2013-07-21

Selvije Bajrami-Biletë njëdrejtimëshe nga Kosova


Asnjëri nuk flet. Autobusi tashmë është mbushur përplot me udhëtarë, dhjetëra të rinj dhe disa familje me nga dy-tre fëmijë përshëndesin me duar të afërmit e tyre nga xhami. Ora shënon 22:00 ditë e martë, autobusi ndizet, derisa të gjithë qëndrojnë në qetësi, heshtjen e tyre e thyen vaji i një fëmije që qante me të madhe, kah fundi i autobusit.
Me shikim të hutuar, shumica prej tyre për herë të parë merrnin rrugën drejt Beogradit, teksa bëheshin gati të nisnin rrugëtimin nga i cili nuk dihej se çfarë i priste.
Vozitësi i autobusit të kompanisë “Erhan” kujdesej të mos bëhej muhabet shumë për qëllimin e shumicës së udhëtarëve. “Hajde hyr brenda e rrugës flasim për detaje se po më duket na kanë diktuar”, thotë njëri nga shoferët, teksa dikush e pyeste nëse në mëngjes kur të arrijnë në Beograd ka autobus për Suboticë. “Mos bëj gajle se 60 për qind e tyre për Suboticë janë nisë”, përgjigjej ai derisa shikonte nëse ka edhe udhëtarë të tjerë për të mbushur dy autobusët e kompanisë së tij që niseshin pas pak për Beograd.
Më në fund gjithçka u kompletua, autobusi niset. Ndalesa e parë u bë në stacionin te Xhamia e Llapit në kryeqytet, për të marrë edhe një familje. Fillimin e rrugës edhe për disa kilometra e përcjell zëri i fëmijës që nuk ndalej së qari.
Në dy ulëset e para të autobusit dy veta paraqiteshin të jenë miq me vozitësin dhe se po shkojnë për një “punë të vogël” deri në Beograd. “Me 250 euro shpenzime po shkoj e po kthena në Beograd”, u tregonte shoferi “miqve” të tij teksa lavdëronte autobusin për komoditet e pak shpenzime krahasuar me kilometrat që i bën çdo natë drejt Beogradit. Shoferi tregonte se me hyrjen e Bullgarisë në BE u ka rënë puna, duke i penguar se po përmendej emri i kompanisë së tij si bartës i kosovarëve për Beograd. “Ata në vend që të punojnë për liberalizimin po merren me Erhanin e po këqyrin sa autobusë po shkojnë çdo natë në Beograd”, thotë shoferi.
Nisen pa asnjë dokument
Konduktori nis të shpërndajë bileta nga 15 euro njëdrejtimëshe për në Beograd. Pasi që përfundon me marrjen e të hollave, nxjerr një letër ku regjistron secilin pasagjer, thotë se i duhet për t’ia dorëzuar policisë kosovare në pikën kufitare në Merdare. Para se të arrijnë në këtë pikë kufitare bëhet ndalesa e parë për të pushuar te Restorant “Evropa”.
“Të thashë që shumica për andej janë (Suboticë). Ama sun folsha në Prishtinë se janë kah na këqyrin shumë”, thotë njëri nga shoferët. Dy autobusët e kompanisë “Erhan” që janë nisur nga Prishtina takohen edhe me autobusin e tretë “Fjolla” që kishte drejtimin e njëjtë, Beogradin.
“Jemi lodhë prej këtyre azilantave”, thotë shoferi tjetër. “Që pesë gjashtë muaj kurrë nuk janë ndalë”, vijon ai.
Të tre autobusët njëri pas tjetrit vazhdojnë rrugën drejt Merdares, aty polici i Kosovës bën mbledhjen e të gjitha dokumenteve për t’i kontrolluar se kush po kalonte kufirin. Njëri nga pasagjerët nuk kishte as letërnjoftim. Ai ia kishte mësyrë Serbisë e më pas Evropës pa asnjë dokument. Djali rreth të 30-ve zbret nga autobusi në mungesë dokumentesh e me të edhe dy djem e një vajzë që po udhëtonin së bashku.
“Të dua”, i thotë vozitësi policit në kabinë teksa bëhet kontrollimi i dokumenteve dhe autobusi lëviz në drejtim të pikës së kontrollit te policia kufitare e Serbisë.
Posa arrin autobusi në anën e Serbisë sërish kontrollohen dokumentet e udhëtimit. Vozitësi shfrytëzon këtë kohë për të ndezur një duhan me policinë e Serbisë. Pas gjysmë ore pritje, autobusi niset drejt Beogradit.
Jam nisur për Gjermani, nuk më pret askush
Nuk dëgjohet asnjë zë, qetësia vazhdon, konduktori fillon shpërndarjen e kafeve, të pijeve e nga një ëmbëlsirë të vogël për pasagjerët. “Më së shumti po udhëtojnë me neve se askush nuk qet pije e ëmbëlsira në autobus”, thotë njëri nga shoferët. Pasagjerët vetëm shikonin kah njëri-tjetri e eventualisht jashtë përmes dritares. Njëri nga ta u afrohet nga pas dy miqve të vozitësit.
“Për kah je nis?”, e pyesin ata djalin e ri. “Jom kah shkoj në Gjermani për të punuar si mekanik”, ua kthen ai. “A të pret najkush në Hungari”, e pyesin ata. “Jo valla askush. Jam nis qashtu”, ua kthen djaloshi. Njëri nga “miqtë” e vozitësit që dukej më i moshuar, fillon t’i shpjegojë diçka. Tjetri në vesh u flet diçka. Biseda për Gjermani ndërpritet aty. Djali që ishte i interesuar për atje, kthen shikimin për të parë se kush ishte afër, nga prania e së cilës ruheshin të mos merrej vesh plani i tyre.
“Për ku je nisë ti?, Veç vetë po udhëton a? A të pret najkush?” Më drejtoheshin duke më bërë pyetje se si një femër e vetme “ia ka mësyrë kurbetit”.
Francën e kanë synim
Tre autobusët vazhdojnë rrugën drejt Beogradit. Ka edhe një ndalesë prej gjysmë ore.
Prania e një femre të vetme në autobus, zgjonte kureshtjen. Por kishte edhe nga ata që mundoheshin të gjenin zgjidhje se si duhet kaluar kufirin. “Unë jam me dhëndrin, motrën e dy fëmijët e motrës. Hajde me neve”, me drejtohej një i ri nga Lipjani teksa në telefonin e tij kishte fotografuar rrugën se si duhet kaluar kufirin. “Kanë shku 1 mijë e 500 veç nga Vitia e Gjilanit e plot të tjerë nga Shtimja e Lipjani. Do prej tyre nuk e kanë ditur rrugën e kanë ecur nga shtatë orë. Por, unë e kam fotografuar e di këtë rrugë ku nuk na duhet më shumë se dy orë për të ecur”, thotë ai.
Ai tregon se si një shok i tij kishte udhëtuar katër ditë më herët. “Një shok i jemi ka arritur në Francë e ata në Prishtinë qohen thonë jo mos shkoni se nuk ju pranojnë, anej knej. Veç rrejnë sa me i ndalë njerëzit. Po qysh me i ndalë që prej Kosovës nuk ki ma kurrgjë”, thotë i riu nga Lipjani.
Tregon se ka punuar gjashtë vite në ndërtim të objekteve. Për gjashtë vite thotë se nuk ka mundur të bëjë asgjë. Familjen e motrës së tij e përshkruan të jetë në gjendje të rëndë ekonomike dhe kjo është arsyeja se pse ia kanë mësyrë azilit. “Neve na duhet veç deri në Hungari me mbërri. Aty kudo që të jemi, vjen na merr vëllai i dhëndrit që jeton në Gjermani. Unë për vete e kam synim të shkoj në Francë e të kërkoj azil e prej aty me shku në Zvicër me punu në të zezën”, tregon ai. “Shumë mirë që e paske veç çantën e krahut me vete se edhe motra jem veç dy çanta të vogla i ka edhe pse dy fëmijë. I thamë mos merr ma shumë çanta se ku me ditë sa na bjen me ecë”, fliste me mua i riu nga Lipjani.
Shoferët organizojnë udhëtimin drejt Hungarisë
“Kush jeni për Suboticë mos u ndalni në stacionin e autobusëve në Beograd se shkojmë më një vend tjetër e hipni në autobus”, u thotë udhëtarëve shoferi.
Autobusi vazhdon rrugën për t’u ndalur në stacionin e autobusëve në Beograd. Udhëtarët që ishin nisur vetëm drejt Beogradit ndalojnë aty derisa pasagjerët që shkonin drejt Suboticës mbetën në autobus. “Këtu e ke stacionin. Vetëm e kalon rrugën edhe aty e merr biletën për Suboticë se me ardhë ti me këtë guzhvën është shumë tollovi. Po ta bëj si favor masi qenke veç vetë”, më thotë vozitësi. Derisa djali i ri nga Lipjani më thërriste, “Hajde ku po shkon. Kthehu në autobus se neve shoferi na tha mos zbritni”.
Shoferi zbret nga autobusi dhe për të mos u kuptuar situata që ai po merret edhe me organizimin e udhëtimit drejt Suboticës vjen deri te vendi ku blihen biletat, më pas bëhet sikur ka harruar diçka në autobus, kthehet dhe bashkë me udhëtarët e tjerë vazhdon rrugën dhe pak minuta më pas arrijnë në një vend ku një autobus më i vogël me targa të Beogradit është i ndaluar. Pasagjerët që ia kishin mësyrë Suboticës e më pas Evropës, hipin në atë autobus rreth orës 06.00 të mëngjesit.
Rreth katër orë më vonë autobusi nga Beogradi arrin në Suboticë. Deri aty pasagjerët kanë paguar edhe nga 15 euro të tjera.
“Pat aty në Beograd që na thanë jo 1 mijë jo dy mijë për atje (Evropë) po erdhëm vetëm deri këtu e tash të shohim. Të presim mbrëmjen e t’i mësyhemi kufirit”, thotë djali nga Lipjani.
Qendra ku mbahen shqiptarët
Rreth 12 kilometra nga pika kufitare që lidh Suboticën me Hungarinë, kosovarët ndalen për të ecur në këmbë për të mos iu rënë në duar autoriteteve hungareze. “Shumë taksistë po bëjnë bartjen e tyre. Ata po shkojnë tek malet andej e po bartin shqiptarët”, tregon një taksist në Suboticë. Me një taksi të tillë nuk është problem të kalohet kufiri edhe në formën legale. Në brendi të territorit hungarez rreth 70 kilometra, gjendet qyteti i vogël Kishkunhalas. Në dy qendra të ndara në këtë qytet janë të vendosur aktualisht mbi 1 mijë kosovarë që janë zënë duke e kaluar kufirin ilegalisht.
“Shko në të majtë, një objekt me ngjyrë të verdhë, është objekti më i vjetër në Kishkunhalas, aty është qendra që po kërkoni”, thotë një grua teksa pyetet se ku është qendra e ndalimit në atë qytet.
Muret e vjetruara e me dritare që kanë grila por edhe oborrin e rrethuar anekënd me gjemba është vendi ku janë vendosur shqiptarët nga Kosova. “Kosova, Ylber, Besnik”, ishte e shkruar me gisht në pluhurin që kishte mbuluar derën e hekurt të kësaj qendre të ndalimit.
Disa pjesëtarë të sigurimit, të armatosur nuk e linin askënd të lëvizte në atë qendër. Ata janë persona të ndaluar që kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në Evropë. Hungaria po përgatit kthimin e tyre.
Nga jashtë ata dëgjoheshin se flisnin në shqip. Në grilat e dritareve ata kishin vendosur rroba për t’u tharë. “Nuk mund të bisedohet me ta. Ligjet në Hungari nuk ta lejojnë një gjë të tillë”, tregon njëri nga zyrtarët policorë të këtij qyteti.
“Ka shumë shqiptarë që janë në këto qendra. Nuk e kanë statusin e azilantëve por të ilegalëve dhe që shumë shpejt do të bëhet deportimi i tyre prej nga kanë ardhur”, thotë më tutje ai teksa rekomandon që për më shumë detaje në lidhje me numrin e azilantëve e ilegalëve të shkohet në Qendrën e Azilkërkuesve në Budapest.
Biseda me të përfundon ndërsa në dalje e sipër nga takimi, një polic na ndalon për të mos e zënë rrugën ku po ecnin disa “ilegalë” kosovarë e të cilët ngarkoheshin me një furgon të policisë për t’u dërguar në një qendër tjetër ndalimi.
Shumica nga ta janë fëmijë. Atyre iu jepet nga një shishe ujë për të nisur rrugën në qytetin ku temperatura ishte 33 gradë celsius. 

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...