2013-07-22

Gynter Grass: “‘Nobel’-i nuk më pengon të shkruaj”

Në historinë e Gjermanisë, Izraelit, Iranit dhe para së gjithash në bio e bibliografinë e nobelistit gjerman për Letërsi, Günter Grass. Poezia e tij me titullin “Was gesagt werden muss” (shqip: “Atë që duhet thënë”) e botuar në të njëjtën ditë në “Süddeutsche Zeitung“ të Munihut, “New York Times” të New Yorkut, “La Republicca” të Romës dhe “El Pais” të Madridit, brenda vetëm disa orësh u bë tema e planetit, në poetikë e politikë, të kaluar, tashme e ardhme, histori e diplomaci. Një lirikë prej 67 rreshtash, e cila s’ishte dhe s’është gjë tjetër pos një bombë, e cila shpërtheu në faqe gazetash, laboratore krijuesish e kritikësh, kancelari të qeverive e parlamenteve … e ku jo tjetër.

Meqë poezinë në fjalë do ta sjellim në këtë numër të gazetës dhe të përkthyer në gjuhën shqipe, mbase nuk do të ishte me vend që edhe ta analizojmë këtu. Le t’ia lëmë lexuesit ta gjykojë dhe vlerësojë- pozitivisht apo negativisht. Me kontekst politik “pro” apo “contra” Izraelit a Iranit, Gjermanisë a vetë autorit të vargjeve.

Kjo poezi, sado që u pajtuam me të apo jo dhe para së gjithash me mesazhet që ajo përcjell, disi njeriut dhe njerëzimit do të duhej t’i jepte shpresën që autoritet intelektuale, forca e vargut, rreshtit dhe përgjithësisht e krijimtarisë (letrare e artistike) vazhdon të ketë ndikim edhe në këtë kohën tonë: në fshatin global që aq shpesh ankohemi e vajtojmë që “dyshemetë e bursave” dhe zyrat e xhamta të bosave e menaxherëve të bankave ia kanë zënë frymën angazhimit e ndikimit intelektual!

Ajo që u tha nga Grass tashmë shihet si e kryer dhe për polet e krijuara nuk ka më kthim prapa. Sepse nëse në 24 orët e para të (pas)botimit të poezisë poeti e shkrimtari gjerman hëngri dru e kritika nga New York deri në qendrat politike e poetike të Europës për “antisemitizëm”, “vazhdimësinë e urrejtjes së hebrenjve” qysh nga rinia e tij prej ushtari të SS-it nazist, gjë kjo e cila atij i pati kushtuar me aq shumë urrejtje e kontraversa pasi e pati marrë Nobelin… pa lënë anash këtu as akuzat e drejtpërdrejta nga kolegë e politikanë që vargjet e tij janë një ndihmë e fortë për mullahët e Teheranit, të cilët jo vetëm që nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit izraelit, por janë për fshirjen e tij nga faqja e dheut… pas këtyre 24 orëve të sulmeve frontale, dhe pak, fare pak emrave të njohur që i dolën në mbrojtje (kryetari i Akademisë së Arteve në Berlin, Klaus Staeck, ishte një prej tyre) ishte vetë Günter Grass ai që mori iniciativën dhe doli në televizorët gjermanë apo iu dëgjua zëri nëpër radio ku shpjegoi shkaqet e këtij sulmi të tij.

Së pari ai u ankua për “barazinë” e mediave nëpër të cilat kursojnë akuzat kundër tij. Së dyti ai i dha dy arsyet kryesore, të cilat e kishin shtyrë për këtë hap- e para: vizita e kryeministrit izraelit Netanjahu në Washington, ku deklaroi që Izraeli ka të drejtë që Iranin ta sulmojë me armë bërthamore; dhe e dyta: kur Gjermania i shiti Tel Avivit një nëndetëse nga e cila mund të hedhen koka raketash bërthamore…

Grass kërkoi nga kritikët e tij ta gjejnë vetëm një dhe të vetmin varg a asociacion ku ai shpreh antisemitizëm apo ftesë për zhdukjen e Izraelit apo edhe përkrahje për Ahmedinexhadin, të cilin në poezi e ka quajtur “hero mushkash”… Dhe vërtet, në këto vargje është zor të gjindet diçka e tillë.

Tekefundit, “Der Spiegel” e kishte marrë këtë poezi nën llupë duke i bërë “autopsi” totale për të ardhur tek përfundimi që vargjet nuk kanë asgjë me urrejtjen kundër Izraelit e hebrenjve… por ishte dhe është kritika e një autoriteti siç është Grass ajo që dhemb më së shumti, sepse diçka e tillë nuk pritet (apo pritej) nga gjermanë.

Pa lënë anash këtu nuk mundemi edhe një fakt qenësor: Grass nuk e ka kalkuluar këtë poezi me ndonjë botim rasti të ndonjë libri. Sepse dihet që jo pak shkrimtarë, në prag të botimeve të ndonjë libri, nuk ngurrojnë të hidhen në ujëra “skandalesh” vetëm e vetëm që të bëjnë pak (vetë)marketing për të kthyer vëmendjen e lexuesve tek të “rejat” e tyre. Jo.

Duket që autori gjerman ka vendosur që këtë qëndrim të tij ndoshta ta lidhë edhe me një gjë shumë më të thellë: të jetë i pari gjerman (i madh?) i cili vetëm gjashtë dekada pas Holokaustit dhe rritjes së Gjermanisë (së bashkuar) provon të hedhë kritika mbi Izraelin. Dhe, kjo gjë, ky fakt, e ka edhe një kalkulim.

Nëse nga Günter Grass pas dhjetëra e qindra vitesh… nuk do të mbetet asgjë-përfshirë këtu edhe kryeveprën e tij “Blechtrommel” (Daullja e llamarintë), atëherë njerëzimi, kritika, historia e letërsisë dhe jo vetëm e saj, do ta ketë një Günter Grass, i cili ishte i pari gjerman i cili hodhi kthetrat e tij kundër… Izraelit. Me poetikë e politikë!(Beqë Cufaj)


Në një intervistë të fundit, nobelisti gjerman i letërsisë, Gynter Grass, rrëfen se përse vdekja nuk e tremb, mundësitë e munguara të Gjermanisë pas ribashkimit dhe planet për krijimtarinë e tij.

Gynter Grass: “‘Nobel’-i nuk më pengon të shkruaj”

Gynter Grass: “‘Nobel’-i nuk më pengon të shkruaj”

Zoti Grass, libri juaj i ri titullohet “Fjalët e Grimit. Një deklaratë dashurie”. Cila është zanafilla e dashurisë suaj për vëllezërit Grimm, linguistët e famshëm gjermanë, që bënë edhe përmbledhjen e përrallave në shekullin XIX?

Marrëdhënia ime me Wilhelm dhe Jacob Grimm e ka zanafillën në fëmijërinë time. Unë jam rritur me përrallat e Grimëve dhe më pas kam parë edhe në teatër disa prej tyre. Mbaj mend se më çonte mamaja ime shpesh për t’i parë. Më pas vëllezërit patën një ndikim shumë të madh në punën time krijuese.

Në çfarë mënyre?

Epo ja, ndikimi i tyre ndihet në shumë shkrime të miat. Te “Miu” për shembull, ata portretizohen si ministri dhe zëvendësministri që përpiqen ta ndalojnë pyllin nga djegia.

Çfarë gjëje ju tërheq më shumë nga vëllezërit Grimm?

Mbi të gjitha natyra e tyre e pakompromis. Në vitin 1837 ata protestuan në Gottingen kundër rrëzimit të Kushtetutës (Mbretërisë së Hanoverit), që do të thoshte se u ngritën kundër shtetit. Ashtu si dhe rebelët e tjerë të grupit, të cilit i përkisnin dhe që njihej si grupi “Gottingen Shtatë”, ata për shkak të qëndresës që demonstruan i humbën pozicionet e tyre. Dhe detyra që i kishin vënë vetes pas kësaj u bë thuajse e pamundur. Bëhet fjalë për hartimin e një fjalori gjerman të fjalëve të urta dhe të proverbave. Ata mundën që ta çonin këtë përpjekje deri në germën e shtatë të alfabetit, por të tjerët që erdhën pas tyre arritën ta çonin përpjekjen deri në fund.

Po, por 120 vjet më vonë.

Po, kjo kohëzgjatje më ka bërë gjithmonë përshtypje edhe mua. Specialistë gjermanë nga të gjitha anët e Gjermanisë punuan për realizmin e kësaj vepre për 15 vjet resht. Në mesin e Luftës së Ftohtë ata u ulën qetësisht në tryezat e tyre të punës në Berlinin Lindor dhe në Gottingen dhe mblodhën shënime dhe shkrime për hartimin e këtij fjalori pan-gjerman. Ai është reflektim në fakt i tërë historisë gjermane, për të cilën kam folur te “Fjalët e Grimit”.

Po, dhe sikundër edhe historia juaj me këtë vend, luan një rol shumë të rëndësishëm në veprën tuaj.

Në librin “Lëkurat e qepës” jam përqendruar në një fazë më të hershme të jetës sime e më pas te “Kutia” kam shkruar për familjen time dhe lidhje të tjera njerëzore personale. Ky libër flet edhe për aspekte politike dhe sociale. Jeta e vëllezërve Grimm, të cilët jetuan në një periudhë historike të karakterizuar nga ndryshime radikale, ka ngjashmëri me ekzistencën time në një periudhë historikisht po aq radikale.

Të dy vëllezërit ju i përshkruani si “hulumtues e gjahtarë të fjalës”, si studiues që shqetësoheshin për domethënien dhe rregullsinë, qoftë edhe të një fjale të vetme. Ju shkruani edhe: “Nga njëra anë fjalët kanë kuptim. Nga ana tjetër ato mund të krijojnë edhe gjëra të pakuptimta. Fjalët mund të jenë mirëbërëse, por edhe vrasëse”. Në ç’mënyrë e kanë formësuar jetën tuaj kuptimet e ndryshme të fjalëve?

Kam kuptuar se fjalët janë të ngarkuara me pathos dhe dinë të krijojnë si eufori, ashtu edhe zemëratë. Një nga fjalitë që mund ta ilustronte atë që thashë është fjalia e Hitlerit: “Doni luftë totale”? Por e njëjta gjë vlen edhe për fjalitë. Në jetën time të gjatë kam dëgjuar fjalë dhe fjali që ma kanë ndryshuar jetën në të gjitha kuptimet dhe në kohë të ndryshme. Jam lëvduar dhe kritikuar. Kur më kanë kritikuar, sigurisht që nuk mund të them se nuk jam ndjerë keq dhe madje edhe kam përjetuar pak inat, por ja që ndodh, dhe kjo për shkak të forcës që ka fjala.

Cilat janë disa nga fjalët pozitive që mbani mend?

Fjalët vërtet të mrekullueshme që më kanë ndryshuar jetën për mirë janë kryesisht fjalët që unë i kam dëgjuar në fëmijëri. Janë fjalë kryesisht të vjetra, që tani nuk përdoren më, por që kur rrallë e tek i dëgjoj sot, më përcjellin një pozitivitet dhe mirësi. Edhe vëllezërit Grimm i konsideronin fjalët magjepsëse.

Duket sikur fjalët ju përcjellin ndjenja sigurie dhe paqeje...

Po, sigurisht. Është e vërtetë. Kam shkruar romanin tim, “Daullja prej teneqeje”, kur isha në Paris, ku nisa gjithashtu të punoja për “Vitet e qenit”. Por pas 4 vitesh vura re se sa i humbur ndihesha ndërsa isha i rrethuar nga një gjuhë e huaj. Më duhej patjetër që të kthehesha në Gjermani, në tokat ku flitej gjermanishtja. Përvoja ime ishte e ngjashme me atë të shumë shkrimtarëve që emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë periudhës naziste. Disa prej tyre e kishin shumë të vështirë që të jetonin në një vend të huaj, të komunikonin në një gjuhë të huaj, ndërkohë që në shtëpinë e tyre sundonte një diktator brutal. Ata kishin mall për gjuhën e tyre, t’u flisnin të tjerëve dhe t’i dëgjonin të flisnin në gjermanisht.

E njëjta gjë, edhe pse jo në përmasa të tilla, mund të vihet re edhe në vendin tuaj. Kështu, për shembull, kultura e të rinjve sot ka bërë që të futen shumë fjalë dhe shprehje të pakuptueshme për breza të tërë. Si ndiheni ju kur dëgjoni të flasin nipërit apo mbesat tuaja?

Për mua ata janë një burim i pashtershëm informacioni dhe përmes tyre mund të kuptoj ende sot zhargonin që qarkullon mes të rinjve. Ndërkaq që dëgjoj fjalë dhe shprehje të reja, e kuptoj që shumë të tjera kanë dalë jashtë përdorimit dhe janë bërë të rralla.

A ju vjen keq për këto humbje?

Në përgjithësi unë jam në një mendje me Jacob Grimm kur thoshte se ne duhet që ta lejojmë ndryshimin dhe rritjen e pakontrollueshme të një gjuhe. Edhe në rastin kur mund të përballemi me një kërcënim nga fjalët e reja. Gjuha është një qenie që ende po të mos duam ne është në ndryshim të vazhdueshëm. Në Francë, Akademia Franceze veçanërisht ka vendosur rregulla shumë strikte për gjuhën letrare dhe si pasojë mund të shohim se sa e ngurtë mund të bëhet një gjuhë kur i vendosen barriera artificiale dhe kur e mbrojmë më shumë se sa duhet.

Ju jeni një nga autorët e rrallë që i ilustroni vetë librat tuaj. Deri më sot i keni dizajnuar vetë të gjithë kapakët e librave tuaj. Përse një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për ju?

Është dora e fundit që i jap librit para se ta përfundoj dhe ta dorëzoj për botim. Për mua ilustrimi është po aq i rëndësishëm sa është fjalia e parë e librit dhe kërkon të njëjtin kujdes që kërkon edhe shkrimi i librit.

Cilat janë karakteristikat e një kopertine të mirë?

Ajo duhet që të përmbledhë dhe njëherazi të thjeshtëzojë mesazhin e librit dhe duhet të shndërrohet për të në një emblemë. Në kopertinën e librit “Vitet e qenit”, këtë e kam arritur duke vizatuar një kokë qeni që del nga hija. Ndërsa në librin “Anestezi lokale” kam zgjedhur një çakmak me një gisht që qëndron mbi të. Këtë herë kam përdorur germat. Nuk do të kishte pasur shumë vlerë sikur të kisha punuar për kopertinën me portrete të vëllezërve Grimm, sepse do të kishte dhënë vetëm një pjesë të mesazhit. Por çdo herë është një përvojë e mrekullueshme dhe unike.

Ju vazhdoni që t’i shkruani librat tuaj me një makinë shkrimi të vjetër, “Olivetti”, në një epokë kur gjithnjë e më tepër po i bëhet reklamë letërsisë në iPad apo lexuesve elektronikë. A nuk ndiheni në njëfarë mënyre si jashtë mode?

Jo. Në kompjuter një tekst duket gjithmonë si diçka e përfunduar edhe kur është shumë larg formës përfundimtare. Kjo është tunduese. Unë zakonisht e shkruaj versionin e parë të një libri të tërin pa ndërprerje dhe kur ka diçka që nuk më pëlqen, e lë bosh. Këto hapësira i mbush në versionin e shkrimit me makinën “Olivetti” dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një makinë shkrimi, lë shumë hapësirë për të parashikuar edhe një zgjatim të madh. Në versionin e dytë bëj mbushjet e vendeve bosh dhe një lloj koordinimi mes të dyve.

A ka ndryshuar gjuha juaj gjatë dhjetëvjeçarëve, që kur keni filluar të shkruani?

Po. Fillimisht tentova që të hiqja qafe të gjitha pikat. Kur shkruaja “Macja dhe miu”, “Viette qeit” e të tjerë, ishte periudha kur shumë autorë më të vjetër se unë e ndjenin se gjuha gjermane nuk duhej t’u nënshtrohej kurrë më ekseseve.

E keni fjalën për të ashtuquajturën “letërsia e pastër”, ajo e periudhës së pasluftës, që njihej për një mënyrë shumë të pastër dhe të drejtpërdrejtë të të shprehurit?

Po, dhe ata autorë kishin shumë të drejtë që kërkonin një përkujdesje të madhe për gjuhën. Gjuha gjermane u dëmtua shumë gjatë periudhës së nazizmit. Por autorët e rinj, përfshi Martin Walser dhe Hans Magnus Enzensberger, nuk deshën që e gjithë gjuha të dënohej si e tërë, flas për atë të periudhës naziste. Si pasojë, shkrimet e mia tentonin që të shfrytëzonin gjuhën dhe ta bënin atë të jepte të gjitha gjërat që mund të japë një gjuhë. Tani, në këtë moshë, jam një njeri me përvojë dhe të shkruarit është shumë më i ndërgjegjshëm.

Çfarë doni të thoni më konkretisht?

Në shumë raste përvoja politike e jetës sime, të cilën e përshkruaj në librin “Fjalët e Grimëve”, më ka bërë të ndryshoj.

Çfarë mendoni për ribashkimin e Gjermanive?

Ende edhe sot mendoj, sikundër edhe në të shkuarën, se ne nuk duhet ta kishim aneksuar Gjermaninë Lindore në atë mënyrë tepër të nxituar. Është absurde të mendosh se si e humbëm këtë mundësi të madhe që na u dha. Nuk duhet që të ishim nxituar në atë moment. Gjermanolindorët dilnin nga dy diktatorë, ajo hitleriane dhe komuniste, njëra më e zezë se tjetra, dhe më pas iu nënshtruan edhe terapisë së shokut të kapitalizmit.

Çfarë do të kishit bërë ju?

Nuk do të kisha lejuar ribashkimin e Gjermanive me fonde të marra borxh. Ndërsa politikanët lëvdohen me ato që janë arritur gjatë këtyre viteve, e vërteta flet ndryshe. Në Lindje papunësia është në një shkallë më të lartë se në Perëndim dhe shumë zona janë braktisur, dhe për më tepër ai që konsiderohet si fenomeni i “murit në mendjet tona”, ende vazhdon. Është një mentalitet që nuk zhduket kollaj.

A mund të na thoni nëse i njihni vetes gabime të bëra në jetë?

Në rastin tim, të gjithë e dinë se unë u josha nga rinia hitleriane në vitet e mia të hershme të rinisë. E kam bërë të ditur një gjë të tillë në shumë libra. Por është një gabim nga i cili kam ditur që të nxjerr mësim.




Cfare duhet thene, nga Günter Grass

Pse hesht une, hesht prej kohesh,
cfare duket dhe ne planlojrat,
perjetuar eshte, rezultuar si i mbijetuar,
ne megjithate fusnote jemi.

Eshte e ashtuquajtura e drejta per goditjen e pare,
leshuar prej nje sharlatani,
dhe qe nje jubel te organizuar shkaktoi,
popullin iranian mund te asgjesonte,
sepse ne token e tij berja,
e nje bombe atomike dyshohet.

Por perse nuk guxoj une,
emrin e vendit tjeter te them,
qe prej vitesh – edhe pse sekret,
nje fuqi nukleare ne rritje ka,
por jashte kontrollit, pasi nuk pranon,
kurrfare kontroll?

Kjo heshtje masive e kesaj te vertete,
qe heshtja ime i eshte nenshtruar,
e perjetoj si nje genjeshter te mundimshme,
dhe ankth, qe persekutimin ofron,
sapo ta injorosh;
emertimi „Antisemit“ i pashmangshem.

Por tani, meqe vendi im,
nga mizorite e trasheguara,
qe te pakrahasueshme jane,
here pas here i kujtohen e akuzohet,
perseri e thjesht per biznes, edhe pse,
pertypur deklarohet si larje fajit,
nje nendetse tjeter Israelit,
i ofron, spezialiteti i se ciles eshte, kapsula shfarosese,
ti drejtoje atje, ku ekzistenca,
edhe e nje bombe atomike nuk eshte vertetuar,
por nga frika si deshmi duhet te vleje,
them une cfare duhet thene.

Pse heshta une kaq gjate?
Sepse mendoja , origjina ime,
damkosur nga nje njolle e pashlyeshme,
s`me lejon, me kete fakt si nje te vertete te pamohueshme,
Izraelit, qe e respektoj,
dhe dua me tej ta respektoj, ta rendoj.

Perse them une tani se pari,
plakur e me pikat e fundit te bojes:
Fuqia atomike Izrael rrezikon,
paqen boterore po ashtu te brishte?
Sepse duhet thene,
cfare neser shume vone do ishte;
edhe pse ne – si gjermane mjaftueshem –
pjesetare te nje krimi mund te behemi,
qe i parashikueshem eshte,
prandaj bashkefajesia jone
prej asnje justifikimi te zakonshem
s`do pranohej.

E pranoj: une nuk hesht me,
sepse dyfytyresine e perendimit
nuk e duroj;
po ashtu shpresoj,
qe shume te clirohen prej heshtjes,
shkaktarit te rrezikut te dukshem
ti kerkohet heqje dore nga dhuna dhe
njehkohesisht me vendosmeri,
nje kontroll pa pengesa e i vazhdueshem
fuqise potenciale te Izraelit
dhe linjat atomike iraniane
mes nje Instance nderkombetare
te lejohet nga qeverite e dy vendeve.

Vetem keshtu mundet te gjitheve, izreliteve e palestinezeve,
per me teper, gjithe njerezve, qe ne kete
rajon te pushtuar nga cmenduria
ngushte te armiqesuar jetojne
dhe se fundi edhe neve tu ndihmohet.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...