2013-07-22

Hipokrizia


Nga: Arlind Boshnjaku


http://flori-press.blogspot.com/2005/09/hipokrizia.html

Është mahnitëse të lexosh tanimë një kohë të gjatë deklarata nga intelektualë të ndryshëm islamë shqiptarë dhe arabë në të cilat hidhen poshtë si të pasakta dhe të gënjeshtërta akuzimet e opinionit ndërkombëtar për praninë e fundamentalizmit islamik në vendet ku jetojnë myslimanët anekënd botës. Fundamentalizmi islamik, thonë ata, është pjellë e propagandës perëndimore anti-islame për t’i shtuar masat represive kundër botës islame, por edhe si nocion është i gabueshëm, pasi kuptimi i tij gjuhësor nuk shënon ndonjë gjë negative.

Është e vërtetë se disa mediume ndërkombëtare synojnë ta paraqesin Islamin si një fe anakronike dhe jokompatibile me trendet bashkëkohore, duke njëjtësuar kështu fundamentalizmin islamik me vetë Islamin. Është gjithashtu e vërtetë se disa janë të interesuar të shndërrojnë Islamin në një gogol të ri për të njëmendësuar planet e tyre ekonomike dhe gjeo-politike. Mirëpo injoranca e madhe për Islamin ose paragjykimet të formuara nëpërmjet prizmit medial duke parë myslimanët gjithandej botës si mendojnë e veprojnë ‘në përputhje’ me Islamin, kanë kontribuar në krijimin e një imazhi të tillë për Islamin si fe parake dhe intolerante. Ç'është e vërteta, nuk është edhe aq vështirë të kesh mendime të këqija për myslimanët kohëve të fundit.

Mirëpo, është gjithashtu e vërtetë se nga shumë qarqe politike dhe mediume ndërkombëtare, termi fundamentalizëm islamik përdoret për të nënkuptuar ekstremizmin islamik e jo vetë Islamin. Kjo dukuri është pjesë e botës islame që nga fillimet e saj. Secesionistët (hawarixh) janë shembulli më i mirë për këtë. Ndonëse Aliu i kishte luftuar ata, të menduarit radikal harixhit mbijetoi ndër shekuj në forma të ndryshme. Edhe sot ai është prezent te një numër i madh grupesh militante dhe të ashtuquajturish intelektualë islamë, madje edhe tek ata që njihen si ndjekës të vijës së moderacionit. Mirëpo si mund të shquhen idetë e tilla te një çfarëdo njeri?

Deri në një masë të madhe, thotë Ziauddin Serdar, të gjithë myslimanët janë 'fundamentalistë' në kuptimin se besojnë që Kur'ani është fjalë e drejtpërdrejtë e Zotit. Por fundamentalizmi i tradicionalizmit militant është i një lloji të veçantë ngase insiston në një interpretim të vetëm të Islamit që mund të manifestohet në formë të një 'shteti islam'. Si rrjedhojë, botëkuptimi i integruar, holistik i Islamit i përqendruar te Zoti është zëvendësuar me një rend botëror totalitar dhe teokratik, ndërsa Zoti moral është zëvendësuar me një Zot të dhunshëm, politik.

Ç'është e vërteta, fundamentalizmi si një të kuptuar dhe mendësi radikale është i mirënjohur në botën e krishterë, sidomos te disa kisha evangjeliste amerikane. Përveç interpretimeve sipërfaqësore të shkrimeve të shenjta jashtë kontekstit tekstual dhe historik, ato i karakterizon edhe psikologjia e supremacisë ose e ndjenjës së superioritetit karshi kishave ose besimeve të tjera. Ngase shpëtimi është i sigurt vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, dhe të gjithë ata që vendosin të besojnë ndryshe do të përfundojnë në Ferr. Një bindje e tillë paraqet, në të vërtetë, mbeturinë të mendësisë puritane të shekujve të mesjetës. Mirëpo rregullimi shekullar dhe demokracia e lartë kanë mundësuar margjinalizimin e ideve të tilla, edhe pse predikuesit e tyre janë të përgatitur mirë dhe të mbështetur me donacione të shumta nga mbarë bota.

Fundamentalizmi ose ekstremizmi islamik është një mendësi e pranishme dhe tejet aktive sot rreth e qark botës islame. Realiteti post-kolonialist: ekonomia e shkatërruar, sistemi i vdekur arsimor, demokracia e mbytur nga diktaturat arabe kanë mundësuar zhvillimin e pseudointelektualizmit dhe mekanizmave të tjerë "mbrojtës" që kanë trajtësuar kompleksin e inferioritetit dhe pafuqisë ndaj 'armikut' të jashtëm shumë më superior. Prandaj e vetmja mënyrë për t'u mbrojtur është getoizimi intelektual, që krijon imazhin e një bote ku të gjithë përveç myslimanëve janë armiq potencialë, madje të gjithë këta janë jobesimtarë (kuffaar) dhe armiq të Zotit.

Geto-mentaliteti i tillë përshkon ndoshta edhe institucionet më të larta të botës islame. Prandaj sot nuk është edhe aq e çuditshme të dëgjosh myftiun e El-Ezherit të nxjerrë fetva (gjykime juridike) për lejueshmërinë e sulmeve vetëvrasëse kundër fëmijëve e njerëzve të pafajshëm, ngase edhe Kur'ani e justifikon një gjë të tillë!!

Retorika e tillë 'islame' për përligjjen e nacionalizmit arab është sot tipar edhe i diktatorëve më të mëdhenj në botën arabe.

Radikalizmi mendjengushtë në mendimin bashkëkohor islam dhe ekstremizmi militant islamik është produkt i mu një ambienti të tillë obskurantist anti-intelektual ku mungesa e lirisë së të menduarit ose frika nga të menduarit pluralist ka bërë që Islami të jetë peng i 'dijetarëve të shtetit' dhe i lëvizjeve të ndryshme puritane që i përmbahen një interpretimi të vetëm anakronik dhe të shtrembëruar të teksteve islame. Për këto lëvizje, e vërteta e vetme absolute është interpretimi i tyre i shkrimeve dhe çdo mendim tjetër është heretik. Sipas tyre, është fare lehtë të dallosh të udhëzuarin nga i lajthituri, ngase i pari u përmbahet në mënyrë strikte formave të jashtme të adhurimit, ndërsa i dyti u bën lak atyre. Kështu, i udhëzuari falet, ndërsa i lajthituri jo; i udhëzuari ka mjekër, ndërsa i lajthituri jo.

Po kështu, këta puritanë kërkojnë t'u kthehen burimeve duke reduktuar Islamin në shekullin VI dhe në hapësirën arabe dhe në kulturën arabe, duke shpërfillur plotësisht strukturën multikulturore, multipsikologjike dhe multitradicionale te civilizimit njerëzor. Ata shpërfillin plotësisht vlerat universale dhe kompleksicitetin e qenies njeri që zhvillohet dhe modifikohet në kohë e hapësire. Dhe konsiderojnë se kodi i vetëm i vlefshëm ligjor është ai i ndërtuar mbi interpretimet e gjeneratave të para islame. Një jetë e tillë e përkushtuar këtij kodi ligjor konsiderohet në mënyrë të qenësishme më superiore karshi të tjerave, dhe ndjekësit e çfarëdo rruge tjetër konsiderohen ose jobesimtarë (kuffar), hipokritë (munafikun), ose të amoralshëm dhe të dëmshëm (fasikun).

Një ideologji e tillë puritane është karakteristikë e të gjitha lëvizjeve neo-harixhite. Qëndrimet e këtyre puritanëve, të bazuara në teologjinë e tyre, janë fundamentalisht në kundërshti jo vetëm me mënyrën perëndimore të jetës, por me vetë idenë e një shoqërie ndërkombëtare ose me nocionin e vlerave njerëzore universale. Ata shfaqin një veqim intolerant dhe ndjenjë agresive të superioritetit karshi të tjerëve. Meqenëse shumica eventualisht do të përfundojë në Ferr, atëherë është detyrë e të 'udhëzuarve dhe të shpëtuarve' t'i nënshtrojnë masat popullore të prira për heretizëm me një sistem politik të teokracisë despotike. (Me ide të ngjashme shquhej edhe revolucioni socialist i Leninit. Për pionierët e komunizmit totalitarizmi është mjet për përmirësimin e masave popullore, pra ushtrohet për të mirën e shoqërsië, për hir të Njeriut të Ri. Por këtu teokracia despotike zëvendësohet me diktaturën e proletariatit socialist). Prandaj, ndjekësit e lëvizjeve të tilla udhëhiqen nga dyzimi artificial i botës, islame dhe joislame, në të shpëtuar dhe të lajthitur. Të shpëtuarit zakonisht jetojnë nëpër getot e tyre të strukturuara nga mendësia utopike, ndërsa të gjithë të tjerët jashtë getos shikohen si kafshë që i pret mallkimi i Zotit dhe shpëtimi i tyre i vetëm është nëse pendohen dhe u nënshtrohen rregullave të getos. Për geto-myslimanët e tillë që jetojnë në një botë bardhë e zi, çdo mënyrë tjetër e të menduarit dhe e të jetuarit konsiderohet pjellë e Satanit. Prandaj rregulli kryesor i getos është: Duaje geto-myslimanin për hir të Allahut dhe urreje jo-geto-myslimanin për hir të Allahut. Ngase të gjithë të tjerët janë bij të Dreqit.

Ideologjia e tillë ka qenë mjaft e margjinalizuar në të kaluarën kur institucionet islame në përgjithësi toleronin mendimet divergjente dhe nxisnin debatin etik ndërmjet grupeve të ndryshme. Qytetërimi islam veçohej nga të tjerat mu nga ky pluralizëm social dhe religjioz. Mirëpo sot, sklerotizimi filozofik, mungesa e kreativitetit intelektual islam, despiritualizimi i teologjisë, veprimi me koncepte të vjetëruara, humbja e të kuptuarit të vërtetë të Tehwidit si një besim dinamik, kanë krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin dhe operimin e lëvizjeve të tilla të cilat kryesisht brumosen nëpër shkollat saudiane.

Si rrjedhojë, Islami sot është peng i diktatorëve dhe militantëve islamikë, ndërsa xhamitë nga tempujt e paqes dhe mëshirës janë shndërruar në burime të intolerancës, urrejtjes dhe ekstremizmit. Kurse Allahu, nga një Zot i dashurisë dhe mëshirës është shndërruar në një zot të terrorit dhe urrejtjes.

Mirëpo, siç thotë Khalid ebul-Fadl: “Leksioni qenësor i mësuar nga historia islame është se grupet ekstreme janë gjithmonë të refuzuara dhe të përjashtuara nga Islami ortodoks; janë të margjinalizuara, dhe përfundimisht të trajtuara si devijime heretike nga porosia islame.”

Por shikoni se çfarë bëjnë hebrenjtë në Palestinë! Shikoni si veprojnë amerikanët! - thërrasin plot mllef myslimanët.

Një zë i vetmuar arab në Shark el-Eusat pyet: "Çfarë do të kishte ndodhur sikur çdo vend arab, që nga viti 1948, do të kishte përqendruar vëmendjen në ndërtimin e vetes nga brenda, pa e bërë Palestinën çështje kryesore? Çka do të ndodhte sikur çdo shtet arab do të ishte fokusuar në edukimin e qytetarëve të vet, dhe në përmirësimin e shëndetit të tyre fizik dhe emocional dhe të nivelit të tyre kulturor? Unë mahnitem me klerikët që bëjnë poterë për Xhihadin kundër Izraelit dhe konkurrojnë me njëri-tjetrin në nxjerrjen e gjykimeve juridike në mbështetje të vetëvrasjeve, por nuk inkurajojnë qytetarët e vet të ushtrojnë xhihad shpirtëror në ndërtimin e vendeve të tyre.”

Prandaj shtrohet pyetja thelbësore: A është modeli ynë i drejtësisë ai i Sharonit dhe i Bushit, apo ai kur'anor? Ndërsa Kur'ani thotë: Shikoni se ç'keni bërë me veten tuaj dhe çfarë jeni duke bërë. Shikoni në pasqyrë! Aty është e vërteta.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...