoma s’keni ndarë 
Kurorat me gjethe ulliri kokërrmbushur!!??
Kush tha 
se  s’janë më të florinjta se emblemat e Kohës buzëplasur?
Kush gjykon për drejtësi
Jurinë nobeliste në shkallën e Dodonës ulur?
 
 
I thoni Bukuroshes Dora D’Istria
T’i krehë sërish flokët në një pasqyrë ujëvarash!
Kopetë e reve qiellore 
Ta mbajnë si monument ku e ardhmja gdhendet .
Kur nisi Festa?
A,mos pyet se kur ngrihet dollia e fundit!
Të gjithë Peshkatarët e Shpirtrave të Botës këtu ulin velat.
Këtu stisin urat .
Këtu hapin portat e këngëve.
 
 
 
 
Mos harroni një ftesë 
Për De Radën 200- vjeçar, më i thinjur se të thinjurit!
Sirenat e Dodonës 
Në Odise e paskan kthyer Plakun e Makit mes ullinjve të largët.*
Le të marrë për dore si Kryegjysh Kalabrie gjithë fëmijët e lindur ,
 E trastën me vargjet e rinj për Çamërinë 
Të na e hedhë vëllazërisht në Sofrën e Festës së Fjalës.
 
 
Me Bajronin 
Ta pimë një kafe shqiptarçe, në shilte ulur këmbëkryq.
Fjalët e pathëna për Sulin
Në shkallë të Dodonës të na i thotë sërish i lumturuar .
Më tej, t’ia marrim një valleje trimash 
Me puthadorën e Tokës ku Jugu fryn e fryn
Gjunjët t’i shplodhim 
Nën hijen e Lisit* ku agimi na gjen syprushëruar.
 
Po mos harroni Stambollin ku këngën merr Bosfori
Më këmbë do të vijë Profesor Tahsini *
Në supe ngarkuar me shkronja.
Mbreti Pirro 
sot e ka lënë një çast në mill shpatën trimërore 
E nis të dëgjojë poetët e truallit  ku lavdia thur kurora.
 
 
 
Ia bëni dhe një ftesë Fatos Vlonjatit* ku Joni psherëtin!
Po si i rrihet pa mbledhur një këngë të re,
Po si i rrihet në shtrat pa dollinë e këngës çame?
Shihni Bilal Bukurinë *
Se si plagët ia than melhemi i poezisë
Shihni se si kapërcen oqeanet me baladën e re për dore.
Pa pyetur për thika tehgjakosura e tufane.
 
…………………………………………………
 
 
Eeeej, kaq shpejt mbaruan ftesat !!!!!!
 
 
 
*Dora D’Istria-rilindase e shquar me origjina nga Parga e Çamërisë, qytet i 
rëndësishëm i kësaj krahine
*Sipas studimeve të fundit për mitologjinë udhëtimi i Odesesë për në Itakë i 
rrëfyer poetikisht në veprën “Odiseja” të Homerit mendohet të ketë kaluar në 
Çamëri_(Shih veprën e Vaso Toles!)
*Tahsini-Profesori Hasan Tahsini lindur në Ninat të Konispolit e që më vonë u bë 
Rektori i parë i Univerisitetit të Stambollit
*Fatos Vlonjati- bëhet fjalë për mbledhësin e talentuar të folklorit çam në 
dhjetra vite Fatos Mero Rrapaj
*Bilal Bukuria –poeti disident çam Bilal Xhaferri ,i cili vdiq tragjikisht në 
SHBA
 
7. Hesht, se fjala s’vlen më!
 
Në radhët njerëzore drejt Diellit 
Ti qënke Greminë ku vdekja rrëzohet
Thyen këmbët,
Kërcet dhëmbët.
 
Po ti, Çamëri,qënke kështjellë 
Ku shkërmoqen gurët nga Prushi i Kujtesës.
 
Po ti qënke vetë heshtja kur fjala s’vlen më
Para foshnjës së shqyer në barkun e nënës 
Para Murtajës ,
Me pamjen makabre të Antijetës.
 
Po ti qënke përrallë
Ku Kuçedrat hanë ullinj të lashtë
Pijnë dete me dallgë ta larta,
Qiejve hedhin çarçafë me mjegulla
Brejnë kocka varresh me baltë,
E çative ua paskan shkrirë  trarë e tjegulla.
 
HESHT sërish, se fjala s’vlen më,
Kur me fuçitë e verës së vjetër 
Ngren dollinë e Natës vdekja.
 
 
 
8. E gjatë rruga për tek ti……
 
 
E gjatë rruga për tek ti, Çamëri.
E gjatë. Fort e gjatë.
Metër për të s’ka e syri nuk e mat.
Vetëm zëra ehosh malli 
Përpëliten në dërrasa kraharorësh të thatë,
Me to deshifroj saktësinë vënë ndershmërisht në kandar.
 
 
Të lodhka  rruga për tek ti, Çamëri.
Të lodhka. Fort të lodhka.
A ka mbetur nën gërmadha 
Një pikë vaj nga ullinjtë e lashtë, more miq ?
Trupin e foshnjës së posalindur 
Do ta ngjyej me të sapo të arrij.
Nga  Anija e Fjalës jehonë malesh do të sjell e iso pa mbarim
 
 
E bukur rruga për tek ti, Çamëri.
E bukur.Fort e bukur.
Do të marr me vete nga stiva
Një jorgan të ngrohtë për supet e zbuluar.
Do jetë djegur jorgani i gjyshes diku në varre strukur.
E duart e saj,
Si duar Rozafe s’mund të më përkundin në gjumin e trazuar.
 
 
E ëmbël rruga për tek ti , Çamëri.
E ëmbël si mjalti i parë i hojeve 
Të marrin për të vesh zjarret e….kongjinjtë kuqohen.
Të marrin vesh krojet e ….sërish të zgjohen.
Të marrin vesh lulet e …brigjet të lulohen
Të marrin vesh udhët e…. të zmadhohen.
Mjegullat të marrin vesh e…të largohen.
Minaret të dëgjojnë e…të lartësohen.
 
 
E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një poezi në buzët shkrumb të djalit -poet.
Sa një stinë në kapërcyell të Ndërrimit.
Sa një dallgë që lind e shuhet në det.
Sa një këngë në pragun e Zgjimit.
Sa një agim në pragun e zbardhimit,
Sa një baladë në prag të jetërsimit.
E gjatë rruga për tek ti, Çamëri !
 E tri herë 
Duhet ndërruar tagjia e kalit të shalës .
E pesë herë 
Duhen ndërruar patkonjtë e ngrënë  mes gurit e baltës.
E miq të rinj 
Duhen gjetur për shtigjet, miq besnikë
Për të ndërruar bukën në burimin e udhës së largët.
 
Në trastën e rrugës do ta marr me vete një patericë.
Kaçakët modernë me zëra celularësh 
Brinjët e njoma mund të m’i thyejnë si qelqe.
Po rruga DUHET BËRË
Se Çamëria pret diku në Volë, Prevezë a Gumenicë
Me ilaçin e limonave të stërgjyshit 
Më ka bërë melhemin e Rilindjes në jetë të jetëve.
 
E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një krisëm dielli
Që hap kanat më kanat portat e ëndrrave.
Sa një hap kënge 
 Që i bie si këmbanë sirenave të zemrave.
Sa një fjalë fëmije 
Me burrërinë e një gjyshi fjalëmençur.
Sa një heshtje pendartë
Në Ditën e Pjalmimit filiz të çelur.
 
E çka do të gdhend për ty në Monumentin e Nisjes
Ku fjala 
Përuron para kohe Mbërritjen e lumtur pa kthim?
A të vë ca lule të thara që sytë i vrasin pa i parë?
A të vë një kurorë dafine me nderim?
Çka? Çka?
Mërmërij e sokëllij….
Ndërsa prapë……… rrugëtoj 
Nga agimi në muzg e nga muzgu në agim.
 
9. Dallandyshet e Çamërisë
 
Dalandyshe bukuroshe që thua me mijëra fjalë
………………………………………………………
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndie?
 
Naim Frashëri
 
Dhjetra gjuhë sillte Bosfori
Nëpër brigje në pranverë.
Kishte ftohtë Kryepoeti
Kishte mall për lisa, fletë.
 
 
 
Kur gjëmonte mbarë Stambolli
Kur zhurmonte mali, deti.
Gluhë e bukur, mjaltë Joni
Dehje fort zemër Poeti.
 
 
I dhe Diell për netët sterrë
I dhe krahë për vargun, mallin
Sytë me dritë që rroknin qiej
Digjnin-o si xixa stërralli.
 
 
-Dallandyshe që vjen larg
nga Filati e Janina,
Folmë moj, folmë një fjalë 
Ta dëgjojë perëndia!
 
 
Pa trokitje nëpër porta 
Të dëgjojë palcë e burimit
Çamëria zgjoka kohëra 
Ndizka prushin thellë gjirit.
 
 
Nëpër udhën e pasosur
Eni vjen prej Çamërise?
Prekmë pak te ballë i lodhur
Se kam mall për shkronjën shqipe.
 
 
Se kam mall pë fustanellë 
Larë me drita farfurie
Folmë, moj, folmë me fjalët mjaltë,
Fjalë nga gluhë Perëndie
 
 
Dallandyshe pendëndriçuar
Që vjen larg nga Mal i Sulit
Thama plag’n e pashëruar
Thama lotin thellë syrit!
 
 
Bëj një çerdhe brenda gjoksit
Mbushe plot me cicërima
Sillmë fjalë nga shpate Joni
Ku ka folur Perëndia
 
.. Kur zhurmonte mbarë Stambolli
Kur gjëmonte mali, deti.
Gluhë e bukur, mjaltë Joni 
dehje zemrën e poetit…
  10. Lirikë çame
 
 
Do vë grykënxehtën mbi bistak në lule
të shoh faqekuqen kur mbi kroin ulet.
 
Kur e vë bucelën, të puthë sylynjarë
nga sevdaja ime vesa bëhet zjarr.
 
Nga sevda e saj skuqet  furra e prushtë
Dielli përtej malit për ne harron udhë..
 
Kur plisat e ngrohtë avullojnë si buajt
vetmitar me duar po i numëroj duajt.
 
Ndjej hapa dasmorësh tek më vijnë së largu
toka e gjërë lehonë ninullon te pragu.
 
Duan miell të zgjedhur për dasmën e parë
teksa xhixho Malo prek mjekrrën e  bardhë.
 
Në një fushë me yje hëna drapëron
sy i saj me xixa, udhën ma verbon.
 
Do ta vë martinën në një fole zogu
se më dehu fort kjo erë borziloku.
 
Se më dehu puthja, më bëri si fllad
pranveron dhjetë dimra, nëpër fushë e mal….
 
Mërmërij pa fjalë ku çurgon currili
pres edhe përcjell vezullime ylli.
 
Do ta mbush bucelen në krua të sirit
O, ç’më dridhet dora si gjethe e blirit.
 
Po më thahet dega kërcell më kërcell
qenkam bërë si bujk që nuk di se ç’mbjell.
 
Qënkam si bulkth nate që ka humbur këngën
Ndaj kam ngjyer fjalën në palcë të ëndrrës.
 
 
 
 
 
 
11. Dil te shtegu i këngës!
 
 
Zbret e ngjit ca brigje Joni
E diellit-o ia merrke rrezen.,
Kur të puthen zogjtë te kroi,
Të sitë e tu do ta bëj çerdhen.
 
 
Tek hedh një valle zonjërie
Në ca petale trëndafili.
O borzilok prej Çamërie
Më çerdhëron pa fund te siri.
 
 
Me  sitë e tu s’lakmoj thesaret
Me ty largoj natën e sertë.
O pikë e këngës që sjell beharet
Ma kokërrzon ullinjtë e blertë.
 
 
Me vallen –o  nëpër konakë
Sikur pranverën  e qëndis.
Te shteg i këngës të pres,  moj Tanë
Ku Çamëria po ndjen rizgjim.
 
Dil, moj dil, te shteg i këngës …!
 
 
12. Makabriteti i pabesisë
 
Në muajin mars 1913, vetëm pas pak kohësh të përfshirjes në territorin grek të 
Çamërisë,  andartët grekë vranë në Selan të Paramithisë 72 burrat më të zgjedhur 
të kësaj krahine
 
1.
Trokëllinin mbyturazi 
Hapat e burrave që mund të ishin 72 kapedanë a dhëndurrë lirie.
Në duart  e tyre 
Çamëria donte  të shtronte bujarisht  bakllavatë e kuleçët.
Po ata mbetën aty, në Selan,
Kufoma të pavarrosura nga ca pushkë pabesie
Për të mbjellë
Ulurima që trondisnin thekshëm vitet, qiejt, fletët.
 
2.Mund të punonn sërish 
Të mbillnin farë, të vilnin ullinj, portokalle e të stisnin oda.
E fjalën 
Ta vinin paprerë në Peshoren e Pagabuar të Kohës së Sertë.
Po ata mbetën aty, në Selan,
Ku nuk kishte kamera, gazetarë, kronikanë e  diktofona
Për të treguar 
Se pabesia mund të shembë një ditë edhe malet majëmprehtë.
 
3.
Mund të çanin detin e sterenë
Si Odise të rinj të ecnin drejt Filatit, Volës, drejt krojeve çame.
Pa patur nevojë për busull
Në Kthimin e shumëpritur mbi gjemitë që çanin detet
Nimfat e litarët e gjatë 
Nuk ua lidhnin dot ëndrrën e blertë fitimtare 
E nëpër gjokse 
S’ua thanin kurrë shpirtin e paqtë si një borë që tretet.
 
4.Ata ishin aty 
Me duar të zgjatura drejt vendlindjes, pragjeve të Paramithisë
Mbase kërkonin 
Të zgjonin nga mermerët e ftohtë Perënditë e lashta  greke
Me një fjalë amanet
“ Ju nuk mund të vrisni dot kurrë ëndrrën e  Çamërisë!” 
Me një mallkim 
Mbi sy vrasësish, mbi tehe sëpatash a vezullim bajonete
 
5.Ç’do t’i thonin Çamërisë 
Që përcillte në atë pranverë këta bistakë të vrarë?
Ç’do t’u thonin fëmijëve 
Duarmbledhur grusht nën peshën e rëndë të lotit të syrit?
Ç’do t’u thonin nënave 
Kur t’iu sillnin ca kokë të prera si gurë të care?
Ç’do t’u thonin nuseve
Që sytë do t’iu mbesnin përherë nga shtegu i kthmit?
 
 
6.Ata ishin aty
Të bërë vëllamër me zogjtë, me qyqet, me korbat pendëzinj.
E Përroi i Selanit
Ndërronte udhë para Detit të Gjakut ku nuk rrezonte dielli.
Po ç’kishin bërë vallë
Që në një shekull modern shkonin të gjithë në gijotinë?
Ku ishin orakujt grekë
Të ritregonin tragjeditë më klithshëm se vetë Eskili?
 
7.E plagët 
Flakërinin si ca hojëza në këta trupa të bukur, të sakatuar
Vetë Zoti
Dëgjnte mallkimin që çante dete e shpate të thepisura  mali.
Joni i kristaltë
Fshihte lotin e kripur nën valë a mbi dallgët lartuar
E gluha  çame
Thërriste mençurinë për kujtesën si pllakë e përjetshme lapidari.
 
 
8.Ata ishin aty, në Selan…
 
 
 
13. Te Qafa e Botës*
 
 
Duke ndjekur marshimin e mijëra çamëve në muajin qershor në kujtim të genocidit 
grek mbi Çamërinë
 
Këtu filloka Bota
Ta thënka kjo Qafë me moshën  e qiellit dhe detit.
 
Trarëve të pangritur të doganës 
S’i mjaftoka pafajësia ime gjer  në madhështi?
 
S’i mjaftoka pasaporta e re e varreve të gjyshërve 
Ku firmën dhe vulën e vënë shekujt ??!!
S’i mjaftoka loti i gjyshes sime tumanbardhë
 Me amanetin për ta varrosor pranë detit,
Diku, në Gumenicë ku hapin e parë hodhi???!!
 
S’i mjaftoka klithma e ullinjve jetimë?
Ku jeni juuuuuu? Kuuu?
I numëroni vitet që jemi ndarë prej kohësh??
 
S’i mjaftoka blegërima e deleve 
Që edhe kokëprera vrapojnë e kërkojnë barinjtë???
 
S’i mjaftoka zëri i burimeve të Çamërisë
Cipërrrënqethura nga dashuritë që lindin sërish??
 
E ç’kërkojnë më tepër trarët???!!!! 
 
* Qafa e Botës- vendkalimi kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë në afërsi të 
Konispolit 

 
Te Qafa e Botës*
 
 
Duke ndjekur marshimin e mijëra çamëve në muajin qershor në kujtim të genocidit 
grek mbi Çamërinë
 
Këtu filloka Bota
Ta thënka kjo Qafë me moshën  e qiellit dhe detit.
 
Trarëve të pangritur të doganës 
S’i mjaftoka pafajësia ime gjer  në madhështi?
 
S’i mjaftoka pasaporta e re e varreve të gjyshërve 
Ku firmën dhe vulën e vënë shekujt ??!!
S’i mjaftoka loti i gjyshes sime tumanbardhë
 Me amanetin për ta varrosor pranë detit,
Diku, në Gumenicë ku hapin e parë hodhi???!!
 
S’i mjaftoka klithma e ullinjve jetimë?
Ku jeni juuuuuu? Kuuu?
I numëroni vitet që jemi ndarë prej kohësh??
 
S’i mjaftoka blegërima e deleve 
Që edhe kokëprera vrapojnë e kërkojnë barinjtë???
 
S’i mjaftoka zëri i burimeve të Çamërisë
Cipërrrënqethura nga dashuritë që lindin sërish??
 
E ç’kërkojnë më tepër trarët???!!!! 
 
* Qafa e Botës- vendkalimi kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë në afërsi të 
Konispolit 
 


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...