2011-06-26

Shqipëri në gjëmë nëne..që e dua sa qaj....





 








... fshatarët e rinj pa lavdi




shkoj për në fatin tim të lindjes
dhjetra vjet në çantën e shpinës
me pluhur
me re
me mjegull shqisash veshur



dikush ma fsheh parjen!...



mbi supe s’kam lavdi
thjesht kam pluhur
zëra të ndotur
shikime të pista
për fat të keqë
edhe vuajtjen
pse miqtë i kam të zgjuar
armiqtë budallenj!
kur të arrij fshatin do ta shkund veshjen
por
po e gjeta gjallë të dashurën
se kujt tjetër ti shfaqem
pa këto re
pa këtë pluhur
pa këto mjegulla shqisash
pastër?!
oh
nuk mund ta kapërcej
poshtë pragut të fshatit
kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar
paskan vënë
patjetër poshtë kështjellës
varrin e dashurisë sime!



një korb po më thotë se ka vdekur dhe varri
mirë s’e kuptoj!
kthehem...
i kthyer mbrapsht si xhaketë e vjetër
tek rrobaqepësi qorr...



sheqmarinas, tetor 2003






... ndoshta kam marrë formën e librit!



e di

nesër

është edhe oronim i asaj që s’vjen

e sot

baladë me vargje Dhoqinë

ose Shqipëri në gjëmë nëne

që edua sa qaj...




më rritën në formë pushke
në duart e atdheut
të vrisja armiq...
kisha vrarë miq!
armiqtë s’u dukën më këtej
ata të largëtit
... mbiu fara e tyre ndër ne
nëna ime i ngjante grasos
më mbulonte të mos më ndryshkëte gjaku
po kur vitet antigradë në rrugë me atdheun më lanë
na pastroi me lotët e nderit e na futi në gjoksin – depo



se nëna ime është edhe nëna e atdheut tim



një mijë e nëndëqindë e nëntëdhjetë e shtata
më shiti
tani
unë s’kam as nënë
as atdhe
as depo
nëna vdiq
atdheu u roit
depua u shemb



në liqenin mëngjes të syve të mi
janë varri
lëvizjet e Brovnit
gërmadhat



të uritur më përdor kushdo
thonë se vras armiq...
por po filloj të shoh me sytë e mi të fushës
se pylli shqiptar qenka prerë nga sopatat e gjuhëve cirilike
plumbat e mi internacionalë
ndoshta kam marrë formën e librit!...



se m’u kujtua gjaku i shtëpisë sime të mesjetës
vjedhur
s’e mora kurrë ndër vjedhësit turq
s’kisha kohë
vrisja miq
ndaj sot kam raporte unë
ku sipërfaqet e mia të egra ballkanike
janë terminale të butësive të arta
pa gropa
pa qivure
pa harta...



Vlorë, verë 2008


 
Miku im Petraq Kote u lind në Sheq Marinas, Fier më 27shkurt 1959.

 



Ka shkruar letërsi qysh në rininë e herëshme.

“ Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer “, - thotë  dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar vëllimet poetike

 “ Këngë e Marrë “, “ Humbja ‘, “Ranë Këmbanat “, “ Muza “, “ Këngë e Parrëfyer “, “ Këngët e Motmotit “, “ Mirë se erdhe Lamtumirë!...”, “ Portretin kam varur në muret e kohës ”. Ka botuar dy vëllime me tregime “ Ngjarje ndër Muzakë “.   Publicistika më e shquar e tij është “ Hija... e Kadaresë “, “ Lasgushi dhe Kosova “, “ Një çast me Migjenin “, “ Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli “, “ Dasma e Kreshbardhës “, “ Diktatura Letrare shqiptare “, “ Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë “, “ Gjuha shqipe dhe akademik Jani Thomai “ ,

 “ Qiellëzanat Trillane “  shënime për romanin “ Darka e Gabuar “ të Kadaresë etj.

“ Më kujton Kostandin Paustovskin në librin me tregime “ Ngjarje ndër Muzakë – 2 “. – Shkruan studiuesi dhe përkthyesi Perikli Jorgoni

“ Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare “, ka thënë prof. Adriatik Kallulli.

“ Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard “, ka shkruar prof. Agim Vinca.

“ Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike “, ka shkruar poeti dhe publicisti Ylli Xhaferri.

“... fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten “, shkruan prof. Valter Memisha

“... klasi i lartë i leksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapsirë lexonjëse elitare “, ka shkruar prof. Bardhosh Gaçe.

 “... poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu “

Ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.

“... poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare. “ Ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë.










zogjtë



ia kushtoj nënë sime Kalije Kote ( Dumi ) ose judeshës Noemi

në 70 vjetorin e lindjes




ajo është arrë
ka degë merakun të hapur si krahë
pretë zogjtë e kohrave
këngët e kënduara në zërat e rinj
edhe mua
kthehem nga fluturimet e shëmtuara të ekzistencës
pa sqep...
pastaj bëhet qiell mbushur me re malli
dhe s’resht shiu



vjeshtën që shkoi
e rrëzoi stuhia e gjakut
ne
lindjet e saja konvertuar në pemë
u turrëm duke u rikthyer përsëri në zogj
me shpëtimin sqep
pastaj qielli ynë u mbush me re trishtimi
çurgoi kimera cicërimash
dhe pse katër
nuk ia mbuluam dot qiellin me drurë të vetëtimur
të trazuar
të nëpërkëngur



i vumë një pemë të re mbështetëse
si rruga Ypsilon e plazhit të Semanit
Afërditën
nusen e dashurisë dhe të vëllait tonë
e ngritëm... pa një degë
pa një ligjërimë të pyllit
pa një hije ku prehen dashuritë e kujtimit “ Todi “
me diejtë e vdekur



ishte dikur zogë edhe nëna jonë
me pemë
nënën e saj...
dëgjon këngë
oh këngët
tremben nga fletët e librave të mi
e shkojnë e ulen në buzët e vajzave ( zogëzave )
mësueseve të reja të këngëve të atdheut tim...



kam një mall përgjysmë
s’kam duar
ma zbërtheni gojën ta them



Sheqmarinas, pranverë 2008



ti erdhe përgjysmë



ti erdhe tek unë në gjysmë të jetës
gjysma tjetër të patë mbetur diku...
siç vjen gjysm’e gjelit nga rrëfenj’e vjetër
siç del sirena nga deti blu



ti erdhe tek unë me gjysmë mendje
në gjysmë shtrati u shtrive ti
gjysmën e trupit më fale mua
gjysmën tjetër se kujt s’e di!



ti erdhe tek unë me dëshirën e plotë
në ardhjen përgjysmë s’ishe veç ti
dhe kështu pra ndodhi gjysmë ndodhja
o vashë, gjel - sirenë, gjysmë dashuri!...



Fier, gusht 1998


... vdekje artistike




i ulur në shkallën e parë të amfiteatrit “ Botë “
shoh tragjeditë e fundit të saj
pa Shekspir
pa Eskil...



ulen lotët e parë
gjaqet e parë
shikimet e fundit...
e në mua amfiteatri vdes.



Tiranë, verë 2003 



Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...