2013-09-20

Blerina Sadiku: Politikat e qeverisë greke ndaj shkollave shqipe në Çamëri


Në mesin e shek. XIX qarqet nacionaliste greke, kisha dhe kleri grek, iu kundërvunë me të gjitha përpjekjet përhapjes së shkollës dhe gjuhës amtare të etnive jo greke aty. Në të kundërt, në përhapjen e helenizmit në viset e banuara nga shqiptarë, vllehë, hebrenj, sllavo-maqedonas dhe asimilimin e tyre pati rol edhe përhapja e shkollave greke. Për më tej, hapja e shkollave greke në trevat me popullsi ortodokse të Ballkanit ishte pjesë e marrëveshjes së Portës së Lartë me Patrikanën e Stambollit. Momenti i përhapjes më të madhe të këtyre shkollave fillon pas vitit 1769, kur u abrogua autoqefalia e kishës së Ohrit dhe asaj të Pejës dhe kur Patrikana e Stambollit, gjithnjë e më shumë greke, i forcoi pozitat e saj në raport me Portën e Lartë.
Kështu në vitin 1850 me iniciativën e klerit dhe kishës greke formohet e ashtuquajtura shoqëria “Llaos”, e cila furnizonte me mjete financiare shkollat greke në territoret shqiptare. Kjo bëri që nën hijen e pushtetit osman, numri i shkollave greke të përhapej nga dita në ditë në Epir duke pasur dhe përkrahjen e pakufizuar të Patriarkanës së Stambollit. Në këtë kohë u aktivizua edhe “Shoqata për përhapjen e kulturës greke” me qendër në Athinë, duke e shtrirë rrezen e veprimtarisë së saj edhe në vilajetin e Janinës. Ajo me propagandën që zhvillonte, si ngritjen e ndërtesave shkollore greke, me shpërndarjen e librave, po mbillte farën e re që synonte dhe kushtëzonte me shkombëtarizimin e popullsisë ortodokse shqiptare apo vllehe. As shqiptarët myslimanë, as ata të krishterë në Çamëri, madje as vllehtë dhe hebrenjtë në Greqi, para vitit 1912 nuk flisnin greqisht. Në këtë kohë hebrenjtë që flisnin greqisht ishin të pakët. Në fund të shekullit XIX, në Shqipërinë e Poshtme që shtrihej deri në Prevezë e deri në Artë, ishin hapur 320 shkolla greke me plane e programe që frymëzonin e ushqenin nacionalizmin helen. Shkollat greke ishin nën kontrollin e Athinës e të të klerit grek, të cilët po i jepnin atyre një drejtim të qartë pan-ortodoks e panhelenik. Athina, mjetin kryesor për asimilimin e etnive të huaja të përfshira progresivisht në kufijtë e shtetit grek e shihte tek mosnjohja e minoriteteve, e gjuhëve të tyre kombëtare dhe tek helenizimi i tyre nëpërmjet shkollës dhe politikave sociale. I bindur në “fuqinë asimiluese të helenizmit, ministri grek i Punëve të Jashtme deklaronte: “…shqiptarët çamë që popullojnë Epirin në një të ardhme të afërt do të bëhen mbrojtësit më të flaktë të helenizmit dhe të ideve helenë…”. Gjuha shqipe për grekët ishte një gjuhë që përbuzej. Në fund të shek. XIX, gjendja arsimore në Çamëri, si në të gjitha viset shqiptare ishte e vajtueshme. Çamëria në këtë kohë nuk kishte asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ndërkohë, qeveria greke në bashkëpunim me Patriakanën e Stambollit hapi me dhjetëra shkolla greke në fshatrat e qytetet e Çamërisë. Qëllimi i këtyre shkollave shkruan historiani epirot, Zotou Mollossou, ishte të helenizonin ortodoksët shqiptarë. Zyrtarët e lartë të Athinës, kisha dhe kleri i lartë grek e shihnin me shqetësim faktin që siç shpreheshin ata: “… gratë dhe fëmijët e fshatrave ortodokse shqipfolës, flisnin vetëm shqip. Nisur nga këto qëllime, priftërinjtë grekë shkonin enkas nëpër fshatrat e krishtera ku flitej vetëm shqip dhe u lexonin ortodoksëve shqiptarë liturgjinë greqisht. Athina, me anën e kishës dhe priftërinjve, përpiqej të nxiste përçarjen midis myslimanëve dhe ortodoksëve shqiptarë. Kjo propagandë bëri që të krijohej një hendek i madh midis besimeve. Në kishë, priftërinj fanatikë mundoheshin t’i indoktrinonin turmat injorante me urrejtje fetare, etnike e racore kundër jo-grekëve, kundër shqiptarëve, ashtu si kundër hebrenjve, turqve, sllavëve e vllehve.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...