Lëkurë e lisit plasaritur
Zogjtë në horizont
Vërtiten pa fole.
Turma njerëzish nëpër rrugë
Akoma nuk dinë të flasin
Gjuhën e tyre.
Mjelmat e deleve nëpër male
E në fusha e deri në bregdet
I bëjnë nën drita qirinjsh
Si në mesjetë.
Në duartokitjet e tyre
E zëri i çjerrë gicilon diellin.
Në krah turmash pash dje
Ngarkuar kohën me vetëvrasjet
Njerëzore. Me thasë paresh ngarkuar
Duke shpallur liri të reja
E bëhem akoma më primitiv
E nuk mundem të flas
Kur shoh njerëzit që vetëvrasin
Kombin…..
Nuk kuptoj as gjuhën që flasin,
Ndaj fëmijët që do lindin
Tek lisat lëkurëplasur
Do të kenë kufirin..
Primitiv nën flakën e qiririt.
Digjni paratë e lironi shpirtin,
Ndryshe në sofër do keni
Djallin e djeshëm e të sotëm.
E kështu fëmijët nuk do flasin
Gjuhën e gurit,as gegë as toskë
Por në djepa do lidhen ..
Këngët e nënave pa lahutën
E Fishtës.
Bastardat nëpër turma njerëzish
Duke mashtruar,tradhtuar
Hajdutëruar me paratë që kanë
Erën e gjakut tonë,erën e tokës
Erën e ujt,erën e kryqave
E gurëve mbi varret njerëzve
Erën e të humburve,erën
E emigrantëve nëpër rrugët e botës.
Dua të flas gjuhën time
Dua kufijtë e mi,dua pushkën time
Lahutën e Gjergj Fishtës ..
Natë e errët,lisa lëkurëplasur
Në horizont. Zogj pa fole.
E di ku shkon koha…
Atdheu duhet të jetojë gjithmonë.