2013-09-20

Në pranverën e vitit 1981 nis rrenimi i Jugosllavisë


Tahir Geci: 
1. Rrethanat që përshpejtuan kryengritjen shqiptare
Shteti jugosllav në fillim të viteve të tetëdhjeta ishte përfshirë nga një krizë e thellë, e cila, pos vështirësive të natyrës ekonomike, manifestohej edhe me një rënie morale të të gjitha strukturave të një sistemi të shthurur, që shkonte gjithnjë e më shpejt drejt dezintegrimit përfundimtar. Paskënaqësia e popujve të atij shteti manifestohej kudo, qoftë me ndërprerje të punës në formë grevash, qoftë me mosmarrëveshje të natyrës ndërnacionale, në të cilat, e, mbi të gjitha, hetohej lufta e klaneve dhe grupacioneve kombëtare për pushtet dhe për ndikim më të madh në organet e federatës. Ashpërsimi kishte arritur kulmin sidomos mes klaneve udhëheqëse serbe, kroate e sllovene. Klani serb, si më i madhi për nga numri në organet e Federatës, por edhe në organet udhëheqëse të republikave të tjera dhe të dy krahinave, ishte në ofensivë. Ai e kishte shtuar aktivitetin për arritjen e qëllimeve serbo-mëdha dhe, periudhën pas Titos, e shihte si shansë të madhe për arritjen e qëllimeve serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe”.
Kuadrot serbe brenda udhëheqjes së lartë jugosllave, e kishin shtuar presionin. Ato, madje, qysh para aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, ia kishin bërë të qartë udhëheqjes jugosllave se nuk ishin të kënaqura me avansimin e pozitës kushtetuese të të dy krahinave autonome, e në veçanti të Kosovës. Dy vite pas aprovimit të Kushtetutës, e kishin vënë në ullim pamfletin e ashtuquajtur „Libër i kaltërt“, me të cilin minoheshin ndryshimet kushtetuese. Ai pamflet do të shërbejë, kohë më vonë, si bazë për Memorandumin e mëvonshëm të Akademisë së Shkencave serbe, e cila, e përkrahur nga makineria e shtypit dhe nga politika zyrtare, qe venë në funksion të realizimit të politikës ditore me synim të krijimit të “Serbisë së Madhe”, sipas modelit të “Serbisë mesjetare”. Në vazhdën e betejës për t`i arritur qëllimet për“Serbinë kudo që gjendej një varr serb”, ata vepronin sipas parimit: ”Sa më keq (për të tjerët) aq më mirë (për serbët)”, duke qenë të vetëdijshëm se kuadri udhëheqës në armatën e Jugosllavisë, përbëhej me mbi 70 për qind nga serbët, dhe se ai kuadër e mbështeste politikën serbe për të dominuar mbi popujt tjerë të atij shteti. Kriza dhe konfuzioni i krijuar nga veprimet e udhëheqjes serbe në tërë shtetin, në mënyrë të veçante reflektohej në Kosovë, nga se ajo ishte synim i kahmotshëm serb. Aty gërshetoheshin në mënyrën më të ashpër të gjitha problemet.
Veprimet e para të pazakonshme për ambientin dhe traditën shqiptare, u shfaqën me rrënimin dhe dëmtimin e ca varrëzave serbe në komunën e Vushtrrisë. Ato veprime vandaliste, shtypi dhe propaganda serbe, në mënyrë kuturu, ua vuri për barrë shqiptarëve, duke i cilësuar si vepra të „nacionalistëve shqiptarë“, ndonëse as më parë e as gjatë atyre ditëve nuk ishin dhënë argumente që shqiptarët të kishin rrënuar varre. Dhe, pa dyshim, rrënimet e tilla patën krijuar huti në opinionin kosovar. Populli nuk e kishte të qartë faktin se veprimet e tilla ishin pjesë e strategjisë së udhëheqjes serbe për t`i destabilizuar rrethanat në Kosovë, se ato veprime orientoheshin nga udhëheqja e lartë serbe, se ato rrënime inskenoheshin nga shërbimet sekrete serbe për të krijuar situata tendosëse, të cilat mund të shërbenin si shkas për inicimin e rrënimit të pozitës kushtetuese të Kosovës, si Elemet konstituiv i Federatës. Propaganda serbe, në mbështetetje të veprimeve të tilla, kishte arritur të krijojë opinionin brenda shtetit jugosllav se shqiptarët bënin presion mbi popullatën serbo’malazeze për t`i shpërngulur nga Kosova. Por, ajo ishte vetëm një anë e medaljes, nga se gjendja ishte para vlimit edhe në aspektet tjera.
Në rrethana të tilla,  në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, nisin Demonstratat e  rinisë studentore të Prishtinës, të cilat, siç treguan ngjarjet e më vonshme, nuk ishte kurrfarë rastësie as e papriture, edhe pse në dukje të parë, asaj mbrëmjeje, një grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, gjatë marrjes së darkës në mensën e studentëve, të pakënaqur me cilësinë e  ushqimit, i kishin thyer ca pjata dhe e kishin hudhur darkën e përgatitur. Pra, një pakënaqësi, në dukje e rastit, e shprehur me revoltë e thyerje orendish, ishte përkrahur nga shumica e studentëve shqiptarë, që kishin pritur radhën për të marrë ushqimin. Dhe, nga aty, kishte filluar grumbullimi i studentëve, me ç`rast ishte shfaqur ideja për të dalë me kërkesa për kushte më të mira jetësore, dhe për të demonstruar nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës.


Mensa e Studentëve në Universitetin e Prishtinës

Mllefi i shfaqur në mensë gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, jo më vonë se një orë më pas, në një demonstratë të fuqishme. Turma e studentëve, duke brohoritur: „Kushte më të mira jetësore!“, „Kushte!, Kushte!“, derdhet rrugëve e shesheve të Prishtinës për t`u ndalur para institucioneve politiko-administrative: Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve. Rrjeshtave të studentëve iu bashkohen të rinjtë e shkollave të mesme të turnit të pasdrekës, si edhe një numër i madh qytetetarësh, që kishin qëlluar në qëndër të qytetit apo që ishin informuar për grumbullimin dhe daljen e studentëve në rrrugë. Dhe, siç do të vërtetohet më vonë, nuk ishte ai vetëm fillim i shfaqjes së pakënaqësisë së rinisë studentore shqiptare përmes demonstratave, por, përkundrazi, ishte ai fillim i përfundimit të „Perandorisë jugosllave“, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në Londër e Versajë për t`u modifikuar më vonë si Jugosllavi e Jajcës, e, për më tepër, edhe përfundim i gjithmonshëm i gënjështrave dhe mashtrimeve brendashqiptare mbi gjoja zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të tyre në Jugosllavinë e asaj kohe, gënjështra ato që i kishte shpërndarë, vite me radhë, makineria e fuqishme propagandistike jugosllave, duke marrë si bazë mbështetëse gjoja frytet e revolucionit popullor:“Vëllazërimin, bashkimin dhe bashkëjetesën mes popujve”.

2. Kërkesë unike - pavarësimi nga Serbia
Periudha 15 ditëshe mes Demonstratave të 11 dhe 26 Marsit 1981, mbetet ndër më të rëndësishmet, shikuar nga aspekti i mënyrës së organizimit të palëve të konfrontuara: grupeve ilegale shqiptare, që vepronin nga ilegaliteti i thellë, e të dobësuara nga burgosjet e herëpashershme, të cilat me fillimin e Demonstratave të 11 Marsit 1981, e panë shansin për ta rritur ndikimin në masat e gjera dhe për ta ngritur popullin shqiptar rreth kërkesës për Kosovën - Republikë; shërbimeve sekrete jugosllave, për të cilat thuhej jozyrtarisht se brenda Kosovës vepronin së pakut pesë sosh, që kishin infiltruar dhe aktivizuar, po ashtu shumë agjentë për t`u dhënë demonstrave kahjen e dëshiruar; shërbimeve të huaja informative, të cilat, pa dyshim, nuk rrinin duarkryq, nga se qysh në vitin 1979, një qëndër e huaj informative me ndikim, e kishte parashikuar Kosovën si qëndër të mundshme të turbullirave të mëdha të karakterit ndërnacional, që do të mund të çonin deri në konflikte të pakontrolluara në tërë Ballkanin e edhe më gjerë, si dhe faktorit kryesor - populli shqiptar mbi dy milionësh, që dëshironte të bëhej zot i vetës dhe i lirisë së vet.
Gjatë asaj periudhe dy javore, forca e popullit shqiptar do të dominojë mbi të tjerat, për të ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën e ngjarjeve që priteshin, ngjarjeve me të cilat, siç u vërtetua më vonë, filloi epoka e unitetit real kombëtar lidhur me domosdonë e pavarësimit nga Serbia. Përkundër indikacioneve, që bëjnë me dije se shumë faktorë pretenduan të kenë gisht në Demonstratat e mëdha të vitit 1981, pjesëmarrja masive e faktorit popull, me të gjitha strukturat, të të gjitha moshave dhe pa dallim gjinie, do të jetë ai që do t`ua japë vulën e përgjithmonshme dhe do t`i cilësojë, si kryengritje të përgjithshme popullore, që rrezistoi aktivisht me mjete paqësore kundër politikës antishqiptare, që udhëhiqte shteti jugosllav. Pra, organizatori kryesor i Demonstratave të vitit 1981 ishte dhe mbeti populli shqiptar dhe vetëdija e tij politike për të qenë i lirë dhe i pavarur, vetëdije ajo e krijuar gjatë përpjekjeve e luftrave shumëshekullore, qoftë për të ruajtur qenien dhe individualitetin e vet kombëtar, qoftë për t`u çliruar dhe për të krijuar shtetin e vet në tokat dhe trojet etnike shqiptare.
Inteligjenca shqiptare e Kosovës ishte ajo që, ngadal por sigurt, kishte krijuar vetëdijen ndër gjeneratat e reja se shqiptarët e Kosovës me vise duhej të çliroheshin nga okupimi serbo’malazez njëherë e përgjithmonë; ishin me mijëra mësues e mësuese shqiptare të të gjitha niveleve shkollore, anë e kënd Kosovës, ata që, para e pas pas vitit 1966, i ushqyen gjeneratat e reja me gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën kombëtare, duke e vënë  në funksion të formimit të gjeneratës së re krijimtarinë e rilindësve, pra, ata me punën edukativo’arsimore dhe sakrificën e tyre e fisnikëruan qenien e gjeneratave të reja dhe e përgatitën rininë studenteske e shkollare në rrafshin kombëtar, për të dalë në shesh  rezultatet e asaj pune dhe sakrifice pikërisht në pranverën e vitit 1981; ishin kuadrat e specializuara, që vepronin në institucionet pedagogjike, në entet e botimeve të teksteve shkollore e kudo tjetër, ato që në rrethanat e presionit të vazhdueshëm politiko’ administrativ serbo’jugosllav, kishin arritur t`i pasuronin plan’programet mësimore të të gjitha niveleve shkollore me përmbajtje kombëtare; ishte pra, vetëdijësimi kombëtar gjatë procesit edukativo’arsimorsi edhe edukimi tradicional kombëtar, si shkollë specifike kombëtare mbi domosdonë e daljes nga robëria serbe, ndër faktorët kryesorë, që Demonstratave të vitit 1981 u dhanë orientimin kombëtar, orientim ai që u manifestua qoftë me pjesëmarrjen masive të të gjitha strukturave shoqërore në demonstrata dhe me përkrahjen unanime të kërkesës për Kosovën’Republikë, qoftë me dislokimin e tyre nga Prishtina në të gjitha qytetet dhe në shumicën e komunave të Kosovës, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni.

Demonstrata e 1 prillit 1981 në Prishtinë.

Jo njëherë, gjatë atyre ditëve të mëdha kombëtare, ndodhi që në radhët e para të demonstruesve të viheshin të rinj e të vjetër, punëtorë e fshatarë, e, madje edhe gra shtëpiake e eintelektuale. Gjatë 1 prillit 1981, si në Prishtinë ashtu edhe në qëndrat tjera, të rinjtë nuk qenë vetëm. Populli ishte me ta gjatë ballafaqimeve me aparatin represiv serbo’jugosllav, ndërkaq në mbrëmjen e asaj dite, kur makineria ushtarako’policore bëri përpjekje ta bllokojë turmën e demonstruesve, që përbëhej prej më shumë se 100 mijë vetave në qëndër të Prishtinës, populli, pavarësisht nga përbërja klasore e sociale, ua hapi dyert të rinjve demonstrues, që makinëria ushtarako’policore serbe, u përpoq t`i masakrojë. Përkrahja masive e popullit ndaj demonstruesve,la të kuptohet se demonstratat e  marsit dhe të prillit të vitit 1981, hapën një kapitull të ri të luftës politike, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha strukturat shoqërore shqiptare në një front lufte, bazat e të cilës ishin vënë qysh me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

3. Gjeneza e idesë për Republikën e Kosovës
Ideja e ngritjes së statusit të Kosovës në republikë, që do të ndryshonte edhe statusin e shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb të barabartë me popujt tjerë të RSFJ’së, e mbizotëronte vetëdijen e shumicës së inteligjencës shqiptare të Kosovës, që nga gjysma e dytë e viteve të `60’ta të shekullit të shkuar. Prandaj, pikërisht ajo vetëdije kombëtare e nxiti një pjesë të inteligjencës shqiptare të Kosovës për të dalë me kërkesën për avansimin e statusit politik të Kosovës nga qarku autonom në kuadër të Serbisë në Republikë1 të barabartë me republikat tjera të atij shteti, në tubimet e zgjeruara të komunistëve (aktivet politike) me rastin e diskutimeve për Ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën federative dhe në Kushtetetutën republikane të Serbisë të vitit 1963, së pari ne Gjakovë, më 18-20 gusht 1968, pastaj në Pejë, në Prishtinë, në Deçan, në  Gjilan, në Gllogovc, në Mitrovicë, në Prizren etj., por ajo kërkesë nuk ishte përkrahur nga udhëheqjet politike të Kosovës e të Serbisë.
Në fakt, intelektualët shqiptarë kur dolën me kërkesën për Kosovën’Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, ishin të vetëdijshëm se ajo kërkesë ishte ide kompromisi mes qëndrimeve të Rezolutës së Bujanit dhe pamundësisë për realizimin e saj me mjete politike konform rrethanave të brendshme politike, të mbizotëruara nga politika serbe, në bazë të cilave vepronin ligjet e posaçme represive, që vlenin në veçanti për shqiptarët. Prandaj, shikuar nga ai këndvështrim, ideja mbi konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të asaj Federate, ishte hap i një rëndësie të veçantë në aspektin e realizimit në proces të synimeve kombëtare shqiptare, ishte hap që nuk binte ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare mbi vetëvendosjen e popujve e as me qëndrimet e Helsinksit mbi pacenueshmërinë e kufinjve. Pra, në rrethanat kur nuk shihej kurrfarë mundësie reale as për ta shtruar për shqyrtim realizimin e qëndrimeve të Bujanit, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të shkuar, dolën publikisht me kërkesën për Kosovën - Republikë, në kuadër të Federatës jugosllave, realizimi i së cilës do të barte edhe avansimin e statusit të shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb.



Demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë.

Në planin brendashqiptar, ekzistojnë mendime, sipas të cilave del se kërkesa për Kosovën Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, kishte mbështetje qysh në dokumentet e PKJ’ë në prag të Luftës së Dytë Botërore, pasi që ajo udhëheqje kishte folur për krijimin e republikës’unëtore’shatare të Kosovës, duke e konsideruar formimin e saj si një zgjidhje të problemit të popullit shqiptar në ato vise, si edhe në faktin se gjatë luftës kundër fashizmit të gjitha mekanizmat e pushtetit në krijim, që vepronin në Kosovë, ishin të lidhura drejtpërdrejt me forumet qëndrore të PKJ’së, e jo me ato të republikës së Serbisë, prandaj, mendohej se çështja si e tillë  - avansimi i statusit politik të Kosovës në Republikë, kishte ekzistuar nën embargo, ndërkaq ajo ishte aktivizuar më 1968, me rastin e diskutimeve për Amandamentet kushtetuese të Kushtetutës Federative të vitit 1974. Poashtu kishte mendime se ideja për Republikën e Kosovës ishte edhe më e hershme, sepse ideja për një lloj autonomie të Kosovës ishte shfaqur edhe në programin e vëllazërve Draga.
Siç është e njohur, kërkesa për Kosovën - Republikë në kuadër të Federatës jugosllave, e shprehur nga intelektualët shqiptarë në tubimet e hapura të organizatave partiake në pjesën me të madhe të qyteteteve të Kosovës, u dënua në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv te Komitetit Krahinor, mbajtur në Prishhtinë, më 31 gusht 1968’të. Gjatë aktiviteteve të përdishme partiake, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, propozuesit e kërkesave për avansimin statusit të Kosovës në republikë, cilësohen si nacionalistë shqiptarë, por kundër tyre nuk ndërmirren masa administrative. Supozohet se intelektualët, që gjatë tubimeve legale dolën me kërkesën për Kosovën - Republikë të barabartë me njësitë tjera federative, do të dënoheshin për aktualizimin e kërkesave të tilla, që binin ndesh me synimet hegjemoniste serbo’mëdha, po të mos pasonin, në  vjeshtën e atij viti, Demonstratat e vitit 1968’të, në të cilat hapur e me guxim, inteligjenca e re kosovare kërkoi që Kosovës t`i njihej statusi i Republikës.
Arsyeja e vërtetë pse pushteti jugosllav në atë kohë u mjaftua vetëm me dënimin e organizatorëve të demonstratave dhe të një numri pjesëmarrësish në to, duke mos i përfshirë në ato grupe edhe intelektualët, që i patën inicuar ato çështje në aktivet politikë (Gjakovë, Pejë etj.,) mbase duhet kërkuar në faktin se udhëheqja jugosllave ishte e shtrënguar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, të krijojë imazh në botë për Jugosllavinë si shtet i vetëm me sistem socialist, i cili gjoja i kishte “qeruar hesapet”  me rankoviçizmin dhe se sistemi i saj i filluar, i ashtuquajtur Vetëqeverisja socialiste, kishte orientim demokratik. Pra, si Demonstratat e vitit 1968’të, ashtu edhe Demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, ishin vazhdimësi e përpjekjeve dhe luftrave shekullore për t`u çliruar nga okupimi dhe për ta arritur një shkallë të mëvetësimit, që do të çonte drejt krijimit të Shtetit shqiptar në  kufinjtë etnikë.

4. Vlerësimi zyrtar i Demonstratave të 11 Marsit

Demonstratat e 11 Marsit të vitit 1981, sipas vlerësimit zyrtar të udhëheqjes së Kosovës, patën karakter social dhe se shfaqja e tyre ishte rezultat i gjendjes së pavolitshme ekonomike në të cilën kishte rënë krahina e Kosovës, gjendje ajo, që shprehej me tërë ashpërsinë e saj edhe në kushtet jetësore të studentëve shqiptarë. Ishte e rëndë, sidomos gjendja ekonomike e shtresave të mesme të popullsisë, nga të cilat rridhnin shumica e studentëve. Ata ishin të detyruar të banonin në banesa private, ngase kapacitetet e konvikteve ishin të pamjaftueshme në krahasim me numrin e studentëve dhe me kërkesat e tyre për një jetë sado modeste, e cila do t`u mundësonte studim në kushte normale. Por, kushtet e pavolitshme jetësore në konvikte kishin ekzistuar edhe më herët, prandaj ato ishin vetëm një shkas, i cili kishte krijuar situatë të përshtatshme për të dalë me realitetin e heshtur nga trysnia e metodave politiko’administrative mbi pabarazinë e shqiptarëve me popujt tjerë në kuadër të atij shteti. Dhe, ai realitet i heshtur,  shpërtheu me tërë forcën, pikërisht në sajë të gatishmërisë së rinisë studentore shqiptare për t`iu kundërvënë sistemit shtypës serbo-jugosllav, dy javë më pas, më 26 mars dhe më 1, 2, 3, e  në disa mjedise, edhe më 4 prill të vitit 1981, me demonstrata të mëdha, në të cilat  morën pjesë të gjitha strukturat shoqërore, e në veçanti punëtorët e gjigandëve ekonomikë siç ishin Tërmocentralet e Kosovës, Trepça etj., duke dalë me kërkesa të qarta politike për statusin e Kosovës - Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave. Demonstratat pos  Prishtinës e qyteteve të tjera të Kosovës, qenë organizuar edhe në Tetovë.
Fakti se mosbarazia sociale mes grupacioneve shoqërore si dhe thellimi i diferencave të zhvillimit ekonomik mes regjioneve të ndryshme në kuadër të një shteti e të një sistemi, siç ishte rasti me thellimin e diferencave në sferën e zhvillimit ekonomik mes Kosovës dhe regjioneve të tjera në Jugosllavinë e asaj kohe, fliste qartë se ajo ishte rrjedhojë e pabarazisë politike. Prandaj, studentët kosovarë të nxitur nga ajo pabarazi, në mbrëmjen e 11 Marsit të vitit 1981, i nisën Demonstratat kundër diskriminimit dhe shtypjes, që ushtronte pushteti jugosllav dhe sistemi i tij politik mbi popullin shqiptar në Jugosllavinë e asaj kohe.
Demonstratat e studentëve shqiptarë shënuan një periudhë të re të përpjekjeve dhe të luftës politike shqiptare, gjatë së cilës, u shënuan rënie e ngritje në kuptimin e krijimit të unitetit politik kombëtar lidhur me realizimin e çlirimit nga okupimi serb dhe arritjes së pavarësisë kombëtare, unitet ai që rreth dy decenie më vonë, solli krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën çlirimtare kundër okupatorit serb gjatë viteve 1997’99, në sajë të cilës dhe me përkrahjen e NAT’os forcat ushtarako’olicore serbe e humbën luftën dhe ikën si humbës nga Kosova.
Vazhdimi i demonstratave të studentëve shqiptarë, më 26 mars dhe më 1, 2, 3 e 4 prill të atij viti, si në Prishtinë ashtu edhe në shumicën e qyteteve dhe të komunave të tjera të Kosovës, paraqitet me intesitet të shtuar dhe më përmbajtje e kërkesa të natyrës politike, që e tejkalonin zgjidhjen e problemeve sociale e të kushteve të jetës e të banimit të studentëve. Kërkesat e shfaqura gjatë 26 marsit dhe ditëve të mëtejme kishin në fakt përmbajtje shumë më të thellë politike se sa kuptohej në dukje të parë. Esenca e atyre kërkesave shtronte dodomsdonë e arritjes së lirisë, barazisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve adekuat me ato të popujve të tjerë, deri në të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, në kuadër të atij shteti. E ato të drejta  nuk mund të realizoheshin pa arritjen e pavarësisë politike dhe ekonomike të Kosovës nga Serbia. Në rrafshin e gjerë kërkesat e shprehura nënkuptonin demokratizimin e jetës brenda një sistemi, kornizat e të cilat ishin shumë të ngushta në raport me kërkesat e kohës.
Parullat „Kosova’Republikë”, “Jemi shqiptarë, nuk jemi sllavë”, “Trepça punon - Beogradi ndërton”, “Lironi shokët“, etj., të cilat u proklamuan nga qindra e mijëra demonstrues në të gjitha mjediset e Kosovës, në esencën e tyre nuk kishin asgjë kërcënuese për popujt tjerë, e, në instancën e fundit, as për shtetin jugosllav. Përkundrazi përmes tyre kërkohej zgjidhja në mbështetje të një koncensusi me popujt tjerë, që e përbënin atë shtet. Ndërkaq, studentët shqiptarë dolën me kërkesën për „Kosovën’ Republikë“, duke qenë të bindur se në raport me rrethanat e atëhershme politike ndërkombëtare, por edhe me ato të brendshmet, konstiutimi i Kosovës republikë nuk binte ndesh as me qëndrimet ndërkombëtare mbi mosndryshimin e kufinjve me dhunë as me Kushtetuten e shtetit, gjithnjë duke pasur parasysh faktin se statusi i Kosovës Republikë në kuadër të federatës mbështetur në rrethanat e atëhershme do të mundësonte edhe avansimin e statusit të shqiptarëve nga kombësia në komb, dhe një arritje e tillë konsiderohej edhe si realizim në proces i synimeve kombëtare për shtetin kombëtar.

Dhuna e njësisë speciale serbo’jugosllave

Duke dalë me kërkesa të shprehura qartë për ta vënë popullin shqiptar në pozita të barabarta me popujt tjerë të federatës jugosllave, demonstruesit shqiptarë i thyen, njëherë e përgjithmonë, rrathet magjikë brenda të cilëve ishte krijuar pseudo’vetëdija e një pjese të udhëheqjes politike shqiptare gjoja mbi legjitimitetin dhe përgjegjësinë e saj për të folur dhe për të vendosur në emër të popullit shqiptar. Demonstruesit ua bënë të qartë se rinia dhe inteligjenca e krijuar ishte ajo që e gëzonte legjitimitetin e popullit të vet, sepse pikërisht ajo ia njihte popullit të vet të drejtën e të vendosurit, prandaj ajo inteligjencë në krijim me vetëdije e mori mbi vete barrën për ta prirë popullin në rrugën e pashmangshme të fitimit të lirisë.
Studentët shqiptarë i shprehën kërkesat për Republikën e Kosovës pikërisht në kohën kur ishin të bindur se nuk kishte ngelur kurrfarë hapësire tjetër për ta arritur barazinë kombëtare të shqiptarëve me popujt tjerë në kuadër të marrëveshjeve mes organeve zyrtare të Kosovës dhe organeve përkatëse të republikave të tjera dhë të Federatës, sepse qysh në atë kohë, jo vetëm që pëshpëritej koluareve për tendencat e udhëheqjes serbe për të shëndrruar Jugosllavinë në “Serbi të Madhe”, por ishin të pranishme edhe shënjat e veprimit konkret për arritjen e atyre planeve serbo-mëdha, të cilat, si hap të parë të realizimit të synimeve hegjemoniste, parashihnin eliminimin e statusit të dy krahinave autonome: Kosovës dhe Vojvodinës.

5. Fryma gjithëpopullore e demonstratave

Periudha 15 ditëshe mes Demonstratave të 11 dhe 26 Marsit 1981, mbetet ndër më të rëndësishmet, shikuar nga aspekti i mënyrës së organizimit të palëve të konfrontuara: Grupimeve të ilegalës shqiptare, të dobësuara në masë nga burgosjet e herëpashershme, që vepronin nga ilegaliteti i thellë, e,  të cilat me fillimin e Demonstratave të 11 marsit, e panë shansin për ta shtuar ndikimin në rininë studentore dhe për t`i plasuar platfomat e tyre politike; shërbimeve sekrete jugosllave, për të cilat dihej se brenda Kosovës vepronin së pakut pesë sosh, dhe, të cilat, kishin infiltruar dhe aktivizuar në radhet e demonstruesve një numër informatorësh, qoftë për t`u dhënë demonstratave kahjen e dëshiruar, qoftë për të kryer detyra e veprime konkrete; shërbimeve të huaja informative, të cilat, pa dyshim nuk rrinin duarkryq, nga se qysh në vitin 1979, një qëndër e huaj informative me ndikim, e kishte parashikuar Kosovën si qëndër të mundshme të turbullirave të mëdha të karakterit ndërnacional, trazira ato që do të mund të çonin deri në konflikte të pakontrolluara në tërë Ballkanin e edhe më gjerë, si dhe faktorit kryesor-Popullit shqiptar mbi dy milionësh, që dëshironte të bëhej zot i vetës dhe i lirisë së vet. Pra, gjatë asaj periudhe të shkurtër dy javore, një përbërje e forcave përafërsisht të këtilla, mbi të cilat mbizotëroi forca e popullit shqiptar dhe vetëdija e tij për t`u çliruar, bënë garë për të pasur ndikim në ngjarjet e mëdha që priteshin, në ngjarjet që, siç u vërtetua më vonë, do ta fillojnë epokën e unitetit real kombëtar shqiptar lidhur me domosdonë e pavarësimit nga Serbia.
Përkundër indikacioneve, që bëjnë me dije se shumë faktorë pretenduan të kenë gisht në Demonstratat e mëdha të vitit 1981, pjesëmarrja masive e faktorit popull, me të gjitha strukturat, të të gjitha moshave dhe pa dallim gjinie, do të jetë ai që do t`ua japë vulën e përgjithmonshme dhe do t`i cilësojë, si kryengritje të përgjithshme popullore shqiptare, që rezistoi aktivisht me mjete paqësore kundër politikës antishqiptare, që udhëhiqte shteti serbo-jugosllav. Shikuar realisht, organizatori kryesor i Demonstratave të vitit 1981, demonstratave që, me një shpejtësi prej rrufeje, morën karakter gjithëpopullor, ishte dhe mbeti vetëdija politike e popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur, vetëdije ajo e krijuar gjatë përpjekjeve e luftrave shumëshekullore, qoftë për të ruajtur qenien, individualitetin dhe identitetin e vet, qoftë për t` u çliruar dhe për të krijuar shtetin e vet në tokat dhe trojet etnike shqiptare.
Ishin disa mijëra mësues e mësuese shqiptare të të gjitha niveleve shkollore, anë e kënd Kosovës, para e pas vitit 1966 - ata që, me punën dhe sakrificën e tyre në procesin edukativo’arsimor, e fisnikëruan qenien e gjeneratave të reja dhe e përgatitën rininë shkollare në rrafshin kombëtar, dhe, pa dyshim, rezultatet e asaj pune kolosale dolën në pah, si në Pranverën e vitit 1981 ashtu edhe gjatë periudhave të mëvonshme, deri në çlirimin e Kosovës; ishin kuadrat e specializuara, që vepronin në institucionet pedagogjike, në entet e botimeve të teksteve shkollore e kudo tjetër, - ato që në rrethanat e presionit të vazhdueshëm politiko’ administrativ kishin arritur t`i pasuronin plan’ programet mësimore të të gjitha niveleve shkollore me përmbajtje kombëtare; ishte pra, vetëdijësimi kombëtar gjatë procesit edukativo’arsimor, si edhe edukimi tradicional kombëtar, si shkollë specifike kombëtare, mbi domosdonë e daljes nga robëria serbe, ndër faktorët kryesorë, që Demonstratave të vitit 1981, ua hoqën “Vellon ideologjike” 2, dhe u dhanë orientimin kombëtar, orientim ai që u manifestua si me pjesëmarrjen masive të të gjitha strukturave shoqërore në demonstrata ashu edhe me përkrahjen unanime të kërkesës për Kosovën Republikë, e natyrisht edhe me dislokimin e tyre nga Prishtina në të gjitha qytetet dhe në shumicën e komunave të Kosovës, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni. Jo njëherë, gjatë atyre ditëve të mëdha kombëtare, ndodhi që në radhet e para të demonstruesve të viheshin të rinj e të vjetër, punëtorë e fshatarë, gra shtëpiake e eintelektuale, e madje edhe fëmijë të mitur.
Gjatë 1 prillit 1981, si në Prishtinë ashtu edhe në qëndrat tjera të Kosovës, të rinjtë nuk qenë vetëm. Populli ishte me ta edhe gjatë ballafaqimeve të tyre me aparatin represiv serbo’jugosllav, të përbërë nga njësitet speciale të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, ndërkaq në mbrëmjen e asaj dite, kur makineria ushtarako’policore serbe bëri përpjekje ta bllokojë turmën e demonstruesve në qëndër të Prishtinës, që përbëhej prej rreth 100 mijë vetëve, populli pavarësisht nga përbërja klasore e sociale, ua hapi dyert të rinjve demonstrues dhe i shpëtoi nga masakra, që ua kishte pregatitur makinëria ushtarako’ policore serbe. Përkrahja masive e popullit ndaj demonstruesve, la të kuptohej se Demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, hapën një kapitull të ri të luftës politike, në të cilën pritej se do të përfshiheshin të gjitha strukturat shoqërore shqiptare.

6. Demonstratat i shuan me zjarr
Populli shqiptar në kuadër të ish’Jugosllavisë, edhe pse për nga numri ishte i treti, pas serbëve e kroatëve, i shpërndarë në tri republika, trajtohej si pakicë kombëtare, dhe ai status i dhunshëm që i ishte imponuar, sankcionohej me ligjet e nivelit federativ, republikan e krahinor, sipas të cilave, cilado përpjekje që do të bëhej për ta ndryshuar atë status, qoftë ajo në kuadër të organeve të atëhershme zyrtare, qoftë në mënyra të tjera, konsiderohej si përpjekje për rrënimin e bazave të shtetit dhe të pushtetit jugosllav. Nisur nga qëndrime të këtilla, ai pushteti i shpalli Demonstratat e rinisë shqiptare të vitit 1981, si armiqësore dhe kontrarevolucionare dhe kundër tyre i aktivizoi mekanizmat partiako-administrativë dhe policoro’ushtarakë, me anën e të cilëve demonstratat e qeta i shou me zjarr, duke vrarë e plagosur me dhjetra e qindra të rinj shqiptarë, që kishin zgjedhur demonstrimin publik si metodë për t`i shprehur kërkesat për më shumë liri e barazi, kërkesa të cilat mund të realizoheshin vetëm me Kosovën Republikë, të barabartë me republikat tjera, në kuadër të Federatës jugosllave.
Në natën mes 1 e 2 prillit të vitit 1981, në aeroportin e Prishtinës, zbritën aeroplanët ushtarakë me forcat speciale federative. Ndërkaq në mëngjesin e 2 prillit të gjitha qytetet dhe komunat e Kosovës u gdhinë të rrethura dhe të bllokuara nga njësitë ushtarako’ policore federative, të armatosura me mekanizëm të rëndë, ndërkaq mbi qytetet e Kosovës fluturonin ulët avionet luftarakë jugosllavë. Në ndeshjet e asaj dite mes demonstruesve shqiptarë duarthatë dhe forcave jugosllave, rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve e fshatrave të Kosovës, u lanë me gjak. Zyrtarët jugosllavë, patën pohuar se gjatë Demonstratave ishin vrarë 11 veta, ndërkaq sipas vlerësimeve të botuara në shtypin e huaj bëhej fjatë për rreth 100 të vrarë.
Stane Dollanci

Më 2 prill 1981, organet zyrtare politike e shtetërore serbo’jugosllave, e shpallën Gjendjen e shtetrrethimit dhe e aprovuan Ligjit mbi Gjendjen e jashtëzakonshme. Me aprovimin e atij ligji dhe me përshtatjen dhe aprovimin e ligjeve të tjera, që e mbështesnin atë, pushteti jugosllav ua krijoi rrethanat e përshtatshme mekanizmave represivë për të ndërmarrë fushatë të gjerë kundër popullatës shqiptare. Mekanizmat represivë të atij sistemi: policia sekrete dhe ajo publike, gjyqësia hetuese dhe ajo e ekzekutivës, të inspiruar dhe të udhëzuar nga udhëheqjet e larta partiake e shtetërore, e vunë në veprim tërë arsenalin e metodave të dhunës e të terrorit, të gërshetuar njëkohësisht me propagandë e luftë psikologjike kundër popullit shqiptar si tërësi brenda shtetit të atëhershëm.
Format e dhunës u shtrinë ndaj të gjitha strukturave shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, duke i shpallur a priori si të dyshimtë të gjithë si një dhe si armiq potencialë të gatshëm për minimin e rrënimin e shtetit dhe sistemit të tij politik. Struktura e shqiptarëve të dyshimtë, të cilës i takonin pjesëmarrësit e Demonstrtatave dhe të shkolluarit, gjatë atmosferës së tërbimit antishqiptar dhe pas saj, qe zgjeruar në sajë të dosjeve të periudhës 1945-1966, të dosjeve të mëvonshme, si dhe të dokumenteve të arkivuara në kishat dhe në manastiret ortodokse serbe gjatë periudhës se Jugosllavisë së Versajës, duke i vënë në veprim edhe teoritë morbide mbi trashëgiminë e veprimtarisë antishtetërore, të cilësuara si gjene të trashëguara antiserbe 3 për t`i shpallur si të dyshimtë të gjithë shqiptarët në tërësi. Të dyshimtë i shpallën të gjithë ata shqiptarë, për të cilët strukturat udhëheqëse të organeve partiako’shtetërore serbe presupozonin se në rrethanat e caktuara mund të merrnin anën e demonstruesve dhe të ngriteshin kundër shtetit e sistemit jugosllav. Prandaj, ishte vërtet i madh numri i shqiptarëve, që iu nënshtruan masave të trajtimit policor të policisë sekrete. Gjatë përiudhës 1981’1987, sipas pohimeve të zyrtarëve jugosllavë, trajtimit policor iu nënshtruan rreth 600 mijë shqiptarë të Kosovës.
Ditëve të mëpasme ishin vërejtur Lëvizje të mëdha trupash nga zonat ushtarake të Nishit dhe të Shkupit, të cilat marshonin në drejtim të Kosovës. Ato kishin zënë pozitat kyçe rreth Prishtinës, në të cilën konsiderohej se mund të ndodhnin turbullime të mëtejme, por edhe rreth të gjitha qyteteve të tjera të Kosovës. Në tërë Kosovën kishte filluar mobilizimi i rezervistëve ushtarakë dhe formimi i njësiteve të policisë rezervë. Në kolektivat punonjës dhe në bashkësitë lokale i kishin aktivizuar forcat e mbrojtjes territoriale dhe në frymën e asaj gjendje kishin caktuar kujdestarinë e rregullt në institucionet, që konsideroheshin të një rëndësie të posaçme. Në të njëjtën kohë, grupe të përbashkëta aktivistësh të Kosovës e të Serbisë i vizitonin komunat dhe bisedonin me anëtarët e partisë dhe me popullin me qëllim të demaskimit të demontsratave dhe të kërkesave të shprehura në to, duke insistuar që populli të distancohej nga rinia studentore dhe nga kërkesat e tyre, qofshin ato edhe të natyrës sociale.
Duke u ballafaquar me një makineri të fuqishme represive politiko’administrative, studentët dhe rinia shqiptare e Kosovës e vuri në sprovë botërisht sistemin politik të ish’shtetit jugosllav dhe ua hoqi maskën tërësisht parimeve themelore, mbi të cilat mbështetej deklarativisht ai sistem, siç ishin:„Bashkim’vëllazërimi, barazia dhe bashkëjetesa mes kombeve e kombësive“ etj., parime ato, të cilat propaganda zyrtare, i kishte lëshuar në ullim, duke i përdorur si mashtrime ordinere për t`i hudhur hi syve turmës së gjerë popullore, dhe njëkohësisht duke synuar krijimin e opinionit të rrejshëm ndërkombëtar për Jugosllavinë si shtet demokratik, në të cilin gjoja nuk ekzistonte kurrfarë shkeljeje e të drejtave kombëtare e njërëzore të përfaqësuesve të kombeve e të kombësive në atë shtet.
Gjatë dhe pas Demonstratave të vitit 1981, ai sistem i vetëquajtur demokratik, jo vetëm që nuk u soll në mënyrë demokratike ndaj kërkesave paqësore të studentëve shqiptarë për më shumë liri, barazi e demokraci, por pikërisht ai dhe aparati i tij administrativo-politik, i lau rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës me gjakun e të rinjve shqiptarë, duke pretenduar qoftë për ta shkelur guximin e tyre qytetar, qoftë për t`i pënguar që ta thonë mendimin e tyre, hapur e pa droe, me dinjitet dhe me vendosmëri mbi gjendjen reale në të cilën gjendej populli shqiptar dhe mbi aspiratat e tij. Rinia shqiptare e Kosovës, pavarësisht nga masakra që u ushtrua mbi të, e tha me guxim se shqiptarët e Kosovës me vise doemos duhej ta gëzonin statusin e kombit shtetformues në Jugosllavinë e atëhershme, status i cili mund të sigurohej vetëm me avansimin e statusit të Kosovës nga Krahina autonome në Republikë të pavarur, në kuadër të Federatës së atëhershme. Rinia shqiptare madje dha paralajmërimin se nëse ai status nuk do të mund të arrihej në sajë të marrëveshjes brendafederative, shqiptarët atë do ta fitojnë vetë, pavarësisht nga mjetet që do të detyrohen t`i përdorin. (Parulla: ”Republikë - Kushtetutë o me hatër o me luftë!“)

7. Klika e dëgjueshme shqiptare

Udhëheqja serbo’jugosllave gjatë viteve të pushtetit të saj, që nga viti 1945, kishte investuar mjete e mund për krijimin e një “klike” të dëgjueshme shqiptare, me anën e të cilës do të arrinte realizimin e qëllimeve të veta përkitazi me shqiptarët dhe Kosovën. Duke përdorur metoda të rafinuara me një spektër të gjerë veprimesh, si në aspektin e krijimit të rrethanave të një jete të shfrenuar e mondane, pjesë përbërëse dhe e planifikuar e të cilës kishin qenë edhe martesat e imponuara me gratë serbe, por edhe me kërcënime e mbjellje frike, - udhëheqja serbe, vërtet kishte arritur të krijojë një kategori monstrumësh shqiptarë, të cilët, ngadal por sigurt, gjatë viteve i shndërruan në një oligarki kosovare, të dëgjueshme dhe të dresuar për ta përdorur në rolin e langonjëve, që e ndjekin, por edhe që ia sjellin gjahun gjuetarit.

Trinomi komunist titist
Gjatë periudhave kohore, në rastet kur ngjarjet në Kosovë nuk rridhnin sipas parashikimeve të udhëheqjes serbe, oligarkia kosovare në krye me Ali Shukriun, Kolë Shirokën, Sinan Hasanin e ndonjë tjetër, nuk kishte nevojë për instruksion a dresim të ri. Atyre s`u duheshin instruksionet, por u duhej ndërsimi. Ndërkaq, secila prej fjalive të dokumentave partiake, nga cilido nivel qoftë, ishte ndërsyese kundër shqiptarëve të Kosovës, në veçanti kundër rinisë studentore dhe një pjese të shtresës intelektuale shqiptare. Dhe, oligarkia e kishte bërë punën e vet: të gjithë të dyshimtit për të cilët supozohej se në qenien e vet bartnin „Gjene antiserbe“ ose i kishte burgosur ose i kishte suspenduar nga puna dhe i përgjonte për t`i burgosur. Kosovën e kishin pacifikuar me hekur e zjarr. Diferencimi ishte në vazhdim. Kuadrat e besueshme e kishin filluar veprimtarinë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Pa përfunduar ai vit, i dhanë dënimet e para shëmbullore.
Në pranverën e vitit në vazhdim (1982), qenë mbajtur kongreset e konferencat partiake dhe kongresi i Komunistëve jugosllavë, në të cilin qe aprovuar „Ptatforma politike mbi Kosovën“. Në mbështeteje të qëndrimeve të atij dokumenti antishqiptar, në udhëheqjet partiake ishin zgjedhur kuadrat e reja, të verifikuara si besnike për realizimin e politikës së partisë në pushtet dhe të organeve zyrtare serbe e jugosllave. Në kuadër të ndërrimeve të tilla, edhe njëherë ishte bërë përtrirja e organeve partiake e shtetërore të Kosovës, duke i sjellë në vendet udhëheqëse pikërisht disa individë që kishin treguar gatishmëri për t`u konfrontuar me linjën kombëtare dhe me bartësit e saj, individë të clët edhe në rrethana të tjera kishin mbajtur qëndrim antishqiptar. Kuadrat e tilla, duke pasur për mbështetje Ptatformën politike, e intensifikuan fushatën e ndjekjes së specialistëve shqiptarë nga administrata shtetërore, nga jurisprudenca, nga arsimi e edukimi, nga mjetet e informacionit, nga ekonomia, pra nga të gjitha fushat e jetës shoqërore të Kosovës për t`i sjellë në vendet e tyre njërëzit që i plotësonin kushtet mbi përshtatshmërinë moralo’ politike.
Represaljeve dhe fushatës antishqiptare i bëhej propagandë, si në mjetet serbe e jugosllave të informacionit, ashtu edhe në ato në gjuhën shqipe. Këto të fundit, në veçanti ishin të pamëshirshme ndaj shqiptarëve që gjendeshin në arrest për „kundërrevolucion „ dhe që nxireshin para gjyqeve jugosllavo’shqiptare. Komentatorëve të redaksive në gjuhën shqipe shpeshherë nuk u mjaftonin shpifjet e UDB’es, të cilat, zakonisht mirrnin formën zyrtare përmes aktakuzave e vendimeve gjyqësore, por i ofendonin dhe i sulmonin edhe me arsenalin e vet të gënjështrave e fyerjeve, duke i përqeshur publikisht dhe duke i quajtur armiq të popullit të vet. Sulmet më brutale nëpërmjet shtypit do t`ia bëjë inteligjencës së burgosur, ajo gjeneratë gazetarësh që në atë profesion kishte startuar përmes përshtatshmërisë ideo’politike, do të thotë në sajë të përcaktimit antishqiptar.
Udhëheqja shqiptare e Kosovës, sidomos një pjesë e saj, që cilësohej si e dalë nga lufta, ishte zënë e befasuar me vendosmërinë që kishin shfaqur studentët dhe të rinjtë shqiptarë për t`i realizuar të drejtat e popullit të vet. Duke qenë se me veprimet çlirimtare të rinisë shqiptare, asaj udhëheqjeje i rrezikoheshin pozitat dhe privilegjat që gëzonte, ajo ishte angazhuar me tërë qenien kundër të gjithë atyre, që kishin marrë guximin për t`ua prishur ëndërrat mbi „Zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të Jugosllavisë“.Ajo udhëheqje nuk ishte e vetëdijshme se po ai zjarr që e ndizte për ta djegur rininë shqiptare, do ta prekte edhe atë vetë, madje pa kaluar shumë kohë, dhe do ta hudhte në harresën e historisë.
Gatishmëri të patundje për t`i përdorur të gjitha mjetet kundër popullit shqiptar shfaqte sidomos treshi i përbetuar antishqiptar: Ali Shukria, Sinan Hasani dhe Kolë Shiroka, ndonëse nuk kishin ngelur larg tyre edhe ca të tjerë, të vjetër e të rinj. Megjithatë ata përbënin bërthamën që veproi me urrejtje kundër kombit të vet, duke mos menduar për pasojat e mëvonshme që do të dalin nga ato veprime të shumanshme antishqiptare të drejtuara dhe të ndërmarra me bindje e vetëdije, duke shpresuar se do të arrinin të rehabilitoheshin para padronëve beogradas. Ata nuk menduan për pasojat e mëvonshme, prandaj me veprimet e tyre e ndihmuan Serbinë për të përgatitur terrenin për gjithato krime që i bëri, gjatë demonstratave dhe më vonë, ndaj popullatës shqiptare dhe pozitës kushtetuese të Kosovës.
Udhëheqja shqiptare ndonëse e pat të qartë se ç`domëthënie politike kishte vlerësimi mbi “Ndodhjen e Kontrarevolucionit në Kosovë”, ajo, jo vetëm që nuk u ngrit kundër një vlerësimi të tillë politik, por përkundrazi atë e përkrahu dhe e trumbëtoi publikisht dhe për të treguar gjest besnikërie ndaj Beogradit. Ajo u ngrit hapur dhe pa lëkundje kundër synimeve çlirimtare të popullit të vet. Ndonëse, në mesin e asaj udhëheqjeje, pat edhe të tillë, që në intimen e tyre nuk u pajtuan me vlerësimin makabër politik mbi“Ndodhjen e kontrarevolucionit në Kosovë”, dhe me meritën e të cilëve, ai vlerësim ishte „zbutur“, „Tentim kontrarevolucioni“, - është i padyshimtë fakti se atyre u mungoi guximi personal e qytetar  për t`i përkrahur kërkesat e studentëve shqiptarë dhe për t`u deklaruar për domosdonë e avansimit të statusit politik të Kosovës në republikë të barabartë me republikat tjera në kuadër të Federatës.
Pra, për fat të keq, edhe njëheherë, u vërtetua se në radhën e udhëheqjes shqiptare nuk u gjend së pakut një individ i vendosur për të vepruar sipas parimit themelor të një burrështetasi, dhe, për ta përkrahur kërkesën për Republikën e Kosovës, qoftë në emër të tij personal qoftë të udhëheqjes në tërësi, veprim ai me të cilin do t`i zvogëlohej udhëheqjes serbo-jugosllave hapësira politike për t`i bërë dhe arsyetuar  gjithë ato krime kundër popullit shqiptar gjatë dhe pas Demonstratave të mars’prillit 1981. E ato krime qenë të shumëta, që nga vrasjet e plagosjet e qindra vajzave e djemve shqiptarë e deri te dënimet afatgjata e afatshkurtra të rreth 13 mijë 4 të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë në mbi 25 mijë vite burg.
Se kuadrat udhëheqëse shqiptare e kishin të qartë domethënien e vlerësimit politik mbi „Ndodhjen e kontrarevolucionit“, flet fakti se disave syresh akoma nuk u ishin shlyer nga kujtesa viktimat e Kryengritjes shqiptare të Drenicës dhe pasojat e saj, të cilën udhëheqja serbo-jugosllave e kishte cilësuar si„kontrarevolucion“, në sajë të cilit e kishin aplikuar pushtetin ushtarak për ta pënguar realizimin e Rezolutës së Bujanit dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ata i dinin edhe pasojat që kishte pësuar populli hungarez, nga i ashtuquajturi „kontrarevolucion“ i vitit 1955; i dinin pasojat që i kishin pësuar popujt çekë e sllovakë nga i ashtuquajturi „kontrarevolucion“ i vitit 1968; ata e kishin të qartë se çfarë do ta priste popullin shqiptar gjatë viteve të ardhshme. E dinin, por kishin pasur shpresë se do ta shpëtonin vetën dhe pozitat në të cilat gjendeshin vite të tëra.
Një pjesë e udhëheqjes politike të shqiptarëve të Kosovës, e cila, në sajë të besnikërisë ndaj Beogradit kishte arritur të qëndrojë në nivelet krahinore të pushtetit, që nga viti 1945, kishte bërë përpjekje gjatë gjithë periudhës së pasluftës për të krijuar vetëdije të rrejshme ndër shqiptarët gjoja mbi barazinë e tyre me popujt tjerë të Jugosllavisë, e në këtë kuadër kishte trumbetuar edhe „zgjidhjen definitive“ të çështjes shqiptare në Jugosllavi, edhe përkundër faktit se shqiptarët në atë shtet trajtoheshin si pakicë kombëtare dhe se ishin të ndarë në katër njësi federative.
Ngjarjet e më pasme treguan se udhëheqja shqiptare e Kosovës, jo vetëm nuk bëri përpjekje për t`iu kundërvënë vlerësimit politik mbi „Kontrarevolucionin“, por përkundrazi atë nocion kobndjellës e pasuroi me disa specifika vendëse, të cilat nuk do t`u kujtoheshin padronëve të tyre nga Beogradi, dhe me të cilat ai u bë edhe më shkatërrues ndaj çdo vlere shqiptare. Udhëheqja kosovare, duke tentuar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, iu kundërvu në mënyrë indirekte tezës së lansuar nga Beogradi mbi „Infiltrimin e armikut në të gjitha institucionet e sistemit”, sepse ajo tezë e bënte përgjegjëse pikërisht udhëheqjen shqiptare, nga se ajo ishte bartëse e politikës së kuadrave në Kosovë. Ajo i kishte vendosur, vite me radhë, në vendet kyçe të institucioneve krahinore, kryesisht individët që ishin në farefisni apo në marrëdhënie të tjera me të dhe të cilët supozohej se ishin edhe të verifikuar si besnikë ndaj sistemit e shtetit. Prandaj, për t`iu shmangur „fajit“, udhëqja kosovare shfaqi kontratezën mbi  “Organizatorët e Demonstratave, që rridhnin nga familjet bashkëpunëtore të okupatorit”, tezë ajo me të cilën udhëheqja shqiptare bënte përpjekje ta heqë barrën e “fajit” nga vetja, por edhe t`i shpetojë njërëzit e saj të punësuar në ato organe.
Bartëse të asaj teze qenë kuadrat e vjetra kosovare, ato që ishin të cilësuara si të dala nga lufta, ato që e kishin shpëtuar lëkurën e vet, duke shkelur mbi viktimat e luftës së Drenicës; ato që ishin përbiruar nëpër spastrimet e Inforbyrosë, nëpër shpërnguljet masive të shqiptarëve ne Turqi, nëpër Aksionin e për mbledhjen e armëve të vitit 1955’56, nëpër Demonstratat e vitit 1968’të etj. Ato supozonin se me tezën e zbuluar do t`i kalonin edhe Demonstratat e vitit 1981, madje pa “ferrë në këmbë”, pasi që e kishin gjetur fajtorin në “Forcat e dështuara gjatë LNÇ’së”. Ato kuadra, me gjasë, e kishin nuhatur se pas parullave të rinisë shqiptare për „Kosovën’Republikë“, pas kërkesave për më shumë liri e barazi të shqiptarëve me të tjerët, pas kërkesave për më shumë demokraci, mirëqenie e zhvillim më të vrullshëm ekonomik të Kosovës, pas kërkesave për pavarësim dhe shkëputje të përjetshme nga Serbia, ishte shprehur diç më shumë se sa kërkesa për konstituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës jugosllave, se kërkesa e vërtetë dhe reale ishte ajo e krijimit të shtetit shqiptar në kufinjtë e etnikë. Këtë qëllim ata donin gjithsesi ta pengonin, por, natyrisht ata i kishin edhe qëllimet tjera, sepse kishin vërejtur që, gjatë periudhës së shkuar, ishte shtuar dukshëm numri i kuadrave të arsimuara në Universitetin e Kosovës, kuadra ato, të cilave u dronin se mund t`ua rrezikonin monopolin e vendeve udhëheqëse dhe vazhdimësinë e udhëheqjes klanore. Prandaj, dukej se e kishin pritur atë rast si të volitshëm, i cili ua mundësonte qërimin e hesapeve me kuadrat e shkolluara, që kishin shfaqur prirje për mendim të pavarur nga politika ditore përkitazi me pozitën e shqiptarëve të Kosovës në kuadër të Federatës. Në fakt ajo tezë i kishte sinjalizuar UDB’ës nevojën e rishqyrtimit dhe riaktivizimit të dosjeve të hartuara mes viteve 1945’1966 për të gjitha ato familje shqiptare që kishin qenë të evidentuara si armiqësore ndaj Jugosllavisë, e familje të tilla me dosje të hapura të asaj periudhe kishte shumë. Prej gjithsej 150 mijë dosjeve të hapura mes atyre viteve, 50 mijë kishin të bënin me çështje politike.
Tezën e lansuar nga udhëheqja kosovare, udhëheqja serbo’jugosllave e pranoi në heshtje, duke patur qëllime të caktuara, të cilat mund t`i realizonte pikërisht në bazë të saj, por pasi e shfrytëzoi deri në maksimum duke burgosur ca prej intelektualëve që supozohej se u përkisnin familjeve të tilla, e hudhi si të padobishme, nga se aprovimi i një teze të tillë, për udhëheqjen jugosllavo’serbe do të nënkuptonte lënien anash të “Përzierjes së Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë”, si dhe të “Nxitjes së të rinjve shqiptarë për organizimin e demonstratave kundër shtetit”. Ndërkaq, po të hiqej mundësia e ndikimit të Shqipërisë për organizimin e demonstratave dhe të indoktrinimit të bartësve të tyre me ideologjinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, udhëheqja serbo-jugosllave nuk do t`i realizonte qëllimet e parapara me„Platformën politike për Kosovën“ dhe nuk do të mund t`i shpallte të rinjtë dhe intelektualët e burgosur shqiptarë, si“Marksistë’leninistë të indoktrinuar me iedeologjinë e Partisë së Punës së Shqipërisë”.
Ishte e njohur se udhëheqjes jugosllavo’serbe i duhej doemos vlerësimi politik mbi  “Përzierjen  dhe ndikimin e Shqipërisë qoftë për organizimin e demonstratave qoftë për vazhdimin e tyre”. Udhëheqja serbo’jugosllave  ishte e bindur se përmes atij vlerësimi, do të mund ta neutralizonte interesimin e institucioneve ndërkombëtare përkitazi me represionin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë, ashtu sikundër edhe ndodhi në të vërtetë, gjatë viteve në vijim. Në fakt, udhëheqja jugosllavo’serbe, krahas qëllimit  kryesor për qetësimin e popullit shqiptar të Kosovës me mjete represive, synonte edhe shmangien e vëmendjes së institucioneve ndërkombëtare për numrin aq të madh tëtë rinjve shqiptarë të vrarë dhe të burgosur, si dhe  për ta ruajtur reputacionin e fituar me gënjështra e propagandë për Jugosllavinë, si shteti i vetëm i taborrit socialist, i cili gjoja e kishte zgjidhur problemin e barazisë kombëtare në shtetin shumëkombësh, në sajë të sistemit politik të “Vetëqeverisjes socialiste”.

8. Atakohet sistemit edukativo - arsimor
Univeristeti i Ko­sovës, si burim nga i cili dilnin kuadrat e shkolluara shqiptare, ishte vënë në shënjestër të masave politiko’administrative të udhëheqjes serbe. Parullat e lansuara  në mediat serbe, sipas të cilave ishin “të ndërshëm“ vetëm shqiptarët e pa shkolluar, flisnin qartë për synimet që do të arrinte politika serbe, por edhe për luftën psikologjike që zhvillonin për të bërë diferencimin brendashqiptar dhe për të nxitur konflikte brendashqiptare. Prandaj, s`ishte kurrfarë befasie synimi i tyre për rrënimin e Univertsitetit, institucionit themelor për krijimin e vetëdijës kombëtare, të cilin e cilësonin si “Kështjellë të nacionalizmit shqiptar”. Sulmi në Universitetin bëhej me moton se plan’programet e lëndëve mësimore, që kishin të bënin me gjuhën, historinë dhe traditën kombëtare shqiptare, kishin përmbajtje nacionaliste dhe, sipas tyre, me ato përmbajtje ishin inspiruar demnostruesit shqiptarë. Krahas diferencmit ideo-politik dhe masave administrativo që ndërmirreshin kundër kuadrave shqiptare që punonin në Universitet, kishte filluar edhe fushata propagandistike e përmasave të mëdha antishqiptare. Shtypi dhe publicistika serbe botonte pamflete me të cilat cenohej gjuha, kultura dhe historia kombëtare shqiptare.
Fushtata e tillë politike, administrative dhe propagandistike kundër arsimit dhe shkollës shqipe në tërësi, e Universitetit dhe kuadrave universitare në veçanti, shoqërohej me suspendime nga puna të kuadrave të spikatura shkencore. I ashtuquajturi proces i diferencimit ideo’politik kishte marrë përmasa lemëritëse: punëtorët e arsimit që nga shkollat fillore deri në Universitet përjashtoheshin nga procesi mësimor, kurse një numër i madh nxënësish e studentësh, që kishin marrë pjesë në demonstrata ose që rridhnin nga familjet e vlerësuara si të papërshtatshme politikisht, përjashtoheshin nga shkollat e fakultetet, ndërkaq tehu i mllefit serb synonte ta presë arterien kryesore të arsimit dhe të edukimit të gjeneratave të reja shqiptare, ta shuajë Universitetin e Kosovës, si gurrë të krijimit të vetëdijës kombëtare shqiptare, kundër së cilës pushteti serb kishte luftuar gjithnjë, madje me të gjitha mjetet. Prandaj ajo ishte arsyeja që Universitetin e shpallën „Kështjellë të nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar“. Ai ishte bërë “Ferrë në sytë” e pushtetit serbo’jugosllav, nga se inteligjenca shqiptare e rritur dhe e krijuar në rrethana pak më të shlira politike, pas aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, kishte dhënë sinjale se nuk do të jetë e dëgjueshme dhe se nuk do ta ndiqte verbërisht politikën antikombëtare që udhëhiqej me dyer të hapura.
Komiteti krahinor i LK të Kosovës edhe para Demonstratave, por posaçërisht pas tyre, e kishte analizuar disa herë radhazi gjendjen politike në Universitet dhe kishte konstatatuar se ai institucion ishte zhvilluar në mënyrë jokritike dhe të pa plan, se ekonomia e Kosovës nuk mund ta bartte finansimin e numrit aq të madh të studentëve, se tekstet universitare e shkollore, në veçanti ato të gjuhës e të letërsisë dhe të historisë kombëtare ishin të ngarkuara me romantizëm nacional, se kuadri universitar ishte zgjedhur në disharmoni me politikën kadrovike dhe se një pjesë e tij nuk posedonte cilësi moralo’politike. Vlerësime të ngjashme ekzistonin edhe për planprogramet e shkollave të mesme dhe për kuadrin mësimor, për Entin e Teksteve dhe të Mjeteve mësimore, si edhe për Institutin albanologjik, Institutin e historisë dhe për ndonjë institucion tjetër. Theksohej poashtu se në disa fakultete shprehej edhe monopolizimi i politikës kadrovike në baza nacionale me çka bëhej i pamundur përfaqësimi i barabartë i kuadrave të kombëve dhe të kombësive, si dhe puna kërkimore’shkëncore në shkencat humanitare ishte kthyer nga e kaluara.

9. Inferioriteti  i „Ajkës“ kulturore

Një pjesë e intelektualëve shqiptarë, që kishin zënë pozita në kierarkinë e pushtetit jugosllav apo që gjendeshin pranë tij, në organet dhe në forumet e LKJ’së, në institucionet e arsimit, të kulturës, në mjetet e informimit publik etj., gjatë periudhës 1980’90’të, mbajtën qëndrim inferior ndaj burgosjeve të të rinjve studentë, nxënës e intelektualë dhe dënimeve të tyre në procese politike. Ata qëndruan inferiorë dhe nuk bënë as më të voglën përpjekje për ta demistifikuar praktikën policore të gjykimeve dhe të dënimeve në mbështje të „fakteve të inskenuara”. Se a ishte ai inferioritet i shkaktuar nga bindjet vetiake të asaj shtrese, të krijuara nga mosdyshimi në sistemin „human“ socialist’vetëqeverisës, të cilit i shërbenin, apo heshtja e tyre, ishte pasojë e bindjeve vetiake se „faktet“ që i ofronin gjykatat kundër “kundëre volucionarëve” shqiptarë, ishin të bollshme, sa që dënimet në seri prej 10 e më shumë vitesh, nuk zgjonin kureshtjen e asaj strukture intelektuale, që gjithnjë mëtonte të kuptohej si „Ajka dhe vetëdija e shëndoshë e kombit“, apo ishte ajo mospëfillje si pasojë e frikës dhe drojës për ta shpëtuar lëkurën e vet, mbetet gjithnjë çështje e hapur, por ajo sjellje asesi s`mund të ngelë e pagjykuar në aspektin e etikës dhe moralit intelektual. Por, sidoqoftë asaj shtrese nuk do t`i shkojë për nderë ajo heshtje prej varri për gjithato krime që i bëri Serbia gjatë atij dhjetëvjetëshi. Çuditërisht e njëjta strukturë, mbase e përtrirë më forcat e reja të dala nga gjeneratat e shkollës së “podrumeve”, mbajti të njëjtin qëndrim edhe gjatë luftës çlirimtare dhe bartësve të saj: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?!
Nëse nuk do të duhej befasuar për sjelljen e ca prej intelektualëve që ishin të bindur në sistemin socialist’vetëqeverisës dhe, të cilët, vërbërisht besonin se në atë sistem nuk mund të ndodhinin deformime të tilla, siç ishin proceset e montuara politike dhe, të cilët, me bindje i besonin gjithato kurdisje, që i interepretonte shtypi i përditshëm, dilte befasues fakti se ekzistonte brenda atij grupacioni një “Klan i mbyllur”, i cili këto çështje i përcillte me shpërfillje dhe mosinteresim total, për të mos thënë edhe me përbuzje. Për të tillët, fati i disa mijëra të rinjve shqiptarë, që sistemi i kishte destinuar për ta çuar një pjesë të madhe të jetës në burgjet serbe nuk kishte ndonjë rëndësi. Ata i kishin vënë për rrugë punët e veta individuale dhe familiare dhe, aq u bënte, se ç`ndodhte rreth tyre. Ata e kishin përqafuar tërësisht qëndrimin politik, sipas të cilit, „Forcat progresive i qeronin hesapet me irredentistët shqiptarë”. Ata e përdornin shprehjen „E kanë lypur e kanë gjetur“ dhe „Ç`na duhet neve të përzihemi në këto punë“.

Gjykimi i Tahir Gecajt (autorit të këtij studimi)

Zotërimi i kësaj logjike, pat për pasojë heshtjen e opinionit publik kosovar. Asnjë fjalë, asnjë shprehje pakënaqësie përkitazi me gjithato procese politike dhe për gjithata të rinj, që dënoheshin me shumë vite burg, sipas direktivave të partisë në pushtet. Edhe më keq qëndronte puna me disa prej gazetarëve shqiptarë që raportonin nga seancat e mbyllura të gjyqeve politike. Atyre nuk u mjaftonin montimet e gënjeshtrat e prokurorëve e gjykatësve (ndonjë prej të cilëve e bëjnë të njëjtën punë edhe tani?!) kundër të rinjve që dënoheshin, por bënin edhe zbulime vetiake, si „shtesa krijuese“, që quheshin vështrime e komente, në të cilat sjelljet dinjitoze të të rinjve para gjyqit, i cilësonin si „sjellje të turpshme„ e herë-herë edhe si „pafytyrësi“ e të akuzuarve, që merrnin guximin t`i mbronin bindjet e veta politike.
Gazetarët e tillë e shkelnin dinjitetin e të akuzuarve në të njëjtën mënyrë siç e shkelte edhe policia serb’jugosllave trupin e tyre. Të tillët madje i fajësonin demonstruesit shqiptarë për prishje rehatie dhe për dhënien e shansit Serbisë për ta prishur status quo’në e asaj kohe. Të tillët nuk patën guxim të ballafaqohen me të vërtetën se nuk qenë demonstruesit e as demonstratat e studentëve dhe të inteligjencisë shqiptare ata që i dhanë shansë dhe e nxitën Serbinë për ta nisur hapur dhe me të gjitha mjetet luftën antishqiptare, por qe politika e projektuar antishqiptare e kreut serb për tokën e Kosovës si pjesë të Serbisë, të cilës në rrethanat e atëhershme i shkonte për shtati heshtja dhe sjellja me qyqarllëk e strukturave udhëheqëse shqiptare të Kosovës, në të cilat bënin pjesë edhe intelektualët e apostrofuar, si dhe përkrahja që çoi deri në tradhëti, që ato struktura i dhanë Serbisë, duke e ndihmuar dhe duke ia lehtësuar veprimet antishqiptare. Deri sa intelegjencia e vendeve Perëndimore, e ngriti zërin e arsyes, duke i marrë në mbrojtje pjesën më të [i]madhe të të dënuarve politikë shqiptarë, edhe pse nuk posedonte informacione të duhura, një pjesë e inteligjencisë kosovare nuk çau kokën, por u mbyll në gëzhojën e vet.
Përkundër këtyre kategorive shoqërore, populli shqiptar, që e përjetonte në lëkurën e vet brutalitetin dhe dhunën që ushtronte ndaj tij pushteti, nuk u mashtrua nga propaganda serbo’jugosllave, përkundrazi ai e kishte kuptuar që në themel se propaganda, që ushtrohej kundër fëmijëve të tij, ishte një metodë veprimi antishqiptare e pushtetmbajtësit dhe e veglave të tij. Populli nuk heshti, por përkundrazi iu kundërvu propagandës dhe luftës psikologjike, në mënyrën e vet origjinale, ngadal por sigurt, duke i vënë në veprim mjetet e veta institucionale të traditës, të cilat i kishte përdorur si shpëtimtare të qenies së vet kombëtare gjatë qëndrimit nën okupim. Populli u rrjeshtua pa hamendje në anën e bijëve e bijave të veta, duke i përkrahur me tërë qenien e vet në luftën e tyre për liri, për pavarësi dhe bashkim të popullit shqiptar në një shtet shqiptar, në kufinjtë etnikë. Fenomeni i heshtjes së pjesës më të madhe të inteligjencës shqiptare kuandruall terrorit serb, do të ishte gabim të heshtej në emër të ndonjë qëllimi. Përkundrazi atë lypset analizuar në mënyrë objektive, duke e gjykuar si dukuri që prek në intimën e moralit kombëtar, në mënyrë që në të ardhmen mos të përsëriten fenomene të tilla. Në kihet parasysh se intelegjenca e vendeve Perëndimore e tubuar rreth organizatave humanitare e ngriti zërin e arsyes, duke i marrë në mbrojtje pjesën më të madhe të të dënuarve politikë shqiptarë, një pjesë e madhe e inteligjencisë kosovare, dështoi mbase turpërisht.

10. Institucionet e posaçme
Në rrethanat e pasdemonstratave shqiptare të vitit 1981, udhëheqja serbe e mobilizuar rreth realizimit të programit afatgjatë serb për krijimin e „Serbisë së Madhe“, ndërmori fushatë të gjerë politike, administrative dhe propagandistike për t`i vënë demonstratat në funksion të qëllimeve dhe të synimeve politike serbe. Edhe grupacioni tjetër në kuadër të Federatës, i ashtuquajtur si “Klani titist” me orientim projugosllav, veproi në të njëjtën mënyrë, duke synuar vënien e Demonstratave të rinisë shqiptare në funksion të forcimit të unitetit brenda udhëheqjeve të nivelit federativ, republikan e krahinor. Në këtë plan, edhe makineria propagandistike serbo’jugosllave me qëllim të krijimit të alibisë para opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare, e filloi fushatën propagandistike për t`i shpallur Demonstratat shqiptare si rrënuese të bazave të sistemit dhe të shtetit jugosllav, që do të çonin deri te ndryshimi i dhunshëm i kufinjve dhe shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia për t`u bashkuar me Shqipërinë. Kështu, duke e orientuar dhe mobilizuar opinionin e brendshëm kundër shqiptarëve të Kosovës, “Klani titist”, arriti për ca kohë, t`i shmangë qytetarët jugosllavë nga problemet reale me të cilat ndesheshin, si dhe t`i evitojë turbullirat sociale, që ishin në prag.
Në kuadër të interesave të të dy grupacioneve, kreu serb me përkrahje të plotë të organeve të Federatës, arriti t`i legalizojë dhe t`i institucionalizojë qëndrimet e veta për Kosovën, duke e marrë njëkohësisht aprovimin e plotë të udhëheqjeve partiake e shtetërore të republikave të tjera, jo vetëm për t`ia lënë duart e lira në Kosovë, por edhe për ta ndihmuar me të gjitha mjetet për t`i qeruar hesapet me shqiptarët. Atij  i shkonte ndorësh edhe vlerësimi  politik i demonstratave nga udhëheqja e lartë partiake jugosllave si„Tentim kontrarevolucioni i irredentistëve dhe separatistëve shqiptarë“. Pra, udhëhqja serbe i kishte rrugët e hapura për t`i aktivizuar të gjitha mekanizmat dhe për t`i ndërmarrë të gjitha masat e mundshme politike, administrative dhe ushtarake kundër popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni e Mal të Zi, duke pasur si pikësynim themelor rrënimin e pozitës kushtetuese të dy krahinave autonome, të cilat gëzonin status të dyfishtë, si pjesë përbëse të Serbisë dhe si elemente konstituive të federatës.
Udhëheqja serbe, i theksonte në veçanti gjoja pëngesat që i shkatonte qenia e krahinave si elemente konstituive të Federatës, në aspektin e aprovimit të Planit unik të zhvillimit ekonomik të republikës së Serbisë. Ndonëse në deklarimet publike, gjithnjë e theksonin edhe problemin e Vojvodinës, krerët serbë nuk kishin shqetësime të shumta rreth saj, sepse atje kishin arritur qysh më kohë ta ndryshonin strukturën e popullsisë në dobi të asaj serbe, prandaj problemi kyç dhe kryesori për ta kishte qenë dhe mbetej Kosova shqiptare, popullsinë e të cilës nuk kishin mundur ta shpërbënin me kurrfarë masash as programesh, ndonëse kurr nuk i kishin ndërprerë veprimet kundër saj.
I përkrahur nga udhëheqja federative, menjëherë pas demonstrateve, kreu serb i  zbuloi “dy armë” të fuqishme kundërshqiptare: Vlerësimin politik të demonstratave si “Tentim kontra revolucioni të nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë” dhe “Shpërnguljen e serbëve dhe të malazezëve me presion nga Kosova”. Mbi ato dy leva të fabrikuara në mbështetje të programeve afatgjata serbe, u ngrit tërë politika antishqiptare, që do të arrijë kulmin me heqjen e autonomisë së Kosovës, në vitin 1989.
Partia në pushtet dhe mekanizmat e saj, i shfrytëzuan Demonstratat e rinisë shqiptare për të krijuar një rrjetë institucionesh të posaçme, qëllimi themelor i të cilave ishte veprimtaria antishqiptare. Kështu, në nivelet republikane e federative ishte krijuar rregullativa juridike, në sajë të cilës ishin vënë në veprim ca ligje speciale që aplikoheshin vetëm në Kosovë dhe me to sankcionoheshin, si veprime inkriminuese, veprimet normale dhe të ligjshme për popujt tjerë të atij shteti. Çdo veprim i shqiptarëve si kolektivitet, apo i përfaqësuesve të tyre, si grupacion apo si individë, u nënshtrohej rregullave të sjelljes në mbështetje të ligjeve speciale, sipas të cilave ata ishin e duhej të ishin të përndjekur e të diskriminuar dhe të bëheshin plaçkë në duart e pushtetit dhe të shtetasve të tjerë të Jugosllavisë së asaj kohe. Shërbimet speciale serbo’jugosllave, pas Demonstratave të vitit 1981, bënë hulumtime edhe në arkivat e kishave dhe të manastireve ortodokse të Deçanit, të Pejës, të Graçanicës, të Deviqit e të Prizrenit etj., nga të cilat i nxorën të dhënat për shumë familje shqiptare, të evidentuara si antiserbe, që nga viti 1913’të.
Siç është e ditur, kishat dhe institucionet tjera ortodokse serbe, që nga okupimi i pjesëve të tokave shqiptare, pos përpjekjeve të pandërprera për asimilimin e popullatës shqiptare, u morën në mënyre të vazhdueshme edhe me vrojtimin dhe arkivimin e të dhënave për popullsinë shqiptare, duke e  vënë misionin fetar në funksion të pushtetit serb dhe të shërbimeve të tij sekrete. Krahas dosjeve të tilla të nxjerra nga arkivat kishtare, pushteti serb me përkrahjen e treshit antishqiptar: Ali Shukria, Sinan Hasani dhe Kolë Shiroka, e bëri riaktivizimin e bazave dhe të informatorëve të vjetër të OZN’ës e të UDB’ës, në të gjitha mjediset e Kosovës, baza ato, në të cilat bëhej grumbullimi dhe selekcionimi i informacioneve, në bazë të rrënjve familiare, shkallës së arsimimit, e të karaktertistikave të tjera, për familjet dhe për individët e përkatësisë shqiptare, të clët, supozohej se në momentin e caktuar mund të merrnin anën e„nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë“, siç i quanin me fjalorin politik, të rinjtë e shkollave të mesme, studentët dhe një pjesë e inteligjencisë shqiptare, të implikuar, në cilëndo mënyrë qoftë, në Demonstratat e pranverës së vitit 1981.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...