2013-09-20

Mehmet Kraja,Bota shqiptare e ndarë prej provincializmit

I nderuari Z. Kraja, prej pak ditësh ka nisur një debat i ri në Shqipëri që lidhet me marrëdhëniet brenda Lidhjes së Shkrimtarëve. Shumë shkrimtarë shqiptarë po përpiqen të retushojnë apo më shumë akoma të tregojnë një lloj desidence prej këtij institucioni të Realizimit Socialist, megjithëse kanë qenë anëtarë të tij? Si po e përcillni dhe çfarë mendimi keni për këtë debat?“E kam ndjekur debatin, për aq sa mund të ndiqet nga distanca. Mendoj se ekziston një keqkuptim në këtë mes, një si mbivlerësim i rolit të disidencës në letërsi. Disidenca nuk përfshihet në nocionet dhe kategoritë letrare, ajo i takon fushës së ideve. Nga andej është bartur edhe në letërsi dhe në arte, si utilitarizëm, si nevojë për angazhim shoqëror të shkrimtarëve, sepse, në një rrethanë të caktuar, shoqëritë e përfshira nga diktatura kanë pasur nevojë urgjente për ta ndryshuar gjendjen. Në këtë situatë, me të drejtë ose jo, letërsisë dhe shkrimtarëve u është ngarkuar një funksion shtesë. Pra, bëhet fjalë për një punë joletrare të shkrimtarëve, për një funksion joartistik të letërsisë. Tani, shikuar nga kjo perspektivë dhe në këtë kontekst, shumica e shkrimtarëve shqiptarë dalin luajalë ndaj diktaturës, sepse shumica syresh nuk u burgosen, nuk u internuan, nuk u pushkatuan, pra mbijetuan disi. Mendoj se është johumane t’ju thuash njerëzve, përse ju nuk u bëtë heronj të disidencës, nuk vdiqët nëpër kampe, sepse të gjithë e dimë se diktatura në Shqipëri ishte e egër dhe të gjithë do të kishin këtë përfundim. Pra, nuk besoj tek ata që thonë se disidenca letrare do ta shpëtonte Shqipërinë, sikundër që nuk besoj as te lidhjet e forta të letërsisë me fushën e ideve. Më anë tjetër, është gjë që dihet, vetëm shkrimtarët mesatarë dhe të dobët kanë nevojë të mbahen pas ideologjive, pas lidhjeve të shkrimtarëve, pas disidencave dhe gjërave të këtilla periferike. Fundja, disidenca në Shqipëri, e tillë siç perceptohet tani, duke njohur rrethanat, ka qenë “një ëndërr e marrë hua”, nuk ka mundur të jetë autentike, madje e tillë ngjan edhe kur lexon pamfletin e pretenduar të Trebeshinës. Thënë me një fjalë, unë nuk jam nga ata spektatorë cinikë të arenës së gladiatorëve, po parafrazoj Kadarenë, teksa iu them kolegëve të mi shkrimtarë të Tiranës, përse nuk vdiqët të shqyer nga bishat, që të bëheshit disidentë, që ne pastaj të korrnim frutat dhe favoret e disidencës suaj? Përkundrazi, unë ju them: Më mirë që mbetët gjallë, sepse vetëm të tillë mund t’i shkruanit veprat, të cilat unë i kam lexuar me ëndje!”
Si e kanë shprehur disidencën e tyre ndaj realizmit socialist, autorët shqiptarë të ish-Federatës jugosllave, pasi paradoksalisht ata kanë pasur një lloj lirie relative më të madhe estetiko-artistike sesa kolegët e tyre në Shqipëri?“Rrethanat në Kosovë nuk kanë qenë të ngjashme me ato të Shqipërisë. Që në vitin e hershëm 1956, Titoja, përmes Kërlezhës, shpalli pluralizmin e metodave dhe të shkollave letrare. Pas këtij viti, edhe po të doje, nuk të fuste njeri në burg për çështje letrare. Natyrisht, shteti nuk kishte hequr dorë plotësisht nga kontrolli mbi letërsisë, vetëm se këtë e bënte në mënyrë më të sofistikuar, duke vënë në veprim mekanizma më inteligjentë. Kjo rrethanë bëri që në ish-Jugosllavi, pas Gjillasit, të mos kishte disidencë të mirëfilltë ideologjike, por atëbotë në skenë doli e ashtuquajtura disidencë nacionale. Edhe përkundër propagandës së madhe që bëhej për gjoja zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale, në prapaskenë elitat intelektuale të të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë ishin të pakënaqura. Nga të gjithë të pakënaqurit, më të pakënaqur kishin arsye të ishin shqiptarët. Këto ishin rrethanat e përgjithshme, por nuk mund të them se nuk kishte zhvillime brenda botës letrare, përfshirë edhe diskutime, polemika, situata konflikti etj. Edhe atëherë në Kosovë shteti i kishte shkrimtarët e vet të preferuar, madje disa politikanë të Kosovës shfaqeshin edhe si “mecenë” të shkrimtarëve, ta zëmë, Fadil Hoxha kishte Rexhep Qosjen dhe Ali Podrimjen, Sinan Hasani kishte një grup shkrimtarësh të Gjilanit, Ismajl Bajra kishte Ibrahim Rugovën, Anton Pashku nuk kishte nevojë për mbështetje politike, sepse ai bënte art të paangazhuar, por edhe për këtë mosangazhim i gëzonte ca privilegje të vogla. Sido që të ketë qenë, unë nuk i gjykoj këta shkrimtarë, sepse nuk them se nga mbështetjet e tilla politike pësuan veprat e tyre. Megjithatë, luajaliteti iu ndihmoi që, në ndonjë rast, të zinin pozita më të mira në hierarkinë institucionale, të rregullonin statusin e tyre shoqëror, të bëheshin të paprekshëm, të gëzonin privilegje, t’i ribotonin veprat etj. Ose të shfaqeshin më të guximshëm në opinion, gjithnjë me idenë se sistemin e kritikonin si të besuarit e tij, jo për ta rrënuar atë, por për ta bërë më të mirë. Në këtë rrjedhë të ngjarjeve, një zhvillim interesant paraqet gjithsesi një pamflet letrar i shkruar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, “Vox clamantis in deserto”, i cili në dukje të parë ngrihej kundër letërsisë së realizmit socialist në Kosovë. Në të vërtetë, siç u pa më vonë, pamfleti ishte nxitur dhe ishte mbështetur nga strukturat e partisë dhe të pushtetit, për t’iu kundërvënë Shqipërisë, letërsisë së saj, e cila kishte filluar të ushtronte ndikim gjithnjë e më të madh në Kosovë. Ndonjëri nga nënshkruesit e këtij pamfleti nuk do ta kuptojnë kurrë se çfarë kishin nënshkruar në të vërtetë”.
Ka kurba të ndryshme zhvillimi të letërsisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. A ka pasur ndonjëherë momente kur letërsitë e dy vendeve kanë pasur pika takimi, sipas jush?“Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, Jugosllavia kishte nisur projektin e formimin e një kombi të ri nga shqiptarët e mbetur në këtë shtet. Për ta realizuar këtë projekt politik, Jugosllavia filloi të nxiste ndarjen kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve të Kosovës nga shqiptarët e Shqipërisë. Më vonë Jugosllavia hoqi dorë nga projekti, por ndarja mbeti. Letërsia dhe artet kishin një rol në këtë ndarje, prandaj në Kosovë u fuqizua ideja e një letërsie krejt ndryshe nga ajo e Shqipërisë, “një letërsi jugosllave e shkruar në gjuhën shqipe”, nëse mund të quhet kështu. Kësaj ndarjeje i shkonte në favor ngushtësia ideologjike e realizmi socialist në Shqipëri, më një anë, dhe një hapje fantastike e Jugosllavisë, kundrejt rrymave letrare dhe zhvillimeve kulturore në Perëndim, më anë tjetër. Sesa e shpejtë dhe sa joshëse ishte kjo hapje, po ua sjell një shembull: më 1966 në Paris u vu në skenë drama “Në pritje të Godosë” e Beketit, e cila ndryshoi dramën dhe teatrin evropian; më 1967, kjo dramë u vu në skenën e Teatrit të Prishtinës, pra vetëm një vit më vonë. Kështu ndodhte në të gjitha artet. Letërsia e Kosovës e atyre viteve, dhe më vonë, filloi të ndiqte modelet jugosllave të përthithjes së shpejtë të trendeve perëndimore. Por zhvillimet nuk shkonin vetëm në këtë krah. Po në këto vite fillon një depërtim i fuqishëm i letërsisë së traditës, e cila komunikonte mirë me gjendjen dhe nivelin e lexuesit në Kosovë, ribotohet ose merret nga Shqipëria letërsia e realizmit socialist, në të njëjtën kohë përkthehet dhe botohet shumë nga letërsia botërore dhe jugosllave, ndërsa letërsia e Kosovës njeh zhvillime jashtëzakonisht dinamike. Vetëm se një gjë iu kishte dalë nga mendja atyre që përpiqeshin ta menaxhonin këtë situatë: lexuesi i Kosovës mbetet jashtë përfshirjeve jugosllave, ai kapet fort pas letërsisë së traditës dhe pas letërsisë së realizmit socialist që krijohej në Shqipëri, sepse ky nivel i letërsisë korrespondonte mrekullisht me gjendjen e tij shoqërore, arsimore, politike, kombëtare etj. Pra, letërsia e Kosovës njohu zhvillime interesante në planin e modernitetit, por këtë e pagoi shtrenjtë, me braktisjen e lexuesit. Tani pyetja shtrohet: këto dy letërsi, e Kosovës dhe e Shqipërisë, kanë gjë të përbashkët ose jo? Unë them se është e njëjta letërsi, sepse gjuha e tyre, pra mjeti themelor i ndërtimit dhe shprehjes është i përbashkët, por përvojat ishin të ndara, së paku deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Është e njëjta gjë si me letërsinë arbëreshe gjatë periudhës së romantizmit dhe Rilindjes. Situatat e tashme bëjnë të ditur se letërsia e Kosovës, pak nga pak, do të pushojë së ekzistuari, sepse rrethanat që e krijuan atë nuk do të veprojnë më. Do të ketë një letërsi shqipe, tërësisht e integruar, dhe, në kuadër të saj, ca letërsi lokale, ndër të cilat do të vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre edhe letërsia e shqiptarëve në Maqedoni, letërsia e Kosovës, letërsia e rrethit letrar të Shkodrës, të Vlorës etj. Vetëm se pararendja deri në këtë integrim ka njohur dhe do të vazhdojë të njohë zhvillime jo tipike, refuzime, kundërshti, fenomene kontroverse. Aty-këtu do të gjenden edhe pikëtakime të çuditshme, fenomene krejtësisht autonome. Ta zëmë, të paktë janë ata në Shqipëri, që do ta pranojnë se letërsia e Kosovës ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë ndikim në letërsinë që u krijua në Shqipëri pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Sekush në Shqipëri e sheh si të pamundur një gjë të tillë. Madje e sheh si nënçmim, në një kohë që fenomeni zhvillohet në një mënyrë krejt të natyrshme, është thjeshtë letrar dhe artistik dhe nuk simulohet nga asnjë nxitës i jashtëm”.
Të flasim për një temë, ku ju keni përcjellë një libër shumë interesant “Identiteti kosovar”. A mund të përforcohet dhe të kultivohet vetëdija e një kombi? Mendoni se mund ta bëjnë këtë kosovarët e sotëm?“Kohëve të fundit, pas vitit 1999, në Kosovë filluan të qarkullonin ide të ndryshme, në opinion, në ambientet politike dhe kulturore, rreth asaj se kush ishin në të vërtetë kosovarët dhe çfarë mund të synonin të bëheshin ata, në rrethanat e strukturimeve të reja politike, a do të bëheshin komb më vete, pasi të bëheshin shtet etj. Këto shqetësime kosovarëve iu imponuan nga sponsorë të jashtëm, të cilët kërkonin zgjidhje për statusin politik të Kosovës dhe donin që kjo zgjidhje të mos prekte baraspeshat ekzistuese në Ballkan dhe në Europë. Dy ishin variantet e kësaj zgjidhjeje: ose kthim i Kosovës nën Serbi, ose shtet i pavarur. Zgjidhja e tretë, bashkim i Kosovës me Shqipërinë, përjashtohej në çdo rrethanë. Madje, kjo ide ishte tmerruese edhe për miqtë e Kosovës dhe të shqiptarëve. Prandaj, që të mund të stabilizohej një zgjidhje e këtillë jo e natyrshme, sepse zgjidhje e natyrshme do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, iu mëshua fort idesë së krijimit të një identiteti të ri kombëtar, i cili pak nga pak do të stabilizonte këtë zgjidhje politike të panatyrshme. U kërkuan dhe u gjetën modelet për këtë identitet; u kërkuan dhe u gjetën argumentet e keqinterpretuara, sa nga politika, sa nga historia, sa nga gjuha, sa nga kultura. Natyrisht, u shfrytëzua në mënyrë shumë efikase edhe një refuzim i hershëm, ta quajmë historik, që Shqipëria ushqente ndaj Kosovës. Nuk pyeste njeri nëse Kosova kishte potencial, nëse kishte kapacitete për të krijuar një komb të ri, në kishte mëvetësi identitare, kjo pak kishte rëndësi. Nuk kishte rëndësi asgjë që bashkonte, asgjë që kosovarët i bënte shqiptarë, më e rëndësishme ishte çdo gjë që shkonte kundër kësaj rrjedhe. Për mua ky ishte një provokim i rëndë që po u bëhej shqiptarëve. Po nëpërkëmbej çdo vlerë jona, po nëpërkëmbej potenciali ynë intelektual, madje po nënçmohej aftësia jonë për të mbrojtur tërësinë identitare. Prandaj shkrova librin “Identiteti kosovar”, që t’u përgjigjesha të gjitha pyetjeve dhe dilemave, dhe, natyrisht, të jepja shpjegimet përkatëse për një sërë keqkuptimesh dhe paqartësish. Libri, pra, nuk synonte të ridimensiononte çështjen e identitetit kosovar, apo të identitetit shqiptar në përgjithësi, por kishte për synim të mbyllte një debat joproduktiv, të improvizuar dhe të deformuar për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare. Më anë tjetër, perceptimi për Kosovën si “kultivuese e vetëdijes kombëtare”, në kohën kur Shqipëria duket sikur manifeston deficit patriotizmi, për mendimin tim është i gabuar. Kosovarët kishin dhe mbase ende vazhdojnë të kenë rrethana që favorizojnë njëlloj patriotizmi folklorik, por kjo është çështje perceptimi dhe asgjë më shumë”.
A shikoni se ka një tendencë që Shqipëria dhe Kosova të krijojnë dy identitete të veçanta. Mendoni se është e ushqyer me dashakeqësi, apo është thjesht produkt i sjelljeve kaotike të njerëzve që kanë tagër pushteti në Kosovë dhe në Shqipëri?“Në këtë pikë dua të jem krejtësisht i qartë: pavarësisht nga rrethanat që favorizojnë ndarjet, pavarësisht nga zhvillimet divergjente, procesi i krijimit të identitetit shqiptar të Kosovës është i mbyllur përgjithnjë. Kosova ka marrë pjesë në të gjitha proceset historike, të cilat e kanë krijuar kombin shqiptar, në mbarë lëvizjen kombëtare, që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri te ngritja e flamurit në Vlorë. Zhvillimet e mëvonshme politike krijuan ndarje të Kosovës nga Shqipëria, por krejt historia e Kosovës nga viti 1912 e prapa është e lidhur me synimin e saj për të qenë pjesë e pandarë e Shqipërisë. Kjo histori e gjatë dhe e mundimshme e Kosovës mori kthesë më 1999. Më 2008 Kosova u bë shtet i pavarur. Zgjidhja nuk ishte ideale, ishte e detyruar, një zgjidhje kompromisi. Kosova shtet i pavarur nuk është rezultat i një procesi historik, është rezultat i një procesi politik, përfshirë këtu edhe kompromiset konjukturale të bashkësisë ndërkombëtare. Detyrimisht u bënë kompromise, sepse Kosova nuk arriti ta fitonte luftën dhe të çlirohej, pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Më pastaj erdh pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila thotë se Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër ose me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër dhe kjo dispozitë themelore kushtetuese nuk mund të ndryshohet pa marrë miratimin formal të minoriteteve të Kosovës, që domethënë një kodifikim i egër i vullnetit të popullit i lënë përgjysmë. Po me këtë qëllim u bënë me nxitim flamuri i Kosovës, himni etj. Identitetet e ndara duhet të krijojnë njëlloj garancie se ndarja politike do të jetë e qëndrueshme, pra jokalimtare. Thënë me një fjalë, këtu qëndron ligësia e sponsorëve të identitetit të ndarë kosovar. Por, më anë tjetër, pavarësisht nëse sjelljet e shqiptarëve ishin kaotike ose jo, potenciali i tyre i munguar ishte ai që e sanksionoi këtë zgjidhje. Jam i bindur se klasat politike të Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilat nuk kam shumë respekt, në këtë rast ishin vetëm spektatorë të zakonshëm”.
Kosova përdoret shpesh dhe shumë në Shqipëri nga politikanët për të treguar pH. (pehashin) e patriotizmit dhe me sa duket ashtu përdoret në Kosovë, Shqipëria. A duket se të dy vendet tona kanë një lloj kompleksi të pashprehur për të treguar se kush ka kontributet më të mëdha në shqiptarizëm apo është streha e zakonshme e maskarenjve?“Patriotizmi, pra edhe shqiptarizmi, shpesh ka qenë dhe vazhdon të jetë strehë e maskarenjve, por fenomenin nuk e drejtojnë ata, ata kërkojnë dhe gjejnë terrenin e përshtatshëm për zhvilluar tregtinë e tyre me të gjitha vlerat dhe shenjtëritë. Proceset shqiptare i drejton faktori ndërkombëtar, bashkë me elitat tona politike dhe intelektuale. Unë do të doja që të ishte pikërisht siç thoni ju, pra një garë ndërmjet këtyre elitave, se kush ka dhënë kontributin më të madh për shqiptarizëm etj. Por kam drojë se nuk është fare kështu. Gara e këtyre elitave është shumë më pragmatike: ato kanë gjetur interesa krejt tokësore në këtë ndarje. Provincializmi është bërë sinonim i një bote të ndarë shqiptare. Ky provincializëm në politikë dhe në jetën intelektuale krijon favore për mediokrit e të dy hapësirave, për Kosovën dhe për Shqipërinë. Një akomodim më të rehatshëm gjithsesi ndjen elita politike dhe intelektuale e Kosovës, e cila, tani, duke pasur shtetin e saj, hapësirën e saj sovrane, nuk ka nevojë të futet në asnjë garë vlerash, me askënd, për asgjë. Ajo jeton e qetë në pashallëkun e saj, keqpërdor pushtetin, keqpërdor institucionet, keqpërdor mungesën e konkurrencës, është elitë provinciale, e cila ndihet e lumtur pse nuk ka alternativë më të mirë. Integrimi kulturor, politik, ekonomik i hapësirës shqiptare do të krijonte një konkurrencë më të madhe vlerash, ndërsa elitat tona ende kanë forcë ta bllokojnë këtë proces”.
Partitë e dy Aleancave që konkurrojnë në Shqipëri po luftojnë më shumë me slogane kundër njëra-tjetrës sesa me diferencat e programeve. Si e shikoni këtë padituri të publikut, që është kaq indiferent ndaj programeve dhe kaq i hapur ndaj premtimeve dhe thashethemeve?“Unë kam jetuar në një kohë të vështirë në Shqipëri, në periudhën e transicionit më kaotik, 1992-1999, atëherë kam qenë edhe njohës i mirë i rrethanave politike të Shqipërisë. Tani nuk jam më, jam shkrimtar dhe shkrimtarët, në përgjithësi, janë politikanë jopragmatikë, të cilët e shpesh e meritojnë talljen e opinionit, për shkak të marrëzive që flasin, veçmas disa prej tyre, përfshirë edhe të tillët, që, nga Kosova, pretendojnë të ushtrojnë ndikim në skenën politike të Shqipërisë. Unë nuk ushqej iluzione të tilla, kaq të marra”.
Pse nuk vjen në Shqipëri “Identiteti kosovar”. Mëdyshoni se mund të ngjallë reagime apo ka qenë një zgjedhje juaj t’i qëndroni larg debateve që mund të lindin me Shqipërinë?“Ishte një gabim. Ndryshe nga librat letrarë, që i botoj te ‘Onufri’ i Tiranës, këtë libër e botova në Prishtinë, duke dashur të mos i bëhesha ngarkesë botuesit tim, gjithnjë me idenë se libri fliste për një çështje ekskluzivisht kosovare dhe, si i tillë, nuk do të gjente lexues në Tiranë. Por, çuditërisht, libri gjeti në Tiranë disa lexues të kualifikuar, jo të shumtë në numër, por jashtëzakonisht cilësorë. Pra, nuk bëhet fjalë për ikje nga debatet, mua, madje, më pëlqen të jem i përfshirë në debate të tilla, vetëm se në debatet e Tiranës, Kosova përfaqësohet keq, me juristë të padiplomuar që flasin për gjuhën, me gazetarë diletantë, me shkrimtarë të dobët dhe politikanë gjysmë analfabetë. Prapa këtyre, qëndron një Kosovë tjetër, që Shqipëria nuk e njeh ende”.
Ka një rendje në Shqipëri, gati panegjirike, për të vlerësuar një letërsi e cila nuk komunikon fare me publikun. Pak a shumë duket një situatë e tillë në Kosovë. Në çfarë stadi e shikoni letërsinë e sotme shqiptare në dy krahët e kufirit?“Letërsia në Kosovë për një kohë të gjatë është ballafaquar me panegjirike të këtilla, që mbivlerësonin të ashtuquajturën letërsi hermetike, në një kohë që hermetizmi nuk gjendet askund si nocion dhe kategori letrare. Kjo rrethanë në Shqipëri ka mundësi të jetë bartur nga moda letrare e Prishtinës së dikurshme, por edhe nga një prirje e përgjithshme e shkrimtarëve, që mjegullave të tyre t’u japin emra kumbues. Më e mundshme mund të dalë, se bëhet fjalë për një fenomen tjetër, gjithashtu i përhapur nga Prishtina, për të ashtuquajturin mendim kritik letrar, i cili synon të bëhet autonom, ta dominojë dhe ta orientojë letërsinë. Ky mendim kritik, megjithëqë shitet si i avancuar, ndër ne është i prapambetur, sepse mbështetet te dijetarë perëndimorë, të cilët teoritë e tyre i kanë ndërtuar mbi një fazë kalimtare e letërsisë evropiane, siç ka qenë anti-romani, anti-drama, që kanë sjellë në përdorim teoritë e polivalencës së tekstit etj. Por në Europë askush nuk shkruan më anti-roman, ndërkohë që dijes letrare shqiptare edhe sot i imponohen dhunshëm shkrimtarët teorikë që janë marrë me këtë eksperiment letrar. Pra, besoj se bëhet fjalë për një fazë kalimtare, e tillë siç ishte dikur edhe në Kosovë. Vetëm se këtu më duhet ta përsëris edhe një herë: Letërsia e Kosovës nuk ekziston më, është një letërsi në shuarje e sipër, disa fenomene të përvojës së saj do të mbijetojnë edhe për një kohë, do të ngatërrojnë mendjet letrare, mund të përbëjnë edhe objekt interesant për studime, por është më se e qartë se letërsia e Kosovës së shpejti nuk do të mund t’i shërbejë për krahasim letërsisë që krijohet në Shqipëri, sepse letërsia që krijohet në Shqipëri është vetë letërsia shqipe, e tëra, e plotë, ndërsa letërsia e Kosovës do të jetë vetëm pjesë e saj, prandaj nuk do të ketë kuptim që një letërsi e tërë të krahasohet me pjesën e vet”.


Intervistoi Ben Andoni

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...