26 vjeçari I. Koti i njohur në fushën e pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit dhe atë të gazetarisë radiofonike e të shkruar në median qëndrore, ka hyrë në fushën e letërsisë, siç përmend edhe kritiku i shquar, Akademiku Adriatik Kallulli, duke tentuar të përfshihet seriozisht në plejadën e autorëve të rinj të letrave shqipe.
Nga Doriana Metollari
Gazetari Isidor Koti është shfaqur së fundi edhe në dimensionin letrar, me dy vëllime poetike, një prej të cilëve ka parë tashmë dritën e botimit, ndërsa libri tjetër po vëzhgohet me vëmendje nga kritika letrare. 26 vjeçari I. Koti i njohur në fushën e pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit dhe atë të gazetarisë radiofonike e të shkruar në median qëndrore, ka hyrë në fushën e letërsisë, siç përmend edhe kritiku i shquar, Akademiku Adriatik Kallulli, duke tentuar të përfshihet seriozisht në plejadën e autorëve të rinj të letrave shqipe. Vëllimi i parë poetik “Beteja e shpirtit” me 100 poezi është recensuar pikërisht nga profesor Kallulli. Ndërsa libri i dytë që pritet të dalë së shpejti në stendat e librarive titullohet “Sensimet” dhe është duke u shqyrtuar nga shkrimtarja e njohur Flutura Açka.
Në këtë intervistë, Isidorin e kemi kërkuar për të na folur rreth krijimtarisë së tij poetike.
Që kur keni nisur të shkruani poezi?
Ka qenë një pasion im deri diku i fshehur, por i njohur në rrethin tim shoqëror. Mbaj mend që poezitë e para i kam shkruar që kur isha nëntë vjeç dhe i kam botuar për herë të parë në gazetat e qytetit tim të lindjes, Gjirokastër. Poezia mbetet një art i veçantë dhe një mënyrë domethënëse e shprehjes së mendimeve, emocioneve dhe ndjesive jo vetëm personale. Ato marrin një trajtë më të plotë kur lexuesi përfshihet dhe i përjeton sikur të ishte brenda kësaj gjendje. Ka një përqasje të realitetit me imagjinaren, të pasionit me ekstazën më të lartë poetike, e cila vjen si një kumt shpirtëror dhe rrëzohet në dejet e tua dhe zbret nëpër duar, e në fund hidhet në letër.
Pse keni vendosur të botoni librin e parë pas kaq vitesh?
Në fakt, librin e parë të mirëfilltë poetik dhe tashmë publik “Beteja e shpirtit” e kam realizuar kur isha në vit të dytë të studimeve në Tiranë. Kur gjithçka kishte përfunduar “e harrova” në sirtar, por një ditë vendosa ta nxirrja nga pluhuri dhe e botova.
Ishte një shpërthim zelli dhe krijimtarie, që ka ndjekur një ritëm anakronik. Dhe në fakt frymëzimi nuk komandohet, por nëse ushtrohesh di të shkruash e të veprosh mirë. Këtë jam përpjekur ta bëj me kalimin e kohës. Kur isha adoleshent më duartrokisin për poezitë e para, por tani kur i lexoj ato, nuk dua t’iu kthehem më. Me krijimin e një përvoje, piqesh dhe e zgjeron krijimtarinë letrare në dimensione të plota dhe të përjetshme.
Akademiku dhe kritiku i mirënjohur Adriatik Kallulli, në krye të librit “Beteja e shpirtit” ju ka konsideruar një hero të ri lirik-poetik në horizontin e krijimtarisë shqiptare…
Po, është një vlerësim për të cilin unë i jam shumë mirënjohës profesorit tim të nderuar. Pasi ai e lexoi për herë të parë librin më tha se kishte mbetur i befasuar. Unë prisja kritika të forta, por u gjenda në një skuqje emocionale, e cila më bëri të ndihesha vërtetë mirë para një hierarku të kritikës së artit në Shqipëri. Megjithatë është e rëndësishme që të lexohet vepra dhe lexuesi të përfitojë prej saj. Disa miq të mi më kanë sugjeruar t’i botoj poezitë edhe në gjuhë të huaj. Por mendoj se është ende herët, duhet të kalojë edhe një farë kohe që të konsolidohem si autor dhe të kem pozicionin tim në këtë fushë.
Ju jeni një autor i ri dhe zakonisht brezi juaj has shumë vështirësi në konsolidimin e personalitetit artistik. Pse vjen kjo?
Po, është e vërtetë. Ka vështirësi të panumërta për të shkuar me veprën tëndë deri në duart e publikut. Gjithësesi kam mbetur i befasuar kur më kanë ardhur mesazhe brenda dhe jashtë vendit për poezitë e mia.
Mendoja se shumë të paktë do të ishin lexuesit, por kam kuptuar se nuk ka rëndësi vetëm sasia dhe cilësia, por të thënit bukur dhe artistikisht gjërat. Këtë e kam provuar në sprovat e mia të para dhe jam ndier mirë. Nuk ka rëndësi investimi financiar përballë veprës që mbetet përgjithmonë.
Si i botoni librat?
Unë kam shkruar deri tani katër libra, dy prej të cilëve janë në fushën e gazetarisë dhe dy të tjerë në fushën e poezisë. Përveçse pasionit dhe vullnetit personal, librat gjithashtu i realizoj me shpenzimet e mia. Gjithësesi pjesa ekonomike nuk është gjithçka, thjesht një mjet për të arritur te objektivi. Është e vështirë të gjesh sponsor ose dashamirës për të të mbështetur në këtë rrugë gjithë sfida.
E megjithatë kjo nuk më bën aspak pesimist. Përkundrazi, motivohem edhe më shumë kur shikoj një libër më shumë në katalogun tim. Është një kënaqësi e papërshkruar, njësoj si ardhja e një njeriu në jetë. Është bukur të kesh shumë fëmijë, ashtu sikurse është bukur të realizosh shumë libra.
Si ndërthurren gazetaria dhe poezia tek ju?
Ecin paralelisht dhe bashkëjetojnë në mënyrë simbiotike. E kam të vështirë të bëj diferencën. Pyesni një fëmijë, cilin prind do më shumë? Të dy janë shumë të vlefshëm në punën time.
E gjej veten shumë mirë si në poezi ashtu edhe në gazetari. Poezia është një sfidë e veçantë, sepse në thelb të saj është 100 % krijimtari, por edhe gazetari ndihmon shumë në njohjen e realitetit dhe karaktereve njerëzore.
Do të kemi së shpejti vëllim të ri poetik?
Po, shumë shpejt. Shkrimtarja Flutura Açka është duke ezauruar përpunimin e librit tim të të dytë me poezi dhe fill pas kësaj vëllimi do të dalë në librari. Ndërkohë jam duke përfunduar edhe librin e tretë, në të cilin besoj se do të sjell të tjera poezi të pëlqyera nga publiku.
Flet Akademiku Adriatik Kallulli
''Mund të them me bindje se poezitë e tij më futën në mendime, sidomos për bardhësinë e shpirtit të heroit lirik të këtyre poezive. Them heroi lirik-poetik dhe jo poeti, sepse kur krijuesi është në ekstazën poetike-artistike, ai nuk përfaqëson vetëm vetveten, por heroin lirik-poetik. Ky hero, ashtu si del në vëllim është i tëri brenda realitetit të sotëm.
Nuk e pëlqen këtë realitet me kotësi, rëndomtësi banale, me padrejtësi flagrante, me meskinë, pozues, akrobatë që ecin nëpër telat e prakticitetit fitimprurës, të cilët s’duan të dinë se ç’është humanizmi, sinqeriteti, fisnikëria dhe ato detyrat e përditshme thellësisht njerëzore që përbëjnë kuptimin e vërtetë të jetës.
Ky hero lirik është larg tyre dhe diametralisht i kundërt me ta. Prandaj edhe vuan, edhe dëshpërohet, edhe trishtohet kur përjeton të tilla pështirësi, por edhe shpall me zë të lartë, të vendosur, të përsëritur, kredon e tij jetësore. Fton edhe të tjerë të ecin nëpër këto rrugë diellore, sepse njeriu njeherë vjen e shkon dhe në këtë herë të vetme duhet të bëjë punë të mira e të lërë gjurmë të mirë.
Pikërisht në këtë pohim-mohim të madh, të përditshëm qëndron edhe vlera themelore e vëllimit poetik. Këto poezi janë tërë nerv, lindin nga një shpirt i shqetësuar, i cili nuk e kundron jetën e çdo dite me indiferencë, me ftohtësi, apo me pragmatizëm dhe llogaritje të neveritshme. Ai e shikon, e përjeton jetën si një njeri thellësisht njerëzor, si një mëmë virtytesh dhe vlerash. Aty ku ato dobësohen, njollosen, mohohen, ai ndjen vuajtje, brejtje, dëshpërim. Por nuk dorëzohet, nuk bie në pasivitet.
E keqja duhet luftuar nga çdo njeri dhe vazhdimisht shpall kredot e tij në mënyrë origjinale, i shkakësuar nga diçka. Vëllimi në tërësinë e vet ka një kredo të shëndoshë, një laitmotiv, që edhe pse vende-vende mund të duket i përsëritur qëndron, sepse afirmon vlera tradicionale dhe bashkëkohore.
Poezitë kanë frymën e kohës, ngjyrimin e një intelektuali që ka nxënë një mësim të madh: “s’ka jetë pa virtyte, humanizëm, drejtësi”. Kur rrëzohen, poeti bën ç’mos t’i ringrejë ato dhe në këtë luftë e përpjekje do të gjejë edhe kuptimin e madh të jetës. Si përfundim, ky vëllim është me të vërtetë një debutim serioz për autorin, gjë të cilën ka për ta zbuluar edhe lexuesi përmes vargjeve.''
Dy poezi
Vokacion
Edhe nëse s’ndjen ekziston,
imazhe njerëzish me sens iluzion,
substancë që rend për surealitet,
vokacioni i lirë si agjent sekret.
Mendim i turbullt në vakuum,
por ende lumi i jetës s’fle gjumë,
kjo natë me smog zgjat sa një jetë,
shpirti im, asnjë shpirt s’është i qetë!
Manirat të hodhën në kosh pesimist,
se ti bletë punëtore për ato je veç mizë,
mirazh retorikash pa çlodhje e fresk,
silueta të pafajshme në teatrin dantesk.
Pas ajrit të nxehtë të dhomës së parë,
u mbyll dera e fundit e lagështirës pa fund,
dilemat ylber po zhduken në terrin ferr,
në lindjen e re, a do lindi dielli për ne?
Për herë të parë
Ka gjithmonë një herë të parë,
ka përherë një ëndërr të vrarë,
sytë e zemrës mermer i bardhë,
po shkëlqejnë si diell mbi varr.
Mall i artë, i bukur mall,
kur të gjesh folenë e parë,
do fluturosh i lirë e qelibar,
netëve të zeza e ditëve kur zbardh.
I shtrenjti mendim, sa zemërak!
Jemi ne fajtorë herën e parë,
apo një çast që plagos damarë?
Eh, njerëz me shpirt barbarë.
Për herë të parë ishim ujëvarë,
tani moçal me ujë të tharë,
valë e ngrohtë e historisë së rrallë,
po perëndon ëmbël si në përrallë.